
Irena Dragoti/
Kapërcen dyert e Kishës së Shën Palit në Rochester Hills e pavarësisht besimit tënd fetar ndihesh në shtëpi. Ndihesh në një frymë besimi e paqeje pasi Madhështia e Kishës katolike shqiptaro-amerikane të Shën Palit që është një objekt me vlera fetare e kombëtare pasi përpos sallës së madhe të meshave dhe mjediseve të shumta kulturore e me karakter edukativ shqiptar është edhe një copëz Atdhe!
Muret e saj të zbukuruara me piktura të ndryshme me karakter fetar e shumica e tyre të karakterit kulturor shqiptar janë vepra të piktorit lezhian Pashk Pervathi.
Çdo element i saj të bën të prekësh një copëz identiteti përfshi këtu edhe mikpritjen e pastorit Dom Fred Kalaj.
Biseda me të nuk u kufizua vetëm në çështje të besimit por u orvat në çështje të teologjisë dhe filozofisë, sikur të dyja të ishin brigje të së njëjtës rrjedhë, që kërkon të kuptojë njeriun, lirinë, vuajtjen, dashurinë dhe kuptimin e ekzistencës njerëzore. Çdo pyetje hapte një horizont të ri, ndërsa çdo përgjigje nuk kufizonte mendimin, por e zgjeronte atë.
Në këtë bisedë kuptova se teologjia nuk është një sistem i ngurtë dogmash, por ftesë për ta soditur jetën më thellë, ndërsa filozofia jo vetëm një ushtrim intelektual, por një përpjekje e vazhdueshme për t’i dhënë kuptim përvojës njerëzore.
Dom Fredi dëshmoi kulturë, maturi dhe një aftësi të veçantë për ta kthyer dialogun në një përvojë reflektimi të thellë. Ai nuk imponoi përfundime, përkundrazi, të ftonte të mendoje, të kërkoje dhe të ballafaqoheshe me pyetjet më të rëndësishme që njeriu i bën vetes. E ç’është më e rëndësishmja ai nuk kërkonte famën, zhurmën, komercialitetin por thjeshtësinë e shërbimin ndaj krijesave të Zotit.
Gjithnjë kam menduar se bisedat më të vyera janë ato që nuk japin përgjigje të gatshme, por zgjojnë etjen për të kërkuar më tej, shtojnë njohuritë e lënë gjurmë në mënyrën se si e shohim botën dhe vetveten.
Por ajo që mbeti pa thënë prej Tij ishte pikërisht vepra e Tij e shërbimit. Për asnjë çast nuk foli për vehten duke më bindur se ka figura që nuk maten vetëm me detyrën që kryejnë, por me gjurmën që lënë në ndërgjegjen e një komuniteti. Ka njerëz që administrojnë institucione dhe ka të tjerë që u japin institucioneve shpirt. Dom Fred Kalaj i përket kësaj kategorie të dytë pasi ai nuk është vetëm një pastor që udhëheq një bashkësi besimtarësh, por dëshmitar i një udhëtimi njerëzor ku kryqëzohen feja, liria, kujtesa dhe identiteti kombëtar.
Dom Fred Kalaj është produkt i takimit të pesë historive, nga historia e Kishës Katolike Shqiptare, historia e vuajtjes nën komunizëm, historia e diasporës, historia e lirisë amerikane deri te historia e krishtërimit si fe e shpresës.
Shën Toma Akuini, duke zhvilluar filozofinë e tij mbi natyrën e njeriut, argumentonte se njeriu është qenie që kërkon të vërtetën dhe të mirën si pjesë të vetë natyrës së tij. Në këtë perspektivë, thirrja e Dom Frederik Kalajt drejt meshtarisë nuk mund të shihet si zgjedhje profesionale, por si përgjigje ndaj një kërkimi të brendshëm për kuptimin. Meshtaria për të nuk ishte pozitë shoqërore, por formë ekzistence, një mënyrë për t’iu kushtuar tjetrit.
