• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veprat letrare “Mençuria Shqiptare” dhe “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës ” u promovuan në Philadelphia

October 17, 2026 by s p

Sokol Paja/

Philadelphia, 17 Tetor 2026 – Veprat letrare “Mençuria Shqiptare” dhe “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës ” të patriotit Tajar Domi u promovuan në Philadelphia. Shoqata “Bijtë e Shqipes”, shtëpia e shqiptarizmës në Pennsylvania bashkoi studiues, historianë, shkrimtarë, gazetarë, poetë e patriotë për të nderuar krijimtarinë letrare e veprimtarinë atdhetare të veprimtarit Tajar Domi. Në fjalën e mirëseardhjes patrioti z.Domi theksoi se “Libri është miku më i mirë i njeriut” teksa përmes botimeve ruajmë gjuhën, kulturën, traditën e trashëgiminë e pasur shqiptare”.

Prezantuesi mësues Enver Parllaku u shpjegoi të pranishmëve veçoritë dhe vlerat e librave si një dhuratë brezave dhe kontribut për dijen, historinë e kulturën shqiptare.

Dr. Bexhet Asani, sekretar i shoqatës së shkrimtareve shqiptaro – amerikanë në kumtesën e tij theksoi se studiuesi Domi përveç se merret me historikun dhe figurat e shquara të Dinastisë Domi, ai nuk i harron për asnjë çast pinjollët e Dinastisë Domi në Shqipëri dhe në diasporë dhe kanë arritur suksese në fusha të ndryshme të artit, të kulturës, të shkencës dhe të teknologjisë. Monografia “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës” sipas Dr. Asanit është një simbiozë sa etnike po aq edhe shkencore e kulturore. Në libër zë një vend të rëndësishëm shkenca etnografike shqiptare. Të dhënat etnografike në libër janë me interes për shkencat albanologjike. Në libër përveç personaliteteve të Dinastisë Domi janë prezentuar edhe personalitete të tjerë kombëtarë si Ismail Kadare, Margarita Xhepa, Liri Rasha e të tjerë. Libri i Tajar Domit është një monografi e thukët me karakter gjithkombëtar. Monografi të tilla duhet të shkruhen me qëllim që t’ u mbeten trashëgim brezave që vijnë. Njëqind apo dyqind vjet më parë ka pasur fise e familje të dalluara shqiptare por ne nuk dimë asgjë për to sepse nuk është shkruar asgjë prandaj i ka mbuluar pluhuri i harresës.

Poeti Lutfi Brami në kumtesën “Kur historia dhe vlerat bëhen dritë për brezat”, theksoi se libri është një akt dashurie, një monument kujtese dhe historie, pasuri, busull, manual dhe orientim për familjet shqiptare në Shqipëri dhe diasporë. Z. Brami renditi kontributin gjuhësor e patriotik të familjes Domi në ruajtjen e Abetareve të shqipes për zhvillim e arsim kombëtar e identitet shqiptar. Z. Brami theksoi se monografia e Domit është një libër për familjet e fëmijët shqiptarë në Amerikë për të ruajtur gjuhën shqipe. Dr. Sadik Elshani në kumtesën “Vlerat i japin emër një kombi” renditi “kontributin dhe vlerat morale e kombëtare të familjes Domi. Urtinë, mençurinë e zgjuarsinë e Odës shqiptare”. Z.Skender Kodra apeloi që intelektualët, studiuesit dhe njerëzit e penës të shkruajnë sa më shumë libra për të vërtetat e kombit tonë.

Editori i gazetës Dielli në kumtesën “Mençuria shqiptare”, një udhëtim në historinë shpirtërore të shqiptarëve” theksoi se libri na kujton se kultura kombëtare nuk ndërtohet vetëm nga veprat e mëdha letrare, nga monumentet dhe nga ngjarjet historike. Ajo ndërtohet edhe nga fjalët e njerëzve të zakonshëm, nga përvojat e tyre dhe nga mënyra se si ata kanë zgjedhur t’ua përcjellin të tjerëve atë që kanë mësuar në jetë. Prandaj, vepra e Tajar Domit meriton të lexohet jo vetëm si një dëshmi e së kaluarës, por edhe si një ftesë për reflektim mbi të ardhmen. Kontributi i librit dhe vlerat qëndrojnë te pyetjet që ngre, te kujtimet që zgjon dhe te dëshira që nxit për të njohur më mirë gjuhën, historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar.

