
Dr. Bledar Kurti/
Në këtë ditë, më 27 shkurt 1951 Kushtetutës Amerikane iu shtua Amendamenti i 22-të.
Ky amandament kufizoi efektivisht në 2 (dy) numrin e mandateve që një president i Shteteve të Bashkuara mund të shërbejë në detyrë.
Përpara vitit 1951 Kushtetuta Amerikane nuk e ndalonte numrin e mandateve të Presidentit pasi besohej se nëse do kishte pëlqimin, bekimin dhe mbështetjen e votuesve kjo prevalonte mbi çdo formulë kufizimi. Megjithatë, kishte një rregull të pashkruar, një precedent, lënë nga George Washington, Presidenti i parë i SHBA, i cili pas dy mandateve në detyrë u dorëhoq duke themeluar “de facto” parimin e dy mandateve.
Pati Presidentë të tjerë të mëvonshëm të cilët tentuan të kandidonin për më shumë se dy mandate por ose nuk u pranuan nga partia e tyre ose nuk u zgjodhën. Kjo për shkak se parimi i dy mandateve ishte çimentuar si koncept qeverisjeje.
I vetmi përjashtim ishte Presidenti Franklin D. Roosevelt i cili arriti në katër mandate (u nda nga jeta në të katërtin) kjo për shkak të një përjashtimi dhe mirëkuptimi politik e popullor, pasi periudha në të cilën ai shërbeu përkoi me evente të rënda e të paprecedenta për Amerikën dhe botën, si Depresioni i Madh, Lufta e Dytë Botërore dhe sulmi i Japonisë në Pearl Harbor.
Duhet theksuar që Roosevelt nisi atë që njihet si Presidenca Moderne Amerikane, që do të thotë Presidenti mori kompetenca fuqiplote për shkak të ndryshimeve të vrullshme në luftë dhe ekonomi, të cilat kërkonin vendime e veprime të menjëhershme e jo kohë të gjatë vendimmarrje nga Kongresi.
Kjo kompetencë fuqiplote vazhdon edhe sot. Amandamenti i 22-të vetëm kushtëzoi “de jure” numrin e mandateve në detyrë që është 2 (dy).
Në Kushtetutën Amerikane neni që përcakton përgjegjësitë e Presidentit është i shkurtër dhe pa një listim të gjatë funksionesh. Por, për shkak të epokës së Presidencës Moderne Amerikane të nisur nga Roosevelt, Presidenti gëzon sot kompetenca fuqiplote por sigurisht të balancuara nga Kongresi në çështjet themeltare si buxheti. Kjo për arsye sepse etërit amerikanë krijuan një shtet ku asnjë individ të mos e shpallë veten mbret.