
Prof.Dr. Sylë Ukshini/
Duhet pranuar se shumë dokumente primare dhe sekondare të proveniencës austro-hungareze përmbysin vlerësimet e deritashme të historiografisë shqiptare për Kuvendin e Ferizaj të vitit 1908 si dhe zhvillimet e tjera para dhe pas kësaj ngjarjeje të madhe, e cila në fund merr karakter agresiv antiosman, për shkak të rolit të agjitatorëve serbë në mesin e liderëve shqiptarë të këtij Kuvendi. Në anën tjetër, studiuesit shqiptarë, duke dashur të mohojnë në tërësi rolin dhe ndikimin e faktorit të jashtëm, në rend të parë të Austro-Hungarisë brenda lëvizjes kombëtare shqiptare, mbitheksojnë karakterin e kërkesave të tubimit të Ferizajt
Ballkani Perëndimor, përkatësisht pjesa evropiane e Perandorisë Osmane, në fillim të shekullit të njëzetë ishte një arenë e aktiviteteve të shumta politike dhe ushtarake të shteteve rajonale dhe evropiane, organizatave, grupeve të shumta etno-konfesionale, të cilat konkurronin për kontroll dhe hegjemoni politike, ekonomike dhe ushtarake. Ndërveprimi midis këtyre faktorëve dhe popullsive të këtij rajoni rezultoi me relacionin xhonturk, një përpjekje e kotë për ta shpëtuar shtetin osman nga shpërbërja. Në këtë periudhë, Vilajeti i Kosovës ishte qendër e trazirave të mëdha antiosmane, si politike, ashtu edhe ushtarake.
Ky shkrim përqendrohet kryesisht në zhvillimet politike në Vilajetin osman të Kosovës, përkatësisht në Kuvendin e Ferizajt (1908), i cili përkoi me në ngjarje tjetër politike të rëndësishme në Perandorinë Osmane, me Revolucionin e Turqve të Rinj, një lëvizje kjo revolucionare kundër regjimit autoritar të sulltanit osman Abdylhamitit II, e cila kulmoi me krijimin e një qeverie kushtetuese. Dobësimi i autoritetit qendror osman lejoi që aktorët rajonalë të pohonin autonominë. Por entuziazmi i shqiptarëve për regjimin xhonturk ishte jetëshkurtër. Në tërë Vilajetin e Kosovës u krijua një mosbesim ndaj turqve të rinj.
Punimi, që mbështetet kryesisht në burimet e proveniencës austro-hungareze, provon të nxjerrë në pah qëllimet e Kuvendit të Ferizajt sipas burimeve. Për më tepër, theksi do të vihet në prapaskenat e këtij Kuvendi shqiptar, i cili ishte po ashtu rrjedhojë e ndikimeve gjeopolitike rajonale, por gjithashtu do të jepet një qasje më e nuancuar e aktiviteteve të shtetit osman nën Komitetin Bashkim dhe Përparim, si dhe aktiviteteve të fuqive të jashtme të fiqve të mëdha.
Prapaskenat e ngjarjes së 3 korrikut të 1908-s
Pas ardhjes në pushtet, xhonturqit prezantuan programe që promovuan modernizimin e Perandorisë Osmane dhe një frymë të re të nacionalizmit turk. Më 3 korrik 1908, major Ahmet Njazi Beu i Korpusit të Tretë udhëhoqi një revoltë kundër autoriteteve provinciale në Resnjë të Maqedonisë, ku shqiptarët ishin mjaft të pranishëm. Kur xhonturqit e filluan kryengritjen në përmasa të mëdha në korpusin e Armatës së Tretë, në fillim të korrikut të vitit 1908, ata i shfrytëzuan të gjitha lidhjet dhe kontaktet e tyre me krerët e shqiptarëve të Kosovës. Sipas Noel Malcomit, pothuajse i vetmi interes që i bashkonte xhonturqit dhe shqiptarët në këtë periudhë ishte përpjekja kundër ndërhyrjes së shteteve të huaja në territorin e Perandorisë Osmane. Në fakt, në Kosovë prej kohësh agjitatorët serbë po përhapnin informacione se gjoja Austro-Hungaria kishte synim të pushtonte Kosovën, në mënyrë të minoheshin përpjekjet e Austro-Hungaria për krijimin e një shteti etnik shqiptar në Ballkan.
Komplotistët e tjerë ndoqën shpejt shembullin e oficerëve të Armatës së Tretë dhe rebelimi u përhap me shpejtësi në të gjithë shtetin osman, përkatësisht edhe në Vilajetin e Kosovës dhe në Ferizaj (Ferizbeg), ku në një tubim të shqiptarëve pati një ndikim dhe rol të rëndësishëm në këtë lëvizje reformatore. Kësisoj, Kuvendi i Ferizajt tregon se edhe shqiptarët ishin pjesë e lëvizjes së xhonturqve dhe mbështetën në mënyrë aktive revolucionin në terren, por që problemet u shfaqën me disa nacionalistë para revolucionit, dhe mbi të gjitha, pas tij kur shqiptarët mbajtën anën e partizanëve të decentralizimit, dhe kështu kundër politikës së centralizimit dhe turqizimit të Perandorisë të kryer nga Komiteti i Bashkimit dhe Përparimit.
