
Prezantimi i një rezolute në Dhomën e Përfaqësuesve, në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO nga kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës. Rezoluta vlerëson arritjet e Kosovës dhe argumenton se anëtarësimi i saj në NATO do të ndihmonte në stabilitetin e Ballkanit.
Aprovimi i kësaj rezolute në Kongres është një procedurë e caktuar. Pas kalimit në Dhomën e Përfaqësuesve, ajo duhet të prezantohet dhe të aprovohet edhe nga Senati amerikan, për t’u evidentuar si vendim i përbashkët i Kongresit amerikan.
Duhet pasur parasysh se rezoluta nuk është ligj detyrues, por ka efekt politik pozitiv, sepse tregon se në Amerikë ekziston mbështetje për Kosovën nga të dyja partitë kryesore. Ajo forcon pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe rrit presionin diplomatik ndaj vendeve të NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Njëkohësisht, ajo ndikon te Departamenti i Shtetit dhe administrata amerikane që politikën e tyre të jashtme ta orientojnë në favor të Kosovës, duke e vlerësuar atë si një interes strategjik amerikan.
Kjo rezolutë nuk e detyron NATO-n të ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim, megjithatë ua bën të qartë vendeve anëtare, por edhe armiqve të Kosovës, interesin amerikan për Kosovën.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një proces afatgjatë që kërkon plotësimin e shumë parakushteve, disa prej të cilave nuk varen nga Kosova. Megjithatë, Kosova duhet t’i kryejë detyrat e veta në këtë drejtim, ku faza e parë është inkuadrimi në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Kjo rezolutë tregon gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm dhe të suksesshëm të individëve dhe organizatave të komunitetit shqiptaro-amerikan në interes të Kosovës dhe kombit shqiptar, posaçërisht të komunitetit në Dallas dhe në New York.
Kongresmeni Keith Self, bashkë me disa anëtarë të tjerë të Kongresit, po vazhdojnë rolin historik të paraardhësve të tyre në Kongresin Amerikan, si DioGuardi, Dole, Lantos, McCain, Biden, Engel, Gilman, Hyde e të tjerë.
Përpjekjet e regjimit të prapambetur serb për të vepruar në SHBA drejtpërdrejt dhe nëpërmjet komunitetit serbo-amerikan po dështojnë dita-ditës, pavarësisht investimit të miliona dollarëve. Arsyeja është e thjeshtë: çështja e tyre është e padrejtë, agresive, anti-perëndimore dhe anti-njerëzore.
Detyrë parësore ekzistenciale e qeverisjes së Kosovës, krahas zhvillimit demokratik dhe ekonomik të shtetit, është forcimi i sundimit të ligjit, profesionalizmi i ushtrisë dhe stabiliteti politik. Orientimi pro-amerikan i Kosovës nuk guxon të vihet në pikëpyetje asnjëherë, në asnjë mënyrë. Pa Amerikë nuk ka Kosovë.
Maskarada e vitit të kaluar e opozitës së Kosovës, me bllokimin e krijimit të institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve demokratike, sidomos bojkotimi i fundit i zgjedhjes së Presidentit, po ndikon shumë negativisht në imazhin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Populli shumicë i Kosovës, edhe pse i lodhur dhe i dëshpëruar nga zgjedhjet e njëpasnjëshme të panevojshme, duhet të mobilizohet edhe njëherë dhe t’ua tregojë me votë vendin bllokuesve të shtetit, opozitës së Kosovës, e cila i ka vënë interesat personale dhe partiake përpara atyre shtetërore dhe kombëtare.
Agim Aliçkaj