Flamuri i Bratilës në Deçiq: Një Kujtesë që akuzon.
Nga Frank Shkreli


Në pranverën e vitit 1911, shpërtheu një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare të shqiptarëve. Kryengritja e Malësisë së Madhe — një akt i guximit dhe i vetëdijes kombëtare që paralajmëroi pavarësinë e Shqipërisë, një vit më vonë.
115 vjet më parë filloi kryengritja e Malësisë së Madhe (me 23 mars 1911) e që kulmoi me ngritjen e Flamurit në Bratilë të Deçiqit nga Heroi Ded Gjon Luli me malësorë. Në krye të kësaj lëvizjeje qëndronte figura legjendare e Dedë Gjon Lulit — Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për Dedë Gjon Lulin | Gazeta Telegraf — i cili me malësorët e vet sfidoi drejtpërdrejt Perandorinë Osmane. Në një kohë kur perandoria osmane përpiqej të mbante me forcë, territoret e saj në Ballkan, malësorët shqiptarë vendosën të mos presin më.
Kjo nuk ishte, thjesht, një kryengritje vendore ose krahinore me karakteristikat e një përballjeje të hapur me pushtetin osman, por ishte një shpallje e hapur e dëshirës shekullore të Kombit shqiptar për liri dhe identitet kombëtar. Kulmi i kësaj kryengritjeje u arrit më 6 prill 1911, kur në Bratilë, mbi malin e Deçiqit, u ngrit Flamuri Kombëtar i shqiptarëve — për herë të parë që nga koha e të Përgjithmonshmit të Kombit, Gjergj Kastriotit-Skenerbe — pas pesë shekujsh pushtimi të dhunëshëm osman. Ky akt simbolik, i udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, ishte një paralajmërim, një sfidë e hapur ndaj sundimit të huaj dhe një mesazh i qartë për Evropën, mjaft ishte mjaft: shqiptarët ishin gati për shtetin e tyre.
Kryengritja e Malësisë së Madhe nuk ishte vetëm një përplasje me armë; ajo ishte edhe një projekt politik i artikuluar më vonë me Memorandumin e Greçës, me të cilin u kërkua autonomi dhe drejta të tjera kombëtare për shqiptarët në përgjithësi. Ajo ishte një revoltë që i dha hov lëvizjeve të tjera anë e mbanë trojeve shqiptare kundër osmanëve duke përgatitur, si asnjë herë më parë terrenin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 28-Nëntorin e vitit 1912 në Vlorë. Sot,115 vjet më vonë, ajo kryengritje mbetet një kujtesë e fuqishme se liria nuk dhurohet – por ajo fitohet me luftë, sakrificë, me vizion dhe me bashkim. Por mbi të gjitha, Kryengritja e Malësisë mbetet një testament i shpirtit të pathyeshëm të malësorit shqiptar, që në momentet vendimtare të historisë, ka ditur të ngrejë, jo vetëm armën për tu mbrojtur nga armiqët shekullorë, por edhe Flamurin e Kombit, pas 5-shekujsh robërie. Kryengritja e Malësisë së Madhe — ishte një akt i organizuar rezistence që i parapriu dhe i dha frymë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në një kohë kur Perandoria Osmane përpiqej të mbante me forcë territoret e saj në Ballkan. Por malësorët shqiptarë ia prishën Sulltanit, duke vendosur, të bashkuar, të mos presin më. Kësaj kryengritjeje i qëndronte në krye figura emblematike e Dedë Gjo Luli, prijësi i Hotit, i cili bashkoi fiset e Malësisë së Madhe në një lëvizje të rrallë uniteti e vendosmërie, për shqiptarët. Ky bashkim nuk ishte i rastësisht, por ishte produkt i një vetëdijeje të re kombëtare, që kishte filluar të merrte formë në fund të shekullit XIX dhe që tashmë kërkonte shprehje konkrete politike dhe ushtarake.
Kryengritja shpërtheu në mars të vitit 1911 dhe mori shpejt përmasa të gjëra, përballë një armiku shumë më të madh në numër dhe në mjete luftarake, por malësorët luftuan me një vendosmëri që habiti jo vetëm Stambollën, por edhe kancelaritë e mëdha evropiane. Malësorët, nuk kërkonin privilegje të vogla apo lëshime të përkohëshme. Jo! Ata kërkonin dinjitet, autonomi dhe njohje si komb.
Por, njëkohsisht, duhet të jemi të drejtë dhe të sinqertë në interpretim të rolit të pazëvendsueshëm të ballafaqimit të malësorëve me perandorinë Otomane, se ajo kryengritje nuk ishte vetëm vepër e pushkës. Se ajo kryengritje u mbështet dhe u artikulua nga mendje kombëtare të ndritura të kohës. Luigj Gurakuqi i dha asaj një zë politik, duke qenë ndër hartuesit kryesorë të Memorandumit të Greçës — dokument drejtuar Perandorisë turke dhe Fuqive të mëdha evropiane, dokument që përmblodhi kërkesat e pothuaj të gjithë shqiptarëve për autonomi, të drejtën gjuhësore dhe përfaqësim politik. Gurakuqi, shërbeu si urë-lidhëse mes luftës në terren të malësorëve dhe diplomacisë evropiane, duke e kthyer kryengritjen e malësorëve në një çështje të artikuluar politike, me qëllim të ndërkombtarizimit të çeshtjes shqiptare dhe pavarësisë së Shqipërisë. Me besimin se “diplomacia dhe lufta shkojnë dorë për dorë”, siç citohet të ketë thënë ish-presidenti amerikan, Theodore Roosevelt-i. Në të njëjtën kohë, edhe Ismail Qemali i ka dhënë kësaj lëvizjeje dimension ndërkombëtar. Nga qendrat evropiane, ai punoi për ta paraqitur kryengritjen e malësorëve si shprehje të një kombi që kërkonte të drejtat e veta, duke tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha, në përgatitje të terrenit politik për aktin e madh të vitit 1912 në Vlorë. Ndërsa Ernest Koliqi që i përket një brezi më të vonshëm — ndonëse nuk kishte rol të drejtpërdrejtë në ngjarjet e vitit 1911, kontributi i tij qëndron në ruajtjen dhe përpunimin e kësaj trashëgimie më vonë, e deri në ditët e sotëme, të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Përmes letërsisë dhe arsimit, ai dhe të tjerë intelektuaaë shqiptarë ndihmuan që fryma e Kryengritjes së Malësisë së Madhe e vitit 1911, të mos mbetej vetëm histori, por të bëhej pjesë e identitetit kulturor, jo vetëm të malësorëve, por mbarë shqiptarisë.
Siç dihet, kulmi historik i kësaj lëvizjeje u arrit më 6 prill 1911, në Bratilë, mbi Malin e Deçiqit, ku Dedë Gjon Luli ngriti Flamurin kombëtar të shqiptarve, simbolin e identitetit dhe të qëndresës së tyre gjatë gjithë historisë. Ky akt kishte një peshë të jashtëzakonshme historike: për herë të parë pas pesë shekujsh sundimi otoman, Flamuri i Kastriotëve po valëvitej sërish në tokën shqiptare, jo si kujtim i së kaluarës, por si premtim për të ardhmen. Ky moment nuk ishte thjesht simbolik. Ai ishte, njëkohësisht, edhe një deklaratë politike e hapur: shqiptarët nuk ishin më një popull i shpërndarë pa zë, por një Komb që kërkonte vendin e vet në hartën e Evropës. Në vazhdën e kësaj kryengritjeje ishte edhe Memorandumi i Greçës, një dokument i rëndësishëm që artikulonte qartë kërkesat e shqiptarëve për autonomi, përdorimin e gjuhës shqipe në administratë e arsim, si dhe të drejta të tjera themelore, mohuar shqiptarëve në Ballkan, me shekuj nga Perandoria osmane.
Megjithatë, rëndësia e Kryengritjes së Malësisë së Madhe nuk qëndron vetëm në fitoret e saj të drejtpërdrejta apo në aktet e mëvonshme heroike që prodhoi. Por ishte me rëndësi, për faktin se, ajo ishte shkëndia që ndezi një proces më të gjerë kombëtar. Fryma e saj u përhap në vise të tjera shqiptare, duke përgatitur terrenin për kryengritjet e viteve 1912 dhe, përfundimisht, për shpalljen historike të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, me 28 Nëntor, 1912.
Kryengritja e Malësisë së Madhe,1911: Liria që u fitua, por edhe ideali i saj që me kohë u zbeh ndër shqiptarë, jo vetëm gjatë periudhës së komunizmit, por edhe në ditët tona. Prandaj,kur kujtojmë këtë ngjarje historike, nuk mund të mos reflektojmë mbi kontrastin mes asaj kohe dhe realitetit të sotëm shqiptar. Malësorët e vitit 1911, pa shtet, pa mbështetje ndërkombëtare të garantuar, por me një ndjenjë të fortë përgjegjësie kombëtare, arritën të bëjnë histori. Ata nuk ishin të përkryer, por kishin një cilësi që shpesh mungon sot: bashkimin rreth një qëllimi madhor kombëtar.
Pse Flamuri i Ded Gjo’ Lulit është një kujtesë që na akuzon edhe sot, 115-vjet më vonë? Se, Kryengritja e Malësisë së Madhe duhej të mbetej një mësim i hapur për brezat. Duke u kujtuar shqiptarëve se liria dhe shteti nuk janë produkte të rastësisë, por të sakrificës, të organizimit, bashkimit të shqiptarëve dhe të vizionit të përbashkët për të ardhmen. Ajo kryengritje sfidon sot shqiptarët me pyetjen: a janë shqiptarët si komb sot — politikisht, kombëtarisht dhe si klasë politike që i prinë Kombit në shekullin XXI — në lartësinë e trashëgimisë që kanë lënë pas ata burra, por edhe gra malësore?
Sot, pra në një kohë kur shpesh dominojnë përçarjet, konfliktet, interesat e ngushta dhe harresa historike, kujtesa e vitit 1911 duhet të shërbejë si thirrje për reflektim dhe përgjegjësi kombëtare. Sepse flamuri që u ngrit në Bratilë të Deçiqit nuk ishte vetëm një copë pëlhurë — por ishte edhe një betim kombëtar. Një betim që brezat pasues të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të veta iliro-arbërore, nuk kanë të drejtë morale as kombëtare ta harrojnë, sot as kurrë. Se kryengritja e vitit 1911 dëshmoi se kur bashkohen sakrifica, mendimi politik dhe vizioni shtetformues, historia merr drejtim. Ajo nuk ishte një episod i izoluar, por një hallkë kyçe në zinxhirin e ngjarjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Sot, 115 vjet më pas, kjo kryengritje mbetet një pasqyrë sfiduese për realitetin shqiptar. Ajo na kujton se liria dhe shteti nuk janë të përjetshme nëse nuk mbrohen me të njëjtin përkushtim me të cilin u fitua. Kryengritja e malësorve duhet tu kujtojë sot shqiptarëve, gjithashtu, se uniteti kombëtar, përgjegjësia e elitave politike dhe intelektuale si dhe vetëdija historike janë po aq të domosdoshme sot, po aq sa ishin edhe në vitin 1911. Flamuri që u ngrit në maje të Deçiqit nga malësorët, me në krye Heroin kombëtar, Ded Gjon Lulin, nuk ishte, pra, vetëm një simbol i një fitoreje të përkohshme. Ai ishte edhe një betim për të ardhmen — një betim që vazhdon t’i thërrasë edhe sot shqiptarët anë e mbanë trojeve të tyre iliro-arbërore — për një zgjim të ndërgjegjes kombëtare.
Frank Shkreli

Krerët e Malësisë së Madhe më 191
… Burra le për çark t’martinës,
Fjalën, fjalë besën çelikut,
ballë për ballë e jo mbas shpinet,
mësy me i ra në luftë anmikut…

Disa vargje lapidare të Poetit Kombëtar shqiptar, At Gjergj Fishtës:
“Të shtatë krajlat çue janë në kambë,
kah ka ra medet kjo gjamë,
N’atë Malësi, n’atë Rapshë të Hotit,
Ded Gjo’ Luli burrë si motit,
Me i çetë lekë, bisha shkorretit,
Ka nisë pushkën me asqer të mbretit
…
Se me sodit emni i Zotit,
Ç’ka jem nipa t’Gjergj Kustriotit,
e shqiptarë që i thom na vetit,
Ma duva nuk i bajmë mbretit…”
Nga Lahuta e Malësisë e Lapidarit të Kombit, Gjergj Fishta