• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Quo vadis revolucion?

November 12, 2026 by s p

Lutfi Dervishi/

Pas 165 ditësh protestë, sfida nuk është më thjesht sa njerëz do të dalin në shesh të shtunën e ardhshme, sa ujëhedhëse do të nxjerrë policia apo sa gjoba të tjera do të vendosen. Sot, sfida është shumë më e madhe: ku po shkon kjo lëvizje dhe si mund ta shndërrojë zemërimin në ndryshim politik?

Protesta ka arritur diçka që vetëm gjashtë muaj më parë dukej e pamundur: ka ndryshuar atmosferën politike, ka thyer monopolin e opozitës tradicionale mbi pakënaqësinë dhe ka nxjerrë në rrugë njerëz që nuk e shihnin veten as te PD e as te partitë e tjera.

Për gati gjashtë muaj, sheshi ka krijuar një qendër të re graviteti politik, pa qenë ende një forcë politike.

Kjo është njëkohësisht arritja dhe dobësia më e madhe e protestës.

Sheshi ka fituar të drejtën të kërkojë ndryshimin, por nuk ka ndërtuar instrumentin për ta realizuar atë.

1. Keqkuptimi i madh: largimi i Ramës dhe Berishës

“Rama në burg, Berisha në burg!” është një nga parullat më të njohura të protestës. Ajo përmbledh refuzimin e dy figurave që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada.

Megjithatë, midis kërkesës për përgjegjësi penale, që i takon drejtësisë, dhe largimit nga pushteti politik, që vendoset përmes mekanizmave demokratikë, ekziston një dallim thelbësor. Sheshi mund të kërkojë llogaridhënie për të dy, por nuk mund të vendosë as për fajësinë penale, as për drejtimin e partive të tyre.

Edi Ramën nuk mund ta largosh nga Partia Socialiste me protestë dhe as Sali Berishën nuk mund ta largosh nga Partia Demokratike me thirrje nga sheshi.

Të dy kanë çimentuar marrëdhënie politike, organizative dhe personale me partitë e tyre. Pushteti i tyre nuk buron vetëm nga karizma dhe popullariteti, por nga kontrolli mbi strukturat, përzgjedhja e kandidatëve, mekanizmat e vendimmarrjes dhe besnikëria e njerëzve që i rrethojnë.

Mund të kërkosh largimin e Ramës nga qeveria, pa pasur asnjë shans ta largosh nga PS, sikundër mund të kundërshtosh Berishën si alternativë qeverisëse, pa pasur asnjë mundësi ta largosh nga PD.

Këto janë dy beteja krejt të ndryshme.

Protesta rrezikon të bjerë në një kurth nëse e kushtëzon suksesin e saj me asgjësimin politik në të njëjtën kohë të dy figurave që dominojnë prej dekadash skenën politike. Sfida është të ndryshosh raportin e forcave, jo të presësh që kundërshtarët të zhduken me një të rënë të lapsit.

2. Shqipëria nuk është Serbia dhe as Hungaria

Krahasimet të ndihmojnë, me kusht që të mos shndërrohen në receta.

Në Serbi, lëvizja studentore për gjatë dy viteve ndërtoi rrjete, mekanizma përfaqësimi dhe një perspektivë politike që nuk kufizohej vetëm te largimi i një njeriu.

Mësimi serb nuk është se mjafton të protestosh gjatë për të fituar, por se organizimi, përfaqësimi dhe alternativa politike janë po aq të rëndësishme sa qëndresa.

Hungaria ofron një tjetër mësim. Çarja brenda sistemit politik që kishte mbështetur Viktor Orban krijoi hapësirën për një alternativë të re. Një figurë e dalë nga brenda establishmentit arriti të mobilizojë pakënaqësinë dhe ta kthejë atë në konkurrencë politike. (Në Tiranë, deri tani vetëm deputetja 25-vjeçare Marjana Koçeku ka dalë nga rreshti i shumicës dhe kryebashkiaku Tiranës përballet nga qelia me kryetarin e partisë)

Rrugët janë të ndryshme, por mësimi është i njëjtë: autokratët nuk bien thjesht pse ka pakënaqësi popullore. Ata humbasin pushtetin kur zemërimi gjen organizimin, përfaqësimin dhe mekanizmin që e kthen në rezultat politik.

Shqipëria ka një vështirësi shtesë për të bërë rotacion.

Zgjedhjet janë rruga kushtetuese për ndryshimin e pushtetit, janë instrument për të ulur tensionet dhe për të dalë nga kriza, por kushtet e garës nuk janë të barabarta dhe sistemi nuk favorizon partitë e reja.

Përdorimi i burimeve shtetërore, avantazhet e pushtetit, ndikimi mbi administratën, ndikimi i krimit të organizuar dhe problemet e dokumentuara dhe të përsëritura të procesit zgjedhor e bëjnë konkurrencën më të vështirë.

Kjo nuk është arsye për të hequr dorë nga zgjedhjet, sepse asgjë nuk arrihet pa zgjedhje, por është një arsye më shumë për ta bërë betejën për zgjedhje të ndershme pjesë të pandashme të betejës për ndryshimin politik.

3. Sheshi nuk e fshin dot hartën politike

Në protestë janë përfshirë apo janë afruar forca me histori, ambicie dhe interesa të ndryshme: Lëvizja Bashkë, Mundësia, Shqipëria Bëhet, Atdheu, aktivistë të pavarur, studentë dhe qytetarë që nuk identifikohen me asnjë parti.

Afërmendsh që nuk kanë të gjithë të njëjtën ide për të ardhmen dhe të njëjtin mendim se si bëhet me mirë.

Disa duan të zëvendësojnë Partinë Socialiste si forcë e majtë, disa synojnë të zënë hapësirën e Partisë Demokratike, disa kërkojnë të ndërtojnë një alternativë ndaj të dyjave. Plot të tjerë nuk duan të përfshihen fare në politikën partiake.

Kjo larmi ka qenë forca e protestës, pasi ka bashkuar njerëz që në kushte normale nuk do të qëndronin në të njëjtin shesh, por kjo larmi mund të kthehet në dobësi në momentin kur duhet marrë një vendim politik.

Një gjë duhet pranuar: PD nuk zhduket nga harta sepse protesta ka krijuar një qendër të re opozitare. Ajo ka strukturat, elektoratin dhe përfaqësimin e saj. Po kështu, PS nuk zhduket edhe nëse Edi Rama humbet pushtetin.

Këtu qëndron paradoksi i protestës. Në shesh brohoritet “Rama në burg, Berisha në burg!”, ndërsa në terrenin elektoral PS dhe PD mbeten dy forca politike që nuk mund të injorohen.

Refuzimi i dy liderëve nuk përkthehet automatikisht në refuzimin elektoral të dy partive.

Nëse ndokush mendon apo ëndërron se këto dy forca do të shuhen vetvetiu, ngatërron dëshirën me realitetin.

Sheshi mund të ndryshojë raportin e forcave, por nuk mund të sillet sikur forcat ekzistuese nuk janë aty.

4. Nga pesë kërkesa te një alternativë

Protesta ka paraqitur pesë kërkesa që deri tani janë anashkaluar nga qeveria. Sheshi nuk ka paraqitur një platformë qeverisëse, sepse nuk është parti politike dhe nuk ka detyrimin të paraqesë program për taksat, pensionet, arsimin, shëndetësinë apo politikën e jashtme.

Për gjashtë muaj, protesta ka pasur përballë një njeri dhe një sistem pushteti të përqendruar rreth tij. Objektivi ka qenë largimi i Kryeministrit.

Mirëpo, në momentin kur lëvizja kërkon të shndërrohet në alternativë politike, duhet të shpjegojë çfarë do të ndryshojë, kush do ta bëjë ndryshimin dhe si do të garantohet që pushteti i ardhshëm të mos riprodhojë të njëjtat mekanizma.

