Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Kombi nis tek dera e jote, tek kufijtë bio-pronësor të tokës tande, tek visi yt. Kjo aksiomë e përjetshme është leitmotiv edhe i morinasit e bregdrinasit, Kadri Morina. E dëshmoi publikisht, si përherë, edhe në këtë fundviti me kryerjen e sipërmarrjes shpirtërore e financimin tërësor të botimit të veprës së mirëfilltë shkencore “MALZIU bubrrime historike-etnologjike-folklorike-gjuhësore” (GEER, Tiranë, 2013). Është një vepër tejet e çmuar për vendlindjen e Kadri Morinës, i cili ka lind e rritë shtat dhe profil në Shikaj, dikur qënder bajraku dhe një nga 12 fshatrat e komunës së sotme Malziu në brigjet e Drinit të Bashkuar apo, tashti, edhe të liqenit artificial të Fierzës së dritës. Kjo vepër shkencore i kap nivelet e botimeve euro-atlantike për nga brendia e luksi i saj saqë hyn në standarte të një libri dhuratëedhe për ente zyrtare e mjedise familjare elitare.
Autori (njëherash edhe redaktor e korektor) i kësaj vepre shkencore është prof. as. dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit, euriditi lumjan, ish pedagog universitar, bashkëpunëtori shkencor i instituteve shkencore të Tiranës, ish deputet demokrat në Kuvendin e Shqipërisë (1992-1996),me qindra shkrime e dhjetra libra të botuar, tashti pensionist në metropolin shqiptar, në Tiranë. Prof. Shefqet Hoxha është legjendë e gjallë e shkrimtarisë shkencore e kulturologjike për Kukësin me rrethina. Ndoshta përbën rast unikal në botën e sotme që një shkenctar e kulturolog i kushton krahinës së tij etno-historike e administrative 50 vepra të mirëfillta e me laryshi zhanresh si monografi historike, etnologji, dialektologji, folklor, leksikologji, etj. Shkenctari Shefqet Hoxha, siç faktohet edhe në kit’ veprën e tij, paska mbi një gjysëm shekulli që hulumton ngultas e zdrit shpeshtas për Malziun me disa botime në faqe të shtypit lokal e qëndror, parë në këndvështrime historike, etnologjike, folklorike,gjuhësore, etj. Emri emblematik bashkëkohor dhe vepra madhore akademike e derisotme e prof. Shefqet Hoxhës, i ban nder çdo krahine e rrethi të Shqipërisë Londineze dhe gjithkah shqipnojnë trojet etnike në Ballkan, po tani këto merita në rritje, ky thesar me prodhimtari visarore, i takojnë vendlindjes së tij, Kukësit. Ai është, si të thuash, “akademi” e/për Kukësin.
Kjo vepër shkencore në stafin e saj akademik ka vetëm një recensent. Sigurisht, mjafton vetëm një i tillë si Mustafa Hoxha, pasi ky është një personalitet dijetar e veprimtar vendali – nga fshati Dukagjin i Malziut, i shkolluar pesë vjet në Leningrad të BRSS, ish deputet në dy legjislatura në Kuvendin Popullor të RPSSH, ish zyrtar profesionist i arsimit e kulturës në Kukës, mbi një gjysëm shekulli (1965-1991) ka mirëdrejtue dy masmedia: radion lokale Kukësi, e cila kishte veprimtari të çmuar kombëtare si zëri shqiptar për Kosovën dardane nën Jugosllavi e, mbasandejna, edhe kryeredaktor i gazetës lokale “Kukësi i Ri”, autor i disa veprave të përkthyera nga rusishtja në shqip, etj. E kam njohur nga afër Mustafa Hoxhën qyshse në fundvitet ’80 e fillimvitet ’90, asokohe kur botohej në Kukës gazeta lokale “Shkëlzeni” e Tropojës, ndaj dua të them se është një burrë i fismë, dalzotas i detyrave të veta, të cilit zgjuarsia e thellë e urtia e hapur kurrë nuk i munguan e as nuk i tepruan, ndaj eci me hapa të qetë e me sy të qeshur. I tillë, njeri i nderuar, mbetet edhe sot, 78 vjeçar, teksa bulevardon në Tiranë e kie kënaqësi me i folë me të dy fjalë në ecje apo me u ul diku e me e pi një kafe të rrallë me i burrë të tillë të rrallë.
