• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM PËR THANAS DHESPON,“ZHEJOTI FISNIK,QË SFIDOI KALVARIN”…

August 19, 2016 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

“Thanas Dhespo e ka hak pozicionimin në elitën e intelektualëve të shquar të vendit të vet…”(Fransua Miteran, ish-Presidenti i Francës)

 Koha ikën, si pa u ndjerë…Por ajo lë gjurmë të pashlyera në jetën e secilit. Afër katër vjet më parë, pata kënaqësinë që të merrja pjesë në përurimin e librit kushtuar birit të njohur të Zhejës së Zagorisë, në Gjirokastër, Thanas Dhespo. Me atë rat, publikova një shkrim modest. Nuk e kisha “harruar” takimin me atë dhe as ceromoninë e bukur, që u organuizua në Muzeun Historik Kombëtar. Por, megjithatë, nuk më ishte dhënë rasti të mësoja më tej për gjendjen e tij, ta takoja atë prapë ose bashkëshorten, Virgjilicën (Nicën). Por ja që, përsëri, pikërisht kjo u bë nismëtare për t’u takuar e për të biseduar, si për të nderuarin Thanas Dhespo, por dhe për tema të tjera të jetës. Kështu, sot paradite ajo na ftoi të pinim kafe së bashku, në afërsi të shkollës 9-vjeçare të kryeqytetit, “Vasil Shanto”. Aty ndodheshim: unë, Nica, Kiço Kapetani me bashkëshorte Violetën dhe Niko Ligori. Ishin ftuar edhe disa veta të tjerë, por nuk patën mundësi që të vinin, për arsye të ndryshme. Ndër të tjera, aty mësuam se familja e Th.Dhespos, nga dëmshpërblimi i përfituar, një sasi të konsiderueshme parashë do ta dhurojë për fëmijët e sëmurë talasemikë.Me këtë rast, në këtë takim të ngrohtë, bashkëshortja e tij na dhuroi disa fotografi etj., por dhe një kasetë, nga ceremonia e zhvilluar në Presidencë, më 24 tetor 2013, për nder të Thanas Dhespos, me rastin e dorëzimit të “Medaljes së Artë të Shqiponjës”, nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Në motivacion shkruhet: “Si një ndër intelektualët, i cili me thjeshtësinë, zgjuarësinë, botëkuptimin e thellë kulturor,linguistik e filozofik, u kthye në simbol të qendresës dhe tolerancës njerëzore”. Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve, më poshtë po ribotojmë shkrimin tim, nga koha e përurimit të librit kushtuar birit të Zhejës së Zagorisë, Thanas Dhespo. Me këtë rast, përsëri i urojmë nga zemra: Shëndet të plotë e jetëgjatësi, bashkë me Nicën dhe njerëz të tjerë të dashur të tyre!                                               

 x     x    x

“1.Vitet e fundit, më ka rënë rasti të marr pjesë në mjaft përurime librash, letrarë e publicistikë etj., shkruar nga autorë të ndryshëm. Ndërmjet tyre, kanë qenë dhe libra jetëshkrimorë, nga vetë përsonat e interesuar ose shkruar nga të tjerët për ta. Një formë e veçantë, që pëlqehet tani, është edhe ajo, kur mblidhen kujtime e dëshmi,  dokumente e fotografi për ta njohur lexuesin me jetën dhe veprimtarinë e një njeriu të caktuar. I kësaj natyre ishte edhe libri, për të cilin më foli miku e kolegu im, prof.Hulusi Hako, që u përurua në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet. Por ai ka të veçantën e tij, se flet për jetën e trazuar dhe plot vuajtje të një të përndjekuri nga sitemi monist i kaluar, pikërisht për birin e Zhejës së Gjirokstrës, Thanas Dhespon.

Kishin ardhur familjarë, shumë miq e dashamirë të tij, bashkënxënës, bashkëkrahinas e bashkëvuajtës. Ndër ta, kishte dhe persona që, për Thanasin, i  kanë shkruar me dashuri e të sakta kujtimet e mbresat e tyre, nisur nga vitet e rinisë dhe më pas  të vuajtjes nëpër burgje dhe që janë publikuar në këtë libër të ri. Përurimi tërhoqi edhe vëmendjen e medias së shkruar e asaj elektronike.

Po t’i hedhësh një vështrim ballinës së fundit të librit në fjalë, menjeherë bien në sy fjalët e mendimet, që kanë shprehur për Thanas Dhespon personalitete të njohura ndërkombëtare. Të tillë janë: Fransua Miteran (ish-President i Francës), Toni Bler (ish-kryeministër i Britanisë së Madhe), Franc Gensher (ish-ministër i Jashtëm i RF Gjermane), Dora Bakojanis (ish-ministre e Jashtme e Greqisë) e tjerë. Po rishkruaj vetëm fjalët e F.Miteran: “Thanas Dhespo e ka hak pozicionimin në elitën e intelektualëve të shquar të vendit të vet”. Pra, besoj, çdo koment këtu është i tepërt.