Deri tani protesta ka ndryshuar sjelljen e të gjithë aktorëve, edhe të atyre që nuk e pranojnë.

Qeveria nuk mund ta trajtojë pakënaqësinë si një episod kalimtar. Opozita tradicionale nuk mund të pretendojë se është përfaqësuesja e vetme e zemërimit qytetar. Partitë e reja nuk mund të sillen sikur gara zhvillohet vetëm për rritjen e përqindjeve të tyre.

Edhe vetë protesta ka ndryshuar. Ajo nuk është më vetëm reagim ndaj një keqqeverisjeje, por është bërë bartëse e një pritshmërie politike.

5. Pesë rrugët përpara

Pas gjashtë muajsh jetë dhe gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, lëvizja përballet me disa zgjedhje reale.

A. Vazhdimi i protestës pa ndryshuar strategji

Kjo rrugë ruan presionin, identitetin dhe autonominë e sheshit. Qëndresa mund të vazhdojë ta konsumojë edhe më shumë politikisht qeverinë, sidomos nëse ajo përgjigjet me represion dhe vijon duke mos konsideruar asnjë kërkesë të protestës. Rreziku, në këtë rast, është lodhja, përsëritja dhe humbja graduale e efektit politik. Një protestë mund të zgjasë edhe me vite pa u shndërruar domosdoshmërisht në ndryshim pushteti.

B. Shndërrimi i protestës në një forcë të re politike

Kjo do të thotë organizim, kandidatë, program dhe përgjegjësi publike.

Avantazhi është krijimi i një alternative që nuk varet nga partitë ekzistuese. Rreziku është përçarja e sheshit, pasi jo të gjithë protestuesit duan të bëhen pjesë e një partie.

Një lëvizjeje që ka bashkuar mijëra njerëz kundër një qeverie nuk i lejohet të ëndërrojë që të gjithë këta njerëz do të votojnë automatikisht për të.

C. Secili për vete

Secila parti ruan identitetin, drejtuesit dhe ambiciet e saj. Avantazhi është autonomia e plotë e secilës forcë. Kjo është rruga më e lehtë për drejtuesit dhe ndoshta më e kushtueshmja për objektivin e përbashkët, sepse vota kundër qeverisë thërrmohet.

D. Një front i përbashkët elektoral dhe politik

Kjo është rruga më e vështirë për t’u negociuar, por potencialisht më efektivja.

Një front që bashkon energjinë e protestës, partitë e reja, aktorët e pavarur dhe forcat opozitare të gatshme për një marrëveshje mbi rregullat e garës, pa i kërkuar askujt që të heqë dorë nga identiteti i vet.

Bashkimi nuk duhet kuptuar si nënshtrim ndaj një partie apo një lideri, por duhet të mbështetet në një marrëveshje të qartë për objektivat, kandidatët, vendimmarrjen dhe kontrollin e pushtetit të ardhshëm.

E. Bojkoti i zgjedhjeve

Kjo mund të ruajë pastërtinë morale të lëvizjes dhe të shmangë kompromiset me partitë. Çmimi politik mund të jetë i lartë. Nëse protesta nuk hyn në garë, nuk ndërton një alternativë dhe nuk krijon një mekanizëm tjetër efektiv presioni, rrezikon të mos dëmtojë as qeverinë, as opozitën tradicionale.

Ajo mund të ketë zënë për gjashtë muaj vendin e opozitës në shesh, për t’ia lënë sërish vendin opozitës në kutinë e votimit.

6. Tirana, prova e parë

Beteja për Tiranën mund të jetë testi më i rëndësishëm politik për të ardhmen e protestës jo vetëm për shkak të peshës së kryeqytetit, por sepse këtu mund të dëshmohet nëse energjia e sheshit përkthehet në vota, organizim dhe përfaqësim.

A do të ketë një kandidat të dalë nga protesta? A do të mbështesin partitë e reja një kandidat të përbashkët? A do të jetë e mundur një marrëveshje më e gjerë me opozitën tradicionale? Apo secila forcë do të garojë veçmas, duke e shndërruar betejën kundër qeverisë në një garë mes opozitarëve?

Në Tiranë do të shihet edhe dallimi mes popullaritetit në rrjetet sociale dhe mbështetjes reale elektorale.

Një video me një milion shikime nuk është një milion vota, një politikan që “mbush” ekranin nuk mbush domosdoshmërisht kutitë e votimit, një shesh i mbushur nuk është automatikisht një shumicë elektorale.

Llogaritë e vjetra me 500 mijë apo 800 mijë vota nuk mund të përdoren mekanikisht sepse tashmë gjithçka ka ndryshuar. Elektorati ka ndryshuar, pjesëmarrja ndryshon, diaspora mund të jetë më aktive dhe ka një kategori qytetarësh që nuk duan as qeverinë aktuale, as kthimin te alternativa e PD.

Kjo kategori mund të jetë vendimtare, por vetëm nëse gjen një arsye për të votuar dhe një alternativë që i beson.

Tirana mund të jetë vendi ku protesta provon nëse është vetëm një forcë kundërshtimi apo edhe një forcë ndryshimi.

7. Nuk mjafton 49.99%

Në politikë nuk mjafton të kesh të drejtën në anën tënde, nuk mjafton as të kesh mbështetje të gjerë.

Në një garë për një post që vendoset me shumicë të thjeshtë, mund të marrësh 49.99% të votave dhe të humbasësh gjithçka.

Protesta është kimi, por kutia e votimit është aritmetikë.

Në planin më afatgjatë, llogaritë nuk duhen bërë mbi supozimin se ai do të ikë apo se Partia Socialiste do të “çahet”.

Llogaritë duhen bërë duke supozuar se Ai nuk ikën, se PS mbetet e organizuar, se administrata dhe mekanizmat e pushtetit vazhdojnë të funksionojnë dhe se gara do të zhvillohet në kushte të vështira.

Në këto rrethana, bashkimi nuk është një çështje dashurie, por llogarie.

Megjithatë, bashkimi mekanik i logove dhe i kryetarëve nuk mjafton.

Formula më e mirë nuk është bashkimi i kryetarëve, por bashkimi dhe përfaqësimi i zemërimit qytetar. Kjo kërkon një formulë të pranuar për përzgjedhjen e kandidatëve, përfshirjen e përfaqësuesve të protestës, transparencë mbi marrëveshjet dhe një platformë minimale për shtetin e së drejtës, zgjedhjet, institucionet dhe kufizimin e pushtetit personal.

Ka një kontradiktë që nuk mund të anashkalohet. Protesta kërkon ndryshim përmes një sistemi zgjedhor që e konsideron të padrejtë. Ndërkohë, ndryshimet e Kodit Zgjedhor kalojnë përmes Parlamentit, ku vendimmarrjen e kanë partitë që protesta kundërshton.

Kjo do të thotë se beteja elektorale nis shumë kohë përpara ditës së votimit dhe dita e votimit është shumë afër. Pas 5 muajsh jemi në fushatë elektorale për zgjedhjet lokale.

Një front i përbashkët duhet të ketë si objektiv jo vetëm fitimin e zgjedhjeve, por edhe garantimin e kushteve të garës: administrimin e procesit, kufizimin e përdorimit të burimeve shtetërore, transparencën e financimit, aksesin e barabartë në media dhe mekanizmat efektivë kundër presionit mbi votuesit.

Një lëvizje që nuk përgatitet për zgjedhje rrezikon t’ua lërë të tjerëve vendimin për të ardhmen e saj.

8. Rreziku nga brenda

Në këtë fazë, rreziku më i madh për protestën mund të mos jetë vetëm qeveria, por edhe ambicia e aktorëve që duan ta përfaqësojnë.