Këta tre burra të sojshëm, secili ma i mirë se shoqi, prof. Shefqet Hoxha i Lumës, Mustafa Hoxha i Dukagjinit (Malziu) e Kadri Morina i Shikajve (Malziu) morën vendim në bashkari dhe i hynë sipërmarrjes fisnike mbi trevjeçare për botimin e veprës “Malziu…”. Secili në detyrën e vet, në profilin e vet, me rolin e kontributin e vet. Pati edhe të tjerë ndihmatarë si kordinator, konsulent apo prurës me shenime e kujtime si i mirënjohuri etnologu pukjan, Xhemal Meçi; i përkushtuari malzias, Rexhep Tahiri; të paharruemit malzias, Ali Hasani, Ejup Hoxha, Ferit Hoxha, të cilët i faleminderon veçmas edhe autori i monografisë, prof. Shefqet Hoxha. (shih fq. 8). Vepra shkencore “Malziu…” e penës së artë të prof. as. dr. Shefqet Hoxhës, doli në dritë si një arritje e mirëpritur, të cilën autori ua kushtimon “malazezëve të urtë e të vnjeshëm” duke ua shpalos “vlerat njerëzore dhe të kaluarën e harruar të visit të tyre” (fq.3). Kjo vepër shkencore i kapërceu kufijtë e një krahine, të një rrethi, të një qarku; po hyn në fondin e pasurisë kombëtare, po zenë vend në biblioteka kombëtare në Europë e deri në Amerikë.
2.
Amerikanët e kanë një shprehje për vetveten: Mëso të respektosh një biznesmen që ka mbi një milionë dollarë se po të ishe i zoti do i baje edhe ti kaq pasuri valutore me mendjen e djersën tande. Në vende euro-lindore ballkanike,si kjo e jona Shqipëri Londineze, e cila ka përjetue disa sisteme e rregjime ma tepër se problematike, gjithato luftëra botërore e ballkanike shkatrrimtare, kryengritje të shumta e të pafundme kundër vetvetes e të tjerëve, e cila po e provon aktualisht edhe tranzicionin galopant e galiç, kuptohet se është disi e vështirë me i vnue në vend e me rend, sipas Traditës apo Protokollit, biznesmenët e kohës së tanishme tue iu marrë në konsideratë pasurinë valutore, humanitare e intelektuale të tyre. Sot, jo veç në laminë e biznesit, shumkush ia ngjet vetes “flatrat” e dragoit dhe gjithkush po don me t’i mbathë “patkojtë”. Kena kalue jo pak kohna revolucionare me ç’shenjtërim të pronës private e të bio-poseduesve të saj. As kjo koha e sodit nuk po i jep shenjtërinë meritore pronës e, përndryshe, ma e pakta: me i lanë në shenjtërinë e vet biznesmenët e meritës.
Kadri Morina është nga ato personalitete shumëdimensionale publike që ban përjashtim jo rastësor në kohë e hapësirë, në vlera e virtyte. Ia ka mbrri të jetë i përveçëm, me emër e mbiemër, me fytyrën e tij, në librin e madh të biznesit kombëtar shqiptar e të shoqërisë kombëtare shqiptare. Nuk është i vetmi, po i përnget vetëvetes. Ndjek edhe shembullin ma të mirë të të tjerëve. Kadri Morina është vet Kadri Morina.
ADN e Kadri Morinës në vena e inde dhe në palcën e ashtin genetik ndër breza e ka të skalitur fort e mirë traditën e biznesit. Është “i lindur” si biznesmen e, si i tillë, punon në bizneset e veta me të gjitha shqisat e tij. Përndryshe: Ai ka çka sjell e çka përcjell. Si shumëkush. Mbi të gjitha: është Dikush. I rrinë kohës në kambë. I prin jetës në ballë.
Gjyshi i tij morinas e bregdrinas, Niman Ali Morina, qyshse para dy shekujve kalendarik e ka marrë fatin në krah e botën në sy dhe i ndali hapat në Anadoll, bash në kryeqytetin portual të Stambollit, në kryeqytetin e tri perandorive nga ma të mëdhatë e botës: asaj Romake, Bizantine e Otomane; një nga kryeqytetet e kulturës, arsimit e zhvillimit ekonomik botëror të asaj kohe. Ky njeri i ditun dhe i shetitun u rikthye tek ama e tij, në truallin e tij, duke i dhanë ma tepër fuqi e risi kullës së vet, e cila ishte një ndër ma gjallniket nga pasunia e veprimtaria në trevën e Malziut. Kësokohe, Niman Morina solli me veti kulturë të madhe, monedha osmane, mjete relike (si një mulli kafeje që dikur e përdorte krejt krahina për dasma e morte), etj.
Ashtu sikurse të shquarit e botës në fusha të ndryshme të jetës e të shkencës marrin Çmimin “Nobel” në Stokholmin skandinav të Suedisë, edhe Tahir Morina, i ati i Kadri Morinës, e ka marrë në rang lokal një të tillë “çmim” të pashoq për virtytetet, vlerat e veprat e tij në vendlindjen e vet, pasi në krahinën Malziu e jo vetëm malziasit e thërrasin masivisht e mirësisht: “Baba Tahiri”. Shpesh ka qëllue që as profetët mos me u vlerësue në vendlindjen e vet, ashtu sikurse edhe shumë fëmijë modernë harrojnë me i thirrë prindit të vet me emnin hyjnor: “Babë”! Pra, një çmim i tillë: “Babë Tahiri”, nuk është i pakët me e fitue moralisht dhe jo aq i lehtë me e mbajtë atë jetëgjatësisht e dinjitarisht, pasi vet njeriu duhet të jetë “nobel”, të jetë njeri i mbrrimë, të jetë vet Tahir Morina.
I thjeshti, punëtori, besimtari, Tahir Morina, burrë i besës e i ndershëm, për nga profesioni edhe guzhinier i shumkërkuar, njeri vendimmarrës, shquhej edhe si administrator i pasurive të tij të (pa)luajtshme saqë edhe pikën e ujit mund ta ndante më dysh, i zgjonte mëngjeset në krye të punëve të ditës, stinës e kohës; luftonte me plot sakrifica përmes vështirësive të (pa)qëllimta për t’i rritë të mirë e me të mira të pesë fëmijët e tij, me ua dhanë me zotësi e mbarësi shkollën, punën e rrugët e jetës.
Tashti ky burrë malësie, bregdrinas e morinas, i ditur e i shetitur, misionar bajenderës, ky Tahir Morina, shtatmbajtun, ecën krenar brigjeve të Drinit, bulevardeve të Tiranës, bregdetit të Sarandës, Udhës së Kombit deri në Prishtinë, nga plazhi i Ulqinit në kalanë e Shkupit, pasi ia ka mbrri asaj që ia don zemra e mendja çdo prindi mbi tokë: iu kanë ngrit fëmijët e tij, nipërit e mbesat e tij, në lartësi dinjitare që tashma kanë imazhin, frymën e suksesin e tyre me emnin e nderit e të progresit: “Kadri Morina”.
3.
