
Luan Rama/
Ekspozita ndërkombëtare e Artit Pamor në Carroussel du Louvre sapo është mbyllur. Artistë të ndryshëm nga bota prezantuan veprat e tyre e mes këtyre artistëve ishte dhe Ramë Dardania. Ishte miku im Saimir Strati, fitues i 11 çmimeve Giness me mozaikët dhe teknikat e tij i cili ma prezantoi: një artist nga Kosova ! Punimet e tyre ishin pranë e pranë. Ai kishte lindur dhe rritur në Ferizaj dhe më pas ishte marrë shumë me teatrin, aktrimin si videoast gjithashtu, dhe më pas është vendosur në Gjenevë të Zvicrës duke iu rikthyer ëndrrës së parë, pikturës, figurës, atëherë kur fëmijë luante me baltën duke krijuar figurat por kur kthehej në shtëpi dëgjnote gjithnjë qortimet e nënës për rrobat gjithë njolla të tij. E pra, në këto ekspozime ishte përsëri bota fëminore: Rozi nga Kosova, një vajzë 12 vjeçare që e magjepsur nga bleta puntore dhe kosherja si një organizëm i gjallë dhe i perfeksionuar, e kishte bërë për vete dhe tashmë ajo kishte vendosur të merrej me rritjen e bletëve, një ëndërr që donte ta bënte realitet.
Një art i lashtë i njeriut dhe mjaft fisnik. Ishte pikërisht kjo histori që e shtyu Ramën të pikturonte këtë pasion fëminor, ndoshta i kujtoi fëmijërinë pasionante të tij, duke kërkuar kështu të hyjë në botën fëminore. Por është interesante se kur Rozi e mori vesh se tablotë e tij do të vinin në Paris, ajo erdhi menjëherë ta takonte bashkë me prindërit e saj. Një takim i bukur jo vetëm për Rozin por dhe për artistin. Ky pikëtakim si në Carroussel du Louvre ndodh rrallë. Ja pse kur Rama flet, ka një ndjesi ngazëllimi, pasi tema ka poetikë në thelbin e vet. Kjo më kujtoi një film mjaft të bukur « Rritësi i bletëve » e njëkohësisht, duke qenë se i pëlqej bletët, një nga personazhet kryesore të romanit tim « Gruaja që vinte nga mjegulla » e bëra bletërritës… Kështu bletët e artistit në muret e Carroussel du Louvre duket se ende fluturojnë.
Ramë Dardania është audidakt. Në fillim ishte bota e ngjyrave që e ka sugjestionuar dhe e ka bërë për vete dhe kështu bota e pikturës filloi të pasurohej me elementët e figurave : një pikturë optimiste, e gëzuar, shpesh bota fëminore me naivitetin e vet të pastër human. Të gjitha këto na bëjnë ta pëlqejmë pikturën e tij, ti afrohemi tablosë dhe ta shohim pikturën gjatë për të zbuluar akoma më shumë botën humane, jetën, herë-herë dramën, fytyrën njerëzore, që siç thotë ai, « fytyrat janë pasqyrat e shpirtit ». Dhe dihet që një fytyrë e tillë është e vështirë në proçesin e krijimit artistik. Ky artist tashmë i vendosur në Gjenevë këto vite ka krijuar një eksperiencë të mirë artistike duke ka hapur ekspozita jo vetëm në Zvicër por dhe në Itali, Spanjë e gjetkë, madje dhe në Ballkan apo në Shkodër. Duket që piktura e tij e kërkon formatin e madh.
Ngjyrat janë të ndezura dhe kjo e shtyn të komunikojë menjëherë me publikun. Dhe është gjithnjë humania e veprës që e bën të mundur këtë. Në stilin e tij është origjinal por nuk mungon ti drejtohet dhe kërkimit të trupit njerëzor, aty ku është trupi që flet, që mban dramën, nudo që ka një histori dhe që vjen nga diku. Një tripik i tillë në format të madh para disa kohësh është padyshim një kërkim me vlerë të veçantë artistike çka më shtyn të them se aty pikëtakova taablotë e piktorit të famshëm francez Ernest Pignon, i cili trupin njerëzor në format të madh e nxjerr nga atelieri dhe e vendos në muret e vjetra të rrugëve apo shesheve me një ide të përcaktuar.
Ramë Dardania ka tablo të mëdha që vërtet të tërheqin dhe të bëjnë të mendosh, të kërkosh të deshifrosh mendimin e artistit, siç eshtë dhe një tablo e ndërtuar bukur me elemente figurative që të kujtojnë embrionin njerëzore dhe që të bëjnë ti referohesh zanafillës së jetës. Në tone gri ku spikat e bardha dhe bluja, tabloja të tërheq në imazhin e saj enigmatik.