Partitë e vogla duan të rriten, partitë e reja duan të provojnë forcën, partitë tradicionale duan të ruajnë pozicionet, drejtuesit duan të jenë në krye dhe nga “ushtria” e sheshit mund të dalin më shumë gjeneralë se ushtarë.

Të gjitha këto janë ambicie legjitime në një demokraci, por kur llogaritë individuale bëhen më të rëndësishme se objektivi i përbashkët, fitoren mund ta shohësh vetëm me ndihmën e dylbive.

Nëse secili kërkon të fitojë pak më shumë për vete, të gjithë mund ta humbasin mundësinë për të ndryshuar qeverisjen.

Kompromisi nuk është tradhti, nëse bëhet mbi parime dhe me transparencë. Tradhti ndaj pritshmërisë së krijuar do të ishte përdorimi i sakrificës së protestuesve vetëm për të rritur kapitalin elektoral të një kryetari apo të një partie.

Sheshi nuk mund të shndërrohet në pronë politike të askujt, ai ka nevojë për përfaqësim, jo për pronarë.

9. Quo vadis, revolucion?

Pas 165 ditësh, protesta ka dëshmuar se zemërimi është real, qëndresa është e mundur dhe frika nuk mund të rritet përmes represionit.

Po ashtu, protesta ka dëshmuar se nuk ka të paprekshëm dhe se opozita tradicionale nuk është e vetmja që mund të mobilizojë qytetarët.

Megjithatë, rrëzimi i një qeverie dhe ndërtimi i një sistemi më të mirë janë dy gjëra të ndryshme.

Kryeministri mund të largohet nga pushteti përmes zgjedhjeve, mund të largohet edhe përmes një dorëheqjeje. Në të dy rastet, legjitimiteti i pushtetit të ardhshëm do të duhet të kalojë përmes institucioneve dhe kutisë së votimit.

Protesta duhet të përgatitet për skenarin më të vështirë, jo për atë më të dëshiruarin: Rama nuk dorëhiqet, Berisha mbetet në krye të PD, PS vazhdon të jetë forca më e organizuar dhe zgjedhjet zhvillohen në një terren të pabarabartë.

Pikërisht në këtë skenar matet serioziteti i alternativës. Pas gjashtë muajsh, pyetja nuk është më vetëm si të largohet Rama. Pyetja është si të ndërtohet një shumicë që mund ta mundë Ramën, pa e zëvendësuar me një tjetër njeri që kërkon të njëjtin pushtet.

Njerëzit nuk kanë dalë në shesh vetëm për të ndryshuar emrin e kryeministrit. Ata kërkojnë një shtet ku ligji të jetë më i fortë se lideri, ku institucionet të mos jenë zgjatime të partisë dhe ku qytetari të mos përçmohet.

Kjo është arsyeja pse protesta duhet të vendosë nëse do të mbetet një kapitull i rëndësishëm i historisë së kundërshtimit apo do të bëhet fillimi i një ndryshimi politik.

“Rama jepe dorëheqjen”, mund të bashkojë mijëra njerëz në shesh. Pyetja është çfarë mund t’i bashkojë këta njerëz në kutinë e votimit.

Në fund, “revolucioni” nuk matet me numrin e ditëve që njerëzit qëndrojnë në shesh, as me numrin e policëve që përballen me ta, por me atë që mbetet pasi sheshi zbrazet.

Revolucioni nuk fiton kur largohet një njeri, por kur ndërtohet një sistem ku largimi i një njeriu nuk ka nevojë për protesta që zgjasin me muaj.

Filed Under: Reportazh

Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve

November 11, 2026 by s p

Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj

Akademik Emeritus/

(Kumtesë e mbajtur në Frasnitë (Frascineto) të Kozencës, në konferencën shkencore përkujtimore me titull “Mbi kontributet e qenësishme të figurës emblematike të kulturës arbëreshe e pankombëtare, At Antonio Belushi”, organizuar nga QSPA, Qendra Albanologjike “A. Bellusci” dhe Komuna e Frasnitës,7-8 nëntor 2026).

Të flasësh për Antonio Bellushin nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë, sepse përpara nesh nuk qëndron vetëm një emër në historinë e studimeve arbëreshe, as vetëm një autor veprash e botimesh, por një njeri që e jetoi me pasion të veçantë kërkimin, mbledhjen dhe ruajtjen e dëshmive të jetës shqiptare në diasporë.

Për mua, kjo detyrë ka edhe një kuptim të veçantë. Ndon (Antonio) Bellushi ka qenë koleg, bashkëbisedues, bashkëmendimtar dhe, mbi të gjitha, mik. Prandaj, kur sot përpiqem të sjell para jush disa vlerësime për veprën e tij, bashkë me to më vijnë natyrshëm edhe kujtime të një miqësie të gjatë, letra dhe E-maile me fjalë prej vëllai të dashur. Kam pasur nderin e kënaqësinë të jem i mikpritur në shtëpinë tij dhe, ndërsa ne bisedonim për punë Arbëreshësie e duke pirë një qelqe verë, motra Rina, na përgatise “tumact me ve” (një lloj makaronash me vezë ) e bashkë me ne këndonte këngë arbëreshe.Edhe atë (Ndonin sikundër e thërrisnim vëllazërisht e shqiptarisht), bashkë me të vëllanë, Tomasin, i kam pasur edhe unë mysafirë të nderuar në shtëpinë time në Tiranë. Në një nga ardhjet e tij, me kënaqësi, i kam shkruar dhe Parathënien e librit të tij “Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët e Elladhës / Riccerche e Studi tra gliArbëreshe dell’Elladhe”Frascineto,1994 (500 faqe). Po jemi takuar edhe Akademinë e Shkencave, më 15 maj 1995, kur iu dha titulli nderues “Doctor Honoris Causa” me motivacionin: “Për ndihmesën e veçantë që ka sjellë me mbledhjen, sistemimin dhe botimin e etnologjisë dhe folklorit të arbëreshëve të Italisë dhe arbërorëve të Greqisë”, si dhe shumë herë të tjera, kur kam qenë në Universitetin e Kozencës si lektor e ligjërues i gjuhës shqipe në vitet 2000-2002 etj.

Dhe më duket se, për ta përmbledhur më mirë atë që përfaqësonte Bellushi, mund të përdorim një metaforë: ai ishte një mbledhës i palodhshëm i “nektarit” etnokulturor dhe gjuhësor të Arbëreshëve të Italisë dhe Arbërorëve në Greqi.

Nektari i tij ishte fjala e dëgjuar nga goja e njerëzve; ishte shprehja frazeologjike; ishte kënga; ishte rrëfimi; ishte zakoni; ishte kujtesa e një familjeje; ishte emri i një vendi; ishte një copëz e së kaluarës që mund të humbiste bashkë me brezin që e ruante. Sepse, siç ka theksuar Eqrem Çabej “Po për mendimin tonë çështja më djegëse, detyra që shtrohet më me ngutësi, është puna e mbledhjes së materialit të gjuhës, ashtu siç rron nëpër krahinat e ndryshme të vendit tonë e të kolonive të shpërndara andej-këndej.Kjo detyrë imponohet mbi të gjitha të tjerat ,sigurisht edhe mbi punimet teorike, sepse me modernizimin e vendit, ky visar po zhduket, po shkrin si bora në diell”.

Bellushi dinte t’i kërkonte këto copëza, t’i mblidhte, t’i ruante dhe t’ua përcillte brezave.

