






Resmi Çorbaxhi/
Kisha e Shën Gjergjit Trumbull ( e vetme si kishë ortodokse shqiptare në shtetin Connecticut) këtë verë feston 100 vjetorin e shërbimeve për gjithë besimtarët ortodoks, por rrënjët e saj duhen kërkuar me thellë. Sipas regjistrit të emgracionit shqiptarët e parë te mbrritur në New Haven, janë Sotir Gjergjeku dhe Thoma Katundi nga zona e Vakëfeve në qarkun e Korçës. Ata kanë zbarkuar në portin e vogël pranë memorialit të Kristofor Kolombos në vendin ku ka zbarkuar për here të pare. Çdo vit aty organizohet e nje ceremoni e vecantë në kujtim të tij dhe emigrantëve të tjerë mbërritur herët në shtetin Connecticut. Sotiri dhe Thomai si fermerë të mire dhe njohës të fruti-kulturës u morën me prodhimet e tyre të cilët i shisnin nga Bridgeporti deri në New Haven. Fitimi i nxiti të tërhiqnin shqiptarë të tjerë, kryesisht familjarë dhe të aferm të tyre të cilet në dekadën e parë të shekullit të njëzetë, filluan të tërhiqnin familjet së bashku me fëmijët. Shquhen si njerëz të punës, të mirësjellur dhe të respektueshem.
Në fillim të viteve 1920 sipas regjistrave themeltarë, në këtë zonë jetonin rreth 50 familje kryesisht në Bridgeport, Trumbull, Millford, New Haven. Komunitei shqiptaro– amerikan të cilët zakonisht mblidheshin çdo të shtunë kuptuan që ishte domosdoshmëri ngritja e një shtëpie shpirtërore ku ata të shpreheshin me gjuhën e mendjes, zemrës dhe shpirtit. Në Bridgeport, në kishëzën ortodokse të qytetit, u organizua shërbesa e parë në gjuhën shqipe. Data e saktë sipas dokumentave në kishën e Shën Gjergjit, mban datën e 12 Prillit 1925. Ishte hedhur hapi i parë, por ende nuk ishte insititucionalizur si kishë ortodokse shqiptare. Luiz Theodhosi si dhe një miku i tij organizuan meshën e parë ne “St Thomas Albanian Church” me një prift të ardhur nga Ansonia, ku mesha u mbajt në gjuhën shqipe. Gjithashtu çdo të dielë, për Pashkët, por dhe në ritualet e zakonshme fetare pjesërisht jepeshin në gjuhën shqipe. Pak vite më vonë, rritja e komunitetit shqiptar bëri që shërbesat të zhvendoseshin në Fairfield në një mjedis të “St John Episcopal Church. Aty u zgjodh edhe komiteti drejtues me Luiz Theodhosin president, James Vani zv/president, Filip Kotmilo financier, dhe James Tollkuci sekretar. Vështirësia më e madhe ishte mungesa e një peshkopi shqiptar në këtë shtet per shenjtërimin e saj.
Preokupimi i komunitetit për ngritjen e kishës ortodokse shqiptare që do të mundësonte gjithë shërbimet ishte tepër i madh. Në vitin 1929 Thoma Tollkuci organizon klubin e të rinjve shqiptarë me emrin (The star) Ylli. Qëllimi kryesor i shoqatës ishte grumbullimi i të ardhurave në ngritjen e një kishe ortodokse shqiptare. Numuri i antarëve i kalonte të njëqind vetët. Veprimtaritë e ndryshme sportive dhe kulturore si dhe piknikët shërbenin për të shtuar fondet per kishën e ardhshme. Midis viteve 1928-1930 ishte rritur edhe numuri i grave që kishin ardhur me bashkim familjar. Ato ndjenin mungesën e të afërmve që kishin lënë ne Shqipëri, si dhe mungesën e bashkëshortëve të cilët punonin me orë te stërgjatura dhe larg shtëpisë. Ashtu si Thoma Tollkuçi i cili themeloi shoqërine “Ylli” ato krijuan në 1932 shoqatën e tyre me emrin “Mbretëresha Teuta”. Kornela Sotiri u zgjodh presidente e shoqatës, Dhora Polena zv/presidente, Beatrice Tollkuci sekretare dhe Kaliroi Dionisi financiere.
Dhjetë vjet plot sakrifica dhe përpjekje për të mos u shkëputur asnjëherë nga shërbesat fetare në gjuhën shqipe. Në vitet 1933-1934 At Vasil Mandi vendoset në Bridgeport për të shërbyer në një kishë lokale greke. Këtë e shfrytëzuan djemtë e shoqatës “Ylli” të cilët organizuan festimin e emrit te tij në 1 Janar të vitit 1935. At Vasili i prekur nga mikpritja dhe sinqeriteti i djemve shqiptarë, dha shpresën se në një të ardhme jo shumë të largët ata do të kishin kishen e tyre, në të cilën ai premtoi se do të shërbente pa asnjë shpërblim. Oferta e tij bujare u përshëndet dhe mireprit nga gjithë komuniteti shqiptar në këtë zonë. Premtimi i at Vasilit ngjalli shpresën dhe dha më tepër besim se kjo ditë nuk do të ishte e larget. Pa humbur kohe Filip Kotmilo u vu në kërkim të një objekti që do të shërbente për ritualet si, kremtimin e Pashkëve, Krishtlindjet, dhe ditët e shenjuara. Trokiti në derën e një mikut të tij bankier i cili në respekt të miqësisë me të dhe shqiptareve ofroi katin e dytë të Staples Bank pa pagesë qiraje për sa kohë do të qëndronin aty.
Djemtë e shoqatës “Ylli” nën drejtimin e Filip Kotmilo dhe Karl Dhimitri punuan vullnetarisht për ta kthyer katin e dytë ne “Orthodox place of worship”. Gjithcka ishte gati në prag të javës së Pashkëve në vitin 1935. Zëri i solistëve të korit kishtar Stefan Tollkuçi, Trifon Mandi e Argjir Lazari mbushi kubenë e vendit të pagëzuar “Saint Thomas Albanian Orthodox Church”. Ishin hedhur themelet e besimit orthodoks në komunitetin shqiptar me kontributin e çmuar të patriotëve Peter Athanas, Lui Theodhosi, Teodor Dionisi, Kosta Vangjeli, Jorgji Polena, e at Vasil Mandi si prifti i parë që punoi me mish dhe shpirt pa futur asnjë cent në xhep. Vendosi kushtin që rroga e tij të shkonte ne të ardhurat për ngritjen e kishës orthodokse shqiptare ne shtetin kushtetues të Connecticut. Vetëm dy vjet më vone kisha lëviz në 286 Fairfeild Ave, Bridgeport. Në shërbesen e parë besimtarët orthodoks patën rastin të takonin Metropolitanin Fan Noli i cili mbajti nje Liturgji Hierarkie. Gjatë kësaj vizite at Fan Noli shfrytëzoi rastin për ti nxitur besimtarët ortodoks në ngritjen e shtëpizes shpirtërore të tyre.
Duhej shfrytëzuar rasti i shitjes së Saint Peters Roman Catholic Church për 7500$, një shume e madhe për kohën. E gjithe shuma u pagua nga Jorgji Dionisi dhe shenjtërimi i saj u bë nga imzot Noli . Kisha u pagëzua me emrin e Saint George (Shen Gjergji). Kjo ngjarje u pershendet nga autoritete të larta kishtare duke dërguar edhe përfaqesuesit e tyre si; Jacob Grigorov nga Kisha e “Tre Shenjtorëve Rusë” ne Ansonia, Alexsandër Veniaminov i Kishës Orthodokse Ruse, Achimandriti Elia Laflonfe, përfaqesues I Kishës Orthodokse Philadelphia, Archimandriti Thimi Thedori nga Kisha Orthodokse Whorchester. Ndërsa at Fan Noli shoqërohej nga at Vasil Mandi dhe at Sotir Tollkuci. Në këtë ceremoni për të nderuar at Fan Nolin kishte ardhur edhe miku i tij Luke Bacoota, që drejtoi korin kishtar në ngritjen e kishës. Metropolitani Fan Noli nuk rreshti asnjëhere punën për të ngritur kishën e Sain George në nivelin e kishave të tjera ortodokse. Ai shkruajti dhe kompozoi posaçërisht për këtë kishë këngë kishtare në gjuhën shqipe dhe në anglisht. Tingujt e këtyre këngëve mbushnin jo vetëm kubenë e kishës por edhe qetësonte shpirtërat e tyre. Shumë shpejt këto këngë u bënë të njohura edhe në kishat e tjera ortodokse në shtetin e Connecticutit dhe Massachusets. Lutjet gjithashtu bëheshin në gjuhën shqipe dhe anglisht nga at Vasil Mandi, Kristo Kosta, dhe Aleksander Kovaçi. Ky i fundit qëndroi në krye të kishës për 17 vjet rresht, duke fituar admirimin e komunitetit shqiptaro- amerikane.
