-Presidenti Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar. Derisa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi/
Nga Behlul JASHARI-
PRISHTINË, 8 Korrik 2020-Gazeta Dielli- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi sot se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Duke njoftuar këtë në mbrëmjen e sotme Presidenti Thaçi shkruan:
“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,
Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.
Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.
Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën!”.
Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli.
“Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.