![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476449330_1046577704177418_525758153053827110_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476779454_1046598614175327_475385778596640635_n-1024x818.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/477700974_1046578527510669_264487103437551192_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476767890_1046578814177307_99435170027775952_n-1024x478.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476870232_1046578720843983_1694741940406971794_n-1024x478.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476871413_1046578964177292_6566784367766995347_n-1024x478.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/477574405_1046578490844006_2328370281809206140_n.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/477587886_1046578574177331_5365536255459658598_n-1024x478.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/477772183_1046578670843988_7795295286338237434_n-1024x478.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/477779347_1046578690843986_4638490858720907245_n-1024x478.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476755580_1046578797510642_3975485821231090087_n-1024x478.jpg)
Sokol Paja/
New York, 12 shkurt 2025 – Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Bashkia e New York zhvilloi një ceremoni festive për të nderuar e përkujtuar këtë ngjarje historike për shtetin e Kosovës e mbarë kombin shqiptarë. Nën përkujdesjen e Mark Gjonaj dhe këshilltares Kristy Marmorato, Këshilli i Bashkisë së New York nderoi me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, mediat shqiptaro-amerikane, të cilat kanë dhënë një kontribut të vyer në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy popujve dhe promovimin e traditave, kulturës, historisë dhe gjuhës shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas fjalës së mirëseardhjes nga Kristy Marmorato dhe Mark Gjonaj, policët shqiptarë të NYPD Illyrian Society of Law Enforcement Officers parakaluan në nderim me flamujt kombëtarë të Amerikës, Kosovës e Shqipërisë teksa himnet kombëtare interpretoheshin mjeshtërisht nga Isli Ademi dhe Mikejla Nonaj.
Imami Edin Gjoni drejtoi lutjet e ceremonisë ndërsa në fjalën e tij trajtoi aspekte rreth historisë së shqiptarëve në Ballkan, ndihmën nga Presidenti Wilson, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përpjekjen e shqiptarëve në Ballkan për të ruajtur traditën, kulturën, dinjitetin, identitetin dhe historinë sidomos për shqiptarët në trojet etnike nën pushtimin jugosllav. Imam Gjoni analizoi situatën historike të popullit shqiptar të Kosovës, krimet dhe gjenocidin serb, mbijetesën dhe mbështetjen e Presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Pavarësinë e Kosovës dhe deri në ditët e sotme. Ai e mbylli lutjen për Presidentin Donald Trump që ta integrojë Kosovën e ta anëtarësojë në NATO dhe ta mbështesë popullin shqiptar.
Mediat shqiptaro-amerikane që morën vlerësim, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në komunitetin shqiptar duke i dhënë zë ngjarjeve dhe aktiviteteve që lidhen me trashëgiminë kulturore e atdhetare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Zëri i Amerikës”, gazeta “Dielli”, gazeta “Illyria”, “Kosova Press”, “RTV 21”, Televizioni “Alba Life”, “Tv Victoria”, Radio “Zani i Malcisë, Radio “Zëri i Kombit”, “Albanian Culture” dhe “Bota Sot” janë pasuri e çmuar e komunitetit shqiptar në Amerikë.
Ceremonia e nderimit dhe vlerësimit ndaj mediave shqiptaro-amerikane ishte një mirënjohje ndaj njerëzve të medias që kanë kontribuar me pasion dhe profesionalizëm në mbështetje të komunitetit shqiptar në New York dhe në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo aktivitet patriotik dhe kulturor.
Mark Gjonaj në fjalën e tij theksoi se në vetëm 17 vjet, Kosova është transformuar nga një rajon i shkatërruar nga lufta në një demokraci të gjallë, duke ndërtuar institucionet e saj, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke krijuar aleanca në mbarë botën. Pavarësia e Kosovës sipas Mark Gjonajt është një dëshmi e qëndrueshmërisë së popullit të saj, një fener që shkëlqen në Evropë. Dhe teksa qëndrojmë sot këtu, tha Mark Gjonaj, duhet të kujtojmë ata që kontribuan në këtë luftë, që dokumentuan luftën shqiptare për liri dhe që mbajtën gjallë flakën e pavarësisë sonë. Këtë vit, ne nderojmë mediat shqiptare që kanë punuar pa u lodhur për të dokumentuar luftën e Kosovës për pavarësi dhe rrugëtimin e komunitetit shqiptar këtu në Nju Jork. Ata kanë qenë sytë dhe zërat e popullit tonë, duke ndarë historitë tona me botën, duke rritur ndërgjegjësimin për mizoritë me të cilat u përballëm dhe duke mbrojtur kauzën e lirisë përballë fatkeqësive, tha ndër të tjera Mark Gjonaj.
Këshilltarja Kristy Marmorato në fjalën e saj ofroi mbështetje për Kosovën dhe falënderoi mediat për rolin e jashtëzakonshëm që kanë luajtur për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në Amerikë.
Ambasador Blerim Reka në fjalën e tij theksoi se diaspora shqiptare e Amerikës ishte zëri i Kosovës në Senat, Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë. Shqiptarët në Kosovë përjetuan 3 regjime antinjerëzore dhe sot Kosova është histori suksesi, shteti më demokratik në rajonin e Ballkanit, populli më proamerikan në Europë dhe me Kushtetutën më përfaqësuese në një demokraci liberale duke iu referuar të drejtave të pakicave sidomos atyre serbe në Kushtetutën e Kosovës.
Arben Xhixho shef i seksionit shqip te “Zëri i Amerikës” në fjalën e tij u ndal te historia e shërbimit shqip në “Zërin e Amerikës”, ndihmën për shqiptarët e Shqipërisë për të luftuar komunizmin dhe sensibilizimin për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan dhe rolin e medias sot kur e vërteta kërcënohet nga shumë drejtime.
Interpretimi brilant i fëmijëve të shkollës shqipe “Alba Life me “Vallja e Flamurit” e “Vallja e Tropojës” dhe fëmijët e shkollës shqipe “Children of the Eagle” ishte një pikë shumë emocionuese e ceremonisë festive. Në mbyllje të ceremonisë festive, Mark Gjonaj i shprehu mirënjohje të veçantë diasporës shqiptaro-amerikane, rolit të jashtëzakonshëm të saj për shtetin shqiptar e të Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar. Ai gjithashtu u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve për tu regjistruar për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025 në Shqipëri. Mark Gjonaj teksa falënderoi në mënyrë të veçantë patriotët Toni Musaj, Vera Mjeku, Ismer Mjeku dhe Meri Camaj, një foto e përbashkët patriotike përmbylli aktivitetin atdhetar e kulturor kushtuar 17 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.