• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEMOKRATI AT GJON SHLLAKU

November 5, 2026 by s p

Edhe mund ti vras veshin dikujt atributi i këtij emri, dhe s’do ti vijë i papritur atyre që janë mësuar tashmë me të tillë errësime emrash, si është ky i françeskanit të martirizuar. Jo. Mbase mund të trembet ndokush, që për karrierë vetjake, u bë megafon i atyre që e denuan me vdekje At Gjon Shllakun, misionarin shëmbullor, patriotin dhe demokratin e papërkulur, intelektualin e pamort.

Për opinionin publik, sot e kësaj dite, denimi dhe vrasja e tij janë të pa spjegueshme e të paligjshme. Madje shumë presin ditën kur i e martirë të tjerë të rifitojnë dritën e pafajsisë me anë të rishyrtimit publik të proçedurës së ndjekur. Jo se me demaskimin e epokës dhe të personave do të kërkohët njëkohësisht edhe hakmarrje.

S’është qëllimi i askujt, e mund të thuhet me plot bindje se nuk do të ishte as i vetë At Gjonit, I cili edhe për së vdekuri do t’u drejtohej ithtarëve të vet me vargjet e mjeshtrit dhe kolegut të tij At Gjergj Fishtës:

“Ndalniu! Ku veni, burra!

Pashë Zotin lshoni hutat,

Pse teper gjak asht derdhun,

Pse teper bajtë kan futat !…”

Pra jo hakmarrje. Por edhe që ish-prokurori, Aranit Çela, që me helm dhe fyerje e shpifje në gjyqin mashtrues të kurdisur, ish-prokurori I cili dhe për “merita” të tilla ngjiti shkallët e instancave të larta të Gjykatës s Lartë, tani të caktohet anëtar I Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kjo me të vertete nuk mund të durohet. Pajtimi kombëtar, që duhet e që kërkohet prej kujdo, i ka kufinjët e vet!

Por të prpiqemi tash e të hedhim një fill dritë mbi këtë dëshmor të lirisë, në

pragun e 45 -vjetorit të vrasjes së tij.

Në numrin 3-4 të v.1942 revista “Hylli i Dritës” botonte tre elegji për tre dëshmorët e mëdhenj të vendit tonë: (Shpell’ e Dragobisë, Syrgjyn vdekur të Fan Nolit si dhe Dom Gjon Gazullit te M.N.).

Këto poezi priheshin nga një shkrim i shkurter i drejtorit të asokohshëm të revistës, At Gjon Shllaku me titullin: ”Fatosa të harruem”. I tillë koncepsion editorial ka qënë kuptimplotë për atë kohë (atdheu ishte i pushtuar) por merr vlera edhe sot posaçerisht për dy rreshtat e fillimit dhe të fundit të artikullit, që ishin kështu:

“Tjetërkund, njerzit e idealit, në u mbytshin për së gjalli nderohen për së vdekuni. Nder ne ata mbyten dy herë: edhe harrohen.”

“ Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosa qi vdesin. Por fatosat qe vdesin nuk kanë ç’të bajnë në një komb qi i harron e i përbuz.

Këto apostrofime tingëlluan deri sot si profeci të trishta por s’duhet të jehojnë më ashtu në të ardhmen. Dëshmorët mos u harroshin kurrë!

At Gjon Shllaku, bir i një zejtari , lindi në Shkodër në v.1905. Që në fëmini dha shenja zgjuarsie dhe në moshë fare të re hyri në Kolegjën Franceskan të Shkodrës ku dhe prane tije vazhdoi edhe gjimnazin, drejtor i të cilit ka qenë At Gjergj Fishta.

At Gjergj Fishta duke vlerësuar drejt prirjet dhe aftësitë e nxënësit të vet, e dergoi atë në Hollandë, ku Patër Gjoni u diplomua në teologji. Në Leuven të Belgjikes ai studioi dy vite në fakultetin e kimisë dhe dy të tjera ne fakultetin e filozofisë. Transferohet në Paris në Universitetin e Sorbones, ku në vitin 1937 u diplomua në filozofi. Para se të kthehej në atdhe, ai ndoqi po në Paris nje kurs specializimi per gazetari.

Teza e diplomimit që ai mbrojti para docentëve të Sorbonës ka qënë “Kritikë e filozofisë së Giovani Gentile”. (Shënojmë këtu se Gentile ka qenë mendimtar i përkrahur prej fashizmit, aq sa Musolini e pat emruar minister arsimi).

Gjatë qendrimit në Francë, At Gjon Shllaku ka frekuentuar rrethin e të arratisurve politikë shqiptar pas vitit 1924, posaçerisht familjen e eksponentit të qeverisë demokratike të Nolit, patriotin Angjelin Suma.

Për arsye të këtyre frekuentimeve dhe për tezën e doktoraturës kundër Gentiles, por edhe pse dyshohej se do të sillte në Shqipëri një mesazh të politikanëve të arratisur të cilët ia drejtonin intiligjencës vendore, At Gjoni, kur po kthehej u arrestua në Torino (Itali), ku u kontrollua imtësisht por nuk gjetën gjë ( mesazhin e kishte fshehur në astarin e valixhes). Ai u mbajt ne burgun Santa Margharita për rreth 20 ditë.

