
Ramazan Çeka/
Shiroka, në një mbrëmje vere, kur liqeni merr dritën e perëndimit, ndërsa kënga dhe humori shkodran i japin zemër sheshit. Ka mbrëmje që vijnë me një magji të veçantë, kur muzika lundron mbi freskinë e liqenit, kur Shiroka vishet me dritën e perëndimit dhe, për pak çaste, edhe eklipsi i Diellit i jep kësaj mbrëmjeje një dritë tjetër, një bukuri të rrallë.
Një e tillë ishte edhe kjo mbrëmje vere në Shirokë, aty ku freskia e Liqenit të Shkodrës përkëdhelte tingujt e muzikës, ndërsa zërat e këngëtarëve dhe e qeshura plot jetë e bejtaxhinjve shkodranë i jepnin mbrëmjes shpirt e ngrohtësi. Nën kujdesin e Bashkisë së Shkodrës, Shoqata Kulturore “Bejta Shkodrane” solli në sheshin e Shirokës një koncert që bashkoi dy prej thesareve më të dashura të shpirtit shkodran: këngën dhe bejtën.
Përballë liqenit, në një mbrëmje që vinte pas ditëve përvëluese të kësaj vere, freskia e ujit dhe tingujt e muzikës i dhanë Shirokës një tjetër gjallëri, ndërsa sheshi qendror u mbush nga publiku, duartrokitjet, buzëqeshjet dhe emocionet. Por, para se të fillonte koncerti i kësaj mbrëmjeje artistike, ndalëm për pak çaste me disa prej protagonistëve të saj. Biseduam fillimisht me aktoren e mirënjohur, Merita Smaja, “Mjeshtre e Madhe”, një artiste që e njeh mirë shpirtin e humorit dhe të skenës shkodrane.
Më pas, fjala shkoi te bejtaxhiu Isuf Çoku, një prej atyre zërave që e mbajnë gjallë traditën e bejtës shkodrane, këtij arti të hollë ku fjala bëhet humor, thumb, mençuri dhe buzëqeshje. Dhe mes të ftuarve të kësaj mbrëmjeje ishte edhe këngëtari Vitor Hila, i ardhur nga Amerika, për t’iu bashkuar kësaj feste të këngës, miqësisë dhe traditës.
Pastaj… erdhi çasti që të gjithë po e prisnin.
Skena mori jetë, zërat e këngëtarëve i dhanë shpirt mbrëmjes, ndërsa tingujt u përhapën mbi ujërat e liqenit, duke e kthyer atë mbrëmje vere në një festë të vërtetë të këngës dhe të shpirtit shkodran.
Ishte Orjeta Kelaj, një nga këngëtaret më të dashura të Shkodrës, ajo që i dha zërin e parë kësaj mbrëmjeje. Me këngën e saj, Shiroka sikur mori frymë ndryshe; tingujt u përhapën mbi liqen, ndërsa publiku e priti me duartrokitje dhe emocion, duke i dhënë kësaj feste artistike një nisje të bukur.
Pas saj, në skenë u ngjitën disa prej zërave më të dashur për publikun: Mukades Çanga, “Mjeshtre e Madhe”, Myzafer Koliqi nga Kraja, Vitor Hila nga Amerika, Sadet Kuçi nga Kosova, Erissela Deda, Xhelal Juka dhe Lirim Gjonbiba.
Secili prej tyre solli në Shirokë ngjyrën e zërit, emocionin dhe atë ngrohtësi të veçantë që vetëm kënga di t’ia falë një mbrëmjeje.
Një rol të veçantë pati edhe formacioni muzikor që shoqëroi këngëtarët: Avni Mani dhe Edison Sima në tastierë, Agron Rexha në klarinetë dhe Hamit Asllani në kitarë.
Pa shumë kohë në dispozicion për prova, ata u bënë pjesë e kësaj mbrëmjeje me profesionalizëm dhe dashamirësi, duke i dhënë secilit interpretim mbështetjen dhe ngjyrën e duhur muzikore.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron bukuria e një mbrëmjeje të tillë: kur pasionit të këngëtarëve i bashkohet përkushtimi i muzikantëve, skena merr jetë dhe muzika gjen udhën drejt zemrës së publikut.
E publiku i Shirokës ishte i mrekullueshëm.
I ndoqi këngëtarët me duartrokitje, i shoqëroi me entuziazëm dhe, kur ritmi u bë më i gjallë, sheshi nuk qëndroi më vetëm spektator.
Nisi vallëzimi.
Dhe atëherë ndodhi diçka që vetëm muzika di ta bëjë.
Kur ritmi mori hov dhe vallëzimi u shtri në gjithë sheshin, edhe disa nga turistët e huaj që ndodheshin atë mbrëmje në Shirokë iu bashkuan kësaj feste, duke u bërë pjesë e gëzimit që kishte pushtuar sheshin.
Pa ditur ndoshta as fjalët e këngës, ata kuptuan gjuhën më të bukur që nuk ka nevojë për përkthim: gjuhën e muzikës, të ritmit dhe të gëzimit.
Dhe kështu, për disa çaste, Shiroka u shndërrua nga një peizazh i bukur buzë Liqenit të Shkodrës në një skenë ku kënga dhe vallëzimi u shkrinë me bukurinë e natyrës.
Në jetën e përditshme të këtij qyteti, bejtja shkodrane dhe kënga popullore janë pjesë e pandashme e shpirtit të Shkodrës.
Ato jetojnë në fjalën, në humorin, në këngën dhe në mënyrën se si ky qytet e përjeton e ia rrëfen jetën vetvetes.