
Në shtatorin e vitit 2012 isha në fshatin e nënës sime, në Volë ose Murto ( sot Sivota). E kisha obligim në kujtim të sajë të shihja në ish kaq e bukur Vola ashtu si kishte mbetur e stampuar në mëndjen e një vajze të vogël 7 vjeçare dhe që ma tregonte mua. U ula në rërën e plazhit atje në Skalomë dhe i shkruajta nënës sime këtë letër.
Letër Nënës
Nënë, si je atje ku je? Kohë kemi pa u takuar. Nuk e di a të kam thënë se një ditë do të vija atje ku ti ishe përnatë me mëndjen tënde dhe shëtisje në anëdetin e Volës sonë të bukur. Unë se kisha parë por kisha prekur ato guacakt e bukura spirale që ti i ruaje mbështjellë me aq kujdes në një mandile të vogël. Ishin ato që vunë një shënjë në mëndjen time se një ditë, atëherë kur të vinte sahati… unë do prekja zallin e bukur të Zavjes. Dhe ja, ketu e 100 vjet më pas ëndra u bë . Ndodhem këtu nën hijen e ullinjve të Volës dhe dëgjoj përplasjen e dallgëve në breg.
Teksa mundohem të kuptoj gjuhën e tyre ndjej goditjen e vargut Kutelian të më gozhdojë përjetë në atë truall….bam…bam…bam.
Të dua baltë shqiptare
Të dua egërsisht!
dëshpërimisht!
si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta balten.
Këtu s’më njeh askush dhe unë mundohem të flas sa shqip sa greqisht e anglisht me shpresë se njerëzit e sotëm të këtyre anëve do më kuptojnë . Por e shoh që për ta jam asgjë më shumë se një i huaj në fshatin e rrënjëve të mia. Ju fola gurëve të sokakut…s’mu gjegjën. Fola me muret e shtëpive të braktisura dhe prap jo. Kopështet janë rrënuar moj nënë. Ullinjtë plakur dhe më shumë. Ju fola në gluhën tonë, gremisnë kokën mënjanë si të mos besonin kush isha.Vajta atje ku më kishe thënë, tek shtëpia e madhe që sheh nga deti. I fola qenit, i them kush jam por dhe ai sme njeh oj nanë.
Erdha dhe në Zavje,
në këtë gji deti magjiplotë.
Dhe sytë
seç mu mbushnë me lotë
U zhyta në ujin valë
Atë që ndjeva
Se them dot me fjalë
Kërkova… por dot nuk gjeta si ato guackat e tua.
Thellë në mëndjen time përvijohen skenare maramendëse në një teatër magjiplotë. Ah sikur të ishe gjallë ….se këtu …këtu ka diçka që nuk shkon moj nanë. Pse erdha vetëm? Ti e dije ku ishin çelësat e shtëpisë. Tani është vjeshtë. Do kthehem përseri në pranëverë, kur të çelin lulet mendova . Ato dalin rishmëz nga thellësia e tokës dhe do më njohin se s’bën. U kumbisa ndënë hijen e një portokalli dhe ashtu humba në krahët e tu kur më flisje për Volën tonë si nuse dhe ç’mu kujtuan fjalët e tua të moçme. Pa kuptuar fillova të bëlbezoja në gluhën tënë historinë e Volës ashtu siç ma tregoje ti moj nanë:
“Atje poshtë ishnë nisitë. Ish një vënd i bukur por një gjarpër i madh e i madh nuk linte njeri të afrohej. Atje lart në Vrohona ish një djalë i glatë me emrin Murto. Dhe këtij Murtos një ditë seç i shkrepi të vinte poshtë. Dhe ai erdhi, dhe e vrau gjarpërin dhe i pari hodhi themeli në Volë. E pas tij erdhën dhe të tjerë vrohorit. Po Murtua ish i pari. Dhe i mbeti Murto emri skalomës së bukur me nisitë përkarshi.Një tjetër djalë ndërtoi shtëpi në malin për karshi ndaj dhe i thone Mali i Aliut sot e kësaj dite. Pas e më pas erdhi im atë . Ai mori një nuse të bukur atje në Arpicë dhe ajo u bë nana ime. Shtëpia jonë ish karshi detit atje në gjirin e Zavjes. Dhe unë laja kurmin në detin valë , mblidhja guacka në rërën e bukur dhe i vloja mënjanë si hajmali. Por… erdhi nje ditë dhe nuk e di pse u nismë drejt veriut muhaxhir dhe çelësat i lamë në gjitonë.
Do kthehemi prap u tha im atë. (1917 )
Dhe mbenë të gjitha atje në Volë
shtëpi e katandi, dyqan e ulli.
Lamë malet , detin, nisitë për karshi.
Endërat dhe ca guacka i mora me vete.
Por dot su kthye më im atë… “
Dëgjonin ullitë këtë legjendë dhe çdo fjalë bënte çudira moj nanë. Portokallja tundi fletët e më buzëqeshi. Ullinjtë ulën degët të më përkëdhelnin… qeni mu afrua dhe bënte me nojma të shkoja tek shtëpia. Nëpër muret çelën lulet, dera e avllisë u hap dhe dëgjoja zëra moj nanë. Mos ishe ti dhë më prisje atje tek pragu? ….Oh sa bukur!
E kisha të vështirë të vija? Jo. Ndoqa në të kundërt udhën që bëre ti moj nanë. Kalova qafën e Gjashtës, Qafën e Soronesë, më tej Qafën e Botës. Eca mbi urën e lumit Kalama, rashë në Arpicë, preka zallin e Pargës si nuse dhe mbrita këtu në Volën tënde. Dhe vërtet ajo është aq e bukur….Ndaj tani e kuptoj përse nga sytë e tu ridhnin lotë sa herë e sillje në mëndje dhe më thoshje: “ ah, të isha një zog i vogël dhe të fluturoja mbi atë dhe” .
Xhemal Hasani
Volë, Shtator 2012