Vendlindja e Kadri Morinës, krahinë/za e Malziut, në brigje të epërme të Drinit të Mesëm, është një trevë e qytetërimit të lashtë pellazgo-ilir, që daton të paktën dhjetë mijë vjet ma herët, tue nistue prej sodit. Në antikitetetin e lashtë vendasit e atyshëm jetnonin në banesa mbi tokë e ta ndara në dhoma, kishin enë me dekoracione për gatim e hijeshim, etj., njësoj si edhe në Maliq të Korçës, etj., ndërkohë që sipas HPSH, Tiranë, 2002, fq. 44-46) edhe në ultina bregdetare banonin në gropa nëndhese. Aty, lidhtas me Fushën e Dukagjinit (Malziu), gjendej Kolshi i vjetër prehistorik, vendbanim i neolitit të hershëm të zhvilluar, që në historinë shqiptare, ballkanike e europiane njihet si “Kultura Kolshi I”, kulturë përfaqësuese e krejt Shqipërisë Verilindore. Kolshi I ka si tregues themelor qeramikën barbotine në reliev të ngritur, qeramikën e pikturuar me bojë kafe mbi sfond të kuq dhe qeramikën impreso, të cilat vendosen mjaft qartë në raporte kulturore e kronologjike me Rudniku III në Kosovë dhe me gjithë kulturat e fazës Starçevo II b të Ballkanit Qendror, etj.
Në këtë truall të Malziut të sotëm thuhet se ka jetnue fisi ilir i Siculotae (fq. 112), prej të cilit e mori emrin edhe vendlindja e Kadri Morinës, fshati Shikaj (Shikla-Shikje-Shike), ashtu sikurse edhe në brigjet e Valbonës, prej ku bigohet me Drinin e deri në Gryka, popullohej nga fisi ilir i Skirtonëve, paraardhësit e fisit të hershëm të “Ponarit të Lekës” me vendbanim trojenik në Malësinë e Gjakovës dhe në Ultinën e Podgoricës së sotme. Për herë të parë, sipas gurrave dokumentare të vrellta, emni i fshatit Shikaj (në trajtën Shikla) përmendet në krisobulën e car Stefan Dushanit në vitin 1348.
Malziu ka pasë qytetërim edhe në kohna të Mesjetës së hershme, të mesme e të vonë. Aty ende gjenden gjurmë historike e rrënoja të kalave (kështjellave). Ma e njoftuna është “Kalaja e Lekës”, e Lekë Dukagjinit, sundimtar i këtyne anëve e ligjbërës i Kanunit me emnin e tij. Kjo kala, të cilën e ka shkel me kambë shpeshherë edhe Kadri Morina, ngrihet mbi një kodrinë, në një vend të kyçtë, mbi një shkëmb të thiktë “Qafa e Gjytetit” e, teposhtë, shtrihet një fushë e vogël, “Qyteti”. E gjitha kjo formon një farë gadishulli tek bashkimi i lumit të Krumës me Drinin e, kulla e saj katërkandshe, lartohet në 259 metra lartësi mbidetare. Mbi një kodër në formë konike me lartësi 323 metra mbi nivelin e detit ngrihet “Kështjella e Shëmrisë”, për të cilën historiani Shefqet Hoxha hedh idenë se duhet të jetë vendosur “në kufirin mes provincave Praevalis dhe Dardania”, e cila ishte edhe një tjetër pikë nyje në kahendarjet e rrugëve drejt Vaspasit e Dardanisë.
Malziu ishte një vend gjeo-strategjik i kryqtimit të udhëve qyshse në kohë të lashta, pasi trupohej nga “Rruga e vjetër”, ndryshe: Publica Via apo ma plotërisht: Rruga Lissus-Nissus (Rruga Lezhë-Nish). Në Vaspas (Va-Spas), tek kalimi mbi lumin Drin, rruga e madhe ndahej në tre drejtime, drejt kryeqëndrave të mëdha ndër kohëra: drejt Prizrenit, drejt Gjakovës me rrethina, drejt Shkodrës. Nga fshatra të Malziut, siç shpjegohet në këtë vepër shkencore, niseshin disa udhë drejt krahinave (rretheve) përqark: drejt Mirditës, Hasit, Malësisë së Gjakovës (Tropojë), Pukës, Kukësit. Këto rrugë kanë sjellë qytetërim, zhvillim të mirë ekonomik e kulturor, pasi aty kishte doganë, hanet e Vaspasit e Shikaj, dyqane zejtarie e shitore, etj. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII u ndërtue “Ura e Vezirit” (sipërmarrje nga Veziri i Shkodrës) me 18 harqe të madhësive të ndryshme, një nga monumentet ma të mëdha të Perandorisë Otomane në gadishullin e Ballkanit.
Malziu ishte një vend që kohëpaskohe i bante njerëzit e vet biznesmenë të mirë, iu ngjallte atyne humanizmin njerëzor, iu ushqente ndjenjën e punës, kursimit e fitimit.
Ndaj nuk është e rastit, që në vise përgjatë brigjeve të Drinit, në të tilla udhëkryqe të shkëmbimeve tregtare e të kulturave, si fjala vjen prej nga bashkimi i Dy Drinave deri në bigimin e Valbonës me Drinin, kemi gjithata biznesmenë të njohur në këtë shekull të ri: Avni Ponari, Basri Ruka, Hajri Elezi, Kadri Morina, Ramë Geci, Shyqyri Duraku, e dhjetra të tjerë.
Ndryshe nga gjithato treva në Shqipërinë e Veriut, Vaspasi e krejt krahina etno-historike e administrative e Malziut, falë edhe pozicionit gjeo-strategjik, është fjalashkrue nga shumë autoritete të shkencave, politikës, letrave e diplomacisë, shumë sish edhe udhëpërshkrues, si: Llazar Soranzo (shek. XV), Frang Bardhi (1638), Evlia Çelebia (1670), Stefan Gaspri (1671), Vincenzo Zmajevich (1703), J.G. von Hahn (1867), Giusepe Celcich (1899), Jastrebovi (1904), Theodor Ipen (1908), A. Baldacci (1929), E. Armao (1933), Kahreman Ulqini (1973), Kolë Luka (1981), Xhemal Meçi (1997), Jaho Brahaj (2005). Sigurisht, historiani i njohur Shefqet Hoxha e ka mirëmendue përzgjedhjen e publikimin e fragmenteve të shkruara (fq. 100-112) nga këto personalitete duke ia rritë kështu ma tej e ma mirë vlerat e mirëfillta dokumentare kësaj vepre shkencore për Malziun.
Prof. as. dr. Shefqet Hoxha qyshse në parathënie të kësaj vepre shkencore pohon edhe një tjetër randësi etno-historike të Malziut: “Traditat e ruajtura të banorëve të Malziut dëshmojnë origjinalitetin, por edhe ndikime të krahinave përrreth: Mirditës, Lumës, Hasit dhe Malësisë në të djathtë të Drinit. Madje, më duket se ky vis është një kapërcere midis Gegërisë së mesme dhe Malësisë, tiparet kulturore të të cilave i ndesh në çdo lëmi: në folklor, në etnokulturë, në të folme, etj.” (fq. 7).
4.
Kadri Morina mban mbiemnin e fisit të vet Morina, një nga 12 fiset e njohura në Shqipërinë e Veriut. Emrin Morina e gjejmë tek Qafë Morini në kufi me Gjakovën e Tropojën (Malësinë e Gjakovës). Aty, në hershmëri pagane, ka qënë një Tempull Diellor. Aty njerëzit luteshin. Aty janë ba edhe luftëra të mëdha. Njerëzit ishin qëndrestarë, luftëtarë. Vdisnin në kambë. Pra, ishin morina. Nuk dihet: vendi ua dha emrin e fisit apo fisi i dha emrin vendit. Sidoqoftë, në mes të Kukësit e Prizrenit kemi edhe doganën e Morinës. Nga fisi Morina, siç thuhet edhe në këtë vepër, ka edhe në Shikaj, Petkaj, Shpataj, Mgullë të Malziut. Një prej tyre është Kadri Morina i Shikajt. Më vno disi në mendime një rrëfim i vitit 1982 i Fejzë Dobrushit, 83 vjeç, në Shëmri: flet për një festë të veçantë në Malzi: “Darka e Diellit” (fq. 259) e cila festohej sikurse Dita e Verës, Novruzi, Zhgjergji, Runa, Shmitri, Mejdisi i Dimnit. Ndaj baj një farë lidhjeje jo krejt rastësore traditore në mes Tempullit Diellor në Qafën e Morinit e Darkës së Diellit në Malziun në breg të Drinit të Bashkuar.
Kadri Morina është njeri besimtar. Beson në Zot jo veç kur i duhet, jo veç për rrëfim, jo veç kur ka hall, por beson në Zot se duhet besuar, beson si misionar, beson për veprim. Njësoj sikurse edhe baba e nana e tij besimtarë e misionarë, bamirës, bajenderës.
Përndryshe: Kadri Morina nuk është shenjt, po ka shenjtëritë e tij. Një prej tyre është edhe bamirësia në kohën, vendin dhe mënyrën e duhur. Ai ka marrë përsipër me sukses ndërtimin apo restaurimin e kulteve fetare në Peshkopi, në qytetin e Tiranës, në Marikaj të Durrësit, në Zall-Bastar të Tiranës, etj. Mijëra dollarë i akordoi për restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut bash në qendër të Tiranës, këtij kulti monument kombëtar, fetar, kulturor e historik. Ka financue edhe në përkthimin e Kur’anit. Ai nuk t’i përmend shembuj të tillë bamirësie. Duhet me i mësue prej të tjerëve. Këto fakte i gjeta tek një portret për biznesmenin e humanistin Kadri Morina të shkruar nga gazetarja e shkrimtarja shqiptaro-amerikane, Raimonda Moisiu, e botuar tek “Tirana Observer” në vitin 2009. Kadri Morina ka me dhjetra raste ndihme bamirësie si për jetimët e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë; për një fëmijë trevjeçar për transplant mëlçie në Spitalin Amerikan në Tiranë, etj. etj. Gjithashtu ka financue për Festivalin e Filmit në Durrës, shumë libra historik e letrar, ekspozita pikture, veprimtari nga ma të ndryshmet.
Ndihma e Kadri Morinës për Kosovën është e madhe, e çmuar, e përhershme, e cila shprehet edhe në një deklaratë të tij të kahershme: “Për Çështjen Kombëtare shkrij pasurinë, jap edhe jetën”.
5.
Dinjitari Kadri Morina e ka nusen e tij, Kozetën, nga dera e njohur e Madanëve të Gashit të Gurit.Është çika e nderuar e një burri të mirë, Din Madanit, shtegtar i hidrocentraleve në dy dekada nga Fierza në Koman (1971-1989). Ai ka disa vite që ka ndrrue jetë, po mbetet kujtimi e nderimi për emrin, virtytet e sakrificat e tij, mbetet shembulli i tij si kryezyrtar model i sektorit të burimeve njerëzore në 15 vitet e fundit të paradaljes në pension.. Kam pasë rastin ta njoh qyshse në hidrocentralin e Fierzës, kah fundviti 1975. Pikërisht, asokohe kur fillova punë në ma pak se një vit kohë në sekretari-arkiv në kantierin e prodhimit nr. 2 të H/C të Fierzës. Ndonjëherë, ndër vite, më ka qëllue që kur kisha mëdyshje për ndonjë shkrim për Fierzën për ta çue në shtypin e Tiranës shkoja e konsultohesha edhe me Din Madanin, barometrin e të drejtës e të vërtetës. Edhe sot e kësaj dite i çmoj sjelljet e tij si ndaj disave që ishin me “biografi të keqe”, ndaj atyre që donin të kualifikoheshin në profesione të ndryshme, etj. Ishte njeri fistar. Mbi të gjitha njerëzor. Djalin e tij, intelektualin e kohës, ing. Skënder Madanin, e kam mik, një mik që të ban të nderuar ecja në krah të tij. Ai ka krye dy universitete, ka dy shtetësi – shqiptare e kanadeze, zotëron dy gjuhë të huaja. Ma së parit e pata takue këtë djalosh të Dhjetorit ’90 teksa interesohej tek ministri i Kulturës, Bujar Leskaj, për t’i kërkue miqësisht ndihmë për Tropojën e tij. Kësokohe, më 2007, ai punonte zv/drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Në vitin 2009, teksa pinim kafe me mikun tim Skënder Madani tek “Piazza” në qendër të Tiranës, e pata njohur biznesmenin Kadri Morina, pronarin e ri të këtij bar-restoranti modern, të frekuentuar nga personalitete (ndër)kombëtare. Ky bar-restorant, edhe pse janë ndertue të tjerë me emna të mëdhenj botëror si “Sheraton”, “Rogner”, etj. ende mbetet në nivele të larta si vatër e bukurisë, kënaqësisë e mirësisë. Më la mbresa e më ngjalli respekt kultura e Kadri Morinës. Ai kishte njohuri të mira për letërsinë e artin, për figura të njohura të tij. Ai fliste me admirim e kompetencë për Kosovën, etj. Ai e mbante bisedën në lartësi edhe kur fliste për Amerikën e personalitete të saj, disa prej të cilëve i kishte miq, si artistin e madh me origjinë shqiptare, Sten Dragoti, kumbara i djalit të tij të vogël, Wesliklarkut, etj. Atë ditë m’u duk se ishte një anglo-sakson. Mbi të gjitha, Kadri Morina, është një shqiptar kombëtar.
Fëmijët e Kadri Morinës janë në rrugën e të mbarës, në ecje drejt lartësive të suksesit. Ma i madhi ndër fëmijët, Kreshniku, është i dhanun pas matematikës, talent qyshse herët kur fitonte Olimpiadat e Matematikës. Tjetri, Klajdi, i përkushtuar edhe pas sportit, pjesmarrës në veprimtari ndërkombëtare si në Samitin Botëror të Ujit në Stamboll, etj. Klara, vajza e vetme, talent në piano, çka e ka dëshmue edhe në koncertin e Selin Dion në Las Vegas të Amerikës, etj. Një nga katër fëmijët e tij, ma i vogli, mban emnin Wesliklark, në nderim mirënjohjeje për gjeneralin amerikan, Wesli Klark, komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s për Europën, që ishte një nga strategët e Luftës së Kosovës në vitin 1999, ndihmëtar i lirisë së saj së Kosovës. Pra, një familje e mirë në lartësi të kohës, me vizione e pasione për jetën e të nesërmen, me tradita e arritje. Njerëz të mirë në këtë kohë të vështirë.
6.
Vepra “Malziu…” është një enciklopedi shkencore, një vepër fletëhapur për brezat, një metodologji për të tjerët se si duhet shkrue një monografi për një krahinë shqiptare.
Një vend të veçantë në këtë vepër (fq. 219-240) zenë disa prej figurave të njohura të krahinës së Malziut, si: Andrea Kalimashi (1643-1687), Demë Simoni (mesi i shek. XIX), Rrustem Ukë Bajrami i Pistës (gjysma e dytë e shek. XIX), Tahir Sinani i Kalimashit (gjysma e dytë e shek. XIX), Hasan Rrahmani i Mëgullës (gjysma e dytë e shek. XIX), Ismail Arifi (…1912), Osman Ibrahim Hoxha i Dukagjinit (fundi i shek. XIX – fillimi i shek. XIX); Halil Mustafë Hasani i Pistës (1884-1912), Sali Aga (1854 – 1953), Tahir Aga e motra e tij, Lajle , Ramë Hoxha i Dukagjinit (fundi i shek. XIX e gjysma e parë e shek. XX), Ismail H. Muçaj, Mustafa Hoxha, etj.