Në vitin 1965 pas vdekjes së Metropolitanit Fan Noli, kishat ortodokse shqiptare u ndodhën në një vështiresi të madhe për shkak të shatërrimit të kulteve fetare në shtetin mëmë. At Aleksandër Kovaçi i mbështetur nga sponsor të fuqishëm u përpoq të mbante gjallë besimin ortodoks. Të gjithë mbështetën idenë e ngritjes së një kishe ortodokse e cila do të shërbente për të gjithë besimtarët e komunitetit shqiptaro amerikan ne Brdgeport dhe rrethinat e saj. George dhe Aleksandra Polena menjëherë dhuruan katër shtëpi dhe truallin në Trumbull, të gjitha pjesë e pasurisë së tyre të cilat iu bashkëngjiten shumës së mbledhur nga shqiptarët e nderuar në këtë konunitet. Ka qënë një betejë e gjatë me procese të shumta gjyqësore për të marrë lejën e duhur për ngritjen e kishës së Saint George. Pas gjyqit maratonë ne 1977 u dha leja për ngritjen e kishës. Ndjekjen e punimeve iu ngarkua Stefan Lakos, i cili kishe marrë drejtimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare pas vdekjes së Nolit.
Ai bashkepunoi ngushtë me klubin rinor “Ylli” dhe atë te vajzave “Mbretëresha Teuta” të cilët kishin grumbulluar nje shumë të kosiderueshme që garantonte ngritjen e kishës pa probleme financiare. Punimet vazhduan për dy vjet dhe mbaruan në vitin 1979. Bekimin e saj e bëri at Arthur Liolin duke thekësuar se kisha do të kishte nje vision të ri; si shtëpi shpirtërore jo vetëm për besimtarët e komunitetit shqiparo amerikan por edhe për komunitete të tjera ku bënin pjesë emigrantë të ardhur nga Europa Lindore. Shumë besimtarë rumunë, bullgarë, hungarezë, maqedonas pagëzuan vunë kurorën e martesës për femijët e tyre në kishën e Shën Gjergjit. Ata ishin pjesmarrës të rregullt në gjithë ceremonite dhe ritualet fetare të organizuara në shtëpizën shpirtërore me qendër në Trumbull. Në këtë mënyrë ajo u bë shtëpiza shpirtërore për të gjithë besimtarët ortodoks pa marrë parasysh kombësine e tyre. Ishe kjo një nga arsyet që vetëm 20 përqind e shërbesave në kishë bëhej në gjuhën shqipe.
Shumica e priftërinjve që kanë drejtuar kishën e Saint George kanë qënë nga komuniteti ortodoks shqiptaro-amerikan ku shquhen Ikonom Vasil Mandi, Kristo Kosta, Sotir Tollkuçi, Aleksander Kovaçi, Stefan Sinari. Kam patur rastin të takoj në vitin 2018 priftin Dennis Rhodes që kishte drejtur kishën në Trumull për tetë vjet rresht. Fliste një shqipe të pastër megjithëse nuk ishte me origjinë shqiptare. Kur e pyeta si e kishte mesuar shqipen përgjigjen e kishite në majë të gjuhës; Duke qëndruar me komunitetin shqiptar këtu në Amerikë. Asistova edhe në një shërbesë fetare, ku paralelisht me gjuhën angleze ai fliste edhe në shqip. Ai nuk di të flasë me super relativa por u është mirënjohës shqiptarëve. Duke biseduar me Dennis, më tregoi se i bënte shumë përshtypje besa, mikprtitja dhe puna e tyre. Fjalët e para në shqip që ka mësuar kanë qenë; “shtëpia është e Zotit dhe e mikut.” Ka pagëzuar dhe ka vënë kurora martese për shumë çifte shqiptarësh, por e veçantë për të ka qenë dasma e Nikos me Aidën. Pa marrë parasysh moshën, shpenzimet dhe rrugën e gjatë udhetoi deri në Korçë, dhe në Katedralen e Korçës vendosi kurorën e tyre duke lexuar pjesë nga bibla në gjuhën shqipe.
Në kishën e Shën Gjergjit para disa ditësh takova edhe Nardi Tollkuçin, nip i Sotirit, priftit që jetën ia kushtoi kishës. E gjen çdo të dielë aty mes besimtarëve ortodoks. Nardi është kordinator i takimeve të shumta të komunitetit shqiptar, ne Bridgeport dhe rrethinat e saj. Festat e Flamurit, Vitit te Ri, Krishtlindjet, nën kujdesin e tij mbushin sallën e kishës së Shën Gjergjit për tu bërë bashkë gjithë shqiptarët që jetojnë në Fairfield, Milford, Stratford, Bridgeport e deri në Seymour e New Haven. Flet pak por pas çdo fjale ka një histori të komunitetit shqiptaro amerikan. Në kishë ka ndodhur edhe historia e mëposhtme.
Vasili dhe Vanthi Nani nga Polena nuk ishin parë me njeri tjetrin për më se pesëdhjet vjet. Kishin punuar së bashku në një skuader gjatë ndërtimit të hekurudhes Elbasan – Perrenjas. Mbas aksionit nuk u takuan më. Jetonin në fshatra të ndryshme. Këtu në Stratford jetonin shumë afër pa asnjë informacion për njëri- tjetrin..
Si u takuat? – pyes Vasil Kalapon.
Këtu në kishën e Shën Gjergjit. Ne vinim dhe vijmë në kishë si familje çdo të dielë. Vanthia (tani ka nderruar jete) po ashtu. Përshëndeteshim si besimtarë pa e ditur se ishim takuar shumë dekada më parë. Gjatë një ceremonie të tillë pyet vajzën kur kishte ardhur në Amerikë dhe nga ishte me origjinë. Kur mësoi se ishte nga Rrëmbeci i Korçës e pyet për mua. Vajza vjen, më merr për dore dhe më çon te Vanthia duke i thënë me të qeshur:
– Ky është Vasil Kalapo, babai im. Ajo shtangu, edhe unë gjithashtu. Nje takim pas afro gjysem shekulli. Dhe këtë mundësi na e krijoi vetëm kisha e Shën Gjergjit. Tani fëmijet janë bërë miq, takohemi shpesh, jo vetëm të dielave në kishë për edhe në ceremonitë e shumta organizuar me rastin e festave kombëtare.
Kisha ka qenë urë lidhëse midis komunitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera. Laura Michael Coughlin dhe Karen Marsek, kanë lindur këtu në Amerikë. Prindërit e tyre kanë qenë nga emigrantët e parë dhe kanë ardhur nga Floqi i Korçës. Që në moshë të vogël nën shoqërinë e prindërve do ti gjeje në kishën e Shën Gjergjit. Gjithmonë çdo të nxitje ishte porosia e prindërve. Laura nuk harron asnjëherë një thënie të cilën babai e përsëriste vazhdimisht. “Dy gjëra janë të rëndësishme në jetë; besimi te Zoti, dhe dashuria për atdheun. Të dyja janë baza e familjes.”
Së bashku me Karen iu bashkangjitën korit të kishës. Nuk u ndanë asnjëherë. Sot Karen është drejtuese e korit, dhe Laura anëtare e Këshillit Drejtues të kishës së Shën Gjergjit. Qysh herët kishin një ëndërr, të vizitonin atdheun e prindërve të tyre, ëndërr që u bë realitet vetëm pas shembjes së sistemit komunist. Ka qenë gëzim i dyfishte për Lauren kur fëmijët e saj, shprehën dëshirën dhe e shoqëruan në udhëtimin e saj i cili si thotë ajo vetë ka qenë më i bukuri. Ndërsa Karen me vehte kishte një kushërirën e saj bashkë me të bijën. Ndalesën e parë e bënë në fshatin e lindjes të prindërve, në Floq.
Si ju duk Shqipëria? – pyes Lauren. Përgjigjen e kishte në majë të gjuhës, duke shoqëruar fjalët me foto të shumta në faqen e saj sociale.
“Vlora më kujton Floridën, Korça si thonë, Paris i vogel, me katedralen më të bukur në Ballkan. Shkodra gjithashtu. Keqardhje e madhe kur pamë rrënojat e kulteve fetare të shkatërruara pas vitit 1967. Jemi të lumtura që sot njerëzve u është kthyer besimi te Zoti.
Laura dhe Karen ishin nismëtare në mbledhjen e ndihmave humanitare, për kishat e sapo rindërtuara, shtëpitë e fëmijëve, njerëzve në nevojë. Kisha e Shen Gjergjit mblodhi mbi 30 ton ndihma humanitare që u nisën në Shiperi nëpërmjet shoqatës humanitare të komunitetit shqiptaro- amerikan, NEARO, pas vitit 1992.
Kulmi arriti gjatë krizës në Kosovë. Bob Lazari ish president i komunitetit shqiptaro amerikan do të shprehej; “Ishte diçka shumë e rëndësishme për mua. Ne ndihmuam njerëz qe nuk ishin të besimit ortodoks por ishim vellezër të një gjaku. Një të dielë në kishe u përhap fjala se kishin mbrritur në New Haven emigrantët e parë pas shembjes të sistemit komunist. Në një kohë të shkurtër u mblodhën ndihma ushqimore, orendi shtëpiake për të gjithë emigrantet dhe disa prej tyre u strehuan falas për tre katër muaj në familjet e besimtarëve ortodoks.
Kisha ortodokse shqiptare, e vetmja në shtetin e Connecticut nuk dallohet vetëm për arkitekturën e saj por dhe për unisonin e ikonave të shenjtorëve shqiptarë dhe amerikanë. Ndërsa sheh Shën Gjergjin, Shën Palin dhe Shën Angjelinin, përballë tyre gjenden shenjtorët ortodoks amerikanë si Shën Peter, Shën Herman, bishop Raphael of Brooklyn. Nëpërmjet tyre ne paraqesim veten tonë të kaluarën dhe të tashmen, nga vijmë dhe ku jetojmë, si një komunitet i përbashkët me besimin e palëkundur te Zoti. Duke shfletuar një nga numurat e gazetës “Dielli” dhjetë vjet më parë në një intervistë Vani Mihali djali i njërit prej priftërinjve që ka drejtuar këtë kishë do të shprehej se në kishë vinin gjithnjë e më shumë besimtare. Kishte edhe nga komunitet e huaja, por të gjithë e ndjenin vehten si në shtëpinë e tyre të bekuar nga Zoti, ku ndjenin qetësinë shpirtërore si besimtarë ortodoks. Me kishën e lidhte edhe nje fakt tjetër. Aty kishte vënë kurorën e martesës vajza e tij Diana e kishte asistuar në shumë të tjera, midis çifteve shqiptare dhe atyre midis shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.
Po Xhimi, burri e moshuari që nuk mungon asnjë javë në kishën ortodokse shqiptare. E kush nuk e njeh atë? E përshëndesin të gjithë dhe shumë prej tyre ne shqip. Xhimi nuk flet shqip ashtu si shumë shqiptarë nuk flasin anglisht. Por ai e kupton shqipen, belbëzon fjalë të shkëputura në shqip, i do shqiptarët. Ka vënë kurorën e martesës me nje shqiptare në këtë kishë. Është mjeshtër i përpunimit të drurit. Për miqtë e tij gjithmonë përgatit dhurata simbolike të punuara në dru nga duart e tij.
Në kishën e Sain George sot më shume dëgjohet gjuha shqipe, pasi edhe besimtarët ortodoks ardhur kohët e fundit janë të shumtë. Si e vetmja kishë ortodokse shqiptare dhe nga më të vjetrat së bashku me ato te Bostonit, Worchester, Chicago dhe Philadelphia, qëndrojnë vatra jo vetëm të bashkimit ortodoks por edhe te komuniteteve shqiptare dhe të huaja, të cilët bashkohen dhe integrohen me jetën, kulturën, traditën e përditeshme amerikane. Më së miri e tregon dhe fotoja e shkrepur në prag të 100 vjetorit të kishës ortodokse shqiptare Shën Gjergji.