PËR SHPIRTIN VATRAN TË AGIM KARAGJOZIT*/
Ing.Agim Karagjozi shkoi të pushojë. Në përcjelljen e fundit iu bënë të gjithë nderet që meritonte; si njeri fisnik, patriot i palëkundur, antikomunist i pa kompromis, si bashkshort, si prind, si gjysh,si qytetar amerikan, dhe si vatran shembullor;- Noli do të thoshte se ai ishte vatran i dimrit e i beharit- 60 vjet në Vatër, dy dekada Lidër i saj, 18 Vjet President i Vatrës, një mandat zv/kryetar i Vatrës. Një CV e pasur që do ta kishte zili kushdo. Ai dha për Vatrën gjithçka kishte, por mbi të gjitha shpirtin e tij e njësoi me shpirtin dhe frymën e Vatrës. Po po, Vatra është Frymë, është shpirt. Është frymë Kombëtare, është shpirt atdhetar, ai që nuk e ndjenë këtë nuk mund të bëhet vatran i përkushtuar. Nuk mjafton që ta shprehësh me fjalë se je me frymën e Vatrës, apo se je i gatshëm të përcjellësh frymën e Vatrës, jo, nuk mjafton, duhet që brenda vetes të plazmosh frymën e Vatrës.
Agim Karagjozi i dha Vatrës energjitë e shpirtit të tij, i dha të gjithë kohën e tij, sakrifikojë edhe familjen për Vatrën dhe Çështjen Kombëtare. Por familja e mirëkuptoi dhe i ndihu aq sa mundi. Djali i madh, Zuhdiu, që mbanë emrin e gjyshit, iu bë krah edhe në Vatër dhe u përfshi në nismat e babait në ndihmë të Vatrës. Ndërtesa e sotme e Vatrës është një nga dëshmitë-provë të kontributit të binomit babë e bir.
Në fjalën përcjellëse që mbajti i biri në ditën e përcjelljes, kushdo që e dëgjoi u emocionua, tek shprehu plot emocione krenarinë e birit për të Atin; mbi të gjitha ai ndjehej krenar pse babai i tij po përcillej e po vlerësohej edhe në çastet e mbrame si një patriot i paepur, si intelektual, si njeri bujar, që dha gjithçka për Vatrën Shqiptare të Amerikës. Vetë Zuhdiu e cilësoi babanë njeri vetmohues, që mbi gjithçka vuri interesin e Kombit të vet dhe luftoi për Lirinë e tij. Agim Karagjozi me brezin e vet të patriotëve nacionalistë, ishin zotuar për t’i kthyer lirinë Atdheut. Dhe tashmë nuk është më sekret të dihet se shtetësinë amerikane, ai e mori pas shembjes së komunizmit. Vetëm përfaqësuesit e denjë të Elitës nacionaliste mund ta bënin këtë sakrificë. Agimi ishte një nga ata.
Edhe pse Vatra nuk “lulëzoi” numerikisht në dy dekadat që e drejtoi Kryetari Agim Karagjozi, ajo do të mbahet mend për qëndresën dhe kryrjen e obligimeve ndaj Kombit, edhe pse me pak anëtarë. Vatra ishte kudo ku e kërkonte interesi Kombëtar, ku e kërkonte Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, ishte në Washington e Tiranë, në Prishtinë e Shkup.
Vatra me Karagjozin në krye, luftoi për sjelljen e demokarcisë dhe duartrokiti ardhjen e saj,për të cilën vatranët kishin luftuar për gati gjysëm shekulli.Rrëzimi i shtetit demokratik në vitin 1997 e pezmatoi kryetarin Karagjozi dhe ekipin e tij vatran. Qëndrimi ishte i prerë: Shteti u rrëzua me dhunë, me mashtrim pirmaidal, dhe ndihmë nga jasht, aleatët antikombëtar të socialistëve. Vatra nuk e njohu shtetin e komunistëve të rikthyer në pushtet pa “larë hesapet” me të shkuarën dhe shkaktarë të së keqes. Dhe ja si e argumentonte Kryetari i Vatrës këtë qëndrim të prerë : “Jo, nuk e njohim qeverinë komuniste që ka ndryshuar vetëm emrin.Mbetet i pakontestueshëm fakti se ajo qeveri e mori pushtetin, më 1997, me rrugë të paligjshme, me nxitjen dhe drejtimin e një tërbimi barbar, që terrerorizoi popullin, rrënoi vendin dhe e zhyti shtetin shqiptar në një anarki katastrofike sa që e çoi atë në pragun e copëtimit dhe shpërbërjes së tij. Egërsia komuniste nuk njohu kufi në krimet dhe shkatërrimin e poshtrimin e atdheut para etjes së pafrenueshme për të rihedhur në dorë kontrollin e shtetit. Ajo qeveri jo vetëm është e paligjshme, por shumë prej anëtarëve të saj janë përgjegjës për veprime kriminale kundër interesave të kombit shqiptar, për të cilat duhet të japin llogari.”
Kështu arsyetonte Kryetari i Vatrës dhe kështu vendosi Vatra. Në logjikën e kryetarit dhe ekipit që i shkonte me besim pas kjo mosnjohje prej Vatrës le të gjykohej nga historia nëse ishte në kahjen e duhur apo jo.
“Vatra” si organizatë kombëtare me tradita gati njëshekullore mbanë përgjegjësinë t’i shohë zhvillimet politike në botën shqiptare në dritën e së vërtetës për interesat kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë, gjykonte Kryetari Karagjozi. Ajo duhet të marrë qëndrime parimore, pa bërë lojë politike dhe lëshime që do të komprometonin emrin e saj, siç do të ishte njohja e qeverisë së 97-tës. Le të mbetët e regjistruar për gjithë kohën se në këto vite, kur Shqipëria dergjet kokë-ulur, e dërmuar nga bëmat e bijve të saj bastardë komunistë dhe e indinjuar nga arbitrariteti dashakeq i ushtruar nga jashtë, “Vatra” nuk e la të shuhet zërin e protestës shqiptare. Dhe Vatar protestoi këtu në SHBA dhe në Tiranë. Në krye ishte ai, Kryetari karagjozi dhe ekipi i tij.
Kryetari i Vatrës që kishte rrëmbyer armën për liri në radhët e Ballit Kombëtar që në rininë e hershme dhe kishte shkuar deri në Kosovë për ta çliruar, nuk mund të ndjehej i qetë në kohën kur Kosova po kallej flakë prej hitlerit të kohëve moderne, Sllobodan Millosheviçit. Mori bashkëpunëtorët e ngushtë dhe shkoi deri tek lufëtëtarët e Lirisë dhe së bashku me vatranët u dha shpresë për liri dhe u ndihu me sa mundi. Ishin kohë të vështira; në Shqipëri kaos, në Kosovë flakë, por Agimi nuk u friksua; shkoi me vatranët deri tek spitali ku luftonin për jetën me plagë në trup bijtë e Kosovës e të Shqipërisë, dërgoi ndihma mjeksore dhe dollarë të mbledhira nga vatranët.
Kryetari karagjozi do të mbahet mend edhe si”nikoqir” i Vatrës: ai mblodhi kurseu dollarët e fushatave të Vatrës, kryesoi fondin e banesës, kryesoi fushatën për ndiham në Kosovë, kryesoi fushatën për ndihma gjatë përmbytjeve në Shkodër etj.
Trashëgimia e Agim Karagjozit është vlerë për Vatrën e sotme dhe duhet t’i shërbejë vatranëve si model përkushtimi.
Ajo çfarë tha i biri, Zuhdiu në fjalën e tij përcjellëse, nuk duhet marrë thjesht si vlerësim i të birit për babanë e tij, por si përcjellje mesazhi nga një gjeneratë tek tjetra. Ai tha se ikja e Agimit shënon fundin e një epoke, por varet nga ne, gjenerata e re, për ta mbajtur të fortë flakën e shqiptarizmit. Epoka e Agim Karagjozit kishte për moto:Vendosni interesin e Kombit mbi gjithçka.
Mbi të gjitha,Agimi Karagjozi, si kryetar i Vatrës, na la frymën e Bashkimit;ta ruajmë atë si vlerë të shenjtë, si egzistencë vatrane.
Ta çlirojmë shpirtin nga qejfmbetjet, grindjet, nga interesat personale, dhe të vendosim mbi gjithcka frymën kombëtare. Edhe Partitë politike janë të vogla për t’na përçarë para Kombit, le t’i mësojmë ato se VATRA do t’i nderojë kur të punojnë dhe të nderojnë Shqiptarinë.
* EDITORIALI PERCJELLES I GAZETES “DIELLI” NE NUMRIN SPECIAL, Prill 2018