Nderim Nexhipi i prish festën Tiranës, kur me mendje kishte nisur të gëzonte triumfin. Ka qenë minuta e tretë e kohës shtesë, kur shqiptaro-maqedonasi ka mposhtur Ilion Likën pas një ngulmimi të gjatë, por të paqartë të të tijve. Në krosim nga këndi është shndërruar në gol me shumë zgjuarsi nga Nexhipi, që i heq nga duart tri pikë të cmuara bardhebluve. Më herët kishte shënuar Morina, në minutën e 41-të, i ndihmuar edhe nga gabimi i mbrojtjes së kuqe. Ashtu sikurse ka bërë edhe prapavija bardheblu në rastin e barazimit. “Paqe” e luftuar pa shumë orientim në këtë ndeshje, që prodhoi spektakël në shkallët e stadiumit, nga dy tifozëritë respektive, por pak futboll të bukur nga lojtarët në fushën e blertë. Nga një pikë për të dyja palët, që e mban Partizanin në pozita europiane, në pikë të barabarta me Kukësin dhe Lacin, nga 40 të tilla (kurbinasit luajnë sot të dielën me Vllazninë, në fushën e tyre), ndërsa Tirana në vendin e tetë, me 28 pikë. Pra, mbetet aty ku ishte deri dje.
Derbi i 138-të i kryeqytetit ndahet në barazim, duke vulosur barazpeshën totale të këtij kampionati mes këtyre dy skuadrash, që kishin fituar secila nga një sfidë, në fazën e parë dhe të dytë, me rezulat të njëjtë, 1-0.
Pjesa e parë Ka tension në fillimin e ndeshjes, cka shoqërohet edhe me dy kartonë të verdhë për Rrahmanin dher Alban Hoxhën që në minutën e 6-të. Gjithcka vjen pas akordimit të një goditjeje dënimi për bardheblutë, e cila kontestohet nga kapiteni dhe mbrojtësi i kuq. Megjithatë, goditja e parë në drejtim të portave respektive vjen në minutën e 9-të. Behar Maliqi siguron një pozicion ballor, godet, por topi nuk ka forcën e duhur, edhe pse pritet në dy kohë nga Ilion Lika. Ka më shumë inciativë Partizani, që del nga krahët, por përqendrimi dhe kujdesi i bardhebluve në detyrat difensive është i madh. Ka ngut të madh dhe pasime të gabuara në nisjen e aksioneve, cka bën që topi të kalojë shumë shpejt sa në në këmbët e lojtarëve të njërës skuadër, edhe edhe të tjetrës, pa sjellë rrezik për dy portierët.
Në minutën e 20-të të kuqtë fitojnë një goditje dënimi, që ekzekutohet nga Mazrekaj. Topi devijohet në këndore, prej nga Nexhipi e adreson në zonën e Ilion Likës. Portieri bardheblu del gabimisht, duke rrezikuar shumë. Një lojtar i Partizanit godet me kokë, por pak tej shtyllës së majtë pingule të kuadratit bardheblu. E njëjta skemë paraqitet edhe në minutën e 23-të, kur Mazrekaj fut topin në zonën kundërshtare nga goditja e dënimit, por grushton me vështirësi Lika, i gjendur mes shumë lojtarëve, që dyluftojnë ashpër mes tyre. Dhjetë minutat e mëpastajme njohin një rritje të Tiranës në lojën e saj, ku Delic spikat me përpunimin e topit. Malazezi tenton edhe përmes dy goditjeve standarde radhazi, por porta e Hoxhës mbetet e paarritshme. Morina i afrohet golit në minutën e 38-të, teksa godet me kokë ngjitur me trekëndëshin e poshtëm të portës së kuqe. Minuta e 41-të zhbllokon shifrat. Shpërthen në delir tifozëria e Tiranës. Një pasim i gjatë nga mesfusha futet në zonën e kuqe, ku Morina është mes dy mbrojtësish të Partizanit, që gabojnë shumë në mbulim. Sulmuesi bardheblu shfrytëzon këtë “okazion”, godet tokazi dhe shënon. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë, ku Tirana u tregua shumë efikase në rastet e pakta që pati, ndërsa të kuqve u mungoi lojtari sulmues, që të tërheqë skuadrën përpara. Po ashtu, nuk ka një regjizor të duhur në mesfushë, që të kthjellojë sadopak lojën e “demave”, mjaft konfuzë në të dyja fazat, ofensive dhe difensive. Tirana ishte më solide dhe funksionoi si një grup i tërë, duke mos i dhënë përparësi elementit individual, sic bie në sy rëndom te kundërshtari.
Pjesa e dytë Nis me një goditje këndi nga e djathta e sulmit për të kuqtë. Po ashtu, shumë shepojt Partizani fiton një goditje dënimi në pozicion ballor me portën e Likës. Ekzekutuesi është i përhershmi, Mazrekaj, por sërish pa rrezik. Duket disi më e tërhequr Tirana, e cila e prêt kundërshtarin, me synimin për ta kapur në kundërsulm e në befasi, për të ndëshkuar për herë të dytë. Ka shumë nerv te lojtarët e kuq, por pak cilësi. Bëhen gabime foshnjarake në pasimin e topit të parë, ndërsa aksionet përfundojnë pa nisur akoma mirë. Tirana ka rastin ideal të shënojë sërish në minutën e 56-të. Gilberto driblon dy mbrojtës të kuq dhe e pason topin te pika e bardhë e penlltisë, ku Kërciku ka tërë hapësirën e duhur për të realizuar. Ai godet shumë dobët, duke e falur Partizanin. Magani nuk ia fal lojtarit në fjalë, ndaj e zëvendëson menjëherë me Korreshin, ndërsa Sampaio reagon në kahun tjetër duke hedhur në lojë Hyshmerin në vend të Maliqit. Rrahmani realizon goditjen e pareë në këtë pjesë loje drejt portës së Likës në minutën e 65-të, teksa me kokë impenjon “gardianin” bardheblu. Magani sakrifikon autoprin e golit, Morinën, duke shtuar një tjetër forcë mbrojtëse në radhët e tij, ndërsa kolegu i tij i kuq bën zëvendësim kokë për kokë në sulm, Sacer-Dushku. Edhe aktivizimi i Demirit nuk ndryshon gjë në paraqitjen e të kuqve, që konsumojnë minutat e mbetura të kohës së rregullt pa ndonjë rrezik në portën e Likës. Tirana mbetet me dhjetë lojtarë nga minuta e 83-të, sepse Korreshi merr të dytin e verdhë dhe të kuqin direkt, pas një simulimi në zonën e Partizanit, duke dashur të marrë një penallti. Kjo u shton një “marsh” më shumë “demave”, të cilët besojnë deri në vërshëllimën e fundit të Jorgjit, që e ka nxjerrë kartonin e verdhë shumë herë nga xhepi, përvec atij të kuqit për lushnjarin e Tiranës. Kur festa bardheblu kishte nisur në shkallët e stadiumit, në pjesën ku ishin të pozicionuar tifozët e 24 herë kampionëve të vendit, ndërsa ata të kuq kishin ulur kokën, mendon Nderim Nexhipi të ndryshojë “temperaturë”. Me një veprim tepër të zgjuar me kokë, shqiptaro-maqedonasi kthen në gol goditjen e fundit të ndeshjes, duke u dhënë një pikë të vuajtur të tijve. Që vlen jo pak, ndërsa u ka hequr bardhebluve dy të tilla, që mund t’i largonin përfundimisht nga rreziku i mbijetesës. Shpëton nderin edhe Sampaio, që dukej se po pësonte humbjen e parë në krye të Partizanit nga skuadra që shkarkoi ish-shefin e tij, Hasan Lika në fazën e dytë. Ngushëllohen në fund tifozët e kuq, teksa Nexhipi u eviton zhgënjimin e radhës. Kësaj here pa pasur aludime në kokë për tolerim, por duke pranuar konfuzionin e dukshëm të këtij Partizani për të kaluar me sukses të plotë një sfidë të kësaj rëndësie.
Supertifozëri, antagonizëm pa fund Atmosferë inkadeshente në stadium, që ngjason me ndeshjet e kombëtares. Tifozëria e shumtë në numër i jep “zjarr” derbit më shumë se një orë përpara startit të lojës, teksa koreografitë dhe thirrjet në kor të bëjnë të mendosh se po shikon ndonjë supersfidë europiane. Ngjyrat e kuqe dhe ato bardheblu valëviten në mijëra duar tifozësh, që mbështesin pa rezerva idhujt e tyre në fushën e blertë. Një derbi i vërtetë edhe në shkallët e “Qemal Stafës”, që përjeton një nga ndeshjet e rralla të Superiores shqiptare. Dicka fort e ngjashme me rastet kur në të luan kombëtarja jonë kuqezi.
Historiku, dominon akoma Partizani Ndeshjet – 138 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës në të gjitha kompeticionet: Kupë dhe kampionat. Bilanci – Partizani ka fituar më shumë se Tirana në derbi, plot 54 ndeshje, ndërsa bardheblutë numërojnë vetëm 43 fitore. 41 të tjera kanë përfunduar në barazim. Golavarazhi – 198 gola ka shënuar skuadra e kuqe, përkundrejt 160 të bardhebluve. Historia – Takimi i parë mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e kuq” fitonin 4-2. Krenaria e kuqe – Më 31 gusht 1947, Partizani fitonte 8-0 ndaj Tiranës, duke sigluar kështu edhe fitoren më të thellë në derbi. Shpagimi – Sakaq, më 22 shtator 1985, Tirana do i kthente reston Partizanit teksa e mundte 7-3, në një ndeshje që mbahet mend nga tifozët e të dyja skuadrave për lojën e bukur. Rezultati – Barazimi 2-2 është edhe rezultati që është sigluar më së shumti në ndeshjet derbi mes Partizanit dhe Tiranës, plot 27 herë në 40 barazime. Demokracia – Pas viteve ’90 janë zhvilluar 50 ndeshje derbi, nga të cilat 26 janë fitore të Tiranës, 11 barazime dhe vetëm 13 janë fitore për Partizanin. Golavarazhi: 70-49 për Tiranën. “Ish”-ët në fushë – Endri Vrapi, Erando Karabeci, Renaldo Kalari, Entonio Pashaj, Ardit Peposhi janë lojtarët bardheblu që kanë luajtur edhe për Partizanin. Ndërsa tek “demat e kuq”, i vetmi që ka luajtur për të dyja skuadrat është talenti Fatmir Hysenbelliu.