Shkrimtari Vlashi Fili në kumtesën “Tajar Domi dhe mençuria shqiptare” theksoi se vepra e Domit është një kujtesë e gjallë për të mos harruar atë që është trashëguar. Libri i Domit është një pasuri e çmuar sepse përmban shprehje të mençura të popullit, shpirtit, kombit, dhe kujtesë e rrugëtimit shekullore të shqiptarëve. Bashkëthemeluesi i “AlbLibris” Dr. Pashko Camaj në fjalën e tij theksoi se fjala e urtë është historia e një populli. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e kësaj vepre. Përmes fjalëve të urta, ne nuk trashëgojmë vetëm shprehje të bukura. Ne trashëgojmë mënyra të të menduarit, parime morale dhe përvoja jetësore. Trashëgojmë kuptimin e nderit, të besës, të përgjegjësisë, të durimit dhe të respektit për tjetrin. Më pëlqen veçanërisht përpjekja e autorit për të përfshirë urtësinë nga krahina të ndryshme shqiptare, nga Veriu në Jug, nga Shqipëria e Mesme, nga trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe nga mërgata. Kjo i jep librit një mesazh të rëndësishëm: trashëgimia jonë nuk kufizohet nga kufijtë gjeografikë. Ajo jeton kudo ku ruhet gjuha, kujtesa dhe lidhja me rrënjët. Përshëndetën promovimin e librave patriotët: Bujar Gjoka, Eqerem Murati, Mëhill Velaj, Agim Pira, Abdulla Domi, Elsa Sako, Halil Rama dhe Mahmudije Shehu Domi. Një festë libri që nderoi një familje patriotike dhe patriotë shqiptarë me kontribute të mëdha në arsimin e historinë shqiptare.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Sokol Paja

Shqiptarët vendosin “Nënë Tereza” në komunën e Montevarchi-Arezzo, Itali

October 15, 2026 by s p

Nga sot, kopshti në kompleksin e ri arsimor 0–6 vjeç në Levanella mban emrin e shenjtores shqiptare Nënë Terezës. Kopshti i ndërtuar rishtazi, e cila strehon dy grupe fëmijësh të moshës 0 deri në 3 vjeç, plotëson kompleksin 0–6 vjeç, që përfshin gjithashtu një shkollë të arsimit parashkollor.

Në ceremoninë e dhënies së emrit morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptar në Montevarchi dhe komunitetit montevarchino; propozimi për të nderuar murgeshën – e cila ka lindur në Shqipëri dhe njihet për veprat e saj bamirëse – kishte ardhur pikërisht prej tyre.

Kryetarja e Bashkisë, Silvia Chiassai Martini, shpjegoi: “Kemi një marrëdhënie të ngushtë me komunitetin shqiptar; ata janë integruar në jetën e Montevarchit duke ruajtur njëkohësisht traditat e tyre. Kemi realizuar disa projekte së bashku dhe dhënia e emrit të Nënë Terezës së Kalkutës – e cila ka lindur në Shkup të Maqedonisë nga një familje shqiptare – këtij institucioni, është një prej tyre. Kemi ndërtuar këtu një çerdhe të re që mirëpret dy grupe fëmijësh të moshës 0 deri në 3 vjeç dhe tani ajo i kushtohet kësaj shenjëtore, e cila njihet në mbarë botën për veprat e saj.”

Baftjar Kondi, president i Shoqatës Kulturore “Vëllazëria Shqiptare”, u shpreh: “Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për ne; ndihemi të nderuar nga ky emërtim – një propozim që e bëmë në vitin 2021, krahas propozimit për hapjen e një shkolle për mësimin e gjuhës shqipe. Synimi ynë kryesor është të jetojmë krah për krah, duke ndarë traditat dhe kulturën, e duke u afruar më shumë me qytetarët e Montevarchit. Duhet ta falënderojmë kryetaren e bashkisë që e mbajti premtimin lidhur me të dyja propozimet.”

