

Me 25 Mars 1913, 27 burra të pafajshëm u therën si bagtitë në thertore të improvizuar nga serbët në fshatin Gjuzaj-Darsi. Ndër ta dhe gjyshi i tim eti…Shih listën e emrave në fund të shkrimit…
Nga Dalip Greca
Me 25 Mars (1913-2022) u mbushën 109 vjet nga masakra serbe në Darsinë e Lushnjës (dikur, në ndarjen e vjetër administrative të viteve ’40- ‘50 të shekullit të kaluar e përfshinte Peqini).
Ngjarja tragjike tronditi Darsinë; konkretisht vendlindjen time- fshatin Gjuzaj.
Për këtë ngjarje ka shkruar studiuesi i ndjerë Harun Greca, kushëri dhe mentori im, në librin e tij”DARSIA”, të cilin e ruaj në bibliotekën familjare këtu në Nju Jork si një nga librat më të dashur. Po shkëpus një fragment:”Thikat ndritën në errësirë prej reflekseve të dritës…I therën në dy thertore,i hodhën kapicë mbi njeri-tjetrin…Era e rëndë e gjakut dhe rënkimet e të therurve trazuan qetësinë e shtirur të natës…Nga kjo masakër doli i gjallë vetëm Mustafa Xhyra,të cilin jo se e kursyen,por thikat e ngulura në qafë nuk ia morën dot jetën,ndoshta për të rrëfyer për të tjerët ato çaste të fundit për 27 burra të fshatit që u masakruan barbarisht nga serbët,dhe për t’i treguar botës mbarë se cilët ishin barbarët, cilët ishin ata që dhunonin e thernin pabesisht shqiptarët.”
…Unë, për të parën herë e kam dëgjuar ngjarjen në vitin 1978 nga i vetmi burrë i mbijetuar në fshatin tim, i cili edhe pse u pre në qafë, arriti të shpëtojë dhe e përcolli ngjarjen me hollësi, pasi u shërua. Ai quhej Mustafa Xhyra, ishte i ardhur në fshatin tonë. Atë kohë unë isha përfshirë në aksionin e mbledhjes dhe interpretimit leksikor të toponimeve të zonës, detyrë e vënë nga kabineti pedagogjik i rrethit. Gjatë mbledhjes së toponimeve më ra në në sy edhe emërtimi toponomastik ”Ke t’thermit”. Duke e diskutuar me tim atë mësova historinë. Atij ia kishte treguar i ati. Në atë ngjarje tragjike ishte përfshirë edhe gjyshi i tij me kushërinj, i cili në kohën kur serbët po merrnin përdhunshëm çdo burrë që gjenin nëpër shtëpi apo në ara e arrestonin dhe e grumbullonin në qendër të fshatit. Ushtari serb që kishte shkuar tek gjyshi i tim eti që po punonte tokën me një pendë qe, i kishte parë në gjoks, mbi xhamdan një sahat të florinjtë me gjerdan po të florinjtë. Serbi ia kishte kërkuar që t’ia falte, gjyshi ia kishte refuzuar kërkesën :- Unë kokën e jap, por jo sahatin, ishte përgjigjë!
Natyrisht që serbët ia morën edhe sahatin edhe kokën. Ai vdiq bashkë me të tjerët i therur egërsisht, siç theren kafshët. Vetëm sllavët kanë zemër e shpirt të therin njerëz si kafshët.
Baba më rekomandoi që të shkoja dhe të takoja xha Mustafanë, burrin e moshuar, që kishte shpëtuar nga vdekja falë përkujdesjes së barinjëve që kishin kaluar aty pas masakrës me delet e tyre.
Shkova dhe e takova xha Mustafanë tek Dardhat e Bardha. Kishte një kujtesë fenomenale, edhe pse po I afrohej një shekulli jetë. Fliste ngadalë dhe shtruar.
Ja ngjarja që më tregoi ai: Ushtria serbe që kishte arritë deri në Shqipërinë e mesme, pasi kishte kapërcyer lumin Shkumbin, marshonte drejt Myzeqesë me qëllim që të daljen në detin Adriatik. Ata kishin mbërritë në lartësitë e kodrave të Mollagjeçit,ku ishte vendosë shtabi i divizionit të tyre(historianët kanë identifikuar se bëhet fjalë për divizionin Morava), ndërkohë që kolona e ushtrisë turke që komandohej nga Xhavit Pasha, në tërheqje e sipër për ta lëshuar Shqipërinë, ndeshet me forcat serbe pikërisht në atë zone.
Dy fshatarë nga Gjuzaj, që banonin në zonën e luftës, në lagjen e sipërme të Çelëve, tek varrezat e fshatit, kapin pozicione strategjike dhe u zënë pritë serbëve, duke luftuar për orë të tëra. Ata janë identifikuar si Dervish Zyber Çela dhe Mersin Selman Çela.Ushtria serbe arriti që t’i asgjësojë por pasi ata kishin vrarë disa prej serbëve që binin në pritë në rrugën e thellë tek varrezat e fshatit, në këmbët e kodrave.
Pas asgjesimit filloi reprezalja, rrethimi i tre lagjeve të fshatit nga ushtria dhe arrestimi i çdo burri që gjendej në fshat. Ndër të arrestuarit ishte dhe Mustafa Xhyra, plaku që më tregoi historinë interesante që ndodhi me të dhe të tjerët. Ai kujtonte se serbët të gjithë burrat që mblodhën tek”Boka e Bardhë” afër shtëpive të Mullalive-ndërmjet Gjuzaj dhe Jazxhiaj, i rreshtuan dhe filluan t’i masakronin me bajoneta. Binte një shi i rrëmbyshëm në kohën e ekzekutimit(therjes). Mustafai mbante mend goditjen dhe britmën e serbit në gjuhën e vet sllave, që i nguli bajonetën në gushë dhe në pjesën anësore të qafës dhe s’kujtonte asgjë më shumë. Më pas ka ndjerë se si uji i shiut i hynte nga plaga e hapur prej bajonetës. Pastaj kishte rënë në kllapi. Dikur kujton edhe ulërimat e burrave të tjerë që thereshin.
Aty kishin kaluar barinj me dele që i kanë kontrolluar viktimat dhe kur e kanë ndjerë se Musatafai ishte gjallë, kanë therë një dash të madh dhe me lëkurën e tij të ngrohtë ia kanë mbështjellë plagët për t’i ndaluar rrjedhën e gjakut dhe e kanë transportuar në Peqin, ku i është dhënë ndihma mjeksore. Ai e shpëtoi.
Unë mbaj mend se Xha Mustafai e kishte të ngritur, si tegel të salduar pjesën e qafës ku kishte pasë plagët, që ia kishin qepur në spital.
Kisha tentuar disa herë që ta pëecillja ngjarjen tregjike të masakrës në shtypin e kohës, para ’90-tës, por asnjëherë nuk arrita ta botoja. Ngjarja tragjike mbeti e mbuluar dhe nuk u ekspozua kurrë. Arsyeja? Enigmë.
Kur erdhi demokracia ngjarja u përkujtua dhe një pllakë përkujtimore përcjell ngjarjen tragjike që u mori jetën 27 burrave të Gjuzajt.Aty është lista e të therurve.
Për këtë masakër ka botuar shkrime përkujtimore edhe gazeta Dielli në Nju Jork. Ndërkohë që në rrafshin kombëtar vlen të përmendet emisionin i gazetarit Marin Mema në “Gjurmë Shqiptare” Top Channal, trasmetuar në korrik 2019.
Kush ishin 27 burrat e therur?
Ja lista me emrat e shkruar në pllakën përkujtimore:
1-Adem Vallja
2- Beqir Greca
3-Caush Greca
4-Dervish Çela
5-Elmaz Çela
6-Hasan Greca
7-Islam Xhyra
8-Islam Greca
9-Idriz Çela
10-Islam Alleshi
11- Islam Vallja
12-Murat Greca
13 Mersin Çela
14-Mustafa Xhyra-I mbejetuari I masakrës
15- Mustafa Greca
16-Nuredin Greca
17-Qazim Xhyra
18- Sulejman Greca
19- Seit Greca
20- Sulejman Xhyra
21- Sefer Xhyra
22-Sako Xhyra
23-Selam Çela
24-Tahir Greca
25- Xhaferr Greca
26-Jaçe Greca
27 Veli Xhyra.
Pushofshin në Paqe!