Shqiptarët në Philadelphia për herë të parë e ngritën flamurin e Kosovës në bashki (City Hall).
Nga dr. Sadik Elshani
Që nga kremtimet e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shoqata “Bijtë e shqipes” në bashkëpunim me bashkinë e Philadelphias kanë krijuar një përvojë të mirë për ngritjen ceremoniale të flamurit kuqezi. Është ky një rast i mirë për t’i paraqitur vlerat tona kulturore e kombëtare para qytetit ku jetojnë afër 30 mijë shqiptarë. Kishim menduar edhe për ngritjen e flamurit të Kosovës, por nuk e dinim nëse i lejohet shoqatës sonë që të organizojë ngritjen ceremoniale për dy shtetet shqiptare. Dhe vendosëm që të njejtën ceremoni duhet organizojmë edhe për flamurin e Kosovës, sepse shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja e dytë më e rëndësishme në historinë e kombit tonë, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Vitin e kaluar kur organizuam ngritjen e flamurit kombëtar e shfaqëm dëshirën tonë para autoriteteve të qytetit për ngritjen e flamurit të Kosovës në ditën e shpalljes së pavarësisë së saj. E bëmë kërkesën dhe kërkesa jonë u pranua pa kurrëfarë problemi. Duhej ta bënim këtë vit edhe për ta shënuar përvjetorin e pesëmbëdhjetë të pavarësisë së Kosovës.
Përgatitjet për të bërë një organizim sa më të mirë kishin filluar me kohë, ishte bërë edhe lajmërimi për të siguruar pjesëmarrje sa më të madhe të bashkatdhetareve. Të gjithë po e prisnim me padurim këtë ditë. Dhe ja erdhi 17 shkurti. Koha atë ditë në Philadelphia ishte me shi, por ceremonia u zhvendos në mjediset e brendshme të Bashkisë, Conversation Hall, sallë në të cilën bashkia i organizon pritjet ceremoniale. Në sallën e zbukuruar me flamujt e Kosovës, ata kombëtarë dhe amerikanë ishin tubuar shumë bashkatdhetarë, jo vetëm nga qyteti i Philadelphias, por edhe nga vendbanimet përreth, madje edhe nga Nju Jorku. Ishte i pranishëm ambasadori i Kosovës në Uashington dhe i tërë personeli i kësaj ambasade. Qytetin e Philadelphias e përfaqësonte zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City Representative). Ndërsa nga Zyra për Çështje të Emigrantëve ishte i pranishëm z. Alain Joinville. Ishte i pranishëm edhe kryetari i Organizatës së Konsujve të Nderit në Philadelphia, z Christopher Chaplin.
Dy ish nxënës të shkollës shqipe, “Gjuha jonë”, Jona Hajrullahu e Drini Hamza, të veshur me veshje të bukura kombëtare, e moderuan për bukuri këtë veprimtari. Pas disa fjalëvë hyrëse ata ia dhanë fjalën kryetarit të shoqatës “Bijtë e shqipes”, z. Bujar Gjoka, i cili i përshëndet të pranishmit, duke u uruar atyre Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ai theksoi se kjo është hera e parë që shoqata organizon një veprimtari të tillë në bashkinë e Philadelphias.
Në emër të Këshillit Drejtues të shoqatës përshendeti, z. Sadik Elshani, i cili në fillim të fjalës së tij i përshëndeti të praanishmit duke ua uruar 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. U kujtoi të pranishmëve se me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës atëherë në Prishtinë ishte ngritur një monument, “Newborn” (I porsalinduri), për ta shënuar lindjen e shtetit më të ri të Evropës e botës. Tani ai i porsalinduri i ka mbushur 15 vjet dhe është duke u rritur i fortë e i shëndetshëm. Pastaj z. Elshani në pika të shkurtëra e përshkroi rrugëtimin e Kosovës drejt shpalljes së saj si shtet i lirë e i pavarur: “Ishte ky një rrugëtim i gjatë vuajtjesh, sakrificash, përpjekjesh e luftërash për liri e pavarësi. Është ky kurorëzimi i të gjitha këtyre përpjekjeve që bën breza të tërë shqiptarësh. Lista me emrat e atyre që luftuan me pushkë e penë është e gjatë, ngjarjet që çuan deri në fitoren përfundimtare janë të shumta. Por, sot ketu do të veçoja presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën, i cili me guxim, mençuri e vizion të qartë i priu popullit të Kosovës në një periudhë mjaft të vështirë historike. Do të veçoja komandantin legjendar Adem Jashari dhe sakrificën finale të tij dhe të familjes së tij, si dhe ata mijëra djem e vajza, burra e gra që luftuan me armë në dorë për t’i dalur zot vendit të vet, për të mbrojtur nderin e dinjitetin e familjeve të tyre”.
Në vazhdim z. Elshani foli për sfidat e shumta me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe përpjekjet e saj për të ecur përpara, për të ndërtuar institucionet funksionale demokratike. Duke folur për Kosovën ai u shpreh: “Kosova është një vend i bukur, me shumë monumente historike, i pasur me minerale, fusha pjellore e bjeshkë madhështore, e banuar me një popull zemërgjërë e bujar – një shoqëri dinamike, e etshme për të ecur përpara drejt integrimeve evropiane e NATO-s” Z. Sadik nuk e la pa e përmendur edhe ndihmën vendimtare të ShBA-ve dhe aleatëve të tyre për çlirimin e Kosovës si dhe ndihmën e pandërprerë për ndërtimin e institucioneve shtetërore, ringjalljen e ekonomisë, etj. Ai po ashtu, foli edhe për kontributin që japin shqiptarët nga Kosova në zhvillimin e ekonomisë së Philadelphias dhe aspekteve te tjera të jetës së qytetit ku ata jetojnë dhe i rrisin familjet e tyre.
Për rëndësinë e ngritjes së flamurit të Kosovës në bashkinë e Philadelphias, z. Elshani u shpreh: “Ngritja e flamurit të Kosovës sot në Bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve dhe të Kushtetutës Amerikane është një nder i jashtëzakonshëm për Kosovën dhe popullin e saj, komunitetin tonë, është afirmim i vlerave të përbashkëta për liri, paqe e përparim. Prandaj, nuk është rastësi që ambasadori the i tërë personeli i ambasadës se Kosovës në Uashington, D. C. janë të pranishëm në këtë ceremoni madhështore, ata janë këtu për të shprehur falenderimet e tyre për vendin që ndihmoi për çlirimin e popullit të Kosovës nga regjimi shtypës i Sllobodan Millosheviqit. Ceremonia e sotit e çon një porosi të qartë: E mira ngadhnjen mbi të keqen, liria mbi tiraninë, diktaturën. Si një shqiptaro – amerikan i lindur e rritur në Kosovë, e ndiej veten shumë krenar te deklaroj se sipas të gjitha anketave, Kosova është vendi më proamerikan në botë”.
Në emër të kryebashkiakut (Mayor) të Philadelphias, të nderuarit Jim Keney, përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City Representative), mike e madhe e komunitetit tonë. Zonja Hess në fillim të fjalës së saj të pranishmëve u uroi Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke i përgëzuar organizatorët për këtë veprimtari të mrekullueshme. Që në fillim të fjalës së saj ajo e entuziazmuar e shfaqi kënaqësinë e saj që kjo ceremoni po zhvillohet për herë të parë në Philadelphia, sepse ky qytet është “qyteti i shumë të parave”, qytet ku shumë gjëra në ShBA kanë ndodhur për herë të parë pikërisht në këtë qytet. Ajo pastaj i njoftoi të pranishmit se qyteti i Philadelphias është qytet që i mirëpret emigrantët. Emigrantët nga vende të ndryshme të botës kanë zgjedhur Philadelphian për të jetuar e për t’i rritur fëmijët, familjet e tyre.Ata sjellin traditat, kulturën, ushqimet e tyre, duke ia shtuar begatinë jetës së qytetit. Pastaj ajo foli edhe për rolin që shqiptarët luajnë në jetën kulturore e ekonomike të qytetit, vlerat e tyre familjare e njerëzore. Pastaj zonja Hess lexoi pjesë nga Proklamata përmes së cilës kryebashkiaku Keney e shpallte 17 shkurtin e vitit 2023, Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia. Një nder i madh ky për Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre.
Zoti Alain Joinville përshëndeti në emër të Zyrës për Çështjet e Emigrantëve (Office for Emigrant Affairs). Zoti Joinville i njoftoi të pranishmit për punën që bën kjo zyrë për t’i ndihmuar emigrantët e rinj për t’u adaptuar në jetën e qytetit të Philadelphias. Sikurse zonja Hess më parë edhe ai e theksoi se Philadelphia është qytet që i mirëpret zemërhapur emigrantët dhe ku emigrantët ndihen mirë e të mirëpritur.
Në fund, jo për nga rëndësia, por sipas protokolit të qytetit, fjala e fundit në ceremoni të tilla, në shenj nderimi i jepet të ftuarit, personit më të rëndësishëm. E në këtë ceremoni ky person ishte ambasadori i Kosovës në Uashington, Shkelqësia e tij, Ilir Dugolli. Zoti Dugolli i përshëndeti të pranishmit, duke u uruar atyre Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ai e falendëroi qytetin e Philadelphias dhe shoqatën “Bijtë e shqipes” për këtë ceremoni madhështore, që i bën nder Kosovës dhe gjithe shqiptarëve. Në vazhdim ai shkurtas foli për sukseset dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, aspiratat e saj për t’iu bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe anëtare e NATO-s. Kuptohet, zoti Ambasador nuk e la pa e përmendur edhe rolin e SHBA-ve dhe aleatëve të tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndihmesën e tyre të vazhdueshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës, demokratik e të përparuar, si dhe garancinë e tyre për ruajtjen e paqes në Kosovë e rajon.
Kjo ceremoni ishte edhe një rast i përshtatshëm për të nderuar një veprimtar të dalluar të komunitetit tonë për angazhimin e tij shumëvjecar për çështjen e Kosovës dhe atë kombëtare. Është ky atdhetari e sipërmarrësi i suksesshëm, z. Ahmet Zeka, të cilin shoqata “Bijtë e shqipes” e nderoi me vlerësimin, “Nderi i komunitetit”, për organizimin e shumë demonstratave për mbrojtjen e Kosovës, ndihmën materiale e monetare për Kosovën e Shqipërinë, si dhe ndihmesën e tij të gjithanshme për të ndihmuar emigrantët e rinj shqiptarë, nga të gjitha trojet tona etnike.
Ky ishte programi që u organizua në mjediset e brendshme të Bashkisë. Tani shiu kishte pushuar së rëni dhe ky ishte një çast i përshtatshëm, çast për të cilin ishim mbledhur: ngritjen e flamurit të Kosovës.Të gjithë të pranishmit u tubuan në sheshin e Bashkisë rreth shtyllës ku ishte vendosur flamuri i Kosovës. Në fillim u luajtën himnet e dy shteteve, Amerikës e Kosovës. Gjatë luajtjes së Himnit të Kosovës në shtyllë ngritej flamuri i Kosovës. E ky nder këtë vit i takoi mysafirit tonë të çmuar, Ambasadorit Dugolli, i cili shoqërohej nga dy paraqitësit e programit të kësaj veprimtarie, Jona Hajrullahu e Drini Hamza. Pastaj sheshi jehoi nga kënga e vallja shqiptare, shqiptarët vallëzonin të gëzuar dhe uronin njëri – tjetrin për këtë Ditë të Madhe për Kosovën dhe kombin tonë.
Por, nuk u mbyll me kaq kjo veprimtari e ngritjes së flamurit të Kosovës: Zoti Enver Parllaku i ftoi të gjithë të pranishmit që të shkonin për të pirë një kafe në restorantin që ai drejton. Është traditë të thuhet për një kafe, por z. Parllaku shtroi një drekë të pasur me të gjitha të mirat, pije e ushqime të mjaftueshme (bollshme) e të shijshme. Në këtë drekë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosoves dhe shoqëruesit e tij. Edhe këtu bashkatdhetarët kaluan ça çaste të këndshme, biseda të përzemërta nën tingujt e muzikës shqiptare. U ngritën dolli për Kosovën, duke shprehur urimet dhe dëshirat më të mira për përparimine saj. Enveri është një bashkatdhetar bujar që i respekton traditat shqiptare të mikpritjes. Ai në restorantin e tij disa herë ka organizuar veprimtari fondembledhëse për të grumbulluar fonde monetare për godinën e re të shoqatës sonë dhe për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të vitit 2019. Ka ca vite që të njejtën gjë e bën edhe kur e ngremë flamurin tonë kombëtar për nder të 28 Nëntorit. E falenderojmë Enverin për bujarinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë e tij.
Kështu, në rrethana të modifikuara për bukuri, me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës për herë të parë në Bashkinë e Philadelphias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin e Kosovës në qytetin ku u shpallë pavarësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në botë u urojmë me gjithë zemër: Gëzuar 17 Shkurtin! Ndërsa Kosovës sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi. Vërtet 17 shkurti në Philadelphia ishte një ditë e vrërët e me shi, por për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, 17 Shkurti gjithmonë do të jetë një ditë me diell që shkëlqen nga rrezet e lirisë. Gëzuar!
Philadelphia, më 18 shkurt 2023.
Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.