Ndër të tjerash Profesor Paskal Kaçani, në cilësinë e sekretarit të Shoqatës Kulturore “Vëllazëria Shqiptare”, theksoi: “Sot, ky kopsht merr emrin më të ëmbël, më të fuqishëm dhe më mbrojtës që na ka dhuruar historia e kohëve të fundit: po i vendosim emrin e Nënë Terezës së Kalkutës.

Për mbarë botën, Nënë Tereza është një ikonë universale – me duar të shtrira drejt më të vuajturve, me petkun e bardhë me vija blu, një simbol i gjallë i dashurisë që nuk kërkon asgjë në këmbim. Megjithatë, për ne, komunitetin shqiptar, emri i saj tingëllon si një thirrje intime, e thellë dhe familjare. Sepse, para se t’i përkiste botës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ishte një bijë krenare e tokës sonë. Ajo është lulja më e ndritshme e historisë sonë, me rrënjë të ngulitura thellë në vlerat shekullore të mikpritjes, respektit dhe bujarisë së popullit shqiptar…”

Ky event ngjalli interesimin e gjithë komunitetit lokal dhe iu bë jehonë nga masmedia lokale dhe përbën një krenari për gjithë komunitetin shqiptar. Kopshti do t’u mundësojë shumë fëmijëve të rriten dhe të njihen me Nënë Terezën e Kalkutës – e cila ia kushtoi jetën nevojtarëve dhe qëndron si simbol i kujdesit e mbrojtjes, duke e bërë atë figurën ideale për një kopsht fëmijësh.

Shkruar nga Paskal Kaçani

Filed Under: Reportazh

OSE NDRYSHIM RRËNJËSOR, OSE VALIXHET GATI PËR RRUGËT E BOTËS!

October 14, 2026 by s p

Prof.dr. Pal Nikolli/

Është mundësia për të shpëtuar vendin nga zbrazja njerëzore, rrënimi institucional dhe humbja e shpresës!

Shqipëria ndodhet përballë një prej sfidave më të mëdha të historisë së saj moderne: të ndryshojë rrënjësisht kursin e zhvillimit ose të vazhdojë të humbasë njerëzit, pasuritë, dinjitetin dhe perspektivën për të ardhmen. Tridhjetë e gjashtë vjet pas rënies së komunizmit, qytetarët kanë arsye të kërkojnë llogari për rrugën që ka ndjekur vendi dhe për gjendjen në të cilën ndodhen institucionet, ekonomia dhe shoqëria.

Politika shqiptare e këtyre 36 viteve, me përgjegjësitë që u takojnë aktorëve të ndryshëm politikë dhe qeverisjeve të njëpasnjëshme, nuk ka arritur të ndërtojë një shtet që garanton drejtësi të barabartë, meritokraci, mirëqenie dhe mundësi reale për të gjithë. Përkundrazi, në shumë fusha janë grumbulluar probleme të thella strukturore, ndërsa besimi i qytetarëve te institucionet është vënë vazhdimisht në provë.

I. Kur politika kap shtetin, qytetari paguan faturën.

Sistemi politik, ekonomia, arsimi, shëndetësia, drejtësia dhe mbrojtja sociale janë hallka të një organizmi të vetëm. Kur ato dobësohen nga keqqeverisja, klientelizmi, mungesa e transparencës dhe ndërhyrjet politike, pasojat nuk mbeten brenda zyrave të administratës. Ato mbërrijnë në çdo familje shqiptare.

I riu që nuk gjen mundësi punësimi, studenti që nuk beson se diploma do t’i sigurojë një të ardhme, mjeku që largohet për kushte më të mira, mësuesi që përballet me zhvlerësimin e profesionit, pensionisti që përpiqet të përballojë jetesën dhe sipërmarrësi që ndeshet me pasigurinë ekonomike janë pjesë e së njëjtës problematikë kombëtare: hendeku ndërmjet mundësive që ofron vendi dhe pritshmërive të qytetarëve të tij.

Kur lidhjet politike peshojnë më shumë se aftësitë, kur besnikëria ndaj individëve shpërblehet më shumë se puna, kur përgjegjësia publike shndërrohet në privilegj dhe institucionet rrezikojnë të trajtohen si pronë e pushtetit, shteti humbet funksionin e tij themelor. Ai nuk është më garanci e interesit të përbashkët, por rrezikon të bëhet instrument në shërbim të interesave të kufizuara.

Një shtet nuk mund të jetë i fortë kur qytetari ndihet i pambrojtur përballë tij. Asnjë zhvillim i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë, pabarazinë e mundësive dhe mungesën e besimit.

II. Eksodi i shqiptarëve: kambana e alarmit për të ardhmen.

Një ndër pasojat më shqetësuese të kësaj gjendjeje është largimi i vazhdueshëm i shqiptarëve. Emigrimi nuk është thjesht një zgjedhje individuale dhe as vetëm një çështje ekonomike. Ai lidhet edhe me besimin te drejtësia, cilësia e shërbimeve publike, mundësitë profesionale dhe bindjen se puna e ndershme mund të shpërblehet.

Kur një i ri mendon se e ardhmja e tij është më e sigurt jashtë vendit, kur një familje detyrohet të ndahet për të siguruar të ardhura dhe kur profesionistët e kualifikuar kërkojnë mundësi larg Shqipërisë, vendi humbet më shumë se popullsi. Humbet dije, përvojë, energji krijuese dhe potencial zhvillimi.

Fshatrat dhe zonat malore zbrazen. Shkollat humbasin nxënësit. Bizneset përballen me mungesën e fuqisë punëtore. Familjet plaken larg fëmijëve të tyre. Në disa komunitete, pyetja nuk është më se si do të zhvillohen, por nëse do të kenë njerëz të mjaftueshëm për të mbijetuar.

Kjo është arsyeja pse emigrimi duhet trajtuar si një sfidë strategjike kombëtare. Askush nuk mund t’i kërkojë një qytetari të qëndrojë në atdhe vetëm për arsye patriotike, nëse shteti nuk i garanton mundësi, siguri dhe dinjitet. Dashuria për vendin nuk mund të zëvendësojë drejtësinë, punësimin dhe mirëqenien.

III. Shqipëria nuk ka nevojë për rotacion fasadash, por për ndryshim rrënjësor.

Problemi themelor nuk zgjidhet vetëm duke ndryshuar emrat nëpër zyra, duke ndërruar një qeveri me një tjetër apo duke përsëritur premtimet e zakonshme elektorale. Nëse mekanizmat që prodhojnë klientelizëm, kapje institucionale dhe mungesë përgjegjshmërie mbeten të paprekur, ndryshimi rrezikon të jetë vetëm formal.

Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re me qytetarët, të mbështetur në disa parime themelore:

– Shtet ligjor dhe drejtësi e barabartë, ku askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk përjashtohet nga mbrojtja e tij.

– Institucione të pavarura dhe llogaridhënie reale, ku pushteti kontrollohet dhe çdo zyrtar mban përgjegjësi për vendimet e veta.

– Meritokraci në administratë dhe në arsim, ku punësimi, promovimi dhe vlerësimi mbështeten te aftësitë, integriteti dhe rezultatet.

– Arsim dhe shëndetësi cilësore, që nuk i lënë familjet të ndihen të detyruara të kërkojnë jashtë vendit atë që duhet të garantohet brenda tij.

– Ekonomi prodhuese dhe punësim dinjitoz, me mundësi reale për të rinjtë, profesionistët, fermerët dhe sipërmarrësit.

– Zhvillim territorial të balancuar, që nuk e përqendron të ardhmen vetëm në Tiranë, por u jep perspektivë edhe qyteteve të vogla, zonave rurale dhe trevave malore.

– Luftë kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit, përmes transparencës, kontrollit institucional dhe zbatimit të paanshëm të ligjit.

Këto nuk janë kërkesa luksi. Janë kushtet minimale për funksionimin e një shteti modern dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve.

IV. Përgjegjësia nuk mund t’i shmanget më llogarisë.

Asnjë forcë politike, e vjetër apo e re, nuk duhet të kërkojë besim vetëm mbi bazën e sloganeve. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë bilanc konkret: çfarë u premtua, çfarë u realizua, çfarë dështoi dhe kush mban përgjegjësi.