Ballinat e librit, kushtuar Thanas Dhespos…

2.Po, natyrshëm, lexuesi është kureshtar të mësojë më shumë për këtë njeri të thjeshtë, por të rrallë, për të cilin kanë shprehur mendimet e tyre, në këtë libër, edhe mbi 40 të afërm, kolegë, miq e të njohur të tij.Po kështu, janë ripublikuar shkrime nga shtypi për të. Është gjë e mire, që këto matariale shoqërohen edhe më mjaft fotografi shprehëse.Thanas Dhespo lindi në Zhejë të Zagorisë, më 5 shtator 1928. Aty e mbaroi shkollën fillore.Ndërsa pas çlirimit e ndoqi shkollën 7-vjeçare në Gjirokastër. Po aty e vijoi edhe Gjimnazin “Asim Zeneli”, ku meritoi nota shumë të mira. Po, pesë muaj para provimeve të maturës, pra më 18 janar 1952, ndodhi një e papritur, e cila e ndryshoi krejtësish rrjedhën e jetës së tij. Atë e prangosën, bashkë me dy konviktorë të tjerë, me akuzat se “donin të kryenin sabotim ekonomik në bujqësi” dhe “donin të arratiseshin”!?Gjykata e dënoi Thanasin 20 vjet burg dhe, nga këto, i vuajti 15 vjet e tre mmuaj, në burgun e Kalasë së Gjirokastrës dhe në kampet e punës së detyruar, në Tiranë, Elbasan e Myzeqe. Janë kaq prekës vargjet, që ai shkroi në qeli, në shkurt 1952, në poezinë “Më iku pranvera e rinisë”: “Të tharë lotët, në sy më qendrojnë/ dhe në buzë qeshjen e kam të ngrirë,/ pranverën e bukur më nuk e shoh!…” Dhe nga fundi: “Pasuri nuk dua, më duhet vetëm liria,/ i varfër le të jem, sa vetë varfëria…”Pas lirimit nga burgu, Thanasi  jetoi afër 25 vjet në fshat dhe punoi në bujqësi, duke përjetuar përbuzjet e përndjekjet etj. As kur i vdiqën të dy prindërit, nuk i shkoi njeri në shtëpi, që ta ngushëllonte, pasi partiakët e kohës dhe njerëzit e tyre e quanin: “armik i klasës dhe i pushtetit popullor”!Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, ai emigroi në Greqi. Më tej,  Th.Dhespo shkoi për ca kohë në Francë, ku pati rastin të njihte dhe të takohej me personalitete të shquara europiane e botërore. Në vitin 1992, megjithëse ca i moshuar, u martua me Virgjinica (Nica) Bërxullën, me të cilën e lidhi jetën përgjithmonë.Atë e dallojnë cilësi ta larta morale dhe parimi kryesor i jetës së tij ka qenë dhe është thjeshtësia e ndershmëria, kujdesi dhe dëshira për të patur  bashkëpunim e mirëkuptim të plotë, që në familje dhe në mbarë shoqërinë shqiptare. Kështu, Atdheu ynë mund të zhvillohet e të përparojë, në rrjedhat evropiane e më gjerë. Festa mbarëkombtare e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e gjen atë në 85-vjetorin e jetës. Thansi, natyrshëm, tani ndjen gëzim dhe  kënaqësi shpirtërore ndërmjet familjarëve, miqëve e kolegëve të shumtë, që e rrethojnë vazhdimisht.

3.Tubimin përurues,  të librit kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Thanas Dhespos, e hapiKiço Kapetani, i cili e ka bërë edhe përgatitjen e tij për botim. Pastaj folën me radhë, duke sjellë kujtimet e tyre, disa ish-bashkënxënës, bashkëkrahinas  e tjerë. Ndër ta, foli dejtori I Institutit të Integrimit të të Përndjekurve politikë, Simon Miraka. Ai i vlerësoi lart jetën dhe përballjen me burgun dhe vuajtjet, në vitet e rregjimit monist, nga ky bir i denjë i Zhejës së Zagorisë. Gjithashtu, nënvizoi se institucioni, që ai drejton, e ka për detyrim që të propozojë për një vlerësim të lartë të jetës dhe sakrificave të tij, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.Me vëmendje u ndoqën edhe fjalët e të pranishmëve të tjerë në këtë veprimtari përuruese, si: vëllai i tij, Jorgo; prof.Hulusi Hako, Gaqo Veshi, M.Gecajt,Pirro Loli, Spiro Dede e të tjerë. Ata evidentuan vlerat morale e shpirtërore, si dhe cilësitë e çmuara shpirtërore të Thanasit, si: dashuria e optimizmi për jetën, mirësia e zemërgjereësia e tjerë. Në fjalën e saj, bashkëshortja Nica,theksoi se kjo ditë dhe ky përurim, ndërmjet familjarëve, kolegëve, miqëve e bashkëkrahinasve të tij, është si një rilindje dhe vlerësim i madh e i merituar për Thanasin. Prandaj ajo i falënderoi përzemërsisht të gjithë të pranishmit dhe folësit, në këtë veprimtari të paharruar.Emocionuese ishin edhe leximi i përshëndetjeve, që kishin ardhur nga jashtë Atdheut, gjithashtu,  dhurimi i luleve të freskëta e librava nga disa autorë, për Thanas Dhespon. Pastaj, të gjithë së bashku, morën pjesë në koktejin e shtruar me këtë rast, ku i uruan personazhit kryesor të këtij libri: Jetëgjatësi e shëndet të mirë, begati dhe lumturi në familjen e tij. Tiranë, 20 tetor 2012”.

Tiranë, 19 gusht 2016

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Murat Gecaj, nderim, Thanas Dhespo

SERVETE KASTRATI, PASIONI PËR PUNIMET ARTISTIKE TË ARTIZANATIT ME MOTIVE KOMBËTARE SHQIPTARE

June 15, 2016 by dgreca

Bisedë e  Prof.Murat Gecaj asrtisten e pasionuar pas punimeve artistike të Artizanit me motive Kombëtare Shqiptare, Servete Kastrati/

Në Foto: Servete Kastrati, e gjashta/

Pyetje: Siç mund ta dishë dhe ti, me punën tende jam njohur sadopak, kur përgatitëm e botuam bashkërisht një bisedë, përmes Internetit, me Luljeta Avdiun-Cura, mësuese dhe veprimtare e dalluar e kulturës në Ulqin…Megjithatë, së pari, a mund të tregosh diçka për jetën tende?

-Po, falemnderit! Kam lindur në qytetin e Gjakovës. Por, fatkeqësisht, babai më la jetime, pa mbushur ende një vit! Pastaj, nëna u martua në një fshat të Rahovecit, ku kam jetuar dhe jetojmë deri sot…

Pyetje.Sigurisht, jeta në fshat bëri që t’i dashurosh veshjet popullore. Kur e nise punën e dorës?

–Vërtetë ashtu është. Kur ende isha e vogël, i shikoja me shumë kujdes gjyshen dhe nënën e mundohesha që t’i imitoja,kur bënin punë dore ose në vegje. Unë jam brezi I tretë, që merrem me kete punë. Shpresoj që edhe nga nipat e mbesat e mija ndonjëri ta vazhdojë këtë profesion dhe të bëhet artist i vërtetë….Kështu, pakengapak, më lindi dëshira dhe m’u shfaq pasioni për punime të tilla. Më kujtohet se isha në klasën e tretë fillore, kur na kërkuan punëdore. Unë u  ula dhe me vëmendje e durim, punova një bluzë, si për kukulla, me dy ngjyra. Puna e parë nuk më pëlqeu dhe e prisha. Pastaj e vazhdova punën  më me vëmendje,duke ia qepur pullat vetë dhe me kujdes. Që nga ajo kohë, kam nisur edhe të vizatoj shumë bukur. Pastaj, në moshën 12-vjeçare kam arritur të kryej çdo punim, që e bënin edhe femrat e rritura. Nisa të punoja edhe në vegje dhe pastaj mësova të bëj zhguna (shajak). U mësova të punoja edhe pëlhura për çarçafë, deri 10-12 metra në ditë.

Pyetje: Po më tej, si e vazhdove këtë veprimtari kaq interesante, që në vetëvete ishte punë artistike?

–Me vullnet të fortë e vendosmëri, mësova të bëja edhe çorape të ndryshme e të qëndisja. Shpejt arrita që t’i realizoja të gjitha llojet e qëndisjeve dhe, më së shumti, me motive kombëtare shqiptare. Të tilla ishin ato me shqiponjën në flamur, në shumë modele. Gjatë punës në rrobaqepësi, që nga viti 1974,  thurja triko të ndryshme me motive popullore.

Mbas martesës dhe lindjes së katër fëmijëve, iu kushtova punimit të veshjeve të tyre me motive tona kombëtare. Në çdo manifestim  ata shkonin me ato rroba veshur. Gjithnjë ua kam theksuar atyre se, vëshje të tilla, na dallojnë ne si shqiptarë, ndryshe nga të huajtë.

Pyetje: Kam parë në profilin tën, në FB, se aty shënohet “Tradita Kolektion”…Pse është quajtur ashtu?

-Këtë emër e përdorëm  në sfilatën time të parë me veshje popullore kombëtare, e cila u organizua në Prishtinë dhe ishte e para në tërë Kosovën. Këtë emër ma propozoi producenti, Ilir Geci dhe unë e pranova me kënaqësi. Kështu na njohin më mirë edhe kur marrim pjesë në venprimtari të tilla jashtë vendit tonë. Po përmendi vetëm një rast…Vitin e kaluar, kur u organizua një veprimtari në Prishtinë, gazetares së nderuar Bardha Mançe dhe Sokol Demakut, nga Qendra Kulturore “Migjeni”, në Boras të Suedisë, u tërhoqën vëmendjen fotografitë e shumta me punimet e mia. Pastaj, më ftuan në qytetin Goteborg të atij vendi skandinav, në veprimtarinë e organizuar me rastin e festës së 28 Nëntorit, “Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar”. Aty unë paraqita gjithësej 25 veshje të bukura popullore shqiptare. Ato u panë me kanaqësi dhe, në përgjithësi, e kaluam shumë mirë.  Me atëtë rast, QKSH “Migjeni” më dha “Mirënjohje”…Përsëri tani, i falënderoj përzemërsisht ata, si për ftesën dhe vlerësimin, që më bënë atje!

Pyetje: Si ka ndikuar ky profesion në jetën tënde?

–Puna bëri që unë mos ta ndiej asnjëherë vetën jetime. Se puna e mban gjallë njeriun. Prandaj kam shumë respekt për të gjitha femrat punëtore artizane ose të profesioneve tjera. Me pak fjalë, mua puna më kaliti e më bëri njeri të respektuar në shoqëri, ajo më mbajti e më mban në jetë, të frymëzuar e të motivuar.

Pyetje: Faleminderit për sa më tregove deri tani, Servete! Po, a mund të më shpjegosh edhe pjesësmarrjen tuaj në veprimtaritë e ndryshme, që janë organizuar me punimet e artizanatit, që ke bërë vetë ose shoqet tua?A ishit ju në “Panairin Mbarëkombëtar të Artizanatit”, që u organizua në Ulqin dhe si u vlerësua pjesëmarrja juaj?

–Kam qenë e ftuar edhe në manifestimin e organizuar në Shas të Ulqinit, nga Shoqata Shqiptare atdhetare-kulturore “Ana e Malit”, me kryetare Luljeta Avdiun-Cura. Aty paraqita 24 veshje tonat popullore, nga disa treva shqiptare. Veprimtaria ishte organizuar shumë mirë dhe la mbresa të pashlyera te shikuesit e shumtë. Për paraqitjen aty të veshjeve të bukura popullore, mua më vlerësuan dhe më nderuan me “Mirënjohje”.

Pyetje: A dëshiron që të shtosh ndonjë diçka tjetër, në mbyllje të kësaj Bisede, për të cilën të falënderojmë përzemërsisht?

-Po, kam për të shtuar… Për këtë punë, që bëj, gjithmonë jam motivuar e frymëzohem, duke shikuar edhe Televizionin Shqiptar (TVSH). Aty i shikoja me vëmëndje të posaçme këngëtarët, me veshjet dhe muzikën e pastër shqiptare. Kështu, gjatë punës sime ua imitoja kostumet atyre dhe këtë gjë e bëj përsëri edhe tani.

…Ja, pra, ky eshte profesioni im, të cilin e dua kaq shumë. Çdo njeri, i cili e merr një profeson, të cilin e do vetë, aty asnjëherë nuk do të mungojnë arritjet dhe ai do të fitojë kënaqësinë e punës së ndershme…Ju falëmnderit për këtë Bisedë, që zhvilluam bashkë!

15 qershor, 2016

 

Filed Under: Interviste Tagged With: artiste, motivet kombetare, Murat Gecaj, pasioni, Servete Kastrati

PESË VJET, PRAKTIKË DOBIPRURËSE E “MEDIA-KONTAKTIT”

May 14, 2016 by dgreca

Çertifikohen 10 studentë për gazetari/

Nga Prof.Murat Gecaj/

Një ndër profesionet më të bukur dhe të pëlqyer, për të rejat dhe të rinjtë tanë të talentuar, është gazetaria. Siç dihet, pranë shkollave të larta janë hapur degë të tilla, të cilat i përfundojnë sa e sa studentë. Pastaj, shumë prej tyre, fatkeqësisht jo të gjithëve, ua shohim temrat në gazeta e në faqe të ndryshme të Internetit ose në median elektronike, pra në radio a televizione. Nuk po ndalemi këtu në aftësitë, që ata shprehin ose shfaqin në jetë, gjë që lidhet edhe me tërë punën e veprimtaritë, të cilat i kanë zhvilluar ata gjatë periudhës së studimeve disavjeçare.

Kësaj radhe, fjalën e kemi për një praktikë tjetër mjaft dobiprurëse, që ka nisur këtu e pesë vjet më parë, nga drejtues të Media-Kontaktit. Konkretisht, pas njoftimit të bërë, aty u paraqitën për të provuar aftësistë e tyre, në fushën e gazetarisë, rreth 100 veta. Prej tyre, u përzgjodhën 10 vajza, që premtonin më shumë. Pastaj, nën drejtimin e publicistëve të njohur dhe specialistëve të kësaj fushe, morën pjesë në trajnimin profesional 3-javor, me temë “Njohuri praktike për gazetarinë”.

Kështu, ata do t’i dëshmonin aftësitë e tyre për njohjen dhe realizimin e proceseve të punës në Televizionin Kontakt. Sigurisht, kjo gjë kërkonte aftësimin në disa procese pune, si: përdorimin e kameras, përgatitjen e tekstit  dhe realizimin e vidiomontazheve. Me rëndësi ishte edhe përzgjedhja e tematikës, pra se ku studentët do ta realizonin temën e tyre. Sigurisht, gjatë asaj kohe, ata u përballën me vështirësi të ndryshme, të cilat i tejkaluan,, me ndihmën e pedagogëve të fushës së gazetarisë e televizionit, si prof.Hamit Boriçi e gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilirian Agolli, Esat Teliti etj.

Në tërë këtë punë intensive, me vlera teorike e praktike, me Media-Kontakt bashkëpunoi e ndihmoi Instituti i Karrierës “Proteus”, institucion i njohur për trajnimet në fushën e gazetarisë.

Pas tre javësh punësh e veprimtarishë të dendura, u arrit që sot paradite të organizohej festa përmbyllëse. Veprimtaria u organizua në mjediset e Amfiteatrit të  Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC). Ishin të ftuar përfaqësues të medias së shkruar dhe asaj elektronike, studentë  nga disa universitete të kryeqytetit etj.

Në fillim të veprimtarisë, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi shfaqja në ekran e një reportazhi njohës, për Media-Kontaktin. Kjo e filloi jetën 18 vjet më parë e gjatë kësaj kohe ka dhënë një ndihmesë mjaft të çmar në periudhën e vendosjes dhe konsolidimit të demokracisë në Shqipëri. Më tej, ishin interesantë vidiomantazhet e shfaqura, të cilët i kishin realizuar vetë studentët e kursit trajnues.

Për punën  e bërë me këta studentë folën: drejtoresha e Media-Kontaktit Jolanda Lila, prof.Musa Kraja, gazetarët Ilirian Agolli e Shpresa Ukcama dhe Esat Teliti. Gjithashtu, i përgëzuan ata për punën e mirë dhe realizimin cilësor të vidiomontazheve të tyre. Me rëndësi ishte se studentët trajtuan anë të ndryshme të jetës, si familjen, botën fëminore, jetën qytetare me problematikën e saj etj.

Çast emocionues ishte koha, kur studenteve iu dorëzuan Çertifiktat përkatëse. Ndonjëri nga ata foli dhe falënderoi përzemërsisht, si nismëtarët e këtij kursi dhe pedagogët, që i udhëhoqën në ditët e kursit trajnues.

Shënojmë këtu se morën pjesë me sukeses në këtë kurs trajnues dhe merituan çertifikatat në fushën e gazetarisië, studentët: Erisa Sipri (moderatore e veprimtarisë së sotme), Alma Ismaili, Fjona Çela, Armela Malaj, Enxhi Beka, Krenita Xhaferri, Ledjana Mërtiri, Xhevrije Xhani, Anxhela Shurbi dhe Entela Hidri.

Pastaj, të pranishmit bënë fotografi të përbashkëta dhe morën pjesë në një kokteil, që ishte shtruar për të gjithë të ftuarit.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, i përgëzojmë për realizimin, për herë të pestë të kësaj nisme dhe tërë veprimtarisë, Media-Kontaktin, me drejtoreshë Jolanda Lilën dhe pedagogët, që punuan për trajnimin e këtyre krsaantëve. Shpresojmë dhe presim që këta studentë do ta dëshmojnë me punë cilësore, përgatitjen e tyre profesionale dhe emrat e tyre do t’i shohim, me sa më shumë sukses,  në median e shkruar dhe atë elektronike!

Tiranë, 14 maj 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: 10 studentë, Çertifikohen, Murat Gecaj, për gazetari

SHQIPËRI-ITALI, FESTË NË LAC

April 17, 2016 by dgreca

*FESTOHET 25-VJETORI I KRIJIMIT TË SHOQATËS KOMBËTARE TË MIQËSISË E BASHKËPUNIMIT SHQIPËRI-ITALI/

*Në Laç-Kurbin, ishte një delegacion i ShShASh “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi/

Nga: MURAT GECAJ/

1.Nuk është hera e parë që përfaqësues të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Arstitëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi, bëjnë vizitë në Shqipëri. Kësaj here, ata kishin edhe një motiv më shumë për ta bërë këtë gjë, pra sollën me vete dy libra të rinj. I pari është vepra “Thesar Kombëtar i Mërgatës  Shqiptare në Suedi”, Nr.4 dhe Vepra-1 (Vlerësime, Opinione, Intervista e Recensione”, me autor Hysen Ibrahimin. Kopje të këtyre veprave ata lanë në Bibliotekën kombëtare e ua dhuruan mjaft lexuesve, si në Tiranë e Durrës dhe, sidomos, në qytetin e Laçit.

Pasi bënë vizita e takime të vlefshme dhe me interes në kryeqytetin Tiranë, ditën e djeshme ata ishin të ftuar dhe pjesëmarrës në festën e bukur, që u organizua në Laç-Kurbin, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, me president Nikollë Lleshin. Në delegacionin e ShShASh “Papa Klementi XI-Albani”, ishin kryetari i saj, Hysen Ibrahimni dhe juristja Saranda Iseni, ardhur posaçërisht nga Suedia, si dhe “Anëtarë-Nderi” të kësaj Shoqate, prof.Murat Gecaj e shkrimtari i mirënjohur Viron Kona.

2.Në veprimtarinë, që u organizua në sallën kryesore të Pallatit të Kulturës së Laçit, ishin të pranishëm anëtarë të Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, si dhe të ftuar nga disa rrethe të vendit, si Tirana, Vlora, Durrësi, Lezha, Shkodra etj. Ndër ta, ishin edhe kryetari i Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi dhe kryetarja e këshillit bashkiak, Edlira Lleshi; ish-drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, Zhani Ciko; presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka; zv.drejtori i TVSH, Engjell Ndocaj; ish-kryetari i parë i kësaj Shoqate, Ylli Malaj,  Padre Gjovani, famulltar i Milotit etj

Për udhën 25-vjeçare të kësaj Shoqate foli presidenti i saj, Nikollë Lleshi, i cili u ndal shkurtimisht në veprimtaritë  kryesore, që janë zhvilluar. Gjithashtu, shfaqi mendime për përmirësimin e punës në të ardhmen. Ndër të tjera, ngriti shqetësimin për ngritjen e shkollave në gjuhën amtare për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Itali, për vazhdimin e botimit të revistës “Miqësia”, me kryeredaktor Vlash Prendin etj. Në mbyllje, ai falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe sponsorët, të cilat janë ndodhur kurdoherë pranë Shoqatës së tyre.

Pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie festive ishte shpërndarja e “Mirënjohjeve” dhe e dëshmive për “anëtarët e nderit”, që janë pranuar në këtë Shoqatë, kohët e fundit. Kështu, me ceremoni iu dorëzuan dokumentet përkatëse: Saranda Isenit, Zhani Cikos, Amando Dukës etj., të cilët e falënderuan përzemërisht kryesinë e Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, për nderin që iu bë.

Sipas programit, që e drejtoi Isuf Myrtaj, në vazhdim, kjo festë u gjallërua dhe u bë më të gëzueshme nga këngët e vallet e bukura popullore. Ato u luajtën me shkathtësi e bukuri nga djem e vajza, por dhe të moshuar të ansamblit amator të krahinës së Kurbinit.

3.Me mjaft interes ishte, për  një pjesë të pjesëmarrësve në këtë veprimtari mbresëlënëse, sidomos për mysafirët nga Suedia, vizita në lartësinë e malit mbi qytetin e Laçit, ku ndodhet kisha e lashtë dhe e njohur e Delbnishtit. Unë, Vironi e Martini e falënderojmë përzemërsisht Pjetër Nikollën, si për shoqërimin me mjetin e tij dhe shpjegimet e bëra gjatë udhës, për historinë e kësaj ane të malësisë së Kurbinit. Ashtu si gjatë tërë kësaj feste, por sidomos aty, u bënë filmime dhe fotografi të përbashkëta, që do të mbeten kujtim i paharruar. Simbolikë e bukur ishte çasti, kur Hysen Ibrahimi dhe Saranda Iseni mbollën një ulli, në oborrin e kësaj kishe.

Pas zbritjes në qytet, kryesia e Shoqatës mikpritëse shtroi një drekë në mjediset e Hotel-Restoranit “Ambasador”, që u sponsorizua nga pronari Sandër Ndoci.

Të gjithë të ftuarit u larguan nga qyteti i Laçit, pra dhe mysafirët nga Suedia, të mbushur me kënaqësi, emocione dhe me falënderime për organizatorët dhe tërë mbështetësit e kësaj veprimtarie mbresëlënëse, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali.

Tiranë, 17 prill 2016

Filed Under: Komente Tagged With: FESTË NË LAC, Murat Gecaj, Papa Klementi, SHQIPËRI-ITALI

NUK ËSHTË “PËRRALLË NGA E KALUARA”

April 13, 2016 by dgreca

NUK ËSHTË “PËRRALLË NGA E KALUARA”, AJO QË MË TREGOI MIKU IM, HALIL KOPANI…/

Nga Prof.Murat Gecaj/ 

“Njeriun duhet ta shoqërojnë gjithnjë në jetë: vullneti, pasioni dhe këmbëngulja për të arritur qëllimin e dëshiruar…”/ 1.Gjatë kësaj kohe, ne të dy kemi qenë “larg”, por dhe “afër”. Larg, sepse nuk jemi takuar shpesh e të rrimë bashkë, si i thonë fjalës,  as sa për një kafe, por dhe afër, pasi kemi ruajtur dashurinë e respektin e ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit. Nuk po e them për hërë të pare (ketë gjë e dinë mirë edhe bashkëmoshatarë të tjerë) se, kur njeriu shkon në një farë moshe, u pushtokan disa nga nostalgjitë e së shkuarës dhe dëshiron të shohë e takojë sa më shumë kolegë, miq e të njohur të viteve të fëmijërisë dhe të rinisë së tij. Sigurisht, në këtë “listë” përfshihem tani dhe unë.

