Kombëtarja shqiptare U-21 është mundur me rezultatin 2-1 nga Greqia në ndeshjen e luajtur sot në Athinë, e vlefshme për eliminatoret e Evropianit 2017. Trajneri Redi Jupi hodhi në fushë këtë formacion: Strakosha në portë; Gurishta, Hoxhallari, Shkalla e Prenga në mbrojtje; Grezda, Laci, Bare, Latifi në mesfushë dhe Manaj e Çekiçi në sulm. Kuqezinjtë e vegjël e nisin mjaft mirë takimin dhe në minutën e 22-të arritën të kalonin në avantazh me Latifin. Mirëpo, në minutën 42-të Kombëtarja mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Shkallës. Në minutën e 42-të, Hoxhallari shkaktoi 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Ioannidis, i cili barazoi shifrat në 1-1. Edhe pse në inferioritet numerik kuqezinjtë e Jupit bënë një paraqitje të mirë duke mbajtur në tension vendasit. Në minutën e 85-të, edhe Greqia mbeti me 10 lojtarë kur Tzanetopoulos u ndëshkua me karton të kuq. Për fat të keq, në minutën e fundit të kohës së rregullt grekët gjetën golin e avantazhit me anë të Tsilianidis, i cili fiksoi rezultatin në shifrat 2-1 në favor të vendasve. Një rezultat jo i drejtë për atë që u dha në fushën e lojës, pasi Kombëtarja shqiptare U-21 meritonte më shumë. Pas kësaj humbje, Shqipëria renditet në vendin e 3-të në Grupin 4 të Eliminatoreve të Evropianit 2017 me 12 pikë pas nëntë ndeshjeve dhe në takimin e fundit do të përballet me Izraelin në transfertë.