Një interesim i hershëm dhe i vazhdueshëm për botën arbëreshe.Përpara se të ndalem posaçërisht te Bellushi, më lejoni të them edhe diçka për rrugën time të gjatë të interesimit për botën arbëreshe. Në vitin 1981 kam botuar në revistën Gjuha Jonë shkrimin “Arritje të studiuesve arbëreshë në fushën e shqipes”, ku trajtoja ndihmesat e studiuesve arbëreshë për gjuhën tonë. Më pas, në vitin 1985, në Ylli, botova shkrimin “Të dhëna për kulturën popullore arbëreshe”. Në vitin 1986, së bashku me profesor Mahir Domin, kemi botuar në revistën “Kultura Popullore” recensionin “Botime e njohuri të reja për arbëreshët e Greqisë”. Dhe, natyrisht, kemi përmendur e vlerësuar ndihmesat e vyera të Antoni Bellushit, i cili, si famullitar në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë e në vendlindjen e tij, Frasnitë /Frascineto, rrinte gjithmonë me magnetofonin në dorë për të regjistruar e me aparatin fotografik për të fiksuar pamje e mjedise tipike arbëreshe e arbërore.

Në vitin 1988, në po atë revistë, botova shkrimin “Një tufë gazetash arbëreshe”, duke u marrë me një tjetër dëshmi të rëndësishme të jetës kulturore dhe gjuhësore arbëreshe.Këto shkrime po i përmend jo për arsye autobiografike, por sepse dëshmojnë se interesi im për botën arbëreshe ka qenë një interes i hershëm dhe i vazhdueshëm. Brenda kësaj fushe kërkimi dhe njohjeje zë vend të veçantë edhe Antonio Bellushi. Dhe është pikërisht në këtë kontekst që e kam parë dhe e kam vlerësuar punën e tij.

Hulumtues i palodhur dhe i kudogjendur

Në vitin 1998, në “Universi Shqiptar i Librit”, kam botuar recensionin me titull “Hulumtues i palodhur dhe i kudogjendur”. Sot, pas kaq vitesh, mendoj se ky përcaktim e përmbledh shumë mirë një tipar themelor të Bellushit.Ai nuk ishte studiues që priste që materiali të vinte tek ai. Ai e kërkonte materialin aty ku gjendej: në fshatra e qendra arbëreshe, në familje, në kujtesën e njerëzve, në të folmet vendore, në këngë e në rrëfime. Kjo mënyrë pune kërkonte durim, udhëtime, këmbëngulje dhe, mbi të gjitha, dashuri për njerëzit që e ruanin këtë trashëgimi.Në të vërtetë, një pjesë e madhe e pasurisë së një gjuhe dhe të një kulture nuk gjendet vetëm në biblioteka. Ajo jeton në gojën e njerëzve.Bellushi këtë e kishte kuptuar shumë mirë.Ai dinte të dëgjonte.Dhe të dish të dëgjosh është një nga virtytet më të mëdha të studiuesit të kulturës popullore.Nga ninullat arbëreshe të moshës së njomë deri fjalorët e leksikorë e frazeologjikë. Një nga fushat ku puna e Bellushit mori një rëndësi të veçantë ishte frazeologjia.Në vitin 1993, në “Rrezja Jonë”, Shkodër, kam botuar shkrimin “Vepër me vlera gjuhësore e folklorike”, kushtuar veprës së Antonio Bellushit “Dizionario fraseologico degli Albanesi d’Italia e di Grecia – Fjalor frazeologjik i Arbëreshëve të Italisë e të Greqisë”.

Vetë kjo vepër është dëshmi e qartë e mënyrës së tij të punës.Frazeologjia është një nga shtresat më të pasura të gjuhës. Një shprehje popullore nuk është thjesht një bashkim fjalësh. Ajo bart mënyrën se si një bashkësi njerëzish ka menduar, ka ndier, ka vëzhguar botën dhe ka shprehur përvojën e vet.Prandaj, kur Bellushi mblidhte një shprehje, ai në të vërtetë po ruante një copëz të kujtesës kolektive.Këtu qëndron edhe një nga meritat më të mëdha të punës së tij: ai e shihte gjuhën jo si një sistem të shkëputur nga jeta, por si një organizëm të lidhur ngushtë me kulturën dhe me njeriun.

“Fjalori frazeologjik i arbëreshëve të Italisë e të Greqisë” dëshmon pikërisht këtë bashkim të gjuhës me folklorin dhe me jetën shpirtërore.

Arbëreshët e Italisë dhe të Greqisë – një hapësirë e gjerë kujtese dhe “apoteozë shqiptarie”

Një tjetër veçori e punës së Bellushit ishte shtrirja e vëmendjes së tij.Ai nuk e shihte trashëgiminë arbëreshe si një dukuri të kufizuar në një vend të vetëm. Përkundrazi, kërkonte lidhjet, dallimet, vazhdimësitë dhe veçoritë ndërmjet bashkësive shqiptare të shpërndara në hapësira të ndryshme.Kjo është veçanërisht e rëndësishme për studimet tona, sepse arbëreshët e Italisë dhe arbërorët e Greqisë kanë ruajtur, secili në mënyrën e vet, dëshmi të jashtëzakonshme të gjuhës, të traditës dhe të kujtesës shqiptare.Për studiuesin, kjo botë është një arkiv i gjallë.Por një arkiv i tillë nuk është i përjetshëm.Koha ndryshon. Brezat ndërrohen. Të folmet dobësohen. Shprehjet harrohen. Këngët nuk këndohen më. Kujtesa e njerëzve plaket bashkë me ta.Prandaj puna e Bellushit merr edhe një vlerë dokumentare të veçantë.Ai mblodhi sot atë që nesër mund të mos gjendej më.

Bellushi dhe “nektari” i kulturës arbërore.Këtu do të doja të kthehesha te fjala “nektar”, që e kam vënë në titullin e kësaj kumtese.Bleta shkon lule më lule dhe mbledh nektarin. Ajo nuk e shpërfill asnjë lule.Në mënyrë të ngjashme, edhe Bellushi shtegtonte nëpër hapësirat arbëreshe e arbërore dhe mblidhte atë që për syrin e zakonshëm mund të dukej e vogël: një fjalë, një shprehje, një këngë, një zakon, një kujtim.Por studiuesi e di se pikërisht këto “gjëra të vogla” mund të bëhen, në tërësinë e tyre, një thesar i madh.Ky ishte, në njëfarë mënyre, “zanati” dhe misioni i Bellushit.Ai mblidhte nektar.Nektarin e ëmbël të gjuhës sonë; shqipes së moçme e të pavdirë,po edhe të atillë që do t’u rezistonte rrebesheve gjuhëvrasëse të shekujve në Ballkanin e pushtuar nga hordhitë osmane, po edhe në diasporën arbëreshe duke mos u dhënë përpara trysnisë rrafshuese të itealishtes.Për shumë vjet radhazi, ai do të hulumtonte edhe ender arbërorët (arvanitët) e Greqisë, duke shkuar derë më derë e duke regjistruar këngë,vjersha,rrëfime dhe fjalë e frazeologjizma.

Dhe pastaj e kthente atë në “mjaltë” shkencor e kulturor, sikundër na e dëshmojnë artikujt e botimet me vijime te revistat e tij,në kryee të herës “Vatra jonë” në anët e Potencës e më vonë në revistën “Lidhja”, numrat e së cilës zoti Ndon na i dërgonte me kujdes të gjithë miqve e të interesuarve. I kam në bibliotkën time të gjithë numrat e asaj reviste, si dhe, viteve të fundit, për lehtësi e shpejtësi informuese, pati filluar të m’i dërgonte me E-mail (postë elektronike).

Një studiues që ishte edhe njeri i marrëdhënieve të mira në bashkësitë arbëreshe e shqiptare

Por Bellushi nuk mund të kujtohet vetëm nëpërmjet veprave.Unë dua ta kujtoj edhe si njeri.Sepse, në fund të fundit, veprat shkruhen nga njerëzit dhe kujtimi i një studiuesi nuk ruhet vetëm në biblioteka. Ai ruhet edhe në kujtesën e atyre që e kanë njohur.Në marrëdhëniet e mia me të kam pasur mundësinë të shoh nga afër pasionin e tij për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Kam parë te ai një njeri që nuk kënaqej me dijen e fituar, por kërkonte gjithnjë diçka tjetër, një dëshmi tjetër, një fjalë tjetër, një burim tjetër.Kjo etje për të njohur e për të mbledhur është ajo që e bënte të papërtueshëm e të palodhshëm dhe të kudogjendur ndër vatrat e mjediset arbëreshe, arbërore e shqiptare.Dhe “i kudogjendur” nuk duhet kuptuar vetëm si një cilësi fizike. Ai ishte i kudogjendur në interesat e tij: në gjuhë, në folklor, në histori, në kujtesën popullore, në botën e librit dhe në marrëdhëniet njerëzore.

“Lodazio” meritore

Titulli që kemi zgjedhur për këtë kumtesë përmban edhe shprehjen “Lodazio” meritore. Për mua, kjo mund të kuptohet si një përshëndetje mirënjohjeje për gjithë atë punë të gjatë.Një studiues i tillë nuk duhet gjykuar vetëm nga numri i veprave që ka lënë pas, por edhe nga ajo që ka shpëtuar prej harresës falë punës së tij.Dhe këtu Bellushi ka meritë të veçantë.Ai na ka lënë dëshmi të një bote që nuk mund të rikthehet më në të njëjtën formë.Na ka lënë fjalë.Na ka lënë shprehje.Na ka lënë zëra.Na ka lënë kujtime.Na ka lënë një pjesë të asaj Shqipërie të shpërndarë, e cila, megjithëse e ndarë prej shekujsh nga trualli amë, ka ruajtur shenja të fuqishme të identitetit të vet.

Përmbyllje

Të nderuar pjesëmarrës,

Kur kujtojmë Antoni Bellushin, nuk kujtojmë vetëm një studiues të arbëreshëve. Kujtojmë një njeri që e kuptoi se gjuha është kujtesë, se fjala është dëshmi, se folklori është arkiv, dhe se pasuria e një populli ruhet edhe në ato gjëra që shpesh duken të vogla dhe të zakonshme.Kujtojmë një mbledhës të palodhur të nektarit etnokulturor dhe gjuhësor.Dhe sot, kur shumë nga ata njerëz që Bellushi ka takuar nuk janë më, kur shumë nga zërat që ai ka dëgjuar janë shuar, veprat e tij marrin një vlerë edhe më të madhe.Ato na lejojnë të dëgjojmë, përmes librit, një pjesë të atyre zërave.Për mua, përveçse studiues, Antoni Bellushi mbetet edhe mik.Dhe miqtë e vërtetë nuk ikin krejtësisht.Ata mbeten në kujtesë, në bisedat që kemi bërë, në fjalët që kemi shkëmbyer, në librat që na kanë lënë dhe në ato gjurmë që koha nuk arrin t’i fshijë.

Prandaj, sot, krahas vlerësimit për veprën e tij shkencore, dua të shpreh edhe mirënjohjen time njerëzore.Kam në raftin tim shumë numra të “Lidhjes” e vëllime të Andonit, të gjitha me dedikime të shkruara me fjalë zemre e miradije, prej të cilave, për nderin e kujtimin e tij të paharrueshëm, po lejohem të citoj vetëm sa më ka shkruar në ballinën e veprës së tij :”Dizionario Fraseologico degli Albanesi d’itali e di Grecia”:

“Të ndershmit vëlla shqiptar Prof.Gjovalin Shkurtaj, etnolog dhe studjues i madh i gjuhës sonë ëmtare-arbëreshe, si dhe të botimeve tona etnografike mbi jetën tonë shekullore në tokën italiane dhe greke, si “gjak i shprishur” dhe i shkelur dhe i panjohur, me dashuri të pathënshme, me mirënjohje zemërore dhe me urime e me nderime, këtë punë mbi kulturën tonë popullore, që ka rrënja të qindisura në hekur, dhe që vë në dukje se “Shpirti i Arbërit rron”. Rron, vepron e bën dritë. Antonio Bellushi, “Kozencë, më më 25,10.1989

Faleminderit, i ndjeri e i miri Anton, për nektarin që mblodhe.Ne, që erdhëm pas teje, kemi për detyrë ta ruajmë mjaltin e tij.Dhe kujtimi yt, jam i bindur, do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e studimeve shqiptare dhe në kujtesën e atyre që të njohën e të deshën.

Filed Under: Reportazh

PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE

November 5, 2026 by s p

Nga Paskal Kaçani/

Ka histori që nuk mbyllen kurrë në sirtarët e pluhurosur të arkivave zyrtare, sepse ato rrahin si një zemër e dytë në gjoksin e bijve që refuzuan harresën. I tillë është rrëfimi epik dhe i përgjakur për Hasan Hyso Ormenin, Komandantin legjendar të Çetës së Velçës. Një burrë që la gjurmët e veta me gjak e sakrificë në Luftën e Vlorës të vitit 1920, që shërbeu si roje vigjilente në kufijtë e atdheut dhe që u vra pabesisht në muzgun e nëntorit 1944. Pasi ranë armët, mbi familjen e tij u përplasën dallgët më të egra dhe mizore të diktaturës komuniste, duke nisur një kalvar gjysmëshekullor persekutimi, ndarjeje dhe lotësh, por edhe një qëndrese të pashembullt për të çuar në vend amanetin e lirisë.

Kushtrimi i vitit 1920: Thyerja e ligjit të fisit për lirinë e Vlorës

Në verën e vitit 1920, Vlora ziente nga lufta kundër pushtuesve italianë. Përballë rrezikut të shuarjes së familjeve, drejtuesit e luftës morën një vendim të prerë: djemtë e vetëm të përjashtoheshin nga fronti, me qëllim që të mos u shuhej fisi. Hasan Hyso Ormeni ishte djalë i vetëm, por për të, liria e atdheut peshonte më shumë se çdo rregull. Ai e theu këtë urdhër dhe u rreshtua në vijën e parë. Trimëria dhe autoriteti i tij bënë që të zgjidhej Komandant i Çetës së Velçës, një nga formacionet kryesore luftarake me mbi 120 luftëtarë. Në betejën epike të Qafës së Koçiut, ku lufta u bë fyt më fyt, çeta e tij mbajti peshën kryesore. Ndonëse mori dy plagë të rënda në secilën shpatull, Hasani nuk e braktisi fushëbetejën.

Ditën e triumfit, kur italianët u dëbuan nga Vlora, Çetës së Velçës iu dha nderi të parakalonte para tribunës. Në krye të saj, mbi kalë, qëndronte Hasani – me plagët e lidhura që ende pikonin gjak, duke u kthyer në një legjendë të gjallë për të cilën fshati nisi të thurrte këngë:

“Kush u hodh mbi tel i pari, Hasan Hyso faqebardhi…”

Oficer i kufijve dhe mik i Avni Rustemit

Pas luftës, Hasani u titullua oficer me gradë dhe rrogë, duke u caktuar në mbrojtje të kufijve veriorë të Shqipërisë. Në vitin 1922, ai u plagos sërish në përpjekje me bandat serbo-malazeze, një ngjarje që do të ushqente urrejtjen e tij të përjetshme ndaj shovinizmit serb.

Me bindje të forta demokratike dhe fanoliste, ai ishte mik i afërt i Avni Rustemit. Kur Ahmet Zogu bëri reformat dhe u vetëshpall mbret, Hasani, i rritur me idealet e lirisë dhe demokracisë, refuzoi këtë formë qeverisjeje. Ai u largua nga ushtria dhe u kthye në fshatin e tij të lindjes, në Velç, për të bërë jetën e thjeshtë të fshatarit, por pa e ulur kurrë vigjilencën.