Me juristin Halil Kopani më lidhin shumë “fije” të së shkuarës sonë, pra siç thotë populli, “kemi ngrënë një thes me kripë bashkë”. Në fillimet e viteve ’50-të, u takuam në mjediset e shkollës ushtarake “Skenderbej”. Unë vija nga malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ai nga ajo e Pukës. Pas mbarimit të maturës, ne shkuam përsëri të pandarë në shkollën e bashkuar të oficerëve. Por, asnjëri nuk i vuri spaletat e saj, se të dy u liruam për arsye shëndetësore. Më tej, unë ndoqa studimet e larta për gjuhë-letërsi dhe ai për jurist. Por, si për habinë tonë, përsëri i ndiqnim studimet në një ndërtesë, pra në atë të Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Bile, jorrallë, i kemi bërë leksionet në një auditor ta madh, sidomos ato me karakter politik.

Jeta të merr në rrjedhën e vet dhe ti je i detyruar ta hedhësh “vallen” sipas “muzikës” së saj. Kështu ndodhi dhe me ne të dy. Shërbyem edhe në rrethet e vendlindjeve tona, por u bashkuam prapë në kryeqytetin tonë. Unë në sektorin e shtypit dhe ai në atë të drejtësisë. Gjithashtu, i vazhduam lidhjet tona miqësore. Pra, jemi takuar, kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe kemi qarë bashkërisht hallet tona jetësore. Më kujtohet se, kur ai ishte me punë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe unë në Ministrinë e Arsimit e të KUlturës, kishim dhe një koleg të përbashkët. Ky ishte Gani Dizdari, miku im i mirë nga fshati Babinë i Malësisë së Gjakovës (Tropoja).

Jam takuar me Halilin edhe kur ai punoi në Gjykatën e Apelit të Tiranës e në Gjykatën e Lartë, si dhe në Gjykatën Kushtetuese. Që mos ta lodhi lexuesin e këtyre radhëve, shënoj këtu se, në fundin e muajit mars 2010, bëra përurimin e librit tim jetëshkrimor. Megjithëse i pamundur ca nga gjendja shëndetësore, Halili  iu përgjigj me kënaqësi ftesës sime. Bile, u kujdes dhe që të jepej njoftim për këtë veprimtari në Televizionin Shqiptar, gjë për të cilën i jam mirënjohes.

2.Tani po futem “në temë”, pra po e shpjegoj arsyen kryesore, se përse po i shkruaj këto radhë. Pasi u lidhëm paraprakisht me telefon në banesat tona,  disa vite më parë u takova përsëri me mikun e shokun tim, Halil Kopani. Në një lokal te rehatshëm, që njihet Restorant “Durrësi”, pimë bashkë nga një kafe. Siç është e natyrshme, meqenëse kishim kohë pa kuvenduar bashkë, sollëm ndërmend vitet e rinisë në shkollat ushtarake, por dhe të punës sonë, deri sa dolëm në pension. Kujtuam dhe disa shokë tanë të atyre viteve. Sigurisht, nuk lamë mënjanë as temat “e nxehta” të ditës, siç bëjnë rëndom shqiptarët, ku bisedojnë shtruar me njëri-tjetrin.

Por ajo, që dua ta ndaj me lexuesit tani, janë bisedat interesante të Halilit për fëmijërinë e tij, aty në fshatin Kabash të Pukës. Ndër të tjera, ai më tregoi se, pasi mbaroi shkollën fillore në vitet e pasçlirimit, shfaqi dëshirën ta vijonte edhe 7-vjeçaren. Po si të vepronte, pasi në fshatin e tij nuk kishte shkollë të tillë? Pasi u këshillua me të jatin, (më duket quhej Ahmet, se me këtë mbiemër e njihnim ne në shkollë, deri vonë), megjithëse fshatar i pashkollë, ai e mbështeti këtë mendim të tij. Kështu, një ditë mori udhën për në seksionin e arsimit të rrethit. Tani, Halili kujton:

“Më kishte porositur babai që të trokisja në zyrën e shefit të arsimit dhe të prisja, deri sa të fliste dikush nga brenda: -Hyr!  Ashtu veprova dhe, gjate pritjes, zemra më rrihte me forcë. Isha shumë i emocionuar! Kështu, hyra brenda dhe e parashtrova kërkesën time, pra shfaqa dëshirën ta vazhdoja shkollën 7-vjeçare, sigurisht në qytet. Mirëpo, fshati ynë ishte shumë larg dhe ende nuk kishte konvikt. Pra, sikur nuk u gjet rrugëzgjidhja. Atëherë, unë iu luta atyre, në seksionin e arsimit, që të me linin të flija në shkollë dhe kështu të ndiqja mësimet. Ishte pak  më e lehtë kjo, pasi shkolla në atë kohë funksiononte verore. Vërtet ishte diçka e pazakontë, por shefi i arsimit u bind që të strehohesha në mjediset e shkollës…”. 

