
Nga Dalip GRECA*
Dr. Fuad Myftia, shkodrani që udhëhoqi legalistët në mërgim për 3 dekada.
Rrëfimi: Fashistët italianë e arrestuan në Shkodër, udhëtimi nën pranga deri në Prizren, si mundi të kthehej në Durrës pa shkuar në kampet e internimit në Itali; rrugëtimi nga Tivari në Brindizi; si i takoi krerët e mërgatës në kampin e rrethuar me tela me gjemba të Grumos e të Santa Farës; përplasjet mes legalistëve dhe ballistëve; takimi me Mbretin në Kajro; diplomimi në Firence; jeta në kampin e Lavros në Greqi; dasma e sponsorizuar nga shokët; si depërtoi i dërguari i Sigurimit në radhët e legalistëve, si ia ndërpreu Fuadi të dhënat Cufe Mullajt, që arriti të zgjidhej në krye të degës së Belgjikës dhe anëtar i Komitetit Qendror të Organizatës Legaliste; takimi i Madridit; kush ishin ata që kishin gëlltitur “supën” e Beogradit dhe si u zbuluan më vonë në aktivitetin antilegalist; përplasjet brenda partisë, kthimi në Shqipëri pas shembjes së komunizmit, kongresi i 13-të në Tiranë dhe “çorba” e Guro Durollarit…Kthimi i dekoratës presidentit… Këto e të tjera do të zbulojë dossieri që ka në qendër ish Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës “Lëvizja e Legalitetit”, Dr. Fuad Myftia dhe babanë e tij, Haxhi Salih Myftia… ***Biseda me Dr. Fuad Myftia u zhvillua në disa ditë në redaksinë e gazetës Illyria në Manhattan, që atë kohë ndodhej në katin e nëntë të hotel New Jorker mes avenues së shtatë dhe të tetë. Për shkak të shëndetit m’u desh që bisedat të mos i zgjasja më shumë se një orë për çdo ditë Dr. Fuad Myftia ka lindur në Shkodër me 28 korrik 1924, kur Shqipëria qeverisej nga kundërshtari më i ashpër i Mbretit Zog, Peshkopi Fan S. Noli. Familja Myftia shquhej për atdhetarizëm. Në atë truall bashkëjetonte binomi Atdhe dhe Fe. Babai i tij, Sali Myftija, ka qenë një fetar i shkolluar, filozof, pedagog i fesë Islame në Aleksandri, që kurrë nuk e ndau fenë nga Atdheu.- 7 prilli e bëri babanë tim më atdhetar se ç’ishte, pasi Italia e internoi nga Shkodra, në Gjirokastër, – krenohej me të atin Dr. Myftia, ndërsa ndjenjën fetare e kishte pjesë të shpirtit. Rrëfim për babanëDr. Myftia kishte dëshirë që rrëfimin ta niste me të atin: Salih Myftia ka qenë autodidakt. U arsimua me mësimet e fesë në shtëpi nga vëllezërit e tij dhe nga gjyshi. Feja muslimane ishte trashëgimi familjare për trungun Myftia. Për më tepër, në kodrat e Tepes, në qytetin e Shkodrës, ata kishin dhe një medrese, që ishte pronë e familjes. Mësimet fetare dhe gjuhën arabe Salih Myftia i ka marrë në shtëpi. Ishte një nga shqiptarët, që e ka zotëruar arabishten me themel. Ai arriti që të emërohej Kryemyfti i Shkodrës dhe Kosovës nga Mbreti Zog, që më 1929, duke zënë vendin e xhaxhait pas vdekjes së tij, ndërkohë që, në Aleksandri-Egjypt, ku do të emigronte pas luftës së dytë botërore, do të ishte profesor feje i një grupi të njohur intelektualësh të qytetit, ndërkohë, kur emigroi në Amerikë, u bë themelues i Qendrës Muslimane Shqiptare të Nju Jork-ut, New Jersey-t dhe Connecticut-it.