Lufta e Dytë Botërore: Rreshtimi me Ballin Kombëtar dhe tragjedia e nëntorit ’44

Më 7 prill 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, Hasan Hyso Ormeni ishte ndër të parët që doli në pritë me armë në dorë. Më vonë, falë miqësisë personale me Mit’hat Frashërin dhe i udhëhequr nga parimet kombëtare, ai u rreshtua me Ballin Kombëtar. Ai e dallonte herët se sistemi komunist, që po futej në Vlorë përmes të dërguarve serbë si Dushan Mugosha, ishte një sistem pa bosht orientues që mohonte pronën private dhe lirinë.

Nën drejtimin e Ballit, çeta e tij bëri beteja të mëdha frontale kundër gjermanëve në Drashovicë dhe në Gjorm, ku me mitralozin e tij në dorë arriti të zmbrapste forcat gjermane, duke shpëtuar nga rrethimi madje edhe vetë partizanët. Por, pas dështimit të Marrëveshjes së Mukjes, lufta vëllavrasëse nisi egërsisht. Shtëpia e Hasanit në Velç, e cila kishte qenë një nga bazat më të mëdha antifashiste ku strehoheshin ilegalisht krerë të të dy krahëve (si Hysni Kapo, Ali Demi e Hysni Lepenica), u shpall tabelë qitjeje.

Më 4 nëntor 1944, me urdhër të Qarkorit të Vlorës dhe në prani të Mugoshës, u mor vendimi fatal për djegien e shtëpisë së tij. Partizanët rrethuan shtëpinë dykatëshe prej guri. Hasani, me mitralozin e lehtë anglez në dorë, doli në oborr për të çarë rrethimin, duke i lënë amanet bashkëshortes, Sulotes, që të mos qante nëse ai vritej. Partizanët, duke e njohur trimërinë e tij, nuk guxuan të qëllonin dhe ai arriti të largohej në mal.

Shtëpia u bë shkrumb e hi, ndërsa vëllai i madh 18-vjeçar, Hysua, u rrah egërsisht dhe u dërgua për t’u pushkatuar në Ramicë, duke u shpëtuar mrekullisht vetëm nga ndërhyrja trime e Ramize Gjebresë që i doli para automatikut.

Vrasja në pritë dhe thyerja e familjes

Në ditët e fundit të nëntorit 1944, përballë hakmarrjes komuniste, Hasani mori tre djemtë e tij dhe u nis drejt Tiranës për t’u arratisur nga Shqipëria. Te shtëpia e inxhinier Kujtim Beqirit u mor një vendim që do të ndryshonte fatet: inxhinieri e bindi Hasanin që ta linte djalin e tij të vogël, Xhevitin (vetëm 10 vjeç), në Tiranë, pasi rruga do të ishte gjatë dhe e rrezikshme. Atë darkë, Hasani me dy djemtë e tjerë u nisën drejt veriut.

Por historia u tregua mizore. Vetëm dy kilometra pa mbërritur në Laç, Hasani ra në një pritë dhe u vra në pabesi. Dy djemtë e tij arritën të çanin rrethimin, duke u arratisur në Itali e më pas në Amerikë, ndërsa djali i vogël, Xheviti, mbeti vetëm, në një Shqipëri që po futej në natën e gjatë të diktaturës.

Gati gjysmë shekulli harresë, lotë dhe besnikëri

Për 48 vite me radhë, familja mbeti e ndarë në dysh, pa asnjë lajm. Në Shqipëri, nusja e vëllait të madh, Sanija, e cila kishte mbetur vetëm 20 vjeçe, vuri shaminë e zezë dhe nuk u martua kurrë. Ajo punoi në kooperativë nën persekutimin e regjimit, mbajti shtëpinë hapur dhe rriti Xhevitin, i cili punonte si murator në çdo cep të Vlorës. Edhe vëllai në Amerikë mbeti i pamartuar, duke ruajtur në zemër premtimin e rinisë.

Më 17 janar 1991, me ardhjen e demokracisë, vëllezërit u kthyen. Takimi në aeroport ishte përtej përlotjes – ishte një ringjallje. Vëllai i madh puthi tokën shqiptare dhe u takua me Sanijen e tij: ai i mbajtur mirë nga jeta amerikane, ajo e kërrusur dhe e plakur para kohe nga punët e rënda. Fjalët e tij në atë takim mbeten një monument dashurie dhe respekti:

“Sanije, u ndamë në të ri e po takohemi në pleqëri. Më mbajte shtëpinë hapur, më ruajte nderin. Të faleminderit!”

Amaneti i heshtur: Gjetja e eshtrave dhe drejtësia e historisë

Djali i vogël i Hasanit, Xheviti, nuk mund të gjente qetësi pa kryer amanetin më të madh: gjetjen e eshtrave të babait të tij. Pas kërkimesh të gjata në zonën e Krujës, Milotit dhe Laçit, fati e çoi te dëshmitarët e fundit të asaj nate të ftohtë të nëntorit 1944.

Një ish-partizan në fshatin Gjorm të Krujës, me lot në sy, pranoi se natën e vrasjes kishte gjetur trupin e një burri me një letër në gjoks ku shkruhej “Hasan Hyso, Vlorë”. Ai ishte varrosur me respekt me urdhër të një komandanti me mbiemrin Delia, i cili kishte qenë mik fanolist me Hasanin. Me ndihmën e banorëve vendas dhe me traktor, Xheviti arriti të zhbënte dheun dhe të gjejë eshtrat e të atit që i shfaqej çdo natë në ëndërr.

Eshtrat e Hasan Hyso Ormenit u kthyen në Vlorë dhe u varrosën me ceremoninë e merituar në varrezat e dëshmorëve të vrarë nga regjimi.

Sot, pas vitesh të tëra mohimi, drejtësia historike u vendos në vend: Hasan Hyso Ormeni u shpall zyrtarisht “Nderi i Qarkut të Vlorës”. Ai la pas një histori epike trimi, një djalë të vogël si Xheviti që rindërtoi nderin e familjes me punë të ndershme si murator, si dhe 7 fëmijë e 17 nipër e mbesa që sot shkëlqejnë në rrugët e Evropës, duke dëshmuar se fara e lirisë dhe e dinjitetit nuk shuhet kurrë.

Filed Under: Reportazh

FADIL BERISHA NDEROHET NË VATIKAN

November 4, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Një tjetër krenari për shqiptarët e Amerikës dhe për Kombin kur arti, humanizmi dhe identiteti shqiptar takohen në skenën ndërkombëtare. Falë nderës Zotit, Kombi shqiptar ka plot individë individ, të cilët me suksesin e tyre kapërcejnë kufijtë e suksesit personal dhe marrin kuptim për një komunitet të tërë dhe për mabrë Kombin. Ka vlerësime që nderojnë talentin dhe arritjet e një njeriu, por që njëkohësisht shndërrohen në burim krenarie për bashkësinë nga e cila ai vjen dhe për Kombin dhe vendin që përfaqëson me punën e tij.

Një ngjarje e tillë është nderimi i fotografit të njohur shqiptaro-amerikan Fadil Berisha në Vatikan, në kuadër të veprimtarisë ndërkombëtare World Changers Summit 2026, të mbajtur më 22 tetor në Casina Pio IV, në Vatikan. Samiti, i organizuar nga Instituti për Studime të Avancuara dhe Bashkëpunim (IASC), mblodhi personalitete nga fusha të ndryshme, me synimin për të diskutuar besimin, përgjegjësinë etike, dinjitetin njerëzor dhe sfidat e së ardhmes. (IAScoop⁠) Për Fadil Berishën, pjesëmarrja dhe nderimi në këtë mjedis ndërkombëtar përbëjnë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij profesional dhe shoqëror. Për ne shqiptarët e Amerikës, kjo ngjarje ka edhe një domethënie tjetër: është një rast për të shprehur krenarinë për një bashkëkombës që, përmes talentit, punës dhe përkushtimit, ka krijuar një emër të njohur në botën ndërkombëtare, si fotograf shqiptaro-amerikan me famë ndërkombëtare Fadil Berisha është një nga emrat e njohur të fotografisë së modës dhe portretit në Shtetet e Bashkuara. I lindur në Kosovë dhe i vendosur më pas në Amerikë, ai ndërtoi një karrierë të suksesshme në New York, duke bashkëpunuar me personalitete të njohura të modës, artit dhe jetës publike.

Përmes aparatit fotografik, Berisha ka dëshmuar një ndjeshmëri të veçantë artistike, duke e shndërruar fotografinë në një gjuhë universale, të kuptueshme përtej dallimeve gjuhësore dhe kulturore. Emri i tij lidhet me botën e modës ndërkombëtare, me portrete të personaliteteve të njohura dhe me një karrierë të ndërtuar përmes profesionalizmit dhe përkushtimit. Megjithatë, për një personalitet krijues, suksesi nuk matet vetëm me famën apo me emrat e njohur që kalojnë para objektivit të tij. Ai matet edhe me aftësinë për të ruajtur një vizion personal, për të përcjellë vlera përmes artit dhe për ta përdorur përvojën e fituar në shërbim të ideve që shkojnë përtej profesionit. Pikërisht këtu qëndron një nga dimensionet më interesante të profilit të Fadil Berishës e që është ndërthurja e krijimtarisë artistike me angazhimin ndaj komunitetit dhe mbështetjen e talenteve të reja.

Gabriele Pao-Pei Andreoli (https://gpandreoli.com/about-me) duke i dorëzuar fotografit dhe humanistit me famë botërore, Fadil Berishës medaljen përkujtimore Humanitas Magnifica, për vizionin e tij artistik dhe përkushtimin e tij humanitar.

Kështu shkruan Profesor Andreoli në faqën e tij sociale: “Ishte kënaqësi të mirëpritnim fotografin dhe udhëheqës humanitar me famë ndërkombëtare, Fadil Berisha, në IASC – World Changers’ “Multiverse of Trust in the Quantum Era,” që u mbajt më 22 tetor 2026 në Casina Pio IV, Qyteti i Vatikanit. — Humanizmi si vlerë që e tejkalon suksesin personal –Në një botë ku suksesi shpesh vlerësohet përmes famës, pasurisë dhe ndikimit publik, është e rëndësishme të kujtojmë se arritjet marrin një kuptim më të plotë kur shoqërohen me përgjegjësi njerëzore.Humanizmi nuk është thjesht një fjalë e bukur. Ai është një qëndrim ndaj jetës, një bindje se dinjiteti i njeriut duhet të mbetet në qendër të çdo veprimtarie dhe se talenti e ndikimi personal mund të përdoren për të ndihmuar të tjerët. Në këtë kuptim, nderimi i Fadil Berishës në një veprimtari ndërkombëtare kushtuar besimit dhe dinjitetit njerëzor na jep rastin të reflektojmë mbi lidhjen mes artit dhe përgjegjësisë shoqërore. Një artist mund të ndikojë në shoqëri jo vetëm përmes veprave të tij, por edhe përmes shembullit që jep, mundësive që krijon për brezat e rinj dhe gatishmërisë për të mbështetur nisma që promovojnë bashkëpunimin e mirëkuptimin. Këto janë vlera që i japin suksesit një dimension më të gjerë se ai individ”, ka shkruar Gabriele Andreoli.

Rëndësi ka që kjo ceremony u zhvillua në Vatikan se Vatikani përfaqëson një qendër me rëndësi të jashtëzakonshme fetare, historike dhe diplomatike. Salla “Casina Pio IV”, ku u zhvillua samiti, është selia e Akademisë Papnore të Shkencave dhe një hapësirë ku janë zhvilluar takime ndërkombëtare mbi marrëdhëniet mes shkencës, teknologjisë, etikës dhe së mirës së përbashkët. (Vatican News⁠) Samiti i këtij viti, me temën Multiverse of Trust in the Quantum Era, trajtoi çështje që lidhen me zhvillimin teknologjik dhe përgjegjësinë njerëzore në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur. Në qendër të diskutimeve ishte ideja se përparimi shkencor dhe teknologjik duhet të udhëhiqet nga etika, besimi dhe respekti për dinjitetin njerëzor. (Allatra⁠) Në këtë mjedis, prania e një shqiptaro-amerikani si Fadil Berisha ka rëndësi simbolike. Ajo dëshmon se shqiptarët nuk janë vetëm vëzhgues të zhvillimeve ndërkombëtare, por marrin pjesë në to përmes profesionit, krijimtarisë dhe angazhimit të tyre. Rëndësia e ngjarjes nuk ka nevojë për ekzagjerime por vetë pjesëmarrja në një forum të tillë ndërkombëtar dhe vlerësimi i një personaliteti shqiptar janë të denja për t’u pasqyruar me dinjitet.

Natyrisht se kjo medalje për Fadil Berishën shënon një sukses për punën e tij shumë-vjeçare si fotograf me famë botërore dhe humanitar, kjo është edhe njç krenari sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikane, pjesë e të është edhe Fadil Berisha si njp anëtar aktiv i tij. Historia e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara është një histori përpjekjesh, sakrificash, integrimi dhe suksesi. Siç kam pasqyzruar shpesh, breza të tërë shqiptarësh kanë ndërtuar jetën e tyre në Amerikë, duke kontribuar në shoqërinë amerikane, por pa i harruar rrënjët, gjuhën dhe kulturën e tyre. Në këtë histori, personalitete si Fadil Berisha kanë një vend të veçantë. Ata dëshmojnë se prejardhja shqiptare nuk është pengesë për të arritur majat e suksesit ndërkombëtar. Përkundrazi, ajo mund të bëhet pjesë e identitetit dhe e historisë personale që e shoqëron njeriun në çdo hap të jetës.

Për shqiptarët e Amerikës, suksesi i një bashkëkombësi në një fushë të rëndësishme ndërkombëtare është më shumë se një lajm i mirë. Ai është një dëshmi e potencialit të komunitetit tonë dhe një burim frymëzimi për të rinjtë shqiptarë që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen përmes dijes, punës, talentit dhe përkushimit. Kjo tregon gjithashtu se krenaria e diasporës nuk buron vetëm nga kujtimet e së kaluarës, por edhe nga arritjet e sotme. Ajo forcohet sa herë që shqiptarët, në cilindo vend të botës, dëshmojnë se mund të konkurrojnë me dinjitet dhe të kontribuojnë në fusha të ndryshme të jetës ndërkombëtare. Fadil Berisha është pjesë e kësaj historie suksesi dhe është një vlerësim që shkon përtej një indidivid.

Nderimi i Fadil Berishës në Vatikan na kujton se arti dhe humanizmi mund të krijojnë ura mes njerëzve, kulturave dhe kombeve. Në një kohë kur bota përballet me ndarje, konflikte dhe sfida të reja teknologjike, nevoja për të vlerësuar dinjitetin njerëzor, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë bëhet gjithnjë e më e madhe. Për Fadil Berishën, ky moment i shtohet një karriere të ndërtuar me punë dhe përkushtim. Për komunitetin shqiptaro-amerikan, ai përbën një rast krenarie dhe një mundësi për të vlerësuar kontributin e bashkëkombësve tanë edhe në jetën ndërkombëtare. Por mesazhi më i rëndësishëm është se suksesi fiton vlerë të qëndrueshme kur nuk mbetet vetëm pasuri e individit, por shndërrohet edhe në frymëzim për të tjerët.

Urime Fadil Berishës për këtë vlerësim dhe për përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare! Qoftë ky një tjetër kapitull i suksesshëm në rrugëtimin e tij artistik dhe njerëzor, si dhe një burim frymëzimi për brezat e rinj të shqiptarëve të Amerikës dhe në Atdhe. Sepse, në fund të fundit, krenaria e një kombi nuk matet vetëm me historinë që trashëgon, por edhe me njerëzit që, përmes talentit, punës dhe vlerave të tyre, ndërtojnë të ardhmen.

Filed Under: Reportazh

U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE

November 2, 2026 by s p

Sokol Paja

Foto: Ndrekë Tonaj + Diana Ivezaj/

New York, 1 nëntor 2026- Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” organizoi në mënyrë mallështore Festivalin e XXXIV Shqiptar duke bashkuar patriotët, artistët, këngëtarët, valltarët, grupet muzikore, ansamblet folklorike, instrumentistë, kërcimtarët, skenografët e koreografët në një spektakël madhështor dedikuar gjuhës shqipe, elementit themelor të përkatësisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. Një investim shpirtëror e kulturor i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës si garanci e vazhdimësi patriotike për çdo fëmijë shqiptar të lindur e rritur në emigracion.

Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” si institucion fetar, atdhetar, kulturor e komunitar, me organizimet serioze e dinjitoze i bën një nder e shlrbim të jashtëzakonshëm trashëgimisë kulturore kombëtare dhe mbarë mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veprimtaria frymëzuese e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York duke bashkuar mbarë shqiptarët nga çdo cep i Amerikës, është vlerë, identitet, trashëgimi dhe pasuri e jashtëzakonshme për diasporën shqiptare.

Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj, udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve të New York-ut, personalitet fetar, atdhetar e kombëtar, në fjalën kryesore të Festivalit theksoi ky vit ka një randësi të veçantë dhe të thellë për të gjithë ne. Na sonte e dedikojmë këtë festival gjuhës tonë të bukur shqipe. Gjuha jonë është rrahja e zemrës së identitetit tonë, fillim i artë që lidh të kaluemen tonë me të ardhmen dhe simboli më i naltë i qëndresës sonë si komb.

Festivale si ky janë të radha sepse na ndihmojnë të ruajmë kulturën tonë të pasur, traditat tona të gjalla dhe gjuhën amtare për brezat që do të vijnë. Përmes këtyre aktiviteteve, na sigurojmë që rranjet tona të qëndrojnë të forta, megjithëse jemi larg atdheut. Sonte, zemrat tona mbushen me plot krenari kur shohim djemtë e ri dhe vajzat e reja në skenë që do të përformojnë për ju sonte. Përmes valles, muzikës dhe kangës së tyre, ata mbajnë ndezur pishtarin e trashëgimisë sonë. Faleminderit të gjithë organizatorëve që punuen pa u lodhë ditë e natë me e ba të muejtun këtë festival. Faleminderit të gjithë juve të pranishëm që me përkrahjen tuej dëshmoni bukurinë e kulturës sonë, theksoi Dom Pjetër Popaj.

PROGRAMI I FESTIVALIT TË 34-TË SHQIPTAR

1.Film i shkurtër: “Gjuha jonë”

2.Hapja – Gegë e toskë

3.Dom Pjetri – Përshëndetja e festivalit

4.Rozafati: Valle e Ulqinit

5.Nora e Kelmendit: Valle (Prej Malësie në Tropojë)

6.Gjovani Gjonaj: Ulqini ynë

7.Flamur Biçaku: Potpuri e Shqipërisë së Mesme

8.Bashkimi Dance: Valle me motive çame

9.Haxhi Nezaj: Prej nji shpati

10.Nik Çarku: Cili asht ma bukur

11.AYC Greenwich: Valle me motive të Tropojës

12.Grupi Lab: Gjuha shqipe

13.Gjergj Kastrioti: a) Valle e shoqëruar me çifteli e fyell b) Valle me DJ e tupana c) Këngë d) Valle

14.Rozafati Dance: Valle me motive të Kosovës

15.Ermina Bushi: Ç’ka ka zogu

16.Barbana: Valle me motive të Shqipërisë së Mesme

17.Nora e Kelmendit: Rrofsh përjetë, Malësia e Madhe

18.Projektori me film për kombin shqiptar

19.Montclair University – Kolazh këngësh popullore

20Merita Halili: Na leu dielli n’at buzë mali

21.Rozafati Dance: Valle me motive të jugut

22.Haki Krasniqi: Moj Kosovë, t’u njeft e mira

23.Bashkimi Dance: Valle me motive Tropoje

24.Lorna Hysa: Do marr çiften, do dal për gjah

25.AACW Dance: Për ty, Nanë

26.Grupi Lab: Kënga labe

27.Besim Muriqi: Mora udhën kah Manastiri

28.Albanian Roots: 2 valle

29.Struga: a) Zana Sahiti – Shqipëri, o nana ime b) Instrumentale me çifteli c) Siara Kaba, Arlinda & Diana Dauti – Hidhet vallja d) Valle me motive të veriut

30.Gjystina Bojaj: Këndon bilbili fushave

31.Argjend Llogaj: O gjuhë e bukur

32.Dijana Vajushi: Malësinë time

33.Rozafati Dance: Valle me motive Tropoje.

KOMISIONI ORGANIZUES:

Famullitar: Dom Pjetër Popaj, Kryetar i Këshillit të Kishës: Ndrekë Tonaj, Kryetar i Qendrës Nënë Tereza: Mark Berishaj, Drejtor i Festivalit: Dr. Elizabet Peraj, Drejtor artistik: Agim Kola, Regjia: Agim Kola, Prezantues: Zef Vataj & Mikejla Nonaj, Koordinatore e reklamave: Dr. Elizabet Peraj, Drejtues i orkestrës: Alfred Popaj, Video: Festor Volaj, Photography: Diana Ivezaj

ANËTARËT E KOMISIONIT:

Agim Kola, Alfred Jaku, Alfred Popaj, Angjelina Nika, Diana Ivezaj, Dr. Elizabet Peraj, Gjergj Paloka, Ismer Mjeku, Kristina Popaj, Mark Berishaj, Mikejla Nonaj, Ndrekë Tonaj, Petrit Grishaj, Vjeko Cotaј dhe Zef Vataj.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 199
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THANKSGIVING – NGA RRËNJËT E HISTORISË TE FESTA E MIRËNJOHJES AMERIKANE
  • NËNTORI – MUAJI I FESTAVE DHE KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Pse Ismail Qemali zgjodhi shqiponjën dykrenare heraldike?
  • Trembëdhjetë vjet para “Kongresit të Manastirit”…
  • Kostë Çekrezi, dragoman i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit
  • Kujtojmë në ditën e lindjes albanologun e shquar Peter Bartl
  • PROF. DR. ZANA FRASHËRI-LITO VIZITOI VATRËN
  • “Themeluesi Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Në Ditën e Falenderimeve
  • Në 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisësë Shqipërisë, në kujtim të Luigj Gurakuqit– atdhetarit, intelektualit dhe politikanittë shquar shqiptar
  • Trashëgimia ilire dhe lidhjet arbërore në filatelinë e Bosnjë-Hercegovinës
  • Vehbi Agolli – (Vehbi Dibra, 1867–1937)
  • 25 nëntor 2005, polifonia popullore shqiptare u shpall nga UNESCO-ja “Kryevepër e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit”
  • Një jetë luftëtar për ngritjen e flamurit kombëtar në Çamëri
  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR Z. DRITON GERBESHI DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT