


Nga sot, kopshti në kompleksin e ri arsimor 0–6 vjeç në Levanella mban emrin e shenjtores shqiptare Nënë Terezës. Kopshti i ndërtuar rishtazi, e cila strehon dy grupe fëmijësh të moshës 0 deri në 3 vjeç, plotëson kompleksin 0–6 vjeç, që përfshin gjithashtu një shkollë të arsimit parashkollor.
Në ceremoninë e dhënies së emrit morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptar në Montevarchi dhe komunitetit montevarchino; propozimi për të nderuar murgeshën – e cila ka lindur në Shqipëri dhe njihet për veprat e saj bamirëse – kishte ardhur pikërisht prej tyre.
Kryetarja e Bashkisë, Silvia Chiassai Martini, shpjegoi: “Kemi një marrëdhënie të ngushtë me komunitetin shqiptar; ata janë integruar në jetën e Montevarchit duke ruajtur njëkohësisht traditat e tyre. Kemi realizuar disa projekte së bashku dhe dhënia e emrit të Nënë Terezës së Kalkutës – e cila ka lindur në Shkup të Maqedonisë nga një familje shqiptare – këtij institucioni, është një prej tyre. Kemi ndërtuar këtu një çerdhe të re që mirëpret dy grupe fëmijësh të moshës 0 deri në 3 vjeç dhe tani ajo i kushtohet kësaj shenjëtore, e cila njihet në mbarë botën për veprat e saj.”
Baftjar Kondi, president i Shoqatës Kulturore “Vëllazëria Shqiptare”, u shpreh: “Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për ne; ndihemi të nderuar nga ky emërtim – një propozim që e bëmë në vitin 2021, krahas propozimit për hapjen e një shkolle për mësimin e gjuhës shqipe. Synimi ynë kryesor është të jetojmë krah për krah, duke ndarë traditat dhe kulturën, e duke u afruar më shumë me qytetarët e Montevarchit. Duhet ta falënderojmë kryetaren e bashkisë që e mbajti premtimin lidhur me të dyja propozimet.”
Ndër të tjerash Profesor Paskal Kaçani, në cilësinë e sekretarit të Shoqatës Kulturore “Vëllazëria Shqiptare”, theksoi: “Sot, ky kopsht merr emrin më të ëmbël, më të fuqishëm dhe më mbrojtës që na ka dhuruar historia e kohëve të fundit: po i vendosim emrin e Nënë Terezës së Kalkutës.
Për mbarë botën, Nënë Tereza është një ikonë universale – me duar të shtrira drejt më të vuajturve, me petkun e bardhë me vija blu, një simbol i gjallë i dashurisë që nuk kërkon asgjë në këmbim. Megjithatë, për ne, komunitetin shqiptar, emri i saj tingëllon si një thirrje intime, e thellë dhe familjare. Sepse, para se t’i përkiste botës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ishte një bijë krenare e tokës sonë. Ajo është lulja më e ndritshme e historisë sonë, me rrënjë të ngulitura thellë në vlerat shekullore të mikpritjes, respektit dhe bujarisë së popullit shqiptar…”
Ky event ngjalli interesimin e gjithë komunitetit lokal dhe iu bë jehonë nga masmedia lokale dhe përbën një krenari për gjithë komunitetin shqiptar. Kopshti do t’u mundësojë shumë fëmijëve të rriten dhe të njihen me Nënë Terezën e Kalkutës – e cila ia kushtoi jetën nevojtarëve dhe qëndron si simbol i kujdesit e mbrojtjes, duke e bërë atë figurën ideale për një kopsht fëmijësh.
Shkruar nga Paskal Kaçani