Kur arriti në Shkoder u emërua profesor në Gjimnazin Françeskan, detyre që ai e kreu më së miri deri në fund të vitit 1944, pa i lanë mbasdore detyrat e tjera si meshtar dhe publiçist. Në mes të tij dhe studentave u krijua shpejt një atmosfere dashamirësie e ndersjelltë, megjithese ai kërkonte shumë dhe ishte i shtërnguar në nota.

Në atë kohë Kuvendi i Françeskanëve po arrinte kulme të larta zhvillimi kulturor. Plejadës së lavdishme të etërve Gj.Fishta, V.Prendushi, A.Harapi, P.Bardhi, M.Gjoka, Q.Nika, J.Rrota e shumë e shumë të tjerë, nisën tu shtoheshin kuadro të reja, etërit Gjon Shllaku, doktor në filozofi, A.Gegaj, laureat në histori, J.Marlekaj, laureat në letërsi, L. Kabashi, i diplomuar në artet grafike e një varg të rinjsh që vazhdonin studimet e larta në filologji, matematikë, biologji etj perveç diplomimit paraprak të secilit në teologji. Françeskanët ndiqnin dhe përkrahnin veprimtari me vlerë të madhe në të gjitha fushat kulturore e artistike, në muzikë, në botime librash e revistash, në konferenca studimore si dhe në takime të programuara ose të improvizuara me pjesmarrje të panumër intelektualësh, profesorësh, ekonomistësh e studiuesish të të gjitha shkencave, e pa as ma të voglin dallim.

Në brumin e traditës patriotike, kulturore dhe artistike, tani zunë të ngjesheshin dituritë bashkëkohore të fituara në universitetet e permendura evropiane.

At Gjergj Fishta, që e deshi dhe e vlerësoi gjithmonë At Gjonin, në atë kohë ishte drejtor i revistes “Hylli i Dritës” por dhe për arsye shëndetësore që në vitin 1939 ia besoi “ de facto” drejtimin e revistës Atij. At Gjoni këtë detyrë e kreu më së miri deri në mbylljen e saj ne vitin 1944.

Në letrën që Fishta i shkruante drejtorit të ri, e porosite atë pak a shume kështu: “Po ta la Hyllin e Dritës e gomarin ta kam lanë lidhur për derë të shtypshkronjës. Ban ti çka të duesh me ate.” (Ishte fjala për pjesën e dytë të Gomarit të Babatasit).

Në të vertetë Fishta e vlerësoi shumë At Gjonin dhe e deshi pranë vetës deri sa vdiq.

Në drejtimin e Hyllit te Dritës aftësia e At Gjonit spikat shkelqyeshem. Shpejt revista u shëndrrue në një forum kombëtar me pjesmarrje të personaliteteve më të shquara të kulturës si: E.Çabej, K.Prela, Nj.Gj.Ndoja, L.Mirdita, V.Samin, F.Alikaj, P.Kaçinari, K.Naraçi e shumë e shumë të tjerë.

Por në vitin 1940 At Gjon Shllaku u detyrua të ndërpriste drejtimin e revistës duke lënë si zevendesues At Benedikt Demen. Kjo sepse sipas informatave të fshehta u muar vesh se At Gjoni do të arrestohej nga autoritetet fashiste, për këtë arsye françeskanët bën që ai të arratisej nëpër Jugosllavi me qëllim të shkonte në Austri, ku do vazhdonte studimet pasuniversitare ne filologji indo-evropiane, gja që duket ja pat sugjeruar Eqerem Çabej.

Por u detyruat a ndalonte udhetimin në Vorazhelin të Jugosllavisë, prej nga u kthye në Shkodër pas disa muajsh ku mori serish në dorë drejtimin e Hyllit te Dritës. Duhet shënuar se revista gjatë atyre viteve nuk ra kurrë në pozitat politike të regjimit, por ruajti me forcë karakterin e vet kultural e artistik.

Zyra e redaksisë së revistës nisi të fitonte përsëri frekuentim kulturor të larmishëm. Nga takimet e shumta që zhvilloheshin aty duhen përmendur ata me Prof. Kolë Prelën, edhe për fillin tragjik që e lidhi këtë të fundit me At Gjonin. Megjithëqe bazat filozofike të këtyre ishin antipodike (idealiste ata të At Gjonit dhe materialiste ata të Kolë Preles) raportet në mes të tyre kanë qenë kurdohere të karakterizuara nga respekti e toleranca e ndersjellët e nuk kanë qenë të pakta pikat ku ata përputheshin në mënyrë të përsosur. Prof. Kolë Prela u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor, por ky pozicion nuk e pengoi atë që pa asnjë ngurrim të dilte para gjykatës si i vetmi dëshmitar i mbrojtjes së mikut të tij, At Gjon Shllakut. Aty Profesori kundërshtoi me argumenta të pakontestueshme akuzat e rrejshme të trupit gjykues. Per këtë qëndrim, Prof. Kolë Prela, pas pak ditësh humbi mandatin e deputetit, u burgos dhe u dënua me vdekje. Një tjetër dëshmor ky, për të cilin duhet folur, siç po bëhet për Sejfulla Maleshoven etj.

Në vitin 1945 intelektualët shkodranë organizuan konferencën për krijimin e Shtëpisë së Kulturës. U ftua At Gjoni të cilin konferenca me një zë e zgjodhi kryetar nderi. Ai mbajti aty një fjalim përurues i cili do të mbetet i paharruar për auditorët e asaj ditë. Foli gjatë e me gjithë shpirt për prespektivat që do i hapeshin vendit tonë. Të gjithë e njihnin dhe e respektonin At Gjonin dhe ishin të bindur se me nismat si kultura, ekonomia dhe arti do të rilulëzonin në Shqipërinë e pavarur.

Por fjalët e tija nuk i pëlqyen forcave të errtëa të asaj kohe, që dihet mirë se kanë qenë raje e të huajit, e Jugosllavisë, e sovjetikve etj. Raje e atyre që po e gllabëronin gjithë vendin dhe që çdo gjë e shikonin me sy të keq dhe që kërkonin të shtypnin që në lindje çdo levizje liridashëse në Shqipëri.

Një ditë të ftohët të dimrit të 1946-es, kur At Gjon Shllaku kishte hyrë në klasë e po përgatitesh të fillonte mesimin e filozofisë studentëve të vet, u paraqiten dy civilë të cilët pa një pa dy e arrestuan dhe e burgosën. Për ironinë më të madhe në mbrëmje Radio Shkodra transmetonte me paturpësi se: At Gjon Shllaku u arrestua ne tentativën për tu arratisur nëpër kufirin Jugosllav.

Një mengjez të vrejtur, me 4 Mars 1946, zemrat e shkodranëve u dridhën kur degjuan të shtënat e mitrolozit që vinin nga Zalli i Kirit. E vertetë ishte dhe e vertete tragjike! At Gjon Shllaku me të tjerë të dënuar të pafajshëm, kishin rënë nën plumbat e skuadres ekzekutuese.

U shua dhe një shqiptar i vertetë, një demokrat, një intelektual i pazevendesueshem, një njeri i ndershëm, i vetmi faj i të cilit ka qënë se e deshi atdheun, se u përpoq për liri dhe demokraci.

Krishti në darkën e mbrame, duke i ofruar verën apostujve të vet, i tha:

“ Ky asht gjaku im i derdhur për ju e për të gjithë, për aleancën tonë të re dhe të perjetshme….”

Këto fjalë që At Gjoni kushedi sa here i ka përsëritur në meshët e veta të perditshme, le të jenë edhe testamenti që ai u len shqiptarve të rinj, që ta çojnë perpara, gjithnjë përpara lirinë e demokracinë e fituar me gjak.

Zef Zorba

Filed Under: Kulture

Katër vepra filozofike të filozofit të shquar shqiptar, Isuf Luzaj

November 4, 2026 by s p

Instituti Lumo Skëndo/

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, pas një studimi dhjetëvjeçar, botoi katër veprat filozofike të filozofit të shquar shqiptar, Isuf Luzaj, duke nxjerrë në pah figurën shumëdimensionale të Profesorit. Uran Butka, drejtuesi i Institutit Lumo Skëndo – Nuk është vetëm personalitet, është një fenomen shumëplanësh. Student i shkëlqyer në Paris, mësues i shkollave të mesme, politikan, veprimtar, antifashist i orëve të para, komandant çete. U internua nga italianët. Krijoi programin dhe statutin e Partisë Social Demokrate.

Luzaj i shfaqi që në fillim prirjet e tij antikomuniste, u bë veprimtar i bashkimit kombëtar, me fjalimin e fortë për një Shqipëri të lirë demokratike dhe etnike në Kuvendin e Mukjes. Uran Butka, drejtuesi i Institutit Lumo Skëndo – Një antikomunist i vendosur, që e quante komunizmin si një sëmundje kanceroze dhe antinjerëzore.

Filozofi u dënua për vdekje dhe u largua nga vendi, për t’i shpëtuar diktaturës komuniste, ku “Lumenjtë rrjedhin të kuq”, siç shkruante ai. Jashtë Shqipërisë vijoi krijimtarisnë si filozof, historiai, sociolog, kritik, anrtopolog, poet e shkrimtari, me një prodhimtari të jashtëzakonshme krijuese, që tashmë vjen e përmbledhur për lexuesin.

Uran Butka, drejtuesi i Institutit Lumo Skëndo – Ai është filozof i ekzistencializmit aktiv ose veprues, jo ‘ekzistoj se jam’, por ‘ekzistoj sepse veproj’. Kjo është shumë e rëndësishme. Ishte një filozof i madh. Në aktivitetin promovua, i emocionuar për finalizimin e kësaj kolane, nipi e kujton Profesor Luzajn përmes një shprehjeje, që qëndron po aq aktuale edhe sot.

Bernard Caushaj, nipi i Profesor Isuf Luzaj – Sa jemi shqiptarë, kemi të gjithë një farë, kemi të gjithë një besë, nuk jemi kurrë të ndarë. Instituti “Lumo Skëndo” synon të pasurojë veprën edhe me botimin e gjashtë vëllimeve të tjerë të krijimtarisë letrare, historike dhe memuaristike të Isuf Luzajt.

Filed Under: Kulture

FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE

November 3, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Viti 2026 mund të konsiderohet një vit me arritje të vlerësueshme për filatelinë shqiptare, veçanërisht për sa i përket përzgjedhjes dhe trajtimit të tematikave të emetimeve postare. Një vështrim mbi programin e realizuar evidenton përpjekjen për të pasqyruar vlera të rëndësishme të historisë kombëtare, trashëgimisë kulturore, natyrës dhe biodiversitetit shqiptar, krahas temave që lidhen me zhvillimet bashkëkohore dhe bashkëpunimin filatelik ndërkombëtar.

Një meritë e veçantë e këtyre emetimeve është përparësia që iu dha temave me karakter kombëtar, të cilat përmes pullave postare shërbejnë jo vetëm si objekte koleksionimi, por edhe si mjete komunikimi kulturor dhe dokumentimi historik. Në këtë këndvështrim, emetimi kushtuar xhubletës ishte ndër më përfaqësuesit e vitit. Përveç rëndësisë së temës, ai u dallua edhe për mënyrën e prezantimit, duke u shoqëruar me disa forma filatelike: seri pullash, zarfa të ditës së parë (FDC), karta maksimumi dhe buklet. Kjo shumëllojshmëri i dha emetimit një vlerë të shtuar koleksionimi dhe e bëri më të plotë paraqitjen e një prej elementeve më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore.

Një vend të rëndësishëm në program zunë edhe temat e faunës dhe florës shqiptare, të cilat tradicionalisht kanë interes të veçantë për koleksionistët. Në emetimet kushtuar faunës, përfaqësimi i shqiponjës, si simbol i identitetit kombëtar, i jep kësaj tematike një domethënie përtej aspektit natyror. Ndërsa emetimi për florën shqiptare solli në vëmendje bimë karakteristike të peizazhit tonë, si boronica e egër, fiku i detit, valanidhi dhe qepa e detit. Këto specie përfaqësojnë pasuri të rëndësishme të biodiversitetit, duke dëshmuar larminë e habitateve dhe përshtatjen e bimësisë me kushtet e ndryshme natyrore të vendit. Përmes këtyre pullave, filatelia merr edhe një funksion edukues, duke nxitur interesin për njohjen dhe mbrojtjen e natyrës.

Në të njëjtën linjë mund të vlerësohet emetimi kushtuar turizmit malor në Shqipëri. Pamjet e majave dhe luginave malore, nga Alpet shqiptare e më tej, paraqesin një pasuri të jashtëzakonshme peizazhore dhe krijojnë një imazh autentik të potencialeve turistike të vendit. Ky emetim nuk ka vetëm vlerë dokumentuese, por edhe promovuese, pasi pulla postare mbetet një ambasadore e vogël e vendit që udhëton përtej kufijve.

Një tjetër pikë e fortë e programit ishte emetimi “Ngjarje historike”, përmes të cilit u përkujtuan disa përvjetorë të rëndësishëm, që shënojnë një shekull nga themelimi apo krijimi i institucioneve me ndikim në jetën shqiptare. Ndër to përfshihen Instituti Femëror “Kyrias”, i themeluar nga Parashqevi Qiriazi, themelimi i Bankës së Shqipërisë, shpallja e Republikës së Shqipërisë dhe hapja e Shkollës Profesionale në Golem të Kavajës. Përzgjedhja e këtyre ngjarjeve ka rëndësi të veçantë, sepse përmes imazheve të ndërtesave historike rikthehen në kujtesë institucione që kanë ndikuar në zhvillimin arsimor, ekonomik dhe shtetëror të vendit.

Programi përfshiu gjithashtu figura të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare, si Vaso Pasha, Qamil Buxheli, Albert Paparisto, Zija Shkodra dhe Papa Kristo Negovani,. Këto emetime dëshmojnë përpjekjen për të ruajtur kujtesën mbi personalitete që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të jetës kombëtare.

Vëmendje meriton edhe emetimi kushtuar digjitalizimit të sektorit postar, një temë që pasqyron transformimet teknologjike të shërbimeve dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e kohës. Ndërkohë, emetimi për trashëgiminë kulturore, me temën e qëndisjeve, evidentoi një tjetër dimension të traditës sonë popullore, ku mjeshtëria artizanale, motivet dhe simbolika përbëjnë një pasuri të çmuar kulturore.

Interes paraqet edhe emetimi mbi zbulimet arkeologjike në varrezat mesjetare të Përmetit dhe në qytetin antik të Orikumit, ku janë zbuluar objekte të shumta zbukurimi. Përfshirja e këtyre zbulimeve në filateli është një mënyrë e mirë për të lidhur objektin postar me kërkimin shkencor dhe për të përcjellë te koleksionistët dëshmi konkrete të historisë sonë të hershme.

Në këtë panoramë nuk duhen lënë jashtë as emetimet EuroMed dhe ato të serisë Europa 2025, të cilat përfaqësojnë një dimension tjetër të filatelisë shqiptare, atë të pjesëmarrjes në tematika të përbashkëta dhe të komunikimit me hapësirën filatelike evropiane.

Nga pikëpamja sasiore, prodhimi filatelik i vitit 2026 përfshiu rreth 32 imazhe pullash, 12 zarfa të ditës së parë (FDC), pese blloqe filatelike dhe produkte të tjera shoqëruese. Në realizimin grafik u angazhuan piktorë me përvojë në fushën e filatelisë, si A. Baboci, Xh. Guga, G. Gjikopulli dhe S. Zani, si dhe shtëpia botuese Adel Co. Një element pozitiv ishte shoqërimi i çdo emetimi me qarkore informuese, ku pasqyrohen të dhëna të rëndësishme për çmimet, tirazhet, karakteristikat teknike të pullave dhe autorësinë artistike. Këto të dhëna janë veçanërisht të vlefshme për koleksionistët dhe studiuesit, pasi përbëjnë dokumentacionin bazë për identifikimin dhe vlerësimin e materialit filatelik.

Megjithatë, krahas vlerësimeve pozitive, analiza e vitit 2026 nxjerr në pah edhe disa problematika që nuk mund të anashkalohen. Më e rëndësishmja lidhet me faktin se dhjetë emetimet e realizuara gjatë këtij viti, sipas informacionit të disponueshëm, i përkisnin programit të vitit 2025. Pra, kemi të bëjmë me një program të zbatuar me vonesë, një problem që duket se është përsëritur edhe në vitet e mëparshme në veprimtarinë e Postës Shqiptare.

Nuk është një çështje thjesht administrative. Respektimi i kalendarit të emetimeve përbën një element të rëndësishëm të seriozitetit dhe besueshmërisë së një administrate postare. Vonesat ndikojnë drejtpërdrejt te koleksionistët vendas dhe të huaj, të cilët planifikojnë blerjet dhe plotësimin e koleksioneve në bazë të programeve të shpallura. Ato krijojnë gjithashtu paqartësi në dokumentimin dhe ndjekjen e zhvillimeve filatelike nga organizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe Bashkimin Postar Universal (UPU).

Është veçanërisht e papërshtatshme që një numër kaq i madh emetimesh të përqendrohet në muajt shtator dhe tetor të vitit 2026. Një praktikë e tillë e vështirëson ndjekjen e rregullt të programit dhe e privon çdo emetim nga një pjesë e vëmendjes që do të meritonte nëse do të prezantohej në kohën e parashikuar. Për më tepër, deri në këtë moment mbetet e paqartë se si do të veprohet me programin e emetimeve të vitit 2026 dhe në çfarë mase ai eshte i mundur te realizohet. Një tjetër mangësi vërehet në informimin që ofron faqja zyrtare e Postës Shqiptare në internet. Në disa raste, të dhënat e publikuara aty nuk janë të plota dhe nuk përputhen me informacionin më të hollësishëm të qarkoreve shoqëruese.

Një shembull konkret është mungesa e tirazheve të pullave, të dhëna me rëndësi të veçantë për dokumentimin dhe studimin filatelik. Në kohën kur informacioni digjital është mjeti kryesor i komunikimit, një administratë postare duhet të garantojë që të dhënat për emetimet të jenë të plota, të sakta dhe lehtësisht të aksesueshme. Në përfundim, viti 2026 dëshmoi se filatelia shqiptare ka potencial për të realizuar emetime me përmbajtje të pasur kombëtare, me vlera historike, kulturore, artistike dhe edukative. Përzgjedhja e temave ishte përgjithësisht e qëlluar dhe meriton vlerësim. Por cilësia e përmbajtjes nuk duhet të jetë e vetmja masë e suksesit. Ajo duhet të shoqërohet me korrektësi në zbatimin e kalendarit, transparencë në publikimin e të dhënave dhe vazhdimësi në informimin e koleksionistëve.

Për këtë arsye, është e domosdoshme që programi filatelik të shpallet që në fillim të çdo viti dhe të shoqërohet me një kalendar të qartë realizimi, të cilit Posta Shqiptare duhet t’i përmbahet. Vetëm kështu mund të ndërtohet një marrëdhënie besimi me koleksionistët dhe të rritet vlerësimi për filatelinë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Suksesi në përzgjedhjen e tematikave duhet të ndiqet nga i njëjti seriozitet në realizimin e tyre. Filatelia shqiptare ka nevojë jo vetëm për emetime të bukura dhe me përmbajtje, por edhe për një administrim të rregullt, të parashikueshëm dhe profesional.

Filed Under: Kulture

Drama intime e një nëne, dilemat e një shoqërie

November 1, 2026 by s p

Julika Prifti/

“NËNA” – dramë e shkrimtarit të njohur shqiptar Ruzhdi Pulaha po shfaqet në teatrin Metropol në Tiranë. Dramaturgu i suksesshëm i më shumë se katër dekadave po tërheq publikun me historinë e saj njerëzore dhe konfliktin dramatik të peshës së heshtjes dhe të vërtetës. Një histori dashurie që përfundon krejt ndryshe nga sa parashikohej. Besa, një vajzë e re, e bukur mbetet shtatzënë. Por dashuria e madhe e djaloshit simpatik, që, deri atëherë ishte dukur e sinqertë, romantike, e pashkushtëzuar, merr një kthesë të papritur. Ai i kërkon asaj ta abortojë fëmijën sepse lidhja e tyre nuk mund të vazhdojë. Ata vijnë nga botë të ndryshme. Ai është djalë i një familje që jeton në “Bllok”, me status të privilegjuar, dhe e lidhur ngushtë me pushtetin komunist, ndërsa Besa është vajza e një inxhinieri, që ka vdekur në burg, i dënuar për agjitacion e propagandë.

Djali, simpatik e tërheqës, diti të përdorte gjithë “mjeshtërinë” e tij për të fituar zemrën e saj. Por dashuria e tij avullohet sa merr vesh gjendjen e re. Ai nuk do e nuk pranon të marrë përsipër përgjegjësinë, e as pasojat e kësaj marrëdhënie që e kishte kërkuar me shumë këmbëngulje prej një viti. Përkundrazi ai e shantazhon dhe e kërcënon Besën, këtë herë për të arritur një qëllim tjetër, abortin e fëmijës. Besa nuk pranon. Ajo vendos ta sjellë në jetë fëmijën e saj. Për këtë gjen ndihmë tek nëndrejtoresha e ndërmarrjes, që e lejon të largohet nga kryeqyteti për disa muaj “për të mësuar një teknikë të re” në një qytet tjetër.