- Axha tjetër ishte avokat, kurse gjyshi, Adem Efendia, ka qenë një prej fetarëve më të njohur në komunitetin shqiptar të Shkodrës. Babai i tij, që ishte katragjyshi i dr. Fuad Myftisë, Sali Efendiu, ka pas studiuar në Stamboll. Ai ka qenë studiues e profesor i fesë islame në medresenë e Tepes, prej ku dilnin hoxhallarët. -Aty ka pas mësuar edhe gjyshi, edhe axha,- sqaron trashëgiminë e Myftijëve, Dr. Fuadi.Pastaj më tregon një rrëfenjë, që atij ia kujtuan në fillim të viteve ’90-të, kur shkoi për herë të parë në Shkodër, pas shembjes së komunizmit:- Është një rrëfenjë, që tregohet edhe sot për gjyshin, Adem Efendiun. Ai kishte një kalë, dhuratë nga Sulltani, një at, siç i thoshim ne. Një ditë, pat takuar në rrugë një mikun e tij, i cili e kishte pyetur për djalin e vet që vazhdonte shkollën në medrese. Miku i thotë se ka shumë vite që djali i tij po shkonte në Medrese, por nuk kishte mësuar asgjë… – Mirë e ke, – i thotë Adem Efendia. – Ka nja katër – pesë vjet që ka ardhur djali yt në shkollë e nuk ka mësuar asgjë. Po, a e sheh ti kalin tim? Ky ka 25 vjet që vjen me mua përditë në shkollë dhe s’ka mësuar gjë prej gjëje…Kjo ka mbetur si anektoda e Adem Efendisë.Gjatë periudhës së revolucionit të Nolit, Sali Myftia nuk ka pasur probleme. Ai kujton prej babait se një pjesë e fanolistëve mbetën pa mbështetje pas ikjes së krerëve jashtë Shqipërisë, kur Mbreti u rikthye në pushtet.Kujton Fuadi: – Një prej miqve të Sali Efendisë ka qenë Hafiz Ibrahim Repishti, deputet i kohës së Nolit. Edhe pse kundërshtarë politikë ne ishim fqinj të mirë, ishim miq. Shtëpitë i kishim në rend, mbaronte baçja jonë dhe fillonte shtëpia e tyre. Ai ishte shok i ngushtë i babës, fetar, nacionalist, pavarësisht se kishte marrë pjesë me revolucionin e Nolit. Atë e kërkonte qeveria dhe rrinte mbyllur. Prej bahçes dilte tek ne dhe e kemi mbajtur për një kohë shumë të gjatë në shtëpinë tonë, deri sa i doli falja. Shkak u bë Musa Juka, që pat ardhë për vizitë, i cili, kur e mësoi të vërtetën, i tha që të dilte. Më vonë qeveria e fali.Fashistët e internuan Salih Myftinë në GjirokastërPushtimi fashist e gjeti Salih Myftinë në radhën e atyre që e urryen dhe kundërshtuan pushtuesin italian.- 7 prilli, – thoshte Hysen Mulosmanaj, – e ndryshoi Sali Myftiun prej petkut fetar, në petkun kombëtar…Fuadi më tregon gazetën “Atdheu” të maj-qershorit 1978, e cila i ka kushtuar një numër të veçantë aktivitetit të hirësisë së Tij, Salih Myftija, me rastin e vdekjes. Fjala e Hysen Mulosmanajt zë vendin kryesor në atë numër special, ku i gjithë numri i kushtohet klerikut të nderuar.- Unë them se Sali Myftija, babai im, ishte ndër të parët që, në maj të 1939-ës, u pushua nga puna si myfti, detyrë që s’kishte të bënte fare me politikën. U arrestua ndër të parët e u internua në Gjirokastër, ku qëndroi jo pak por 18 muaj. Arsyeja e internimit dhe izolimit ka qenë se ishte shqiptar i mirë, i dhimbsej Atdheu edhe pse ishte përkrahës i regjimit mbretëror. Ai kishte idealin e tij se vetëm mbretëria mund t’i jepte shpresë, mund t’i sillte popullit shqiptar lirinë.- Para se ta internonin, në prill-maj, – kujton Fuadi-ishte shumë aktiv në çështjen antifashiste. Ditë e natë shtëpia jonë ishte e hapur, se babai ishte personalitet, të cilin e besonte një pjesë e mirë e popullit dhe i vinte pas. Hyrjet e daljet në shtëpinë tonë ranë në sy të autoriteteve të qeverisë së Jakomonit. Mëkëmbësi i Viktor Emanuelit i thotë babës që duhej patjetër të linte Shkodrën, ngaqë ishte njeri me influencë dhe i prishte punë Italisë. Fuadi, që kishte lidhje të ngushta shpirtërore me të atin, tregon se në Gjirokastër, në atë kohë prefekt ishte Daut Çarçani, mik i ngushtë i babës. Kur e mësoi prefekti Çarçani internimin e Salih Efendisë, ka shkuar e ka takuar dhe i ka thënë që ishte bërë mirë që e kishin sjellë në Gjirokastër dhe jo në një vend tjetër, se aty mund ta ndihmonte ai. Ndërkaq populli i Gjirokastrës, nacionalist dhe bujar, në kohën që ishte baba atje, ofronte ndjenja antifashiste, spjegon Fuadi. Gjirokastritët e shihnin Salih Myftinë duke kaluar nëpër rrugët e qytetit, por fillimisht frikeshin prej italianëve dhe i qëndronin ftohtë, ngaqë ishte i internuar. Dr. Fuadi solli edhe këtë kujtim nga i ati: Një ditë prej ditësh babai kishte dalë me prefektin nëpër qytetin e gurtë. Një person, që fatkeqësisht e vranë komunistët, Muzafer Shehu, tregtar në Gjirokastër, i thotë se kishte kohë që e shihte sa herë kalonte poshtë e përpjetë dhe s’kishte guxuar t’i fliste, por tani që po e shih se po shëtiste me prefektin, dyqani dhe shtëpia ime është edhe e jotja, e kishte ftuar bujarisht ai. Ato fjalë Muzaferi i mbajti deri atë ditë që babai u kthye nga internimi. Fatkeqësisht, më 1943, komunistët e pushkatuan Muzaferin, siç pushkatuan një grup të madh intelektualësh e tregtarësh gjirokastritësh.Kur Salih Myftija u takua me të atin e Enver HoxhësBabai i ka treguar Fuadit edhe një ndodhi me të atin e Enver Hoxhës, Halilin. Ja rrëfimi i tij:- Baba më tregonte në të gjallë të tij se në atë qytet ishte një teqe, ku shkonin shumë miq e shokë. Një ditë shkon një hoxhë, i cili mbante në dorë një gazetë fashiste. Baba i thotë se ishte antifashist dhe nuk bënte mirë që vinte në teqe me atë gazetë, se po e kompromentonte tek antifashistët e tjerë. – Myfti efendi, – i thotë ai, – ti nuk e di se çfarë halli kam unë. – Çfarë halli të mundon, bir i perëndisë? – e ka pyet baba.- Unë kam një djalë, mos e paça, një djalë që s’meriton të jetë djali im, komunist e i pa fe e mua më duhet, dashje pa dashje, të marr gazetat e fashizmit, që ata të mos kenë dyshim tek unë si i ati i kryekomunistit…- E kush ishte ai djalë? – e pyes unë.- Ishte Enver Hoxha, ndërsa hoxha me gazetën fashiste ishte ati i tij… Salih Efendija ka qëndruar i internuar në Gjirokastër për 18 muaj. Kur u kthye në Shkodër, doktor Behxhet Sharpati, një mik i ngushtë i tij, kërkoi që ai të kthehej prapë në pozitën që pat para internimit si Myfti, megjithëse vendin ia kishte zënë një fetar, që do t’i shërbente më vonë edhe regjimit të Tiranës.- Ky, që i kishte zënë vendin, ishte njeri shumë i mirë, familje shumë e ndershme, por njerëzit gabojnë. Baba nuk pranoi, duke thënë se nuk bashkëpunonte me fashizmin, – arsyeton Fuadi. Po ç’vepra la pas Salih Myftija-pyeta Fuadin.- Ç’të them. Ai ishte i përkushtuar dhe punonte me gjithë shpirt. Me rëndësi ndër veprat që mbahen mend, ka qenë ndërtimi i xhamisë së Parrucës, me ndërmjetësinë dhe udhëheqjen e tij. Xhamia e Parrucës u ndërtua në vitin 1937. Shkodra nuk kishte një xhami, ashtu siç e meritonte, ta zëmë si Durrësi, që kishte ndërtuar një xhami me dy minare. Shkodranët i thonë babës se në Shkodër duhet të bëhet një xhami, sikurse ajo e Durrësit, ndofta edhe më e mirë. Baba pranoi. Mirëpo, para kësaj kohe, kryetar i Bashkisë ishte Zenel Prodani, prej Korçe, personalitet shumë i lartë, intelektual, shqiptar shumë i mirë dhe besnik ndaj shqiptarëve. Ky ka qenë një nga nismëtarët që ia futi babës në mendje këtë gjë. E kemi pasur edhe mik shtëpie. Kryetari i Bashkisë i thotë se do të jepnin një fond shumë të mirë për ndërtimin e një xhamie të re, ashtu siç e meritonte qyteti i Shkodrës, me dy minare. Të gjitha xhamitë, kishat katolike e ortodokse dhanë një kontribut prej rreth 500 napolonash flori. U mblodhën shkodranët. Të gjithë ishin gati të kontribuonin, mirëpo ndërhyri politika. Në fakt, në mes ishin interesat personale që prishnin punë, ndoshta edhe egoizmi. Krerët u ndanë më dysh. Erdhën disa hoxhallarë kundërshtarë, (ishin ata që më 1939 i çuan Jakomonit kurorën dhe lulet). Ata kundërshtuan ndërtimin e xhamisë në vendin që caktoi bashkia, me pretendimin se afër ishin varrezat. Ky ishte preteksti. Baba u përgjigjet se e dinte që nuk ishte vend ideal, por kur nuk kishin për të gjetur një vend tjetër më të mirë për xhaminë, më mirë ta bënin aty. Atëherë në Egjypt e kryesonte komunitetin mysliman një mik i babës me të cilin kishte korrespondencë. I shkruan një letër dhe i tregon historinë. Ai i kthen përgjigje, ku i shkruan se më mirë është të bëhej një xhami, edhe pse ishin varrezat pranë, se sa të mos bëhej fare. Xhamia u bë dhe ajo do të krenonte për shumë kohë shkodranët muslimanë. Xhamia u ndërtua madhështore, por Enver Hoxha e prish në 1967 kur i shpalli luftë Zotit!Salih Myftia, në Aleksandri Kur i kërkova që t’më tregonte më shumë për aftësitë fetare të atit të vet, Dr. Myftia, më afroi librin e Imam Vehbi Ismailit“Disa fetarë e patriotë muslimanë shqiptarë”, ku Salih Myftia zë vendin e nderit. Imam Vehbi Ismaili i ka kushtuar shumë faqe të librit të tij kryemyftiut të Shkodrës dhe Kosovës, udhëheqësit shpirtëror të muslimanëve shqiptarë në botën e lirë. Ai përshkruan me respekt devocionin e Salih Myftisë, përkushtimin e tij fetar e atdhetar, aftësitë e tij organizative e shpirtrore; ai formoi Qendrën Islame Shqiptare për shtetet Nju Jork dhe New Jersey. Salih Myftia kishte lënë përshtypje të thella jo vetëm tek populli i vet, por edhe tek egjyptianët mes të cilëve ai qëndroi prej vitit 1947. Ja çfarë kujtimi ka lënë pas Imam Vehbi Ismaili: “Në vitin 1973, pasi kreva detyrën e Haxhillëkut për herë të dytë, u ktheva në Kajro për të pushuar dhe për të takuar disa shokë. Ndërsa një natë po rrija në dhomën time në hotel, më telefonuan nga sporteli se kisha ca mysafirë, që donin t’më vizitonin. U thashë të ngjiteshin lart. Arritën, por nuk i njihja; ishin gjashtë vetë, dy mjekë, dy inxhinerë dhe dy avokatë. Pasi paraqitën veten më thanë: – Morëm vesh se ke ardhë prej Amerike dhe se e njeh Efendi Salih Myftiun. Erdhëm që të pyesim për shëndetin e tij. Kur i pyeta se ku dhe si e kishin njohur ata Salih Efendinë, m’u përgjigjën: – Ne jemi prej një grupi intelektualësh që gjatë viteve që Salih Myftia banoi në Aleksandri, në një prej xhamive të atij qyteti, ai na shpjegonte për disa orë, për çdo javë teologji e filozofi…Këtë gjë nuk e dija më parë e kjo më bëri ta dua dhe ta admiroj, ta çmoj më tepër, shkruan Imam Vehbi Ismaili dhe shton: – Në qendrën e kulturës islame dhe arabe në Egjipt, Salih Myftia, shqiptar, u jepte mësime në gjuhën arabe mbi Kuranin dhe fjalët e Profetit, intelektualëve egjiptianë! Ky ka qenë haxhi Salih Myftia, kudo ka nderuar vehten dhe mbarë popullin shqiptar, i përfundon shënimet e veta Imam Vehbiu.Po si rrodhi jeta e Salih Myftisë dhe e të birit, Fuadit, në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore? Pas internimit…Tregon Dr. Fuati- Sapo u liruam nga internimi, me nacionalistët e mbretërorit e zogistët e Shkodrës formuam organizatën “Besa Shqiptare”, ku bënin pjesë Ndoc Çoba, Kol Piri, Shefqet Muka, Ragip Lohja e shumë personalitete nacionalistë antifashistë. Çdo aktivitet antifashist në Shqipëri, qoftë me demostratat e para që u bënë më 5 prill 1939 e më 7 prill, të drejtuara nga Profesor Alush Lleshanaku, që në atë kohë jepte mësim në gjimnazin e Shkodrës, e deri në ditët e fundit, nuk jam ndarë me shokët e mi nga demonstratat antifashiste. Policia më kishte vënë vizë të kuqe. Prefekti i Shkodrës, miku i ngushtë i familjes, shqiptar intelektual, i thotë një ditë babës:-Kujdes Salih Efendi! Djalit i kanë vënë vizë të kuqe dhe është deklaruar antifashist. Një ditë mund ta arrestojnë. – Ishin kohë të vështira. Shkodrën e kishte marrë ushtria në dorë dhe jetonim në rrethim ushtarak. Në Shkodër komandonte gjeneral Azzi, komandant i ushtrisë italiane. Ai filloi nga arrestimet. Arrestuan Sabri Bushatin, Afiz Sali Krajën, Muhamet Repishtin e shumë të tjerë. Ndërkaq, unë u fsheha për nja dy javë e shkova tek disa miq. Kur mbaruan arrestimet, baba më çoi fjalë që të kthehesha. Bahçe më bahçe, arrita në shtëpi. Aty gjeta disa miq të familjes sonë, të gjithë të armatosur. Ishin prej Malësisë së Shkodrës, ishin nja 15-20 vetë. Ishte një kohë shumë e turbullt. Qëndruam duke biseduar dhe, kur shkoi ora 1 pas mesnate, shkuam për të fjetur. Shkova në dhomën time. Poshtë rrinte një fshatar, që e kishim si djalin e shtëpisë. Ai dhe nëna e tij, me përkatësi fetare katolike, jetonin dhe ushqeheshin në shtëpinë tonë. Ne ishim shokë me djalin, visheshim njësoj, ishte njeri besnik. Fatkeqësisht humbi jetën mbas ardhjes së komunizmit në përpjekje me forcat komuniste. Ai erdhi e më tha të iknim se kishin ardhur italianët.Arrestimi i Fuadit Ishte rrethuar krejt shtëpia dhe bahçja përreth. Ata u ngjitën lart dhe kërkonin dokumentat. Erdhi baba. Unë nxorra dokumentat. Ata më panë me vëmendje; më kërkonin mua. Më arrestuan, më lanë të vishem dhe dolëm jashtë, ku na priste një kamion. Atje ishte Man Tepelija me disa shokë. Ata kishin ndalur makinën para shtëpisë sonë dhe kishin frikë se mos po arrestonin përsëri babën. Kur më pa mua, më tha: -Më mirë ti, se sa baba. Ti je i ri, e përballon. Na çuan në kodrat e Tepes. Aty na mbajtën të rrethuar për shumë kohë. Mbas nja tre-katër javësh na çuan të shoqëronim batalionet italiane në Kosovë dhe në vende të tjera. Të arrestuarit i merrnin tre e nga tre dhe kjo vazhdoi gjashtë ditë. Më doli emri edhe mua edhe një djali të ri nga Shkodra, si dhe një ushtari që kishte dezertuar. Na futën në kamion dhe na zbritën nga kodrat e Tepes midis pazarit të vjetër. Një mik i shtëpisë, që më kishte parë mua në kamion, shkoi më pas në shtëpi për t’u treguar rreth meje. Ishte muaj Ramazani. Mbasi hëngri iftar, u tregoi njerëzve të mi. Zijai erdhi me makinë për t’më takuar. Pasi erdhi rreth e rrotull një copë herë, ne ishim të rrethuar dhe ai e kishte të vështirë t’më takonte, dikur nxorri kuletën dhe na afrohet. Unë isha në mes dy të tjerëve dhe nga të dy anët isha i lidhur me pranga, këmbët dhe duart i kisha të lidhura me të dy shoqëruesit. Kur e pashë Zijanë, u çudita. I thashë të mos i thoshte as nënës, as babës e askujt tjetër. Më dha disa pare, të cilat mezi i futa në xhep, ashtu duarlidhur. Ai priti gjithë natën jashtë për të mësuar se çfarë do të bëhej me ne. Në mëngjes erdhën e na morën me kamionë të ushtrisë italiane për të shoqëruar ushtarakët, që shkonin nga Prizreni, në drejtim të Dakau-t. Me kamion kemi udhëtuar deri në Vaun e Dejës. Kaluam Pukën e, para se të hynim në Kukës, në krahun e djathtë, u dëgjuan disa të shtëna. Italianët kujtuan se ishin guerrilasit antifashistët për të bërë ndonjë atentat, prandaj ndaluan krejt autokolonën. Ne nuk e dinim se pas nesh, në të njëjtën kolonë, udhëtonin në një kamion nja dhjetë shqiptarë. Ata kishin informacion se ne ishim në kamionin para tyre. Dy karabinierë të armatosur na afrohen dhe na urdhërojnë të zbresim në tokë. – Shqiptarë ?- na pyesin. – Po,-përgjigjemi ne. Njëri prej tyre, nipi i Llesh Marashit, më njihte. Më tha të mos mërzitesha se në qoftë se ndodhte ndonjë gjë, ata do të ishin pranë nesh dhe do t’na ndihmonin. Por nuk ndodhi gjë. Ata që kishin qëlluar ishin gjahtarë dhe po ndiqnin gjahun. Në Prizren arritëm në darkë. Ishte Ihftar. Shihnim lumin, kalanë mbi qytet, dyqanet tradicionale, ushqimet e bollëkun, që ishte në atë kohë atje dhe habiteshim. Na çuan në një vend, ku kishin mbledhur disa profesorë shqiptarë që ishin në Kosovë për të dhënë mësim. Ata ishin intelektualë. Njoha Musa Dizdarin, Fadilin, e njëri prej tyre më njohu. – Po ti?! – më thotë. – Çfarë don këtu? I tregova se s’dija asgjë pse isha aty dhe ku po na çonin të lidhur me pranga…E pyeta:- Po ti çka don këtu? – Ne na pret kamioni nesër me na çu në ndonjë vend tjetër. Të nesërmen në mëngjes erdhën e na morën ne të tre me një kamion, që do të kthehej. Pritja ishte e ankthshme. Një kamion u kthye nga shkolla për të sjellë një grup tjetër profesorësh. Ky kamion nuk u kthye, derisa ishim ne në atë vend. Ndoshta i kishin harruar aty. Më në fund na lëvizën; hipëm në kamion dhe shkuam deri në Pukë. Atje, xhandarët na zbritën dhe na futën në xhandarmëri. Një burrë i gjatë më shikonte dhe e shikoja. Isha në atë kohë 18 vjeç. Më vjen afër e më pyet se i kujt isha. I tregova. – Ti je Fuadi?- më pyeti. Na zgjidhi e na tha se do të na binte të hanim çfarë të donim. Të nesërmen na hipën në kamion e drejt e në Shkodër. Prej Shkodre, në Tiranë. Nuk e kisha kuptuar gjithë këtë ecejake plot ankth e misterie.Ka qenë 14 shtatori i vitit 1943. Na çuan në zyrën e S.I.M.I.-t, spiunazhit ushtarak italian. Atje, një kapiten me mustaqe, nja 45 vjeç, na uli të treve. Ndërkaq, në Durrës ishte ankoruar një vapor, që do të nisej për në Itali. Me të italianët do të transportonin disa shqiptarë të arrestuar, për t’i internuar në Itali. Atje donin të na çonin edhe ne. Në kohën që vijnë dy ushtarë e i thonë kapitenit se ishin gati për t’u nisur, ai ua ktheu: – Këta janë të lirë. Italia kapitulloi. Ai nuk bëri zë, por erdhi për të na thënë se ishim të lirë. Dolëm në Tiranë pa asnjë lek në xhep. Ku të shkonim? Mbaja mend vetëm hotelin “London” në qendër të Tiranës. I zoti i hotelit ishte shkodran. Morëm një karrocë dhe shkuam atje. Kur mbrritëm, shoh babën me një dhëndër, Ibrahim Hoxhën. Kur më panë, u habitën. U tregova historinë. Ata mbetën të habitur, por dhe u gëzuan që aventura kishte përfunduar pa na dëmtuar. Morëm makinën për t’u kthyer në Shkodër. Ndahemi me ushtarin dezertor, me të cilin qeshë lidhur në pranga, ndërsa shokun tjetër të prangave e morëm me vete në makinë. Gjermanët sapo kishin ardhur në Shqipëri. Sapo kalonim Lezhën, dëgjuam një shpërthim mine. Do të kishim mbetë nën mina, sikur të ishim vonuar për pak minuta.Aventura drejt ItalisëÇfarë ndodhi pas kapitullimit të Italisë fashiste me familjen Myftia dhe me nacionalistët e zonës së Veriut ?- e nxis bisedën me pyetje. Dr. Fuadi tregon se pas kthimit në Shkodër aktiviteti antinazist vazhdoi. Fillimisht të rinjtë nacionalistë antinazistë vepronin në radhët e “Besa-Besë”, derisa iu bashkëngjitën organizatës “Lëvizja e Legalitetit”, e cila u formua me 20 nëntor 1943, në Zall Herr të Tiranës. Ai kujton se ishin bashkëngjitur me ta edhe personalitete ushtarake, të cilët kishin qenë më parë oficerë të mbretit. Ndër ta ishin 5 oficerët e Malësisë së Madhe së bashku me Llesh Marashin, i cili më vonë, pas çlirimit, nuk i hodhi armët kundër komunizmit, derisa e varën në litar. Në kujtimet e Fuadit qëndron e freskët ditëthemelimi i organizatës “Lëvizja e Legaliteti” në Zall Herr, ku delegacionin e Shkodrës e kryesonte Ndoc Çoba, ish kryetar i bashkisë, intelektual me zë i Shqipërisë.- Edhe ne si të rinj, deklaruam organizatën kombëtare “Organizata e Legalitetit” për Shkodrën, – thotë Myftia.- Po babai juaj, ç’qëndrim mbajti gjatë ardhjes së nazistëve pasi u kthye nga internimi prej Gjirokastre?…* Fragment nga libri në proces botimi