


Sokol Paja/







Philadelphia, 17 Tetor 2026 – Veprat letrare “Mençuria Shqiptare” dhe “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës ” të patriotit Tajar Domi u promovuan në Philadelphia. Shoqata “Bijtë e Shqipes”, shtëpia e shqiptarizmës në Pennsylvania bashkoi studiues, historianë, shkrimtarë, gazetarë, poetë e patriotë për të nderuar krijimtarinë letrare e veprimtarinë atdhetare të veprimtarit Tajar Domi. Në fjalën e mirëseardhjes patrioti z.Domi theksoi se “Libri është miku më i mirë i njeriut” teksa përmes botimeve ruajmë gjuhën, kulturën, traditën e trashëgiminë e pasur shqiptare”.
Prezantuesi mësues Enver Parllaku u shpjegoi të pranishmëve veçoritë dhe vlerat e librave si një dhuratë brezave dhe kontribut për dijen, historinë e kulturën shqiptare.
Dr. Bexhet Asani, sekretar i shoqatës së shkrimtareve shqiptaro – amerikanë në kumtesën e tij theksoi se studiuesi Domi përveç se merret me historikun dhe figurat e shquara të Dinastisë Domi, ai nuk i harron për asnjë çast pinjollët e Dinastisë Domi në Shqipëri dhe në diasporë dhe kanë arritur suksese në fusha të ndryshme të artit, të kulturës, të shkencës dhe të teknologjisë. Monografia “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës” sipas Dr. Asanit është një simbiozë sa etnike po aq edhe shkencore e kulturore. Në libër zë një vend të rëndësishëm shkenca etnografike shqiptare. Të dhënat etnografike në libër janë me interes për shkencat albanologjike. Në libër përveç personaliteteve të Dinastisë Domi janë prezentuar edhe personalitete të tjerë kombëtarë si Ismail Kadare, Margarita Xhepa, Liri Rasha e të tjerë. Libri i Tajar Domit është një monografi e thukët me karakter gjithkombëtar. Monografi të tilla duhet të shkruhen me qëllim që t’ u mbeten trashëgim brezave që vijnë. Njëqind apo dyqind vjet më parë ka pasur fise e familje të dalluara shqiptare por ne nuk dimë asgjë për to sepse nuk është shkruar asgjë prandaj i ka mbuluar pluhuri i harresës.
Poeti Lutfi Brami në kumtesën “Kur historia dhe vlerat bëhen dritë për brezat”, theksoi se libri është një akt dashurie, një monument kujtese dhe historie, pasuri, busull, manual dhe orientim për familjet shqiptare në Shqipëri dhe diasporë. Z. Brami renditi kontributin gjuhësor e patriotik të familjes Domi në ruajtjen e Abetareve të shqipes për zhvillim e arsim kombëtar e identitet shqiptar. Z. Brami theksoi se monografia e Domit është një libër për familjet e fëmijët shqiptarë në Amerikë për të ruajtur gjuhën shqipe. Dr. Sadik Elshani në kumtesën “Vlerat i japin emër një kombi” renditi “kontributin dhe vlerat morale e kombëtare të familjes Domi. Urtinë, mençurinë e zgjuarsinë e Odës shqiptare”. Z.Skender Kodra apeloi që intelektualët, studiuesit dhe njerëzit e penës të shkruajnë sa më shumë libra për të vërtetat e kombit tonë.
Editori i gazetës Dielli në kumtesën “Mençuria shqiptare”, një udhëtim në historinë shpirtërore të shqiptarëve” theksoi se libri na kujton se kultura kombëtare nuk ndërtohet vetëm nga veprat e mëdha letrare, nga monumentet dhe nga ngjarjet historike. Ajo ndërtohet edhe nga fjalët e njerëzve të zakonshëm, nga përvojat e tyre dhe nga mënyra se si ata kanë zgjedhur t’ua përcjellin të tjerëve atë që kanë mësuar në jetë. Prandaj, vepra e Tajar Domit meriton të lexohet jo vetëm si një dëshmi e së kaluarës, por edhe si një ftesë për reflektim mbi të ardhmen. Kontributi i librit dhe vlerat qëndrojnë te pyetjet që ngre, te kujtimet që zgjon dhe te dëshira që nxit për të njohur më mirë gjuhën, historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar.
Shkrimtari Vlashi Fili në kumtesën “Tajar Domi dhe mençuria shqiptare” theksoi se vepra e Domit është një kujtesë e gjallë për të mos harruar atë që është trashëguar. Libri i Domit është një pasuri e çmuar sepse përmban shprehje të mençura të popullit, shpirtit, kombit, dhe kujtesë e rrugëtimit shekullore të shqiptarëve. Bashkëthemeluesi i “AlbLibris” Dr. Pashko Camaj në fjalën e tij theksoi se fjala e urtë është historia e një populli. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e kësaj vepre. Përmes fjalëve të urta, ne nuk trashëgojmë vetëm shprehje të bukura. Ne trashëgojmë mënyra të të menduarit, parime morale dhe përvoja jetësore. Trashëgojmë kuptimin e nderit, të besës, të përgjegjësisë, të durimit dhe të respektit për tjetrin. Më pëlqen veçanërisht përpjekja e autorit për të përfshirë urtësinë nga krahina të ndryshme shqiptare, nga Veriu në Jug, nga Shqipëria e Mesme, nga trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe nga mërgata. Kjo i jep librit një mesazh të rëndësishëm: trashëgimia jonë nuk kufizohet nga kufijtë gjeografikë. Ajo jeton kudo ku ruhet gjuha, kujtesa dhe lidhja me rrënjët. Përshëndetën promovimin e librave patriotët: Bujar Gjoka, Eqerem Murati, Mëhill Velaj, Agim Pira, Abdulla Domi, Elsa Sako, Halil Rama dhe Mahmudije Shehu Domi. Një festë libri që nderoi një familje patriotike dhe patriotë shqiptarë me kontribute të mëdha në arsimin e historinë shqiptare.