Shën Augustini, në veprën e tij monumentale Rrëfimet, e përshkruan njeriun si një qenie që mbart një shqetësim të thellë ekzistencial, një kërkim të vazhdueshëm për të vërtetën dhe për prehjen e shpirtit. “Zemra jonë është e shqetësuar derisa të pushojë në Ty”. Këtë ide augustiniane e shoh si çelës interpretimi për rrugëtimin shpirtëror të Dom Fred Kalajt.
Ai nuk e njohu vuajtjen nga librat, por nga përvoja. Prandaj fjala e tij ka një peshë të veçantë në meshë e kudo. Kur ai flet për shpresën, nuk e përcjell si një ide abstrakte por si dikush që e ka kërkuar dritën në një periudhë errësire.
Një libër i fshehur në rrënojat e një bote të shkatërruar nga mohimi i besimit u bë për të një dritare drejt një bote tjetër. Ungjilli nuk ishte thjesht tekst fetar për të, por zbulim i kuptimit.
Këtu figura e Dom Fred Kalaj takohet me filozofinë ekzistenciale. Viktor Frankl, psikiatri dhe mendimtari që analizoi kuptimin e jetës përballë vuajtjes ekstreme, theksonte se njeriu mund të përballojë pothuajse çdo rrethanë nëse gjen një “pse-në” për të cilin ia vlen të jetojë. Historia e Dom Fred Kalajt është shembull konkret i kësaj ideje pasi vuajtja nuk u bë fundi i rrugës për Të, por burim misioni e thirrje për shërbim.
Në filozofinë e Jacques Maritain, njeriu nuk reduktohet në një qenie ekonomike, politike apo sociale. Ai është një qenie me dinjitet të pakrahasueshëm, i hapur ndaj së vërtetës dhe ndaj të tjerëve. Në këtë frymë duhet kuptuar edhe shërbimi i Dom Fred Kalajt, i cili nuk udhëheq vetëm një institucion, por kujdeset për persona e histori konkrete, për plagë dhe shpresa konkrete. Të falësh -thotë Dom Frederik Kalaj, në meshat e tij qoftë edhe armikun tënd, nënkupton lehtësim e shërim të vetes. Ai predikon faljen po aq sa faktin se të gjithë jemi të Zotit e te ai do kthehemi një ditë!
Në Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Rochester Hills, Dom Fredi e ka kuptuar herët se nuk është vetëm një ndërtesë lutjesh por një hapësirë ku një popull ruan fytyrën e vet, shpirtin e vet, gjuhën dhe identitetin kombëtar.
Ndaj sot Kisha e Shën Palit është një fenomen kulturor dhe shpirtëror, është vendi ku liturgjia takohet me historinë, ku Ungjilli takohet me gjuhën shqipe, ku lutja takohet me kujtesën kombëtare. Për shqiptarët në diasporë, veçanërisht për brezat e rinj, një kishë e tillë nuk është vetëm një institucion fetar, por një urë mes së shkuarës dhe së ardhmes dhe pastori i saj modeli i paqes, patriotizmit e dijes. Dom Fredi e ka tejkaluar dimensionin e misionit të tij, kur gjatë meshës shprehet se një shpirt pa kujtesë rrezikon të humbasë drejtimin, ndërsa një komb pa kujtesë rrezikon të humbasë vetveten.
Një nga shtyllat më të rëndësishme të veprës së Dom Fred Kalaj është kujtesa e martirëve shqiptarë. Në historinë e Kishës, martirët nuk janë vetëm viktima të së kaluarës, por dëshmi të një lirie të brendshme që nuk mund të mposhtet nga dhuna. Figura e tyre lidhet me një ide themelore të krishterimit, se dinjiteti i njeriut është më i madh se pushteti i çdo regjimi.
Përmes kujtimit të tyre, Dom Fred Kalaj nuk kërkon vetëm të nderojë të kaluarën por edhe të edukojë të tashmen. Sepse një shoqëri që harron sakrificat e saj humbet një pjesë të busullës morale.
Në traditën biblike, kujtesa është detyrim shpirtëror. Popujt që harrojnë historinë e tyre humbasin një pjesë të identitetit të tyre moral.
Stili i tij në meshë është një shprehje e kësaj teologjie të jetuar. Ai nuk e paraqet fenë si një teori të largët, por si përgjigje për jetën konkrete. Fjala e tij lidhet me familjen, me dhimbjen, me emigrantin, me të riun që kërkon drejtim, me njeriun që lufton me vetminë. Në të shfaqet ideja e krishterë se Hyji nuk qëndron larg historisë njerëzore, por hyn e jeton në të.
Edith Stein, filozofja hebreje e kthyer në katolike dhe e shpallur shenjtore, e trajtoi vuajtjen si një mister ku njeriu mund të gjejë një dimension të ri të bashkimit me të tjerët dhe me Zotin. Jeta e saj, ashtu si ajo e shumë martirëve, dëshmon se vuajtja e përjetuar me besim mund të shndërrohet në forcë morale.
Dimensioni atdhetar i figurës së Dom Fred Kalaj është i lidhur me këtë filozofi të shërbimit. Patriotizmi i tij nuk është retorikë, por vepër. Ai shfaqet në ruajtjen e gjuhës, në edukimin e brezave, në bashkimin e komunitetit dhe në përpjekjen që shqiptari në Amerikë të mos humbasë lidhjen me origjinën e tij.
Patriotizmi i tij është krijimi i një hapësire ku njerëzit ndihen pjesë e një rrëfimi më të madh se vetja.
Ai është mbështetës e nismëtar i një sërë aktivitetesh kulturore e patriotike si dëshmi se përtej detyrës institucionale Ai është një nga ne që malli, krenaria dhe përgjegjësia si atdhetar e bëjnë ta tejkakojë atë detyrë.
Në një kohë kur globalizimi krijon mundësi të mëdha, por edhe rrezikun e shkëputjes nga rrënjët, figura të tilla si Dom Fred Kalaj marrin një rëndësi të veçantë e na kujtojnë se njeriu nuk jeton vetëm nga ajo që ndërton përpara, por edhe nga ajo që ruan pas vetes.
Dom Fred Kalaj mbetet figura e ndërmjetësimit, mes qiellit dhe tokës, mes Shqipërisë dhe Amerikës, mes kujtesës dhe së ardhmes. Ai shërben në një altar ku lutja bashkohet me përgjegjësinë njerëzore dhe ku besimi bëhet forcë për të ndërtuar komunitet.
Ai dëshmon se rrënjët janë forca që i japin njeriut qëndrueshmëri dhe identitet.
Portreti i Dom Fred Kalajt nuk është vetëm portreti i një pastori shqiptar në Amerikë por edhe i një njeriu që e ka kthyer historinë personale në shërbim publik, vuajtjen në urtësi dhe besimin në vepër shprese e dashurije.
Ai mbetet bariu shpirtëror që nuk ruan vetëm një bashkësi besimtarësh, por një kujtesë të tërë historike e komunitare. Sepse ndonjëherë misioni më i madh i një njeriu nuk është të ndërtojë diçka të re, por të mos lejojë që një dritë e vjetër të shuhet.
Dom Fred Kalaj , hermeneutika (interpretimi) e shpresës, kujtesës dhe identitetit mbetet një portret filozofiko-teologjik përmbledhur në tri nocione themelore:
1-thirrje,
2-kujtesë,
3-shërbim.
Thirrja e udhëhoqi drejt altarit. Kujtesa e lidhi me sakrificat e popullit të tij. Shërbimi e bëri një figurë të dashur për komunitetin.