
JA SI PO E PËRBALLON BETEJËN ME KORONAVIRUS BASHKATDHETARI YNE NË QUEENS- NEW YORK, AGIM LOCI/
-Bisedë e gazetës Dielli më z. Agim Loci, president “ The House of Peace and Mediation”,i cili prej më shumë se një jave po mjekohet në shtëpi me COVID-19.
Z. Agim Loci është i njohur në Shqipëri dhe këtu në SHBA si misionar i pajtimit të gjaqeve. Në Shqipëri ai drejtoi Institutin”Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar”, organizatë që është e regjistruar edhe në SHBA prej 4 vitesh- The House of Peace and Mediation-.
Agimi është bartës i COVID-19. Një pjesë të vështirë të betejës e kaloi pa e ditur se ishte bartës i virusit, edhe pse kishte kërkuar me këmbëngulje që të testohej. Po si iu shfaq infektimi, çfarë simptomash kishte, si i kaloi ditët me temeperaturë të lartë? Ndiqeni bisedën që i mori Kryeredaktori i Diellit, Dalip Greca.
Dielli: Përshëndetje Z. Loci- Si po ndjeheni?
Agim Loci- Faleminderit për interesimin.Po ndjehem më mirë. Pak a shumë i përtërirë. Me shpresën e Zotit besoj se e kam lënë të keqen pas. Edhe pak ditë më mbeten për të plotësuar 2 javshin në mjekim.
Dielli- Në çfarë rrethanash e mësuat se ishit bartës i COVID-19?
Agim Loci- Para 10 ditësh nuk po ndjehesha mirë. Në fakt nuk e pata ndërprerë punën. Shkoja me tren nga Queensi në Manhattani. Natyrisht që masat mbrojtëse i respektoja me rigorozitet, por e keqja qëndronte në faktin se jo të gjithë ata që udhëtonin me mua i respektonin këto masa. Më dhimbte i gjithë trupi, fyti, kisha temperaturë, dhimbje koke. Ndjenja një turbullim, që edhe më friksonte. Një lloj frike deri në ankth. Shumë keq nga ana psikologjike.
Dielli: Cila ishte masa e parë. Çfarë bëtë kur u ndjetë në atë gjendje?
Agim Loci- Së pari ndërpreva punën. I telefonova doktorit dhe i përshkrova gjendjen që po kaloja. Doktori konfirmoi faktin se isha pozitiv, pra isha bartës i virusit. Ndoshta u vonova pak sepse pas katër ditësh shkova në spital, edhe pse shumë më herët pata kërkuar të bëja testin. Mjekët më thanë se organizmi im i fortë fizkisht e kishte përballua vetë pjesën më të vështirë të betejës me koronavirusin.
Mjeku më dha udhëzimet e duhura, më dha mjekim për ulje temperature, dhe për rritje të imunitetit. Natyrisht më udhëzoi që mbyllesha në shtëpi dhe të ruhesha nga kontaktet me njerëzit e familjes.
Dielli- Si i kalove psikologjikisht çastet më të vështira?
- Agim Loci- Mendoj se kjo është pjesa më e vështirë e betejës. Çdokush që e di se e mbanë mikrobin vdekjeprurës të COVID-19, e ka të vështirë të pajtohet me gjendjen, siç e ka shumë të vështirë që ta heq mendjen nga e keqja. Gjithësesi familja, miqtë ma kanë lehtësuar me anë të telefonatave të shumta, më kanë dhënë kurajo.
- Dielli- Queensi ku ju jetoni është më i infektuari. Duke u nisur nga rasti Juaj, çfarë mendoni se nuk ka funskionuar?
- Agim Loci:- Mendoj se masat parandaluse u morën vonë. Edhe tani funksionon trasporti publik, që përbën një vatër infeksioni. Me gjithë udhëzimet e dhëna jo gjithmonë respektohen masat vetëmbrojtëse. Ka dhe një problem tjetër: Testimet. Kohët e fundit ka një përmirësim të dukshëm të testimeve në New York, po bëhen më shumë testime, por më parë nuk ishte kështu.Unë e provova vetë. Që kur kisha shenjat e para, 8 ditë para se të mbyllesha në shtëpi, unë telefonova dhe kërkova të më bëhej testi, por fatkeqsisht ma refuzuan. Nëse do ta kisha kapë më shpejt përmes testit infektimin ndoshta nuk do të kisha vuajtur aq shumë.E di çdo të thotë të vuash për ditë të tëra nga dhimbjet dhe të digjet trupi nga temperatura?!
Dielli:- Si shkonte jeta brenda mureve të shtëpisë?
Agim Loci- Nuk është e para herë që unë mbyllem. Në një farë mënyre jam imun ndaj vetëmbylljes. Më ka ndodhë që të mbyllem më shumë se sa një jave edhe në vitin 1989, kam kaluar një grip të fortë, ngjitës, me ethe, në izolim. Por kam dhe një përvojë të veçantë të mbylljeve, ngujimeve, sepse prej 20 vitesh punoj me familjet e ngujuara në Shqipëri. Punën e vazhdoj edhe këndej nga Amerika. Gjakmarrja prej tri dekadash ka kyçur shumë familje shqiptare brend shtëpive. Unë e di mirë se ç’është jeta e mbyllur dhe kështu që e kam kaluar në një farë mënyre më lehtë se të tjerët këtë vetmbyllje të detyruar nga Koronavirusi.
Dielli:Nisur nga përvoja juaj, cilët janë gabimet që bëjnë njerëzit në këtë kohë epidemie?
Agim Loci: Mendoj se një ndër gabimet qe njerzit bejne shpesh është neglizhenca per te mbajtur masken, dorashkat, ruajtjen e distancës. Duhen respektuar kufizimet e diktuara nga organet shtetrore. Tash po thonë se virusi qëndron në ajër deri në 3 orë. Pra është e vështirë të mbrohesh.
Dielli: Një mesazh për bashkatdhetarët këtu në SHBA?
Agim Loci- Kujdes, kujdes, kujdes! Respektoni rregullat e kufizimit, ruani distancat. Më e mira, mos dilni jashtë!
Jeta eshte e shtrenjtë dhe duhet vler ësuar. Nuk ia fal vetes që kam ecur dhe kam udhëtuar me trena, ku udhëtarët jo të gjithë respektojnë rregullat e vetëmbrojtjes. Meszhi im per bashkedhetaret eshte që ta vlerësojnë epideminë vdekjeprurëse. Nuk bëhet shaka me të. Respektoni udhëzimet e mjekëve!Lani duart, mbroni fytyrën, ruani distancën!
Dielli: Faleminderit që pranuat ta ndanit përvojën tuaj me lexuesit e Diellit!
Agim Loci-Faleminderit prej jush që u intersuat për mua.