Në shtëpinë e kushërirës, Besa lind djalin e saj, por është e shtrënguar ta çojë në Shtëpinë e Fëmijës që të mund të adoptohet nga prindër të tjerë. Besa, si nënë e re, i kërkon drejtoreshës së institucionit të takojë nënën që do rrisë fëmijën e saj. Kjo është një nga pjesët më të ndjera e të bukura të shfaqjes, kur dy nëna flasin nga shpirti i tyre. Aty kupton se në atë shoqëri shqiptare ka ende njerëz humanë. Takimi, që përcjell emocione të forta rreth amësisë dhe dashurisë për një fëmijë, është një nga skenat më prekëse të dramës, momenti kur përkushtimi i pakufishëm për të përplaset me dhimbjen e sakrificës për t’ia besuar rritjen dikujt tjetër.

Një dramë e shkruar për një kohë tjetër, por që i flet së sotmes. Ngjarja e dramës i takojnë një periudhës së komunizmit në Shqipëri, kur prejardhja familjare dhe përkatësia shoqërore vendosnin jo rrallë fatet e njerëzve. Megjithatë vepra nuk mbetet e kufizuar në kohë.

Përtej rrethanave historike, ajo prek një problem që është i pranishëm edhe në ditët tona: hendeku mes atyre që kanë pasuri dhe atyre që nuk kanë, mes atyre që kanë pushtet e atyre që janë të pambrojtur para tij, kohët ndryshojnë, format e privilegjit po ashtu, por marrëdhëniet e pushtetin, paragjykimet dhe padrejtësitë shoqërore vazhdojnë të jenë të pranishme.

Drama e Pulahës edhe pse e shkruar për një kohë tjetër nuk e humb aktualitetin. Historia e Besës na fton te shohim se sa shume mund të ndikojë pabarazia dhe privilegjet në jetën e fatin e individit. Autori nuk na paraqet thjesht një dramë dashurie të dështuar, por një përplasje mes dy botëve, të privilegjit dhe përjashtimit, mes interesit vetjak dhe përgjegjësisë njerëzore.

Puna regjisoriale e Milto Kutalit me asistentet Klodian Çelmeta dhe Enes Ajazi e pasuron intensitetin e dramës duke ndihmuar spektatorin të ndiejë jo vetëm ngjarjet, por edhe botën e brendshme te personazheve. Regjia ka ndërtuar një rrjedhë skenike të harmonizuar, duke ndërthurur veprimet që zhvillohen para syve të spektatorit me digresionet dhe kalimet në situata të tjera pa krijuar ndërprerje apo shkëputje në rrjedhën e dramës. Mizanskenat duken të thjeshta, por i shërbejnë me finesë dramës. Tërësia artistike arrihet në sajë të skenografisë nga Beqo Nanaj, koreografia nga Renard Ahmeti, muzika nga Jurgen Muharremi, dhe kostumografia nga Frenci Gjerasi.

Trupa e aktorëve në role si të bëra për ta manifestojnë talentin dhe fuqinë e tyre artistike. Aktoret e afirmuara Marjeta Ljarja, Yllka Mujo, Klea Konomi, Elia Zaharia mishërojnë bindshëm personazhet duke u dhënë atyre individualitet, vërtetësi dhe ngarkesë emocionale. Aktorët më të rinj, me talent dhe aftësi shprehëse të spikatura, qëndrojnë natyrshëm përkrah aktoreve të konfirmuara. Xhino Musollari, Roerd Toçe, Joana Omeraj krijojnë një ansambël plot gjallëri, ku secili i jep personazhit të vet një individualitet dhe vërtetësi të veçantë.

Është kënaqësi të shohësh se si aktorët e brezave të ndryshëm arrijnë të krijojnë një tërësi skenike, në ndërtimin e atmosferës dhe të përçimit të veprës tek publiku që përlotej ndërsa ndiqte rrjedhjen e dramës, e cila fal një komunikim të drejtpërdrejtë e të fuqishëm njerëzor. Kur arti skenik bashkon dy breza të së njëjtës familje, Yllka Mujo me vajzën e saj, Elia Zaharia, dhe kur përvoja e një aktoreje te konfirmuar e të mirënjohur takohet me energjitë dhe talentin e një aktoreje më të re, nuk është thjesht një rastësi familjare, por një vazhdimësi e bukur artistike e teatrit si art që jeton përmes njerëzve dhe brezave që ia përcjellin atë njeri-tjetrit.

EMOCION PËRTEJ SKENËS Takimi me autorin e dramës, Ruzhdi Pulaha, pas shfaqjes, më çoi pas në kohë, te shfaqja e dramës tjetër, “Mësuesi i Letërsisë” në vitet 80-ta në Tiranë, e më tej tek kujtimet e premierave të dikurshme, kur Ruzhdiu dhe babai im ishin miq e kolegë. Por këtë herë, një kujtim tjetër e bëri takimin edhe më të veçantë. Bashkëshortja e tij, Myzejen Pulaha, më kujtoi se ka redaktuar disa libra të babait në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri. Për një çast, teatri dhe arti, miqësitë e shkuara dhe e tashmja u bashkuan në një takim të ngrohtë njerëzor.

“NËNA” është një dramë që të bën të mendosh, të emocionohesh dhe të reflektosh. Një histori që pasi mbaron në skenë, vazhdon të jetojë në mendje dhe në ndjeshmërinë e spektatorit, është art i vërtetë dhe e tillë është kjo dramë.

Filed Under: Kulture

Kushtetuta e zgjimit kombëtar shqiptar: Anastas Kullurioti dhe manifesti patriotik për gjuhën, arsimin dhe vëllazërinë shqiptare

October 31, 2026 by s p

Prof. Dr. Pal Nikolli/

Në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, zgjimi i vetëdijes kombëtare nuk u zhvillua vetëm në trojet shqiptare, por edhe në mjediset e diasporës, ku intelektualë, shkrimtarë, veprimtarë dhe atdhetarë u përpoqën të ruanin gjuhën shqipe dhe të afirmonin identitetin e përbashkët kombëtar. Një vend të veçantë në këtë histori zë veprimtaria e Anastas Kulluriotit, intelektualit dhe atdhetarit arvanitas, i cili u angazhua për përhapjen e shkrimit shqip, arsimimin në gjuhën amtare dhe kapërcimin e ndarjeve që pengonin bashkimin e shqiptarëve rreth një ideali kombëtar.

Vepra Albanika Parerga (ΑΛΒΑΝΙΚΑ ΠΑΡΕΡΓΑ), e botuar në Athinë më 1884, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të këtij angazhimi. Ajo lidhet me fjalimin e mbajtur nga Kullurioti më 4 qershor 1883 në shoqërinë letrare «Parnassos» dhe me përpjekjet e tij për organizimin e një lëvizjeje patriotike arvanitase në mbështetje të gjuhës dhe çështjes shqiptare. Në materialin e paraqitur për këtë vepër përfshihen edhe aktet e shoqërisë «Vëllezërit Shqiptarë» (Οι Αλβανοί Αδελφοί), e konceptuar si një instrument organizativ për realizimin e objektivave arsimore dhe kulturore.

Rëndësia historike e kësaj ndërmarrjeje qëndron në ndërthurjen e tri ideve themelore: gjuha si themel i identitetit kombëtar, arsimi si rrugë drejt emancipimit dhe organizimi shoqëror si kusht për shndërrimin e idealit patriotik në veprim konkret. Në këtë kuptim, programi i Kulluriotit mund të lexohet si një manifest i zgjimit kombëtar shqiptar, ndërsa shprehja «kushtetuta e zgjimit kombëtar» duhet kuptuar në kuptimin metaforik, si një përmbledhje e parimeve mbi të cilat mbështetej veprimtaria e tij, dhe jo si një akt kushtetues në kuptimin juridik.

I. Gjuha amtare, themeli i ekzistencës kombëtare.

Në shekullin XIX, kur çështja e kombësive dhe e gjuhëve amtare po fitonte rëndësi të veçantë në Evropën Juglindore, gjuha shqipe përballej me pengesa të shumta në rrugën drejt institucionalizimit të saj si gjuhë e arsimit, e botimeve dhe e jetës publike. Për shqiptarët, mungesa e një sistemi të gjerë shkollor në gjuhën amtare dhe kufizimet e përdorimit të shqipes në institucionet arsimore e kulturore e bënin çështjen e gjuhës një problem jo vetëm kulturor, por edhe kombëtar.

Në këtë kontekst, thirrja e Anastas Kulluriotit për të shkruar, lexuar dhe mësuar shqip merr një domethënie të veçantë. Ajo shpreh bindjen se një popull nuk mund ta zhvillojë plotësisht kulturën e vet, nëse nuk ka mundësi ta përdorë gjuhën amtare për të përvetësuar dijen, për të edukuar brezat e rinj dhe për të përcjellë përvojën historike nga një brez te tjetri.

Gjuha, në këtë këndvështrim, nuk është thjesht një mjet komunikimi. Ajo është bartëse e kujtesës historike, e traditave, e mënyrës së të menduarit dhe e përvojës së përbashkët të një bashkësie njerëzore. Nëpërmjet saj ruhen emërtimet, rrëfimet, këngët, zakonet dhe format e shprehjes që i japin një populli vazhdimësi kulturore.

Prandaj, përpjekja për të shkruar shqip nuk mund të kufizohej vetëm në një veprimtari letrare. Ajo kishte edhe një dimension emancipues: t’u mundësonte shqiptarëve të hynin në botën e dijes pa qenë të detyruar të hiqnin dorë nga gjuha e tyre. Përhapja e shkrimit shqip nënkuptonte krijimin e kushteve për një kulturë kombëtare më të gjerë, për një komunikim më të drejtpërdrejtë ndërmjet krahinave dhe për formimin e një hapësire publike shqiptare.

Kjo është arsyeja pse çështja e alfabetit, e abetares, e librave dhe e shkollave zinte një vend qendror në programet e Rilindjes Kombëtare. Pa mjete shkrimi, pa tekste mësimore dhe pa mësues që mund ta përhapnin gjuhën, ideali kombëtar rrezikonte të mbetej një aspiratë e kufizuar në rrethe të vogla intelektualësh.

Kullurioti e vendoste, kështu, gjuhën në themel të emancipimit. Ajo duhej të kalonte nga përdorimi i përditshëm dhe trashëgimia gojore në një gjuhë të kultivuar, të shkruar dhe të aftë për të shërbyer si mjet i arsimit e i zhvillimit kulturor.