Kadri Morina e ka provue vetveten si biznesmenë qyshse në kohën që punonte në vendlindjen e tij, me menaxhimin e prodhimit e tregtimit të esencës të rrëshirës së pishës, duke u arritë pesëfishimi i vlerës të ditëpunës në kooperativën bujqësore. Kësokohe, edhe pasi kërkoi të drejta të mohuara të babës së tij, Tahir Morinës, për qëndrimet e zgjuara e të prera në kohëprishjen e marrëdhanieve me Bashkimin Sovjetik, ndodhi ajo që (s)pritej: djaloshit Kadri Morinaiu vërsulën njerëz të vegjël në karrike të mëdha për ta implikue në gjyqin e jehonshëm të Kukësit për esencën e rrëshirës së pishës, prej nga doli me pafajësi. Në kohën kur punonte me rininë në ushtri në Tiranë, në vitin 1990, iu kërkue të sillte patate nga Kukësi, ku me shtimin e numrit të kamionave iu shtuan edhe të ardhurat. Në kohën e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, në ditën e rrëzimit të shtatores së Enverit, vetheq zyrtarisht uniformën e zyrtarit ushtarak dhe ia fillon biznesit: I bleu katër fabrika buke nga Turqia. Nis edhe transportin e çimentos. Fillon të merret me ndërtimtari. Tevona, më 1998, ngre një zdrukdhtari për mobilje për firma ndërtuese. Para disa vitesh kreu dy blerje të mëdha: bleu Shoqërinë e Sigurimeve “EUROSIG” në Tiranë e me filiale në disa rrethe, bleu edhe bar-restorant “Piazza” në qënder të Tiranës (ish lokalin e shqiptaro-amerikanit të njohur, Ekrem Bardha). Merret edhe me ndërtime deri në Sarandë. Pra, Kadri Morina, nuk është nga ata “biznesmenët e klonuar” apo “biznesmenët në inkubator” që punojnë me lekët “e tepërta” apo “të fshehta” të të tjerëve e për të tjerët, që i kemi jo të pakët në këtë kohë tranzicioni postkomunist. Nuk është as nga ata biznesmenë që u banë të fuqishëm me forcë apo mbi lotë. Kadri Morina është biznesmen i themeltë, i suksesshëm, i pathyeshëm, i pakthyeshëm, biznesmen i të djeshmes, i të sotmes dhe i së nesërmes.
Prof. as. dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit, tek vepra e tij shkencore “Malziu…”, në kryefalenderimin e tij për biznesmenin Kadri Morina (fq. 2) na i përcjell tri të veçanta të këtij biznesmeni sipërmarrës misionar: “Zemërgjerësia. Njeri me shpirt të ndjeshëm. Me dashuri të pamatë për visin e vet, Malziun”.
Kur ecën Kadri Morina hapin e ka të lehtë. Duket sikur Toka e mban peshë. Mëse realitet, pasi është nga të shumtit bij të kësaj Toke që nuk i bajnë randë Asaj, nuk i nxanë vend kot. Përkundrazi: me biznesin e humanizmin e tij, gjallnon e hijeshon në Tokën e vet etnike. Ai kontribuon që kjo Tokë të jetë një vend edhe ma i jetueshëm, edhe ma i lumnueshëm për rrënjët e degët e tij, për shoqërinë shqiptare bashkudhtare, për breza në vargni kohe. Ai mbetet i motivuar për vete dhe motiv për të tjerët. Njeri i Besimit, i Mendimit dhe i Veprimit. Në këtë Tokë të begatë edhe Kadri Morina e ka hisen e vet të meritueme me dije natyrale e të kultivueme dhe me sakrifica bohemike e praktike, e ka emrin e vet të mirë me punë të vyeshme e virtyte genetike.Në këtë Tokë të bekueme edhe Kadri Morina e ka hisen e vet të diellit natyror e atij hyjnor, i ka hapësirat vendore e kohore rrezatuese të veprimtarisë së vet në shërbim mirësor për familjen e njerëzit e tij, shoqërinë tonë, kombin shqiptar.
Tiranë, dhjetor, 2013