Nga Fan S Noli/*
E duam flamurin me shkabën e zezë me dy krerë se është flamuri ynë, se nën të do të rrojmë të lirë, të nderuar dhe kryelartë në mes të kombeve të qytetëruar të Europës.
E nderojmë flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë se është flamuri i kurorëzuar me nder e lavdi i kryeushtarit dhe luanit të shkëlqyer që çuditi botën me trimëritë e tij, duke thyer njëzet e pesë vjet me radhë, njërën pas tjetrës, ushtritë më të forta të asaj kohe të kryesuara prej Sulltanëve më të mëdhenj të Turqisë.
Kur Europa dridhej nga mizoritë Otomane, dragoi shqiptar që s’dinte ç’është frika, me një grusht trimash të zgjedhur, vërvitej mbi armikun si rrufe, që tundëte malet dhe shkëmbinjtë dhe u jepte arratinë kuçedrave aziatike me atë shpatën e tij të rëndë, që vetëtinte e tmerronte, nën atë flamur të kuq me shkabën e zezë me dy krerë.
E ngremë lart flamurin e madh të Skënderbeut se ay që e mbajti i thirri tërë botës me trumbetë ç’është i zoti të bëjë shqiptari, kur bashkon trimërinë me besën, me nderin e me dashurinë e vendit të tij.
Papa, kryetari i Krishtërimit në Perëndim, Republika e Venedikut, mbretëresha e deteve dhe gjithë mbretërit dhe princërit e Europës, në kohën e Skënderbeut e përshëndoshën flamurin tonë me bekime, përgëzime dhe lavdërime.
…E qajtëm kur u ul për katërqind e pesëdhjet vjet, se Shqipëria u shua nga lista e shteteve të lira dhe varfëria, mjerimi, robëria e shtypën dhe e vogëluan në sy të botës.
Por kur u ngrit dhe valoi përsëri në Vlorë dhe u salutua në Durrës me gjëmime topash prej anijeve europiane, koskat e shenjtëruara të Skënderbeut u drithëruan në varr dhe ne, kur e pamë si në ëndërr,derdhëm lot mallëngjimi, gazi, shprese dhe kryelartësie kombëtare.
E kujtojmë këtë ditë historike dhe e kremtojmë, se mësuam se çdomethënë flamur i huaj, shpatë, kamxhik dhe zjarr armiku: fshatra të djegur, ara të shkretuara,pleq, gra, fëmijë të therur pa mëshirë, a të arratisura nëpër shpella a përronj, të zhveshura, të zbathuara,pa bukë; të rrahura prej të ftohtës, të çjerrë prej urisë, të shtrydhur prej sëmundjeve, me syrin t’errur prej helmit dhe të dëshpërimit.
Nga goja e kësaj ushtrije dëshmorësh të pafajshme të barbarisë dhe pashpirtësisë s’armiqëve të pabesës në Shqipërinë e shkretuar dhe nga zemra e gjithë shqiptarëve të mërguar e të shpërndarë si zoqt’ e korbit në vise të huaja ngrihet sot një lutje e nxehtë, e mëshirshme, e mallëngjyer përapa fronit të perëndisë:
“O Zot I madh, I drejtë dhe I dhembshur, shpëtoje popullin dhe vendin tonë të mjerë dhe dneroje përsëri me liri nën flamurin tonë, flamurin e Skënderbeut, flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë.”
*(Marrë nga libri”Këndime” i Kostë Chekrezit, botuar nga “Vatra” më 1921 në Boston)