Po kështu, ndryshimi nuk mund të mbështetet te një individ që premton t’i zgjidhë të gjitha problemet. Ai duhet të mbështetet te institucione që funksionojnë, rregulla që zbatohen dhe mekanizma që pengojnë përqendrimin e pakontrolluar të pushtetit.

Shoqëria civile, universitetet, profesionistët, mediat e pavarura dhe qytetarët duhet të kenë hapësirën dhe guximin të kërkojnë transparencë, të kundërshtojnë padrejtësinë dhe të propozojnë zgjidhje. Por mbi të gjitha, pjesëmarrja qytetare duhet të shndërrohet në veprim demokratik, të organizuar dhe paqësor, jo të mbetet vetëm një shpërthim zemërimi që shuhet pas disa ditësh.

Nuk ka shpëtim të qëndrueshëm pa institucione të besueshme. Nuk ka demokraci funksionale pa llogaridhënie. Dhe nuk ka të ardhme të sigurt pa qytetarë që besojnë se zëri, puna dhe vota e tyre kanë vlerë.

V. Ose ndryshojmë kursin, ose valixhet do të bëhen simboli i dështimit tonë.

Shqipëria nuk është e varfër në njerëz të aftë, në pasuri natyrore, në trashëgimi kulturore apo në potencial zhvillimi. Ajo ka ende burime njerëzore dhe mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Por ky potencial nuk shndërrohet vetvetiu në mirëqenie. Ai kërkon institucione që funksionojnë, politika që shërben dhe një model zhvillimi që vendos qytetarin në qendër.

Prandaj, sot duhet të shtrohet me seriozitet pyetja: a do të vazhdojmë të pranojmë si të pashmangshme largimin e shqiptarëve, dobësimin e institucioneve dhe humbjen e besimit, apo do të kërkojmë një ndryshim të thellë, të matshëm dhe të qëndrueshëm?

Nuk është e drejtë t’u kërkojmë njerëzve të qëndrojnë me çdo kusht në një vend ku nuk shohin perspektivë. Por është përgjegjësi e shtetit dhe e politikës të krijojnë kushtet që qëndrimi në atdhe të jetë një zgjedhje e lirë, jo një sakrificë e vazhdueshme.

Kjo mund të jetë mundësia e fundit për të ndalur përkeqësimin dhe për të kthyer drejtimin e vendit përpara se kostot njerëzore dhe shoqërore të bëhen edhe më të rënda. Nuk bëhet fjalë për një datë magjike apo për një zgjidhje të menjëhershme, por për një pikë kthese që kërkon vullnet politik, presion qytetar demokratik dhe reforma të guximshme.

Nëse politika vazhdon të prodhojë të njëjtat probleme, ndërsa qytetarët presin të njëjtat rezultate, atëherë nuk duhet të habitemi që gjithnjë e më shumë shqiptarë do t’i bëjnë gati valixhet dhe do të marrin rrugët e botës.

VI. Por Shqipëria nuk duhet të pajtohet me këtë fat.

Ajo ka nevojë për një shtet që nuk i dëbon njerëzit me padrejtësi, pasiguri dhe mungesë perspektive, por i mban pranë duke u ofruar dinjitet, mundësi dhe besim te e ardhmja.

Ose ndërtojmë një Shqipëri ku ia vlen të jetosh, të punosh dhe të rrisësh fëmijët, ose do të vazhdojmë të shohim atdheun të zbrazet, ndërsa të ardhmen tonë ta ndërtojmë në rrugët e botës.

Zgjedhja nuk mund të shtyhet pafundësisht. Koha për përgjegjësi, ndryshim dhe veprim demokratik është tani!

Filed Under: Reportazh

Kosova mirëpriti Kongresin e 45 të Botëror të Poetëve

October 13, 2026 by s p

Mbi 100 personalitete nga 36 shtete u mblodhën nga 25 deri më 30 shtator 2026 për të diskutuar rolin e artit, kulturës, shkencës dhe dijes në shërbim të paqes botërore.

