



Intervistoi: Sokol Paja/
1. E nderuar Mendi, si lindi ideja për të kandiduar në Këshillin e Qytetit të Mississaugës? Cila është platforma juaj elektorale?
Ideja për të kandiduar nuk lindi nga politika. Lindi nga përvoja ime e përditshme. Prej shumë vitesh punoj si Senior Condominium Manager, ku çdo ditë merrem me buxhete, infrastrukturë, siguri, mirëmbajtje, marrëdhënie me banorët dhe zgjidhjen e problemeve komplekse. Në thelb, puna që bëj sot është shumë e ngjashme me atë që bën një këshilltare bashkiake, vetëm në një shkallë më të madhe.
Unë nuk jam njeri që rri e ankohet kur diçka nuk funksionon. Nuk më pëlqen të shoh potencial të humbur. Kur shoh se diçka mund të bëhet më mirë, përvesh mëngët dhe filloj punën. Mississauga është shtëpia ime. Ward 3 është lagjja ku jetoj. Besoj se ka një potencial të jashtëzakonshëm që sot nuk po shfrytëzohet plotësisht. Ne kemi nevojë për energji të re, për njerëz që sjellin rezultate dhe jo justifikime.
Platforma ime bazohet mbi disa shtylla kryesore:
-komunitete më të sigurta;
-menaxhim të përgjegjshëm të parave të taksapaguesve;
-transparencë dhe llogaridhënie;
-infrastrukturë dhe rrugë më të mira;
-më shumë investime në familje, të rinj dhe hapësira publike.
Unë nuk premtoj mrekulli. Premtoj punë, përkushtim dhe rezultate.
2. Cili është fokusi juaj politik? Çfarë përfaqësoni dhe cili është mesazhi juaj për shqiptarët?
Unë kandidoj si një kandidate e pavarur, sepse në zgjedhjet bashkiake në Ontario nuk përfaqësohen parti politike. Fokusi im është shumë praktik. Qytetarët nuk duan fjalime të gjata. Ata duan rrugë më të sigurta, lagje më të pastra, shërbime që funksionojnë dhe një bashki që i dëgjon.
Për mua politika lokale nuk është ideologji. Është shërbim.
Shqiptarëve në Kanada dhe në diasporë dua t’u them se suksesi i një shqiptari është krenari për të gjithë ne. Mbështetja e tyre nuk është vetëm mbështetje për mua si individ, por edhe një mesazh se komuniteti ynë është i integruar, kontribuon dhe është gati të marrë përgjegjësi në vendimmarrje.
3. Sa i rëndësishëm është ky kandidim dhe mbi çfarë e mbështesni besimin tuaj për sukses?
Ky është një hap shumë i rëndësishëm, sepse vendimet që merren në bashki ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të njerëzve. Nga siguria në lagje, tek transporti, infrastruktura, taksat dhe cilësia e jetës. Besimin tim nuk e mbështes te sloganet. E mbështes te puna ime.
Kam menaxhuar komunitete të mëdha rezidenciale, kam drejtuar ekipe, kam administruar buxhete shumë milionëshe, kam zgjidhur konflikte dhe kam marrë vendime të vështira. Njerëzit nuk kanë nevojë të imagjinojnë se çfarë mund të bëj. Ata mund të shohin se çfarë bëj çdo ditë.
4. Si ndiheni që një shqiptare që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm?
Është një përgjegjësi dhe një nder i madh. Jam krenare për rrënjët e mia shqiptare. Jam po aq krenare që Kanadaja më dha mundësinë të ndërtoj jetën time këtu. Shpresoj që kandidimi im të tregojë se nuk ka rëndësi nga vjen, por çfarë kontribuon.
Nëse historia ime frymëzon qoftë edhe një vajzë të re shqiptare të besojë më shumë tek vetja dhe të mos ketë frikë të marrë role udhëheqëse, atëherë kam arritur diçka shumë të rëndësishme.
5. Si po ecën fushata? Cila është strategjia juaj?
Fushata po ecën shumë mirë. Strategjia ime nuk është marketingu. Strategjia ime është kontakti njerëzor. Po trokas derë më derë, po dëgjoj qytetarët, po marr pjesë në aktivitetet e komunitetit dhe po flas me njerëzit.
Unë besoj se besimi fitohet duke dëgjuar më shumë sesa duke folur. Edhe votuesit që ende nuk kanë vendosur, duan të shohin një person autentik. Besoj se sinqeriteti, kompetenca dhe puna konkrete bindin shumë më tepër sesa premtimet boshe.
6. Kush është Mendi Kabashi?
Jam oficere togere në rezervë, me një Master në Drejtësi, dhe kam ndërtuar karrierën time mbi disiplinën, përgjegjësinë dhe shërbimin ndaj komunitetit. Kam kryer pesë vite formim ushtarak dhe drejtues në Itali dhe kam shërbyer si oficere dhe më pas si këshilltare ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes në Shqipëri.
Sot punoj si Senior Condominium Manager në Kanada, ku drejtoj komunitete të mëdha rezidenciale dhe merrem çdo ditë me menaxhim, siguri, financa dhe zgjidhje problemesh.
Jam gjithashtu moderatore dhe intervistuese e emisionit “In Talks”, ku kam pasur mundësinë të zhvilloj biseda me personalitete nga politika, diplomacia, biznesi dhe kultura.
Jam nënë e dy fëmijëve dhe besoj se pikërisht prindërimi më ka bërë edhe më të përgjegjshme për të ardhmen e komunitetit tonë. Motoja ime është shumë e thjeshtë: Mos prit që dikush tjetër të ndryshojë gjërat. Bëhu pjesë e ndryshimit.
7. Cila është historia juaj familjare dhe e emigrimit në Kanada?
Vij nga një familje shqiptare ku puna, arsimi dhe integriteti kanë qenë gjithmonë vlerat më të rëndësishme. Babai im, Mirush Kabashi, ishte një artist i njohur shqiptar dhe më mësoi që emri ndërtohet me karakter, punë dhe dinjitet.
Pas një karriere në Shqipëri dhe studimeve në Itali, vendosa të ndërtoj jetën time në Kanada. Si shumë emigrantë, fillova nga e para. Me punë, disiplinë dhe këmbëngulje arrita të ndërtoj një karrierë profesionale dhe të fitoj besimin e komunitetit.
Kanadaja më dha mundësi. Sot dua t’i kthej diçka këtij vendi përmes shërbimit publik. Besoj se çdo brez ka përgjegjësinë të lërë pas një komunitet më të mirë sesa e gjeti.