Sokol Paja/
New York, 15 Shkurt 2024- Për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme në New York organizoi një pritje festive madhështore me Shqiptarët e Amerikës në New York. Veprimtarë të çështjes kombëtare, diplomatë, aktivistë, artistë, media shqiptare, organiza, shoqata, patriotë të shquar, veprimtarë të dalluar, biznesmenë, profesorë e personalitete të larta shqiptare që jetojnë e veprojnë në Amerikë festuan së bashku ditën e shenjtë të pavarësisë së Kosovës. Nën moton “Kosovë, ne do të dalim Zot” në fjalën e mirëseardhjes, Ambasador Dr. Blerim Reka tha ndër të tjera se “përkulemi para bijëve e bijave tona që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Lavdi për dëshmorët e heronjtë e luftës së UÇK-së, mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO”. Në fjalën e tij Ambasador Reka përmendi bashkëpunimin, sfidat dhe sukseset e Republikës së Kosovës, partneritetin e ngushtë me SHBA, rolin e Serbisë si instrument i Rusisë dhe politikave destabilizuese në Ballkan, sulmin terrorist shtetëror serb në Kosovë ku u vra heroi Afrim Bunjaku e përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë në dëm të Kosovës.
Ambasador Robert A. Wood, zëvëndës përfaqësues i Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara në fjalën e tij vlerësoi arritjet e shtetit të Kosovës, perspektivën auroatlantike të saj dhe e falënderoi Kosovën për bashkëpunimin e ngushtë me Amerikën, partneritetin, miqësinë dhe gatishmërinë për të qëndruar krah Amerikës. “Faleminderit për gjithçka që keni bërë për ne” tha diplomati i lartë si për të treguar se Kosova ka punuar ngushtë me SHBA në sfidat me të cilat ballafaqohet çdo ditë. Mbrëmja festive nën prezantimin e këngëtarit Ergin Oda, vazhdoi për disa orë bashkë me Mariza Ikonomin duke ndezur një atmosferë patriotike e kulturore mbresëlënëse.
Rroftë në shekuj të shekujve Kosova e lirë dhe e pavarur.