Prof. dr. Xhemil Bytyçi, Prishtinë

Për gjashtë ditë, Kosova u bë vendtakim i poetëve dhe i mendimit kulturor nga vende të ndryshme të botës. Kongresi i 45-të Botëror i Poetëve, i zhvilluar nga 25 deri më 30 shtator 2026 në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Lipjan, solli në vend, sipas të dhënave mbi 100 personalitete nga 36 shtete. Poetë, akademikë, profesorë universitarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme u bashkuan rreth një çështjeje që tejkalon kufijtë e letërsisë: kontributit të krijimtarisë dhe të dijes në ndërtimin e paqes. Organizatorët e cilësuan këtë manifestim si ngjarjen më të madhe kulturore ndërkombëtare të mbajtur ndonjëherë në Kosovë. Për vendin mikpritës, Kongresi ishte një mundësi për ta paraqitur kulturën e tij përmes takimeve të drejtpërdrejta me autorë dhe intelektualë të botës. Për pjesëmarrësit, ai hapi një hapësirë ku përvojat letrare dhe historike mund të takoheshin dhe të krijonin lidhje të reja bashkëpunimi. Tema qendrore, roli i artit, kulturës, shkencës dhe dijes për paqen botërore, e vendosi fjalën poetike në marrëdhënie me përgjegjësinë publike të krijuesit. Në një takim me pjesëmarrës nga 36 shtete, paqja u trajtua si një angazhim që kërkon mirëkuptim, njohje të ndërsjellë dhe gatishmëri për dialog. Ky orientim i dha Kongresit një përmbajtje që shtrihej përtej prezantimit të veprave letrare.

Në ceremoninë qendrore, presidenti i Kongresit të 45-të Botëror të Poetëve, akademik Jeton Kelmendi, e vlerësoi lart rëndësinë e këtij takimi për Kosovën dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar. Ai theksoi se edhe shkrimtarët mund të ndikojnë për paqen. Mesazhi i tij e lidhi fuqinë e fjalës me aftësinë për të afruar njerëzit, për të nxitur mirëkuptimin dhe për t’i dhënë zë dinjitetit njerëzor. Kongresi organizohet nga Akademia Botërore e Arteve dhe Kulturës. Sipas prezantimit të organizatorëve, të pasqyruar edhe në njoftimin e Komunës së Pejës, manifestimi zhvillohet nën mbikëqyrjen e UNESCO-s. Presidenti i Akademisë, Dr. Yu Hsi, përmes të dërguarit të tij përcolli falënderimet dhe mbështetjen për Kosovën si vend organizator i kësaj ngjarjeje të rëndësishme të kulturës botërore. Një nga mesazhet e veçanta të Kongresit ishte ai i zëvendëspresidentit të parë të Akademisë, profesorit emeritus Ernesto Kahan. I angazhuar në organizatën Mjekët Ndërkombëtarë për Parandalimin e Luftës Bërthamore, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe më 1985, Kahan e lidhi vlerën e paqes me përvojën historike të Kosovës. Ai theksoi se Kosova është një vend që ka përjetuar shumë dhe, pikërisht për këtë arsye, e çmon thellësisht paqen.

Në këtë kontekst, prania e krijuesve të huaj kishte edhe kuptimin e një takimi me kujtesën dhe realitetin e vendit. Zhvillimi i programit në katër qytete e zgjeroi hapësirën e Kongresit dhe u dha të ftuarve mundësinë të njihnin mjedise të ndryshme kulturore të Kosovës. Prishtina, Peja, Prizreni dhe Lipjani u bënë pjesë e të njëjtit rrugëtim, ku mikpritja dhe shkëmbimi kulturor shoqëruan diskutimin për paqen. Ne Rugovë, vizita ishte shumë mbresëlënëse, pasi që u mahniten me pamjet e bukura të natyures atje. Një pjesë e rëndësishme e manifestimit iu kushtua nderimit të personaliteteve për kontributet e tyre. Me titullin Doctor Honoris Causa u nderuan akademiku Anastas Angjeli nga Shqipëria, Shoshana Vegh nga Izraeli, Carlos Coré nga Uruguai, Teodosie Petrescu nga Rumania dhe Prof. Dr. Xhemil Bytyçi nga Kosova. Këto nderime bashkuan figura me veprimtari në fusha të ndryshme, në frymën e një Kongresi që e afroi letërsinë me jetën akademike dhe shoqërore.