Më tej, me pyetjet e mia dhe përgjigjet e mikut tim Halil, mora vesh se ai mblodhi një thes me plaçka: një lëkurë deleje, dy plafë (si batanije) leshi, disa ushqime dhe arriti në  shkollën 7-vjeçare. I vinte turp nga nxënësit e tjerë që ta shihnin ashtu ngarkuar, prandaj thesin e tij ia besoi pastrueses së shkollës, deri sa të mbaronte mësimi. Në mbrëmje, ato rroba ai i shtronte mbi bazamentin prej dërrase të tavolinës së mësuesit dhe aty flinte. Si jastek perdori trastën e librave të tij. Ndërsa, e keqja ishte se shkolla nuk kishte as roje nate, që t’ia largonte sadopak frikën. Sigurisht, Halili i vogël kaloi dhe shumë vështirësi për ushqime e tjerë.

Kështu, rodhën jo pa shqetësime: ditë, javë e muaj dhe Halili e mbaroi klasën e pestë dhe më pas të gjashtën e të shtatën. Me kërkesën e dëgës ushtarake të rrethit, atë e dërguan në shkollën ushtarake ”Skënderbej”. Sigurisht, tashmë, iu duk se kishte hyrë në një botë tjetër, ku kishte kushte të mira për fjetje, ushqim e shkollim.

Por. siç thash në hyrje të këtyre pak rradhëve nuk qe e thënë që Halili të bëhej oficer karriere, ndonëse pas shkollës së mesme ushtarake mbaroi edhe Shkollën e Lartë të Oficerave. Kështu, për shkaqe shëndetësore  e nxorën në lirim, me gradën nëntoger rezervë. Pastaj u  kthye në fshat, ku qendroi disa muaj  dhe bëri punë të rëndomta bujqësore. Ai nuk pranoi punën e ofruar nga autoritetet e kohës, magazinier në spitalin e Fushë-Arrësit, ku kishte vetëm 10 shtretër dhe me një rrogë fare të vogël. Sepse kështu dëshmohej një nënvlerësim për kohën, të shkollës së mesme, që ai kishte kryer. Ishte e njohur se, deri në atë vit (1957), vetëm 6 veta nga Puka e  kishin mbaruar arsimin e mesëm. Në vazhdim, mbas katër muajve, Halili u emrua kryereferent i zyrave të gjendjes civile, ku punoi deri sa shkoi për studime në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.

3.

Duke e kaluar në “sitë” dhe jetën time, që në fëmijëri dhe në vazhdimësi, nga biseda me mikun tim Halil, përforcova një përfundim: Njeriun duhet ta shoqërojnë gjithnjë në jetë, vullneti, pasioni dhe këmbëngulja për të arritur qëllimin e dëshiruar. Nuk është fjala këtu për poste e karrierë të lartë, por për të qenë “dikushi” në jetë. …Halil Kopani po u afrohet 79 vjetëve, më 1 maj të këtij viti. Duke  sjellë në mendje, si në ekranin e një kinemaje jetën e vet, me “zik-zaket” e saj, tani ndjehet i kënaqur, kur sheh fëmijët e tij, që  kanë mbaruar shollat, janë përfshirë denjësisht në punë dhe kanë krijuar familjet e tyre. Natyrshëm, ai u flet atyre dhe për udhën e jetës së  vet, sidomos për fëmijërinë e vështirë, që është një mësim i mirë, për pasardhesit e sotëm dhe ata që do të vijnë nesër.

…Ndoshta, dikujt tani, që e lexoi episodin e mësipërm për mikun tim Halil Kopani, mund t’i duket si “përrallë nga e kaluara”?! Por ja, që jeta e shqiptarëve, sidomos në malësitë tona, ka qenë aq e vështirë, sa nuk ka penë gazetari as shkrimtari, që atë ta regjistrojë të saktë në letër.

Tiranë, prill 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Halil Kopani, Jo perralle, Murat Gecaj, nga e kaluara

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 21
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Mallkimi i diktaturave komuniste
  • Mesdheu – Gramatika e qytetërimeve dhe roli i Shqipërisë në hartën e trashëgimisë mesdhetare
  • Fatime Sokoli, kumbimi këndues i Dragobisë përmes zërit dhe shpirtit të një gruaje që erdhi t’i përkiste përjetësisë
  • Orët dhe orëndreqësit shqiptarë
  • Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, detyrim kombëtar
  • A Festival to Remember – Celebrating Our Albanian Heritage
  • U PËRURUA LIBRI “ÇAMI, TEK GURI POLAR” 
  • KËSHILLI KOORDINUES I ARSIMTARËVE NË DIASPORË (KKAD) MBAJTI TAKIMIN E RADHËS DHE PREZANTOI PUNËN E SAJ NJËVJEÇARE
  • Parkimi dhe Qarkullimi – Plaga më e Madhe e Rrugëve të Tiranës
  • Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631
  • Prishtina Court issues second conviction of Serb for war crimes in Kosova & Strongest Link is released
  • Çfarë dite e mrekullueshme! Pikniku ynë Tradicional i Komunitetit ishte një sukses i jashtëzakonshëm!
  • Botimi i katërt i librit “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit” tashmë është në qarkullim! 
  • Kryeministri Kurti vizitoi Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit
  • Interesting Facts about Albanian Film Festival Fan Noli 2025

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT