




Kastriot Fetahu/
Në çastin që Faton Limani hapi takimin festiv për ngritjen e flamurit të Kosovës, sytë e mi rrëshqitën pas asaj banke të folësit dhe qëndruan në një monument provizor të ngritur me katër flamuj. Pas pak, ai na ftoi në këmbë për të dëgjuar himnet e Amerikës, Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa flamuri i katërt është edhe ai përtej shekullit, me atë fushën e bardhë të paqes.
Pastaj? Pastaj foli Shirley Cloyes Dioguardi. Mua më pëlqen t’ia shkruaj emrin Shirli. Shirli, një bukuri arbëreshe në diasporë.
Së bashku me bashkëshortin, Joseph J. DioGuardi, ka qenë shumë aktive në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, veçanërisht gjatë viteve ’90.
Shirli (unë nuk e di pse i krahasoj gratë e bukura kur i shikoj), është më e bukur fisnikërisht se Mbretëresha Elizabet apo Sofia Loren. Shirli, arbëreshja në krah të një shqiptari të madh si Xho Dioguardi. I shikoja ulur dhe gëzoja që përpara ndodheshin emra të mëdhenj të çështjes shqiptare. E dëgjoja Shirlin me simpati të madhe dhe veçova pamjen e saj në fytyrë kur shqiptoi fjalët Kosovë dhe Serbi. Shirli, nuk je vetëm një grua e bukur, por edhe një shqiptare e madhe.
Ajo njihet si një figurë e rëndësishme e diasporës shqiptare në SHBA, me rol në ndërtimin e lidhjeve politike mes komunitetit shqiptaro-amerikan dhe institucioneve amerikane, ndaj sot i buzëqesha Shirlit.
Pastaj foli Xhozef Dioguardi, ish-kongresmeni shqiptaro-amerikan.
Eh, Xho, thashë me vete, në një çast kur nuk u kapërceva dot. Ishte hera e tretë në fjalim që ai përlotej dhe më vendosi edhe mua në një pozicion të vështirë emocional. Unë nuk i rezistova dot. Në një përlotje pa lotë, u ngrita në këmbë bashkë me sallën dhe duartrokita Xho Dioguardin.
Dhe të gjithë ne, bashkë me Xhoin, shikonim flamurin…
Flamuri ynë, origjina e të cilit lidhet me stemën e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu në shekullin XV. Shqiponja dykrenare është simbol i sovranitetit dhe i trashëgimisë bizantine.
Flamuri amerikan me tri ngjyra: e kuqja – trimërinë, e bardha – pastërtinë, bluja – drejtësinë dhe qëndrueshmërinë; flamuri i presidentëve Willson, Reagan, Bush, Clinton…
Flamuri i Kosovës: gjashtë yjet përfaqësojnë komunitetet kryesore etnike në Kosovë (shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, romë dhe goranë). Ngjyra blu dhe yjet pasqyrojnë orientimin europian dhe frymën e bashkëjetesës.
Flamuri i Vatrës kombinon shqiponjën shqiptare me elemente amerikane (ngjyra ose yje), duke simbolizuar lidhjen mes atdheut dhe diasporës.
Dhe unë, midis katër flamujve, dhe ne, midis katër flamujve, pasi shqiptarët nuk emigruan në stepat e Lindjes, instinkti i tyre i trashëguar nga Bato dhe Skënderbeu nuk i gënjeu të ndryshonin kursin e Perëndimit. Shpresoj që së shpejti, pas asaj banke të Shirlit dhe Xhosë, të jenë tre flamuj…
Paragjykimi nuk i ngjan një opinioni, por një dëshire për zgjidhjen e munguar nga arsye të pamunguara. Ndjej besnikëri për një qytetërim të ndarë dhe të humbur në tërësinë e tij.
Dua të përmbush profecinë. E ardhmja s’të ngushëllon vetëm si Zoti, por edhe me një Atdhe, një flamur.
Dhe e gjithë çfarë gëzoja në atë auditor të Harvardit kishte njerëz flamurtarë realë që e bënë të mundur, si Vatra e Bostonit dhe, përmes një flamuri të gjallë të saj, kryetari Mentor Maksutaj.
Sa të pasur jemi që kemi një flamur dhe një Atdhe.
Nuk e kuptojmë dot, kur i kemi, se me çfarë pasurie jemi të bekuar. Po e ritregoj: kur takova një punonjëse në kolegjin Malcolm X, në Chicago, dhe folëm së bashku për pak kohë, rutina fillon me pyetjen standarde: Nga je?
“Kongo”, tha ajo vajza e bukur me ato buzë të trasha dhe ca flokë kaçurrela.
“Kinsasha, Patris Lumumba”, i thashë.
Ajo kërceu duke përplasur duart dhe gëzonte si një fëmijë, duke folur pa e ditur çfarë: “Atdheu im, Atdheu im”.
Kush ka Atdhe ka pasuri shpirtërore që nuk arrin ta çmojë në kohën e pavëmendjes. Atdheu nuk është qeveria. Qeverisjet, në të gjithë botën, i bën të drejta vetëm trysnia demokratike e popujve të tyre; përndryshe, ato të shkelin si insekt, nëse ua japim mundësinë në këtë epokë narciste.
Kur dikush e pyeti Dickinson-in se ç’mendonte për Longfellow-n, ajo iu përgjigj: “Është gjeni në konstatimin e të dukshmes, ndaj nuk dua të kopjoj Longfellow-n në çështjet e Atdheut tim.”
Ai është pasuria jonë, kolaterali i vërtetë shpirtëror, i pabraktisur nga shpirti i emigrantit.
Ne, shqiptarët, jemi populli që tringëllin më shumë nga të gjithë popujt në kontrollin e metal detector-it, për atdhedashuri.
“Atdheu im, Atdheu im”, shoqërova kongolezen, më i gëzuar se ajo.
God bless America, Albania, Kosova, Vatra!