

Intelektualin që komunizm nuk arriti ta thyejë, në 29-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë.
Nga Frank Shkreli
Më 20 korrik 1997, në Washington, u shua fizikisht një nga personalitetet më të mëdha të mendimit shqiptar të shekullit XX. Por vdekja nuk mund ta heshtte Arshi Pipën. Përkundrazi, me kalimin e viteve, zëri i tij është bërë edhe më aktual, ndërsa veprat dhe paralajmërimet e tij marrin një peshë të re në një Shqipëri që ende nuk ka bërë paqe me të kaluarën e saj komuniste, e rrjedhimisht, as me vet-veten. Frank Shkreli/ Arshi Pipa: Mendime të hedhura me rastin e 100-vjetorit të lindjes | Gazeta Telegraf
Arshi Pipa nuk ishte vetëm poet, filozof, kritik letrar dhe profesor universiteti në Amerikë. Ai ishte ndërgjegjja e lirë e një kombi të robëruar. Ishte një intelektual që e pagoi me dhjetë vjet burg besnikërinë ndaj së vërtetës dhe refuzimin për t’iu nënshtruar diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Në burgjet e regjimit të Enver Hoxhës, ai provoi gjithçka që mund të prodhojë një sistem totalitar terrorist: urinë, punën skllavëruese, poshtërimin dhe terrorin psikologjik. Regjimi synonte ta thyente, ta detyronte të mohonte veten dhe bindjet e tij. Dështoi. Nga ato qeli të errëta dolën poezi, meditime dhe një forcë morale që vetëm njerëzit me karakter të jashtëzakonshëm mund ta ruajnë në kushte çnjerëzore. Nga Frank Shkreli – Imzot Vinçens Prenushi: Dëshmi drite në errësirën e dhunës komunisto-bolshevike shqiptare | Gazeta Telegraf. Kur arriti në botën e lirë, Arshi Pipa nuk zgjodhi qetësinë e mërgimit. Ai zgjodhi betejën. Nga universitetet amerikane, ku fitoi respektin e kolegëve dhe studentëve si studiues i letërsisë dhe filozofisë, ai e përdori autoritetin e tij akademik për t’i treguar Amerikës dhe botës fytyrën e vërtetë të komunizmit shqiptar. Në një kohë kur propaganda e Tiranës përpiqej të paraqiste Shqipërinë si një “parajsë socialiste”, Arshi Pipa u bë një nga zërat më të besueshëm që e rrëzoi dhe diskreditoi atë mashtrim. Ai nuk fliste nga teoritë. Fliste si njeri që kishte mbijetuar ferrin komunist në burgjet e Enver Hoxhës. Lufta e tij nuk kufizohej vetëm kundër diktaturës shqiptare. Arshi Pipa e shihte komunizmin si një kërcënim universal ndaj qytetërimit perëndimor, ndaj lirisë individuale dhe dinjitetit njerëzor. Ai ishte pjesë e asaj plejade intelektualësh shqiptarë dhe të Evropës Lindore dhe të diasporës antikomuniste në Amerikë që paralajmëronin Perëndimin të mos binte pre, e iluzioneve ideologjike. Për Profesor Pipën, komunizmi nuk kishte “fytyrë njerëzore”. Ai ishte një sistem që mbijetonte vetëm përmes dhunës, frikës dhe shkatërrimit të elitave kombëtare.
Njëkohësisht, ai mbrojti me vendosmëri identitetin kulturor shqiptar. Debatet e tij mbi gjuhën standarde, historinë e letërsisë dhe trashëgiminë kombëtare nuk ishin, thjesht, ushtrime akademike. Ato ishin pjesë e përpjekjes për ta çliruar kulturën shqiptare nga prangat ideologjike të diktaturës komuniste në çdo fushë të jetës dhe veprimtarisë shoqërore. Ai besonte se edhe gjuha mund të burgosej, po aq sa njeriu, kur vihej në shërbim të pushtetit politik.