Organizatorët ndanë gjithashtu nderime të kategorisë emeritus për Prof. Blerim Olluri, Venera Llunji, Gazmend Muhaxheri, Rexhep Kurtbogaj, Zafir Berisha, Ibush Reçica, Doc Drumheller nga Zelanda e Re dhe Krystyna Lenkowska nga Polonia. Vlerësimi i tyre ishte pjesë e mirënjohjes së shprehur gjatë Kongresit për veprimtarinë dhe kontributet e personaliteteve të përfshira në këtë manifestim.

Presidenti i Kongresit, akademik Jeton Kelmendi, ndau medalje presidenciale për Dr. Suthee Kumanon, nga India, Gordana Sarić nga Mali i Zi, Dr. Mujë Buçpapaj nga Shqipëria, Bei Ta nga Kina, Prof. Sultan Catto nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maria Miraglia nga Italia. Me këto nderime, Kongresi shprehu vlerësimin për personalitete që, përmes veprimtarisë së tyre, i japin hapësirë bashkëpunimit kulturor dhe komunikimit ndërmjet vendeve. Për letërsinë dhe kulturën e Kosovës, një takim i kësaj përmase krijon mundësi që të vazhdojnë edhe pas përfundimit të programit.

Njohjet ndërmjet autorëve mund të hapin rrugë për përkthime, botime dhe ftesa në veprimtari të tjera ndërkombëtare. Rëndësia e Kongresit lidhet, kështu, edhe me vazhdimësinë e marrëdhënieve që ai ndihmoi të krijoheshin. Kongresi Botëror i Poetëve zhvillohet në vende dhe kontinente të ndryshme, duke e zhvendosur çdo edicion drejt një mjedisi të ri kulturor. Sipas njoftimit të organizatorëve, edicioni i ardhshëm parashikohet të mbahet në Zelandën e Re, në tetor 2027. Nga Kosova drejt atij takimi, mesazhi që mbetet është ai i një përgjegjësie të përbashkët: arti dhe dija mund të ndihmojnë që njerëzit ta njohin më mirë njëri-tjetrin dhe ta ndërtojnë paqen edhe përmes fjalës.

Filed Under: Reportazh

NDERIMI I PERSONALITETEVE KOMBETARE NE FILATELI

October 11, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Filatelia shqiptare vazhdon të mbetet një nga mjetet më elegante dhe jetëgjata të dokumentimit e lartësimit të kujtesës historike. Emetimi i serisë më të re të pullava postare më 23 shtator 2026, me tematikë “Figura të shquara kombëtare”, përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme në këtë fushë. Kjo tematikë mbetet ndër shtyllat kryesore filatelike, pasi jo vetëm që vlerëson e mbron identitetin tonë kombëtar, por njëkohësisht bart vlera të jashtëzakonshme edukuese për të gjitha brezave dhe shtresat e popullsisë. Pulla postare shërben si një “ambasadore e vogël” e kulturës, që përcjell në mënyrë vizuale dhe historike sakrificat dhe kontributet e bijve më të mirë të këtij vendi.

Kjo seri e re përbëhet nga pesë pulla postare dedikuar personaliteteve që lanë gjurmë të pashlyeshme në histori, letërsi, shkencë, art dhe arsim:

1. Vaso Pashë Shkodrani (200-vjetori i lindjes): Një nga figurat më madhore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ideolog, shkrimtar, publicist dhe shtetar. Autor i vargjeve të pavdekshme “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, Pashko Vasa punoi me përkushtim të palodhur për bashkimin e shqiptarëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre kombëtare, duke shërbyer me dinjitet deri në postet më të larta administrative si Guvernator i Përgjithshëm i Malit të Libanit.

2. Papa Kristo Negovani (150-vjetori i lindjes): Atdhetar, prift ortodoks, poet dhe arsimtar i Rilindjes sonë Kombëtare. Lindur në Negovan, ai tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke futur gjuhën shqipe në liturgjinë kishtare dhe duke hapur shkolla në shqip. Veprimtaria e tij në dobi të arsimimit dhe vetëdijes kombëtare u bë shkak për martirizimin e tij më 1905 nga qarqe shoviniste, duke u kthyer në simbol të sakrificës për pennën e gjuhën amëtare.

3. Prof. Dr. Zija Shkodra (100-vjetori i lindjes): Lindur në Shkodër më 1925, Zija Shkodra është nga historianët dhe akademikët më të shquar shqiptarë. Pasi shërbeu si arsimtar dhe kërkues shkencor në Institutin e Historisë, ai thelloi studimet mbi ekonominë urbane, jetën e qyteteve shqiptare dhe organizimet e esnafeve. Monografitë e tij kapitale si “Esnafet shqiptare” dhe “Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare” përbëjnë vepra me vlerë unike për historiografinë kombëtare.

4. Albert Paparisto (100-vjetori i lindjes): Muzikolog, kompozitor dhe pedagog i shquar, Albert Paparisto konsiderohet si një nga themeluesit e kritikës muzikore shqiptare dhe pjesëmarrës kyç në ngritjen e institucioneve tona muzikore. U diplomua në Konservatorin e Moskës “Çajkovski”. Përveç punës kërkimore-shkencore dhe përpunimit mjaft kompetent të këngëve popullore, ai ka meritën e madhe të përgatitjes së brezave të tërë të muzikologëve dhe artistëve shqiptarë.

5. Qamil Buxheli (100-vjetori i lindjes): Lindur më 1925 në Pandalejmon të Sarandës, Qamil Buxheli ishte veprimtar i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe u shqua si një nga shkrimtarët, gazetarët dhe satirorët më në zë të letërsisë shqiptare. Pasi përfundoi studimet e larta në Institutin e Lartë Letrar “Maksim Gorki” në Moskë, ai dha një kontribut të paçmueshëm në zhvillimin e humorit dhe satirës kombëtare, si dhe në drejtimin e organeve të ndryshme të shtypit, duke mbetur një mjeshtër i madh i fjalës së shkruar.

Tradita e përkujtimit të figurave të tilla nëpërmjet filatelisë sot nuk është më thjesht një procedurë e zakonshme festive apo pasqyrim pasiv i historisë sonë. Kjo praktikohet tashmë si një proces i gjallë, ku përveç personaliteteve të njohura, paraqiten për herë të parë emra që marrin vlerësimin e merituar shtetëror. Ekziston një listë ende e gjatë e personaliteteve që presin të përkujtohen e të nderohen në pulla postare, SEPSE HISTORIA JONE ESHTE AJO E NJE NGA POPUJT QE KA NDERTUAR IDENTITET ME LUFTE E PENE, ME GJAK E DIJE. Përmes këtyre pullave, filatelia Shqiptare vazhdon të përmbushë misionin e saj të shenjtë: të mbajë gjallë dritën e diturisë dhe memorien historike të një kombi të ndërtuar mbi sakrificë.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 199
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THANKSGIVING – NGA RRËNJËT E HISTORISË TE FESTA E MIRËNJOHJES AMERIKANE
  • NËNTORI – MUAJI I FESTAVE DHE KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Pse Ismail Qemali zgjodhi shqiponjën dykrenare heraldike?
  • Trembëdhjetë vjet para “Kongresit të Manastirit”…
  • Kostë Çekrezi, dragoman i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit
  • Kujtojmë në ditën e lindjes albanologun e shquar Peter Bartl
  • PROF. DR. ZANA FRASHËRI-LITO VIZITOI VATRËN
  • “Themeluesi Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Në Ditën e Falenderimeve
  • Në 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisësë Shqipërisë, në kujtim të Luigj Gurakuqit– atdhetarit, intelektualit dhe politikanittë shquar shqiptar
  • Trashëgimia ilire dhe lidhjet arbërore në filatelinë e Bosnjë-Hercegovinës
  • Vehbi Agolli – (Vehbi Dibra, 1867–1937)
  • 25 nëntor 2005, polifonia popullore shqiptare u shpall nga UNESCO-ja “Kryevepër e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit”
  • Një jetë luftëtar për ngritjen e flamurit kombëtar në Çamëri
  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR Z. DRITON GERBESHI DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT