Me 8 Korrik 2006 u shua në Napoli-Itali, Pjetër Arbnori, një nga legejndat e qëndresës antikomuniste shqiptare,shkrimtari, krijimtaria letrare e të cilit mbijetoi falë vullnetit dhe pasionit. Sot, në përkujtim të jetës dhe veprës të Arbnorit e kujtojmë si intelektual antikomunist, si shkrimtar, përkthyes, si ish kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet, por mbi të gjitha si NJERI.
Pat lindur më 18 Janar 1935 në Durrës.Kishte përfunduar studimet e larta në fakultetin e Filologjisë. U arrestua me 27 maj 1961. Fillimisht u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me pushkatim. 64 ditë qëndroi në qelinë ku mbaheshin të izoluar të dënuarit me vdekje; me 13 tetor 1962 iu fal jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, duke iu dhënë dënimi përfundimtar 25 vjet heqje lirie.Gjatë kryerjes së dënimit iu shtuan dhe 10 vjet të tjera. Kreu 28 vjet burg; u lirua në gusht 1989. Ishte pjesë e demonstratës antikomuniste të Shkodrës të 14 Janarit 1990. U zgjodh Kryetar i Partisë Demokratike të Shkodrës. Në zgjedhjet pluraliste të 31 marsit 1991 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Nga 6 prilli 1992 deri 24 korrik 1997, ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Pjetër Arbnori ishte vlerësuar me urdhëra, medalje e tituj të shumtë. Ai ishte «Oficer i Madh i Urdhërit të Plejadës» të Asamblesë së vendeve frëngjishtfolëse, ishte i përfshirë në fjalorin «Who’s Who» të intelektualëve, hartuar nga Insituti Biografik i Kembrixhit, si dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar.Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me urdhërin”Nder i Kombit” (pas vdekjes) me 28 nëntor 1911 me motivacionin: «Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar».
Për t’u futur në thelb të krijimtarisë të shkrimtarit Arbnorin, risjellim studimin e Profesorit Italian Giuseppe Gradilone të Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit”La Sapienza” të Romës me titull” Pjetër Arbnori-Shkrimtar,” botuar në të gjallë të shkrimtarit Arbnori.
***
PJETËR ARBNORI PËRBALLË KADARESË: LUFTA PËR LIRI E ÇOI TEK LETËRSIA, JO E KUNDËRTA
Përsiatje rreth studimit të Prof. Giuseppe Gradilione”Pjetër Arbnori-Shkrimtari”, si homazh për shkrimtarin në 84 vjetorin e Lindjes
Nga Dalip GRECA/ Dielli
Ka kohë që përmes mikut tim Anton Çefa, poetit, stdiuesit dhe ish Kryeredaktorit të Gazetës “Dielli” mora librin e Profesorit Giuseppe Gradilone të Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit”La Sapienza” të Romës-Pjetër Arbnori-Shkrimtar, botuar në të gjallë të shkrimtarit Arbnori.
Libri i përkthyer nga i ndjeri Daniel Gazulli me parathënie të shkrimtarit Lazer Stani, botuar nga Enti Botues ”Gjergj Fishta”.
Profesor Gradilone sjell një studim serioz dhe të thelluar për veprën e shkrimtarit që e krijoji veprën e tij në kushtet e mungesës së lirisë, duke u ndalë në anilizën artistike të çdo vepre dhe rrethanat kuu u shkruan.
Që në krye të studimit të veprës të Pjetër Arbnorit profesor Gradilone nxjerr përfundimin se shkrimtari nuk ka pasë mëdyshje në luftën e tij kundër diktaturës komuniste,njeriu dhe shkrimttari Arbnori e ka pranuar me vetëdije përballjen dhe dyluftimin. Natyrisht që i ka marrë në sy pasojat e rrezikshme për jetën dhe i ka hedhur dorashkën regjimit antiliri.
Përfundimi i dytë i studiuesit për veprën e Arbnorit dhe kushtet ku dhe kur u krijua, që si renditje mund të ishte i pari, është: Kërkimi i lirisë dhe përballja me mungesën e saj, e çoi tek Letërsia. Duke e përballë Arbnorin me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, studiuesi arrin në përfundimin logjik se intenerari i rrugëtimit drejt letërsisë për të dy,- është jo në të njëtën kahje. Citoj: Në se intenerari i tregimtarit të madh Ismail Kadare-citimi është i detyrueshëm për përmasat e tij si shkrimtar- ka qenë nga Letërsia tek Liria (Ka qenë Letërsia që më udhëhoqi drejt lirisë. Nuk njihja liri kur fillova të shkruaja, ka shkruar Ismail Kadare në bisedë me Erik Faye.)…Pjetër Arbnori ka ndjekur rrugën e kundërt: Ka qenë lufta për liri ajo që e çoi tek Letërsia, ajo që e frymëzoi dhe i dha kuptim;një koherencë shembullore njerëzore dhe artistike ajo e tij.
Njeriut Pjetër Arbnori ia mohuan lirinë duke e burgosur në moshën 26 vjeçare (1961), e tronditën duke e dënuar fillimisht me vdekje, e kthyen më pas në 25 vjet burg, dhe kur kishte kryer 18 vjet burg, e trondisin sërish duke i dhënë 10 vjet plus se kishte shkelë kufijtë e lirisë, kishte guxuar të shkruante në studion-burg, (që ishte katërcipërisht e ndryshme nga studio Kadare) romanin “Shtëpia e mbetur përgjysëm”. Studio ku krijoi imagjinata dhe fantazia e Pjetër Arbnorit për 28 vite ishte në kushtet e mjerushme, në errësirën qelive dhe burgut, por pikërisht ajo lloj lerësie shpëtoi njeriun Arbnori. Në atë lloj laboratori shkrimtari krijoi korpusin e veprës së tij, që u botua pas rrëzimit të komunizmit, si një vepër që sillte shpirtin e paepur nga zgafellat e Burrelit.
Realiteti tragjik i krijuar nga diktatura komuniste e çoi pjetër Arbnorin në krijimin e romanit të parë të tij ”E bardha dhe e zeza”, e cila është shkruar në vitin 1964, viti i tretë pasi e kishin mbyllur në burgun famkeq. Iu desh që ta maskonte romanin nën një emër tjetër dhe se ai ishte vetëm përkthyesi.Romani ka si motiv luftën kundër racizmit. Paralelizmi mes racizmit në Afrikën e Jugut nuk ka shumë dallim nga realiteti shqiptar. Citojmë nga përcjellja që i bën vetë autori Pjetër Arbnori librit ”E bardha dhe e zeza” botuar më 1996: Në Afrikën e Jugut ndodhi një masakër më 1960, ku u vranë zezakë pa dallim.Në Shqipëri kanë ndodhë disa Shapërvile, që nga Postriba në 1946, deri tek revolta e të burgosurve të Spaçit në 1973. Këtë jam përpjekur ta pasqyroj në romanin tim që keni para duarsh, ku emrin tim e kam maskuar me një autor të paqenë që shtjellon ngjarjet në një vend të largët, por që nga fati ishte i afërt me Shqipërinë.”
Arbnori ka stilin e tij të veçantë të të shkruarit, ku shquhet densiteti i mendimit në fjali me strukturë të veçantë sintaksore. Studiuesi arrin në mendimin se fundi i masakrës është përshkruar me një dendsi të rrallë, veti dalluese kjo e stilit të tij, me tri fjali të bashkërendituara pa lidhëza e në një progresion numerik të viktimave: Të vrarët ishin të shumtë, të plagosurit edhe më të shumtë, të arrestuarit pa numër”- “E bardha dhe e zeza”.
Dy novelat e Arbnorit”Vdekja e Gëbelsit” shkruar më 1972 dhe “E panjohura” e shkruar më 1975, studiuesi Gradilione i konsideron si akt-padi kundër diktaturës. Novela”E panjohura” ka në qendër të subjektit historinë e një gruaje të re që ndiqet nga Sigurimi i Shtetit komunist. Ema, kështu quhet gruaja, e vënë në qendër të novelës, është prurësja e një letre që ia ka besuar një autor i shquar, i dhënë pas saj që ndiqej prej Sigurimit. Gradilone veçon stilin e rrëfimit të autorit, që përmes letrës organizon shtjellën e gjithë novelës. Rrëfimi shquhet për zbërthimin e karakterit psikologjik të vajzës, për të sjellë më pas tronditjen nga skenat çnjerëzore të persekutimit të saj. Studiuesi arrinë në përfundimin se detajet e dramës së Emës janë përshkruar mjeshtërisht me artin e përkorë të autorit. Citojmë nga novela:
Zhvisheni!-bërtiti ai, aq befas dhe egër, sa vajza e re kryqzoi duart në krahëror e u mbështet për muri, e trembur për të parën herë prej tyre… e më tej: “Njëra grua u mor me kontrollin e imtë të rrobave, tjetra i kontrolloi birat e veshit, gojën, fijet e hundës, ia zhdrivilloi flokët e artë fije-fije, vrejti nën sqetulla, i preku dy gjinjtë e fortë, e bëri të hapte mbarë e prapë shuplakat e duarve, shojet e këmbëve, dhe gishtat, pastaj e urdhëroi të hapte shalët në një pozicion të turpshëm.Vajzës i rrodhën gjatë kurrizit dy-tri pika djerse akull e dëborë dhe kundërshtoi për të parën herë duke u përqethur shtatit. Por me bashkëpunëtoren e Sigurimit nuk bëhej shaka. Ajo ia përdrodhi dorën si pulës dhe kontrolloi me dorën tjetër para mbrapa sa deshi….
E veçantë në korpusin e veprës së Arbnorit është novela”Vdekja e Gëbelsit”, ku qeni trajtohet si qenie njerëzore, sa ta drithëron shpirtin. Të burgosurit kishin harruar të gëzoheshin, të qeshnin, dhe sjellja ilegale e qenit dukej se ndryshoi jetën e tyre. Shkrimtari Arbnori e përshkruar kështu gjendjen e krijuar mes të burgosurëve me këtë mysafir të rrallë(vini re përshkrimin fizik të burgosurëve): Grumbuj-grumbuj erdhën njerëzit te krevati i të dënuarit…Gjithë ato fytyra të rreshkuara, me rrudha të thella,me kocka të dala, me sy të groposur, sa shikonin qenin e vogël në mes të batanijes, zbuteshin, qeshnin e zgjateshin nga qenia e vogël që kishte qejf t’i mbante sytë mbyllur e që çdo gisht që iafrohej te goja e pandehte si thithën e gjirit të së sëmës. Ata njerëz të lodhur dukeshin tashti si fëmijëa që mblidhen rreth një lodre që do t’ju sjell gëzim e zbavitje…
Studiuesi ka vënë re ecurinë e subjektit sipas gjendjes që kalonte qenushi i vogël ”Gëbelsi” se si përcillte torturat e të burgosurëve prej xhelatëve të burgut, se si sulej përmes televe me gjemba duke marrë plagë nga telat që i nguleshin në trup, e deri në fundin e tij heroik përballë xhelatit. Ja si e përshkruan Pjetër Arbnori fundin e krijesës së vet:” Gëbelsi i vogël s’u rrëzua as dhe një herë, nuk lëshoi asnjë britmë vajtimi a frike gjatë torturës. Vetëm tashmë reagonte, jo aq shpejt, hunguronte më kërcënushëm, por më rrallë dhe mezi merrte frymë. Hasan Dida që s’e priste një qëndresë të tillë, ishte zbehur e përçudnuar më keq se qeni dhe vetëm turpi e mbante në këmbë, kaq ishte këputur. Herën e fundit kur i mëshoi hurit, qeni ia shtërngoi aq fort me dhëmbë sa i rrëshqiti këmba e qe duke rënë. Dikush qeshi. Ai u ngrit, tërhoqi hurin e mezi ia shkuli goje. Dhe kur u përgatit që t’i jepte goditjen tjetër, qeni vari kryet dhe frymën e mbrame. Trupi i mbeti si në fillim, në pozicion mbrojtjeje, ulur në bisht, mbështetur drejt në dy këmbët e para si statuja”Vdekja e Centaurit” të Antuan Burdel…
Për studiuesin Giuseppe Gradilone, qeni ngrihet si symbol i rezistencës të paepur të një populli të tërë. Një nga novelat e arrira të Pjetër Arbnorit është ajo me titull” Kur dynden Vikingët”. I gjithë subjekti është ngritur mbi metaforën e dhimbjes dhe përshkohet nga ideja: Diktaturat të gjithë kanë një emërues të përbashkët, Vikingët e djeshëm janë të njëllojtë me ata të sotmit.
Për studiusin vjen logjik konstatimi se shtjella e novelës zhvillohet mes intrigash që të ngrijnë gjakun, duke shkelur drejtësi, e të vërtetë, duke trazuar pafajsinë, dënojnë duke i mbyllë në çmendinë ata që i denocojnë (rasti i Elenës) apo në kampe përqëndrimi (rasti i Karlit) duke shkelur çdo të drejtë njerëzore (rasti i të paprekshimt Vikingu i madh, avokatit von Shvajcer).
Ndiqeni rrëfimin e trishtë , të hidhur dhe të pafuqishëm të Karlit: Më se njëmijë e pesëqind anëtarë me përgjegjësi të reparteve të sulmit, bashkë me shefin e tyre të shtabit, ministrin Rem, u vranë pa gjyq. Edhe trajtimi mizor që u bëhej çifutëve nuk më pëlqente, por nuk isha i zoti të gjykoja mbi vlerat e argumenteve që paraqiste kundër tyre Fyhreri ynë. Thashë se përpiqesha të mos vija re ç’bëhej rrotull meje, por edhe padashur njeriu vëren.
Në përgjithësi subjektet e veparve të Pjetër Arbnorit përshtateshin me studion e tij burg, subjekte të ashpra, por kishte dhe raste të daljes jasht studios së errët të burgut, kur imagjnata ç’burgosej dhe merrte arratinë përtej burgut. E kësaj natyrë është novela ”Bukuroshja me hijen-idil nga plazhi”, e shkruar në vitin 1974 dhe e botuar më 1994 në Tiranë. Studiuesi Gradilone konstaton se dëshira për t’u arratisur drejt hapsirave të paanë të detit është shenjë e kujtesës dhe pritjes, por sidomos e ruajtjes të pacënuar të ndjenjës së përjetshme të dashurisë. Po në ç’kushte u krijua kjo novelë? Ndiqeni rrëfimin e Pjetër Arbnorit:” megjithëse e kam shkruar shtrirë mbi çimenton e birucës në grevë urie, besoj se më ka dalë një tregim dashurie i këndshëm, shumë njerëzor.”
Vepra që i ka kushtuar më shumë kohë dhe mund shkrimtarit Pjetër Arbnori është”Muzgujt e Mesjetës”. Nëpër roman lëvizin ngjarje tronditëse, përshkruhen Aventura të protagonistit Mark Topia.
Për studiuesin e Arbnorit, boshti qëndror i romanit është egzaltimi i lirisë e i rezistencës së popullit shqiptar ndaj çdo sundimi të jashtëm e të brendshëm përmes ngjarjesh të stuhishme të historisë së tij… Personazhi i Mark Topisë, forca centrifugale rreth së cilës sillen gjithë të tjerët, secili fiksuar në një personalitet njerëzor të vetin, të gjallë e të spikatur, mbrojtja me xhelozi dhe egzaltim i vlerave tradicionale, ajo ç’ka i bën ato të qëndrushme e kompakte në gjithçka, vlera që gjithësesi nuk përjashtojnë hapjen ndaj së resë, dënimi haptaz i vetëizolimit që Shqipëria e vuajti gjysëm shekulli.
Dy romanet e Arbnorit më me vlerë për studiuesin Italian Gradilone janë “Shtëpia e mbetur përgjysëm”- e mbruar së shkruari në mars 1969, dhe “Vorbulla”-shkruar në burg që nga 1 dhjetori 1971 deri në 18 shkurt 1972, që u botuan të dy më 1997. Shtëpia e mbetur përgjysëm” është një roman kujtesë, po ashtu edhe romani Vorbulla, ku ngjarjet janë vendosë në Shkodrën e pas Lidhjes së Prizrenit.
Vepra e Pjetër Arbnorit, ashtu si e shumë shkrimtarëve e poetëve të dënuar nga diktatura, apelon dhe kërkon më shuëm vlerësim dhe më shuëm vëmendje nga studiuesit dhe kritika e munguar shqiptare.