Në pamundësi për të shuar kryengritjen, sulltan Abdylhamiti lëshoi pe para presionit të këshillit të turqve të rinj (xhonturqve nga Selaniku) dhe më 23 korrik 1908 shpalli kthimin në fuqi të Kushtetutës së 1876 dhe rithirrjen e parlamentit. Pas kësaj nuk e la pa u premtuar udhëheqësve të kryengritjes, Njazi Beut dhe Enver Beut, gradat e gjeneralit nëse tërhiqen nga lufta e mëtejshme.
Në fillim pas fitoreve së xhonturqve, në territoret shqiptare u themeluan një numër klubesh shqiptare, shtypshkronjat filluan të botonin në shqip dhe u hapën një duzinë shkollash shqipe, të cilat deri atëherë kishin qenë të ndaluara nga qeveria e Sulltan Abdylhamitit, e cila qeveri ishte “aq e mbushur me përbuzje, në përgjithësi, për arnautët.” Shteti osman në fakt kishte frikë se duke ua njohur shqiptarëve – shumica e të cilëve ishin myslimanë – të drejtat kombëtare, atëherë të gjithë popujt e tjerë myslimanë, të cilët ishin pjesë e perandorisë, por që nuk ishin të kombësisë turke do të ngrinin kërkesa të ngjashme.
Megjithëse kthimi i Kushtetutës së vjetër shkaktoi optimizëm në Vilajetin e Kosovës, si kudo në shtetin osman, shumë shpejt marrëdhëniet ndërmjet qeveritarëve të rinj dhe shqiptarëve u përkeqësuan në mënyrë rapide, pasi xhonturqit shumë shpejt hoqën dorë nga premtimet fillestare.
Punimi synon të shtjellojë sfondin e ngjarjeve të brendshme dhe ndërkombëtare, të cilat interferojnë drejtpërdrejt në këtë ngjarje në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, ku ndërthureshin interesat e vendeve ballkanike dhe të fuqive të mëdha evropiane. Deri më tani në diskursin e historiografisë shqiptare kjo ngjarje ka vazhduar të trajtohet në mënyrë të njëtrajtshme, ka munguar një shqyrtim i gjithanshëm i kësaj ngjarje të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Si pasojë e kësaj, punimet e deritashme në Tiranë dhe në Prishtinë është hedhur pak dritë mbi sfondin e kësaj ngjarjeje, ndikimet e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, për të vlerësuar me paanshmëri karakterin e vërtetë politik të Kuvendit të Ferizajt.
Nyja rreth planit austro-hungarez për hekurudhën
Në këtë mënyrë, Kuvendi i Ferizaj i vitit 1908, gjithsesi ngjarje e madhe e kohës në planin politik e diplomatik, e cila me vendimet e veta do të ndikonte në zhvillimet e brendshme shqiptare, për t´ua hapur rrugën ngjarjeve të tjera në Kosovë, kryengritjeve antiosmane të viteve 1910, 1911 dhe 1912, të cilat asnjëherë nuk u kurorëzuan me përmbushjen e idealeve të tyre.
Pavarësisht se në diskursin e historiografinë shqiptare vazhdon të mbretërojë mendimi se kjo ngjarje ishte mirë e organizuar dhe kishte thjeshtë karakter kombëtar, dokumentet e proveniencës austro-hungareze vërtetojnë të kundërtën, se kjo ngjarje ishte e instrumentalizuar në rend të parë nga qarqet osmane dhe deri diku edhe ato serbe, të cilat ishin fort të interesuar për t´i dhënë asaj karakterin e një revolte me karakter austro-hungareze me qëllim që të minohej ndikimi austro-hungarez në Vilajetin e Kosovës dhe në përgjithësi në hapësirat të tjera shqiptare.
Natyrisht ky rivalitet në territoret shqiptare ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Serbisë shtrihej edhe në nivel të institucioneve shpirtërore (fetare) dhe arsimore. Në këtë front, Vjena zyrtare ishte e interesuar për zhvillimin e arsimit në Shqipërinë Veriore dhe në Vilajetin e Kosovës, me qëllim që të pengonte ekspansionin sllav në territoret e vilajeteve osmane të Kosovës, Manastirit dhe rajone të tjera të Ballkanit.
Në gjithë këtë zhvillim, Kuvendi i Ferizajt, nga historiografia kryesisht është trajtuar sipas klisheve dhe stereotipave ideologjikë të idealizimit me patetikë folklorike ekzagjerimit të karakterit kombëtar të kësaj ngjarjeje, fajësimit të tjerëve, veçmas të Perandorisë Austro-Hungareze dhe të kërkimit me çdo kusht të prapaskenave dhe të armiqve, edhe aty ku nuk mund të kishte. Mbi të gjitha, mungon qasja kritike ndaj sjelljes së shqiptarëve, të cilët në këtë kohë dhe më pas nuk ishin në nivel të zhvillimeve të kohës.
Andaj, në përputhje me këtë, duhet hapur rrugën vlerësimit objektiv të Kuvendit të Ferizajt, duke e trajtuar nga pikëpamja e atyre proceseve që ndodhnin në cepin jugor të Evropës, për t´i bartur ato në një sfond dinamik gjeostrategjik, në të cilin edhe më tutje përvijohen thuajse interesa të njëjta të ndeshjes së sferave të interesit midis Perëndimit dhe Rusinë. Për të qartësuar më mirë karakterin e Kuvendit të Ferizajt, duhet parë kontekstin evropian dhe rivalitetin midis Fuqive të Mëdha projektit hekurudhor Jeni Pazar.
Pra, në rend të parë, Kuvendi i Ferizaj më 1908 përkon me planet austro-hungareze për ndërtimin e hekurudhës nga Sanxhaku në Mitrovicë – Ferizaj – Shkup, e cila nga diplomacia vjeneze shihej si linjë strategjike për shtrirjen e ndikimit të saj në rajonin e Ballkanit Jugor dhe depërtimit në portin e Selanikut, respektivisht si linjë për amortizimin e influencës ruse në Evropën Juglindore.
Prandaj, ishte e natyrshme se një ngjarje e tillë në Kosovë do të zinte vend të gjerë në raportet e konsujve austro-hungarezë, që ndodheshin asokohe në Prizren, Shkup dhe Mitrovicë. Pra, në qendër të këtij punimi është prezantimi i qëndrimin dhe analizimi i raporteve të konsujve austro-hungarezë, të cilët direkt apo indirekt edhe përfaqësonin linjën politikës të Vjenës zyrtare. Duhet pranuar se shumë dokumente primare dhe sekondare të proveniencës austro-hungareze përmbysin vlerësimet e deritashme të historiografisë shqiptare për Kuvendin e Ferizaj, si dhe zhvillimet tjera para dhe pas kësaj ngjarjeje të madhe, e cila në fund merr karakter agresiv anti-osman, për shkak të rolit të agjitatorëve serbë në mesin e liderëve shqiptarë të këtij kuvendi.
Në anën tjetër, studiuesit shqiptarë, duke dashur të mohojnë në tërësi rolin dhe ndikimin e faktorit të jashtëm, në rend të parë të Austro-Hungarisë brenda lëvizjes kombëtare shqiptare, mbitheksojnë karakterin e kërkesave të tubimit të Ferizajt. Shumica e historianëve shqiptarë, nën shembullin e historianëve të rajonit, këtë ngjarje nuk e kanë trajtuar me objektivitetin e duhur shkencor dhe në përgjithësi i janë përmbajtur traditës së historiografisë komuniste. Për këtë arsye, nga ana metodike, studimet shqiptare, në pjesë të madhe, në gjendjen e viteve të epokës komuniste, duke mos marrë parasysh sa duhet shkencën ndërkombëtare.
Përplasja e interesave midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë
Historiografia shqiptare deri më tani ka ofruar vetëm në pamje dhe vetëm një lloj interpretimi edhe rreth Kuvendit të Ferizajt, i cili ndodhi vetëm katër vjet para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, që sipas disa studiuesve evropianë ishte kapitulli i parë i kësaj lufte botërore. Dhe, nëse është kështu, atëherë duhet thënë se Ballkani dhe zhvillimet në këto hapësira, pra edhe në Vilajetin e Kosovës, ishin të ndërthura me interesat e fuqive të mëdha evropiane, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Rusisë, Italisë dhe Austro-Hungarisë, ose thënë ndryshe një grup shtetesh që i ngjasonte Grupit aktual të Kontaktit të viteve 1990-ta, ku vendin e Austro-Hungarisë e tashmë e ka zënë SHBA-ja, e cila sot praninë ushtarake në Kosovë e ka të vendosur pikërisht në hapësirën ku një shekull më parë mbi bazën e Marrëveshjes së Mürzstegut ishte paraparë të vendosej misioni i oficerëve nga Austro-Hungaria (shih hartën), në pjesën lindore të Vilajetit të Kosovës përkatësisht në kufirin Kosovë-Serbi dhe Maqedoni.
Sipas nenit 25 të Traktatit të Berlinit, Austro-Hungaria pushtoi provincat e Bosnjë-Hercegovinës. Zyrtarisht, ishte një okupim i përkohshëm me sulltanin që ishte sovrani suprem. Në sanxhak u vendos edhe një garnizon austriak, të cilin edhe Austro-Hungaria e konsideronte si një territor austriak të ardhshëm. Austro-Hungaria nuk kishte asnjë koloni dhe e vetmja mënyrë për të fituar territore të tjera ishte zgjerimi në Ballkan. Inkurajimi i saj i aktiviteteve ruse në Lindjen e Largët kishte si synim kryesor neutralizimin e Rusisë në Ballkan, gjë që do të lejonte një gamë të plotë të veprimeve austriake. Përfundimisht, në shkurt 1908, Marrëveshja e Mürzsteg u braktis.