Nga ROLAND QAFOKU/
“Çdo mama do donte ta shikonte djalin e vet president por pa u bërë politikan”. Teksa një ditë shkurti 2001 vizitoja në Boston “John Kennedy Museum and Library”, syri më kapi një thënie të stampuar në një mur me hark. Si një emblemë që mbajti mbi supe nderin dhe kënaqësinë të ishte presidenti i 35-të i SHBA, por edhe vuajtjen, përgjegjësinë, e deri në humbjen e jetës, John Kennedy kishte dhënë përkufizim më të saktë, por edhe proverbial njëkohësisht. Sa e sa dëshirë e kënaqësi mund të ketë njeriu të bëhet president i një shteti, por sa vështirë dhe sa e rëndë është mbi supe ajo detyrë, kudo qoftë, në SHBA apo Shqipëri. Kur në vitin 2015 nxora nga botimi librin “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë. Nga Ismail Qemali te Edi Rama”, ajo që më shkoi në mendje sapo doli në qarkullim, ishte një libër për presidentët e Shqipërisë. E quajta të largët atë projekt për faktin se numri i atyre që kanë drejtuar institucionin më të lartë të shtetit tonë nuk arrinin të bëheshin as sa gishtat e dy duarve. Për më tepër që Shqipëria nuk është Amerika. Megjithatë, folderat në arkivin tim elektronik dhe dosjet në arkivin tim fizik po mbusheshin ding me materiale dhe të dhëna për presidentët. Por Henri Çili nuk lë rast pa i bërë pritë përvjetorëve. Kishte vite që kishte çimentuar idenë se në 100 vjetorin e presidencës duhej doemos një libër për presidentët. Dhe meqënëse, sipas tij, unë kisha fituar “markën” e kryeministrave, tani duhej të shkruaja një libër për presidentët. Në fakt e prita me shumë dëshirë këtë ide. Prandaj e falenderoj për projektin, por edhe për mbështetjen që bëri të mundur botimin e këtij libri.
100 VJET PRESIDENCË SHQIPTARE
Historia e presidencës shqiptare nuk është as e gjatë me emra, por as e fortë në pushtet. Nga viti 1925 deri sot janë vetëm 11 presidentë. Sa një skuadër futbolli. Pa rezerva madje. Përjashtim bën vetëm republika presidenciale e Ahmet Zogut dhe presidenca e Sali Berishës. Me këto dy raste ekstra, Presidenca, edhe është edhe nuk është vrima e gjilpërës në të cilën kanë kaluar ngjarjet më të mëdha të kombit. Presidencat e 8-të drejtuesëve të tjerë, rezultojnë të jenë ose me gjysmë pushtet ekzekutiv, ose me çerek pushtet, ose me rol honorifik.
Megjithatë themelimi i institucionit të presidentit është ai i 31 janarit 1925 kur për herë të parë që nga themelimi i shtetit Shqipëria u shpall Republikë. Po atë ditë Asambleja zgjodhi Ahmet Zogun president të asaj Republike dhe që nga ai moment mori udhë një isntitucion që kaloi përmes tallazeve. Tashmë që mbushen 100 vjet kuptojmë akoma më mirë se lundrimi i vështirë në stuhitë e ngjarjeve që kanë kapluar Shqipërinë në një shekull kanë treguar se historia nuk i mësoi askujt asgjë. As presidentëve madje. Më 1 shtator 1928, i njëjti politikan që e shpalli Shqipërinë republikë, e shpalli atë mbretëri dhe veten mbret duke e shuar presidencën. Lufta e Dytë Botërore kaloi në pesë vite që formalisht ruajtën mbretërinë dhe drejtimi i shtetit u krye me regjencë. Por një nga aktet e para të paslusftës prej komunistëve që erdhën në pushtet ishte rikthimi i Republikës. Më 11 janar 1946 Shqipëria u shpall republikë dhe nga ky moment deri në 1991 vendi funksionoi me Presidium të Kuvendit Popullor që kishte atributet e kreut të shtetit në një formë kolegjale. Presidiumi përbëhej prej 15 anëtarësh dhe kryetari ishte mbi ta, por nuk kishte asnjë rol. Ai ishte honorifik dhe formaliteti përmblidhej në hedhjen e firmave nëpër dekrete, dekorime dhe dërgime e marrje urimesh, të gjitha këto të diktuara nga partia shtet.
Vetëm pas emërimit të Ramiz Alisë në vitin 1982, roli i kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nisi të marrë dalëngadalë atributet reale të kryetarit të shtetit. Me zgjedhjen e tij në 30 prill 1991 si president i Republikës, presidenca u kthye në një institucion kushtetues. Ishte gati si një rikthim atje ku e nisi Ahmet Zogu më 31 janar 1925. E re apo e vjetër, kjo tashmë nuk ka rëndësi. Ashtu siç kam imagjinuar kryeministrat teksa kryenin punët e tyre, po bëj një paradë për të përfytyruar për të 11 presidentët. Kështu:
E imagjinoj presidentin Ahmet Zogu në vitin 1925 që jep e merr në godinën në krah të Akademisë aktuale të Shkencave, e që për fat të keq nuk është më, teksa ndërmerr transformimin më të madh të Shqipërisë që nga 28 nëntori 1912. E imagjinoj teksa ideon shtetin modern shqiptar me konceptet evropiane dhe është i qartë, i vendosur dhe i bindur se do ta arrij. E imagjinoj teksa hartonte ligje, ndërtonte infrastrukturë, mban kontakte të vazhdueshme me diplomatë të huaj dhe përzgjedh bashkëpunëtorët më të aftë, por njëkohësisht eleminon të gjithë armiqtë politikë dhe shpesh bën “prova” për ta shndërruar presidencën në mbretëri.
E imagjinoj presidentin Omer Nishani që me sa zell e mori detyrën në vitin 1946 i dalë triumfator nga lufta. Por e imagjinoj sa do jetë zhgënjyer nga ato që po bënte Hoxha dhe regjimi tij që po kosiste një e nga një bijtë e revolucionit komunist. E imagjinoj ashtu të rënë në dëshpërim pa asnjë rrugëdalje dhe i bindur se pas largimit si presidenti shte radha e tij të shpallej armik, tërhoqi këmbëzën e pistoletës drejt trupit të vet.
E imagjinoj Haxhi Lleshin në një zyrë që nuk bënte asgjë edhe pse qendroi në detyrën e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor për më shumë se 29 vjet. E imagjinoj që hidhte në shkresa firma, miratonte dekrete, shpërndante dekorata, por të gjitha këto pasi ia kishte marrë vendim partia shtet.
E imagjinoj presidentin Ramiz Alia që përpiqej të dukej sa më mirë edhe me ata që kërkonin demokraci dhe rrëzimin e komunizmit, por edhe me ithtarët e Enver Hoxhës që për të mos shkelur parimet mund të hanin vërtetë bar. E imagjinoj Ramiz Alinë, veçanërisht momentin kur i thanë se shtatorja e Hoxhës ishte rrëzuar, duke kuptuar se ai dhe sistemi komunist kishin vdekur politikisht një herë e përgjithmonë. Por me atë natyrën aspak të ashpër, në një farë menyre, ai shmangu një luftë civile. Por e imagjinoj gjithashtu edhe momentin kur pa mbushur një vit si president i Republikës dha dorëheqjen për t’i lënë udhë qeverisjes së Partisë Demokratike.
E imagjinoj presidentin Sali Berisha që gjysmën e kohës në presidencë e harxhoi për të rilindur një Shqipëri të rrëzuar për tokë nga uraganet e ndërrimit të sistemeve. Por në marsin e vitit 1997 vendin edhe më keq se në vitin 1992. Shteti ra dhe ky është rasti i parë në historinë e Shqipërisë po se po, por edhe të botës. E imagjinoj Berishën, në fakt kam qenë dëshmitar, që në kulmin e kësaj situate u zgjodh president për një mandat të dytë dhe teksa 10 muaj më pas dha dorëheqjen nën breshëritë e armëve drejt qiellit, u shpreh se do kthehej një ditë në pushtet dhe kjo ndodhi vetëm 4 vjet më pas.
E imagjinoj Rexhep Meidanin që në Shqipërinë e pas vitit 1997 jep e merr me atë qetësinë e tij dhe duket sikur nuk i dalin saktë llogaritë si në fizikë.
E imagjinoj presidentin Alfred Moisiun që jep e merr mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, dy dinosaurët e politikës. E megjithatë ai diti t’i përballonte me dinjitet urganet nga të dy krahët..
E imagjinoj Presidentin Bamir Topi, një djalë “tirons” që në pesë vite në presidencë tregoi shpirtin e familjes dhe qytetit nga rridhte dhe që me qetësinë e tij nuk ndezi asnjë fitil zjarri në disa situata delikate për vendin.
E imagjinoj presidentin Bujar Nishani që sa vështirë e ka patur të punonte edhe me Sali Berishën që e zgjodhi në krye të shtetit, por edhe me Edi Ramën që erdhi në pushtet si kryeministër, por që ruajti një presidencë të pastër, të ndershme si vetë karakteri dhe jeta e tij.
E imagjinoj presidentin Ilir Meta që i zënë si në çark u detyrua të bëhej president, të dilte nga vetja dhe të bënte dhjetra beteja me supermazhorancën socialiste, por edhe përballej me dy komisione parlamentare për shkarkimin nga detyra. Tallazet dhe uraganët gjatë asaj kohe nuk kanë të krahasuar me asnjë presidencë tjetër.
Presidentin Bajram Begaj nuk e imagjinoj, por e kam para syve. Presidenca shqiptare kurrë nuk ka qenë kaq e heshtur dhe e qetë që nga themelimi i saj. Qw kur u zgjodh, e në vijim ai ka sjellë vetëm qetësi. Ndoshta ndoshta një model se si duhet të jetë institucioni më i lartë i shtetit. Dhe që ne duhet të mësohemi.
E sigurtë është se të 11 presidentët kanë hyrë në godinën e kreut të shtetit të lumtur që u zgjodhën për ta kryer atë detyrë. Por e rëndësishme është nëse ata kanë dalë nga dera po aq të lumtur kur e lanë atë detyrë. Historia e tyre na ka treguar se sa e vështirë është të jesh presidenti i Shqipërisë. Me, apo pa kompetenca, ajo është një detyrë që vazhdon të ndjekë rregullin e John Kennedy-t që nisi si një ëndërr e mamasë që ta ketë të birin president, por pa qenë politikan. Në këtë pikë, Shqipëria nuk ndryshon nga Amerika. Uroj që librin tim ta lexoni dhe ta pëlqeni!