II. Arvanitasit dhe lidhja me çështjen kombëtare shqiptare.

Një aspekt me rëndësi të veçantë i veprimtarisë së Kulluriotit është mjedisi në të cilin ajo u zhvillua. Arvanitasit, bashkësi historike shqipfolëse në Greqi, ruajtën për një kohë të gjatë elemente të rëndësishme të gjuhës dhe të traditave të tyre. Megjithatë, përkatësia gjuhësore, identiteti kulturor dhe vetëidentifikimi kombëtar nuk kanë qenë gjithmonë të njëjtë për të gjithë arvanitasit. Për këtë arsye, veprimtaria e Kulluriotit duhet kuptuar si përpjekje e një rryme patriotike për të forcuar lidhjen ndërmjet trashëgimisë arvanitase dhe çështjes kombëtare shqiptare, pa e paraqitur këtë qëndrim si përvojë të njëjtë të çdo anëtari të kësaj bashkësie.

Për Kulluriotin, gjuha e përbashkët dhe origjina historike përbënin baza të rëndësishme për ndërtimin e një ndjenje solidariteti ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht vendbanimit të tyre. Në këtë mënyrë, hapësira arvanitase mund të shndërrohej në një pikë mbështetjeje për përhapjen e ideve të Rilindjes Kombëtare përtej kufijve politikë të kohës.

Kjo qasje kishte rëndësi strategjike. Në kushtet kur shqiptarët jetonin në territore të ndryshme dhe përballeshin me realitete politike, fetare e shoqërore të ndryshme, krijimi i një vetëdijeje të përbashkët kërkonte ura komunikimi përtej kufijve krahinorë. Diaspora mund të kontribuonte me njohuri, botime, mjete financiare dhe lidhje me qarqet intelektuale evropiane.

Veprimtaria e Kulluriotit dëshmon pikërisht përpjekjen për ta shndërruar këtë potencial në veprimtari të organizuar. Ai nuk e trajtonte gjuhën vetëm si trashëgimi të së kaluarës, por si një burim për të ndërtuar të ardhmen. Të flisje shqip nuk mjaftonte; duhej edhe të shkruaje shqip, të botoje libra shqip, të arsimoje fëmijët në shqip dhe të krijoje institucione që do ta mbanin gjallë këtë veprimtari.

Në këtë këndvështrim, arvanitasit që u angazhuan në lëvizjen kombëtare shqiptare luajtën rolin e ndërmjetësve kulturorë ndërmjet botës shqiptare dhe mjediseve intelektuale ku jetonin. Historia e tyre na kujton se lëvizjet kombëtare nuk ndërtohen vetëm brenda kufijve shtetërorë, por edhe nëpërmjet rrjeteve të diasporës, të botimeve dhe të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve që ndajnë një trashëgimi gjuhësore e kulturore.

III. Arsimi shqip si mjet emancipimi.

Në programin e lidhur me Albanika Parerga, arsimi shqip shfaqet si një prej objektivave themelore të veprimtarisë patriotike. Ky orientim lidhej me një bindje të përhapur ndër rilindësit: emancipimi i një populli nuk mund të mbështetet vetëm në ruajtjen e kujtimeve historike apo në shprehjen e ndjenjave atdhetare; ai kërkon përhapjen e dijes dhe krijimin e mundësive për arsimim.

Shkolla në gjuhën amtare kishte një funksion të dyfishtë. Së pari, u mundësonte fëmijëve të mësonin në një gjuhë që e kuptonin natyrshëm. Së dyti, ndihmonte në zhvillimin e një kulture të përbashkët, duke u dhënë brezave të rinj mjete për të lexuar, shkruar dhe komunikuar përtej kufijve të komuniteteve të tyre lokale.

Për këtë arsye, botimi i një abetareje shqipe dhe i teksteve të tjera mësimore përbënte shumë më tepër se një projekt botues. Abetarja ishte mjeti fillestar për përhapjen e shkrim-leximit; librat ndihmonin në zgjerimin e fjalorit dhe të njohurive; shkolla krijonte mundësinë që këto njohuri të përvetësoheshin në mënyrë të qëndrueshme.

Nëse gjuha ishte themeli, arsimi ishte mekanizmi që e kthente atë në një instrument të zhvillimit shoqëror. Një gjuhë që përdorej vetëm në komunikimin familjar rrezikonte të mbetej jashtë fushave të dijes dhe të administrimit. Një gjuhë që shkruhej, mësohej dhe botohej mund të zgjeronte funksionet e saj dhe të bëhej pjesë e jetës kulturore të një populli.

Kjo ide e lidhte çështjen kombëtare me përparimin shoqëror. Patriotizmi nuk duhej të kufizohej te deklaratat për atdheun, por duhej të dëshmohej në punën konkrete për arsimimin e fëmijëve, formimin e lexuesve dhe përhapjen e librave. Në këtë mënyrë, veprimtaria kulturore fitonte një karakter të drejtpërdrejtë qytetar.

Për Kulluriotin dhe veprimtarë të tjerë të së njëjtës prirje, lufta për gjuhën ishte, në thelb, luftë për të drejtën e një populli që të marrë pjesë në qytetërimin e kohës pa u shkëputur nga identiteti i vet.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 583
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT