

Vatra Queens/
Në një atmosferë tejet konstruktive e miqësore dhe me pjesëmarrjen e mjaft anëtarëve, aktivistëve dhe profesionistëve të rinj të komunitetit shqiptaro-amerikan, dega e Vatrës në Queens shënoi 12-vjetorin e saj me një event të veçantë. Ky përvjetor nuk ishte vetëm një reflektim mbi rrugëtimin e deritanishëm, por edhe një diskutim i gjerë për veprim dhe angazhim më të madh për të ardhmen e shqiptarëve në diasporë dhe në trojet etnike.
Kryetari i degës, Dr. Skënder Murtezani bëri në hapje të takimit me një përmbledhje kronologjike të arritjeve të deritanishme të degës dhe shpalosi vizionin për të ardhmen, duke e vënë theksin te hapja e degës dhe te përfshirja e sa më shumë profesionistëve të rinj. Një nga çështjet më të ndjeshme që u trajtua ishte largimi masiv nga atdheu, një fenomen që po prek drejtpërdrejt strukturën demografike të trojeve shqiptare. Ai theksoi se ka ardhur koha që Vatra të kalojë nga observimi i problemit në aksion konkret, duke u angazhuar më fuqishëm për të krijuar mundësi kthimi dhe sensibilizm të gjerë për këtë fenomen.
Një hap kyç në këtë drejtim është krijimi i një rrjeti informativ mbi shqiptarët në SHBA që kanë mundësinë dhe eksperiencën për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Ballkan. Duke mbështetur dhe orientuar investime të reja, synohet që të krijohen kushte më të favorshme për ata që duan të ndërtojnë një të ardhme në atdhe.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte angazhimi politik dhe diplomatik i degës. Dr. Murtezani vuri në dukje se tashmë janë krijuar kontakte me senatorë, kongresmenë dhe përfaqësues lokalë, ndërsa theksoi nevojën për t’iu përshtatur stilit dhe metodave të reja të administratës aktuale. Ai shtoi se është e domosdoshme që Vatra të jetë gjithmonë aktive në arenën e aktivizmit politik dhe të mbrojë me urtësi interesat e shqiptarëve.
Zonja Nevila Dudaj, një aktiviste dhe sipërmarrëse e suksesshme, paraqiti iniciativën e saj për krijimin e një faqeje zyrtare të degës, një platformë që do të shërbejë për informim dhe koordinim të aktiviteteve të komunitetit. Aktiviteti i parë që do të organizohet përmes kësaj platforme do të jetë peticioni mbarëshqiptar për riatdhesimin e Dr. Fan Noli, një figurë madhore e historisë sonë kombëtare.
Në vijim, zonja Lume Hadri-Devine ndau me të pranishmit përvojën e saj të pasur në lobimin për çështjet shqiptare. Ajo ndau shembuj konkretë të suksesit në të kaluarën dhe theksoi se bashkërendimi i përpjekjeve është çelësi për të arritur rezultate të prekshme. Ajo ngriti dhe çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Lugine të Preshevës, një spastrim etnik i heshtur që ka ndërmarrë administrativisht qeveria serbe, duke sugjeruar që Vatra Queens ta trajtojë këtë çështje kritike si pjesë të agjendës së saj publike.
Eventi u mbajt në restorantin prestigjioz Club A Steakhouse në Manhattan, në pronësi të aktivistit të shquar Bruno Selimaj. Ky përvjetor shënoi jo vetëm një moment reflektimi mbi të kaluarën, por edhe një angazhim të fortë për të ardhmen dhe Vatra Queens, e cila, në vazhdën e traditës historike të Federatës Vatrës, do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave kombëtare dhe një urë lidhëse mes shqiptarëve kudo që ndodhen.