
QSPA/
130 vjet më parë, në fillimgusht të vitit 1896 nisi botimin në Koriliano Kalabro, revista “Ili i Arbëreshvet” (“La Stella degli Albanesi”), një periodik italo-arbëresh me karakter kulturor, shoqëror, letrar, folklorik dhe gjuhësor. Revista drejtohej nga arbëreshi Antonio Argondica (Antonio Argondizza) dhe botohej kryesisht në gjuhën italiane, me pjesë edhe në arbërisht.
Edhe pse pati një jetë të shkurtër, duke u botuar vetëm në katër numra deri më 4 shkurt 1897, revista zë një vend të rëndësishëm në historinë e shtypit arbëresh. Pas një ndërprerjeje disa vjeçare të botimeve periodike në ngulimet arbëreshe, ajo u shndërrua në një tribunë të ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar të arbëreshëve të Italisë.
Në numrin e parë, përmes programit editorial “Ai lettori Albanesi” (“Për lexuesit shqiptarë”), Antonio Argondica e përshkruante revistën si një “pëllumb lajmëtar”, simbol i paqes dhe i bashkimit shpirtëror të shqiptarëve, duke theksuar njëkohësisht besnikërinë ndaj shtetit italian dhe lidhjen e pandërprerë me origjinën shqiptare.
“Ili i Arbëreshvet” u botua në zbatim të vendimeve të Kongresit të Parë Gjuhësor Shqiptar, mbajtur në Koriliano Kalabro në vitin 1895 nën kryesinë e Jeronim De Radës. Revista pasqyroi gjerësisht punimet dhe vendimet e këtij kongresi, veçanërisht çështjet që lidhen me Alfabetin e Korilianos, një përpjekje e rëndësishme për standardizimin e shkrimit të arbërishtes, alfabet që u përdor më pas në botime letrare, tekste mësimore dhe periodikë arbëreshë.
Burimi: Hamit Boriçi, Jolanda Lila, “Histori e shtypit arbëresh, nga zanafilla deri në ditët e sotme”, monografi, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Tiranë, 2024.