Sot, paradoksi është i hidhur. Ndërsa emra mediokër të nomenklaturës komuniste vazhdojnë në krye të institucioneve akadaemike, vazhdojnë të promovohen e madje të rehabilitohen në jetën publike shqiptare — figura si Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Martin Camaj, e shumë të tjerë patriotë, të dënuar, anashkaluar dhe të harruar, ende nuk kanë marrë vendin që meritojnë në shoqërinë shqiptare, në tekstet shkollore, në institucionet shtetërore, universitare e akademike dhe as në kujtesën kombëtare, në përgjithsi. Kjo nuk është vetëm një harresë historike por është një padrejtësi morale përmasash kombëtare.
Një komb që nuk nderon ata që sakrifikuan për lirinë, rrezikon të humbasë vetë kuptimin e lirisë. Arshi Pipa nuk kërkoi privilegje, as lavdi personale. Ai kërkoi vetëm që e vërteta të mos nënshtrohej dhe që krimet e komunizmit të mos relativizoheshin, kurrë. Në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, kujtimi i Arshi Pipës është më shumë se një homazh. Është një thirrje për ndërgjegje. Është një kujtesë se demokracia nuk mbrohet me harresë, por me të Vërtetën; se pajtimi nuk ndërtohet mbi heshtjen ndaj së kaluarës komuniste dhe krimeve të regjimit, por mbi drejtësinë; dhe se liria nuk është dhuratë, por trashëgimi që çdo brez duhet ta mbrojë. Profesor Arshi Pipa mbetet një nga monumentet morale të antikomunizmit shqiptar. Zëri i tij vazhdon të na kujtojë se diktaturat mund të burgosin trupin e njeriut, por kurrë mendimin e lirë.
Nëse Profesor Arshi Pipa do të mund të na fliste sot, ai nuk do të hiqte dorë nga parimet që e udhëhoqën gjithë jetën e tij: mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, të drejtës së qytetarëve për të kundërshtuar pushtetin dhe domosdoshmërinë që qeveritë të japin llogari para popullit. Ai, si shumë të tjerë të brezit të tij, e konsideronte heshtjen përballë padrejtësisë si bashkëfajësi morale dhe besonte se demokracia nuk mund të mbijetojë pa një qytetari aktive dhe pa institucione që respektojnë ligjin. Në këtë kuptim, protestat e vazhdueshme qytetare në Tiranë, pavarësisht bindjeve politike të pjesëmarrësve dhe debateve që ato kanë ngjallur, janë shprehje e një të drejte themelore demokratike që duhet të garantohet dhe të dëgjohet, jo të shpërfillet.
Po aq e sigurt është se Arshi Pipa do të këmbëngulte që opozita, shoqëria civile dhe çdo lëvizje qytetare të udhëhiqeshin nga parime morale, respekti për shtetin e së drejtës dhe refuzimi i çdo forme dhune. Për të, demokracia nuk ishte vetëm e drejta për të protestuar, por edhe përgjegjësia për të ndërtuar një kulturë politike ku pushteti kontrollohet, ku korrupsioni ndëshkohet dhe liria dhe interesi kombëtar nuk sakrifikohen kurrë në emër të interesave politike e partiake. Ky është mesazhi që e bën Profesor Arshi Pipën një figurë të përhershme të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Është detyrë morale dhe kombëtare që shteti dhe shoqëria shqiptare t’i japin Arshi Pipës vendin që i takon në panteonin e kulturës dhe të rezistencës shqiptare. Veprat e tij duhet të jenë pjesë e programeve universitare dhe shkollore; kontributi i tij duhet të njihet e të promovohet; ndërsa sakrifica e tij duhet të shërbejë si frymëzim edhe për brezat e rinj sot dhe në të ardhmen.
Siç e kam theksuar shpeshëherë në të kaluarën edhe për raste të tjera, një komb që nuk nderon mendjet e tij më të ndritura, rrezikon të humbasë kujtesën historike. Arshi Pipa nuk ka nevojë për lavdi të vonuar — është Shqipëria ajo që ka nevojë të pajtohet me të Vërtetën për figura si ai.