• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

FLORIDA- PËR MEMEDHENE, PER FLAMURIN KUQ E ZI

December 3, 2018 by dgreca

1 aa Tasim3 Tasim1 aartistet shqiponje1 kecejne1 ana me nje grup vajzash1 edhe kjo1a salle e mbushur

– VATRA dhe “Albania Heritage Foundation of Tampa Bay” organizuan një manifestim të shkëlqyer në Ditën e Flamurit/

– Këngëtarët superstarë Frederik Ndoci, Gëzim Nika dhe Ermira Babaliui e mbajtën të ndezur festën deri pas mesnatës/

– Performancë e shkëlqyer e grupit të valleve “Shqiponja”, pjesmarrëse në Festivalin Folkorik Ndërkombëtar në St.Peterburgs…/

– Recituesit e Shkollës Shqipe”VATRA” përcollën vargje me frymë atdhetare/

Nga Luan Kalana*/

Fotografitë- Gearta A Kraja/(Per me shume fotografi shihni ne facebook-dielli vatra)

Shqiptarët e Diasporës, zemra e Shqipërisë . -Mbrëmje madhështore festive familjare ,Festa e Flamurit në Clearwater -Tampa Bay Florida me pjesmarrjen e këngëtarëve superstar Gëzim Nika, Frederik Ndoci, Ermira Babaliu si dhe një performancë e shkëlqyer e grupit të valleve “Shqiponja”të vajzave shqiptare ,me një repertor të ri vallesh nga të gjitha krahinat e vendit me kostume kombëtare. Pas Himnve Kombëtare,të dy vendeve tona SHBA dhe të Shqipërisë të kënduara nga vajzat shqiptare,në skenë u ngjitën vogëlushët , studentet e Shkollës Shqipe “VATRA” që recituan në shqip, vargje për Shqipërinë.Ata u duartrokitën me emocione nga pjesamarrësit e shumtë që kishin mbushur pallatin e Sportit,të ardhur dhe nga qytete të tjera të shtetit të Floridës ; si nga Naples,Miami,Janksoville, Orlando e të tjerë.

Artistja koreografe Anisa Papadhima “hoste” e mbrëmjes ftoi në shesh palestër grupin e valleve” Shiponja ” të vajzave shqiptare, të cilat erdhën pas suksesit të bujshëm në skenën e Festivalit të 44-Folkorik Ndërkombëtar në St.Peterburgs. Ato ngritën peshë publikun pjesamarrës sikur të ishin shqiponja të vërteta që “fluturonin” në sallë.

Në mes të një entusiazmi të papërshkruar mbajti fjalën e rastit kryetari i degës së “Vatrës” të Tampës, z.Tasim Ruko. Ai theksoi momentet historike të lirisë që nga ngritja e Flamurit 28 nëntor 1912 deri në ditët tona duke përmendur edhe Pavarsinë e Kosovës dhe të përpjekjet për liri, përpjekjet e popullsisë çame për të fituar të drejtat e tyre legjitime për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, tek varret e të afërmëve, dhe njohja e genocidit mbi popullsinë e pavarur çame. Përshëndeti në emër të shoqatës “Albania Heritage Foundation of Tampa Bay,” znj.Ersi Pasko, organizatore e mbrëmjes festive bashkë me degën e “Vatrës”,që vlen të përgëzohen për një organizim të përsosur të këtij evenimenti historik. Hapi siparin e këngëve kantoutori i mrekullueshëm Frederik Nodoci,duke ftuar pjesmarrësi të ngriheshin në kmbë dhe të këndonim së bashku këngën “Për Mëmëdhenë” me vargjet himn “Eja ,eja ,mbidhuni këtu- këtu, bashkë me Ne..”

Këndonin të gjithë njëzëshëm si një kor i përbashkët…Sa bukur…Ishte zëri i Diasporës, zemra e Shqipërisë. Plot emocione dhe me duartrokitje u ndoqën këngët atdhetare të këngëtarit aq popullor Gezim Nika, i cili zbriti nga skena në sallë dhe këndonte live dhe kërcente së bashku me pjesmarrësit. Gaz dhe hare, motra e vëllezërit shqiptarë të gjithë bashkë brohorisnin e këndonin për Shqipërinë “kuq e zi”. Gjatë mbrëmjes festive pati dhe momente emocionale të papërshkruara që lanë mbresa të pashlyeshme tek pjesmarrësit në sallë.Aktivistja e dalluar e komunitetit shqiptar znj Emine Idrizi, i dhuroi një buqetë me lule këngëtares korçare Ermira Babaliu për interprtimine palodhur të këngëve qytetare dhe ato të serenatave korçare. Me duartrokitje u pritën, edhe dhënia e stimujve moralë ,aktivistëve të dalluar të komunitetit shqiptar nga Dr.Ardian Kraja, lideri i komunitetit shqiptar, i cili falenderoi dhe i dhuroi nga një çmim simbolik veteranëve patriotë të palodhur z.Isuf Spahia dhe z.Metat Idrizi. Nuk mund te lëmë pa përemendur fotografen e re profesioniste të talentuar e të palodhur të komunitetit ,Gearta A. Kraja,e cila si një kroniste e vërtetë , shkrepte aparatin duke regjistruar gëzimin dhe mbresat e mbrëmjes. Mbrëmja E Flamurit Kuq e Zi vazhdoi deri pas mesnate mes këngëtarëve, me këngë e valle papushim.Gëzuan shqiptarët e Diasporës, Festën e bukur të Flamurit. Ky eveniment është një mesazh historik për vëllazërimin dhe bashkimin e Kombit Shqiptar. Të rrojë Shqipëria në shekuj!.

* Luan Kalana,-Sekeretar i degës së Shkrimtarëve dhe  artisteve në Clearwater& Gearta A.Kraja,-fotografe dhe dancer e grupit te valleve Shqiponja”

24 nentor 2018 Florida SHBA.

Filed Under: Featured

NIKO KIRKA, PATRIOTI DHE VEPRIMTARI I SHQUAR

December 3, 2018 by dgreca

In Memoriam/

1 Kirka 6

NGA PELLUMB KULLA/

Të Dielën, 2 Dhjetor,  në Nju Jork, në moshën 92 vjeçare mbylli sytë, Niko Kirka, miku im i shtrenjtë, një personazh vërtet i rrallë, shok i këtyre viteve amerikanë.
Nikoja pat lindur në truallin amerikan. Ishte bir i një patrioti shumë të fismë, Kristo Kirkës, njërit nga etërit e Vatrës, krahu i djathtë i Nolit, aktivist i shquar në emigracion sikurse dhe në atdhe pas kthimit familjarisht. Babai i Nikos shërbeu si përfaqësues në parlament dhe në detyra të ndryshme administrative, caktuar nga mbreti. Nuk u largua me ikjen e pushtuesve të huaj. Pagoi vetbesimin e tepëruar se meritat patriotike dhe e kaluara pa njollë ishin kredenciale serioze që do ta mbronin nga keqtrajtimi i mundshëm i “bijve të Stalinit” që erdhën në pushtet. dhe që Kristo Kirka, ashtu si edhe Fan Noli, i njihte mirë. Besim i kotë! Që në ditët e para komunistët atë e burgosën dhe plaku i shquar mbylli sytë në burgun famëkeq të Burelit.
Nuk e kalova masën me një jetëshkrim më tepër, teksa u ula të bëj homazh për birin e tij, Nikon. Por është dicka e veçantë, diçka e rrallë edhe kur tregon për shokun e tij të burgut. Babë e bir u bënë vërtet shokë burgu, sepse që në moshën 19 vjeçare, njeriut që u nda sot nga ne, iu hodhën hekurat. Nga burgu Niko Kirka doli pas katërmbëdhjetë vjetësh. La atje qelinë tok me babanë e tij të varrosur në humbëtirë dhe kaloi një jetë të mundimshme shtrënguar në punë të rënda në kanalet e komunales dhe vështruar shtrembër për ato që pat hequr prapa hekurave.
Nuk gjen dot kollaj një individ që të ketë sjellë kaq shumë histori kombëtare poshtë thinjave të tij të bukura. Në shoqërinë e tij të çmuar, miqtë e tij të ngushtë ku bëja pjesë edhe unë vetë, kemi mësuar më shumë se nga tërë librat e shkruar për vatranët, për autoqefalinë e Kishës Ortodokse, për Bostonin dhe “Diellin”, për pafundësinë e konflikteve shqiptaro-shqiptare mbi truallin e këtij vendi. Ky njeri të mahniste me kujtesën e tij fenomenale, me citimet e sakta me zhdërvjelltësinë e përmendjes së emrave të shumtë, datave të pagabuara që sillte ai në tregimet e tij. Ishin të shumtë njerëzit, që e vërenin me zili, siç e vëreja edhe unë, kulturën e tij historike, atë atdhetare, kulturën letrare dhe kulturën politike.
Niko Kirka është ndjerë i gjallë dhe i shqetësuar për shumë çështje që solli sidomos mënjanimi i komunizmit dhe transformimet që duhet të sillte tranzicioni. E kemi parë atë shumë luftarak, debatues dhe të papajtueshëm në qendrimin ndaj politikave paskomuniste për të përndjekurit, për mosdëshirën në rikthimin e pronave të grabitura, për mbajtjen kyçur pa skrupuj e pa shpjegim të dosjeve me mëkate, për dyfaqësinë e partive kryesore, pasardhëse të asaj enveriste…
Shëmbullor ishte angazhimi i tij pasional në kundërshtimin e përpjekjeve për të dëmtuar trashëgiminë e Peshkop Nolit dhe për mjegullimet e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.
Dhe në shkrimet e Kirkës, (përmbledhur në vëllimin e tij dinjitoz “Për Mëmëdhenë”) lexuesit mund të venë re zhdërvjelltësinë e argumentimit, elegancën e shprehjes, gjuhën letrare dhe figurshmërinë si pajë e edukimit të shëndetshëm që mori ai në Liceun e Korçës. Aty çdokush shquan lehtësisht konseguencën e tij antikomuniste, përbuzjen ndaj inskenimeve katoviciane dhe keqardhjen për varfërinë e idealizmit, që Kirka nuk rreshtëte pa e nënvizuar edhe në intervistat e tij mbresëlënëse televizive dhe artikujt e mëvonshëm që i janë publikuar rregullisht.
Atdhetarizmi i këtij njeriu ka qenë gjithnjë i pashuar dhe frymëzues për ata që qarkonin rreth tij. Është interesant një episod në një takim me të ndjerin Ibrahim Rugova. Duke biseduar, Nikoja, pa kurrfarë bubullime, i rrëfeu atij se edhepse ishte korçar, e deshte Prishtinën po aq sa edhe Korçën. Rugova e falenderoi. “Falenderimi nuk shkon,” nuk iu ndënj pa thënë Kirkës, “Zotrote të më falenderoje po të isha francez!”
Presidenti Rugova e përqafoi dhe i kërkoi falje. Kjo dashuri e këtillë, shfaqur në brigjet e Nju Inglandit në sytë e të Parit të Kosovës e rriste personazhin tonë në përmasat e një dinosauri.
Dhe nuk kishte si të mos ishte Niko Kirka, një dinosaur nga ata që lindën në viset e Bostonit, nga ata që e morën atdhetarinë me qumështin e gjirit, dhe panë historinë e vendit, një herë që andej, pastaj nga dritaret e Liceut të Korçës, që prapa hekurave të burgut, nga fundi i kanaleve të komunales së Durrësit, nga grumbullimet plot ovacione të ndryshimeve sociale që solli fundi i shekullit… Me lirinë e fjalës si atribut i një njeriu të edukuar ashtu, i janë pranuar, herë me durim dhe herë me pezm, gërnjat kundër të metave të Vatrës së sotme, kundër Janullatosit, kundër figurave madhore shtetërore aktuale, edhepse kjo lloj drejtpërdrejtësie nuk i bënte hiç mirë interesave të tij të përditshme, atyre të këtushme dhe atyre në vendin ku lindi.
Por dinosaurët janë prehistorikë dhe duken pak të marrë, po aq sa dhe démodé duke qenë të rrallë dhe me vlera të padiskutueshme.
Ky dinosaur i vyer na la të pikëlluar me largimin e tij nga kjo jetë. Kolonia e shqiptarëve të Amerikës humbi një nga figurat karizmatike, që do të kujtohet gjatë si shëmbull për t’u ndjekur, si patriot që do të frymëzojë brezat e rinj të shqiptarëve që jetojnë fizikisht larg atdheut, por shpirtërisht nuk ndahen kurrsesi nga trualli arbëror dhe aspirojnë begatinë dhe prosperitetin e tij.
I qoftë dheu i lehtë këtij shqiptari të madh!

Filed Under: Politike Tagged With: Inmemoriam, Niko Kirka, pellumb Kulla

NIKO KIRKA NDËRROI JETË NË NJU JORK, SOT NGUSHELLIMET

December 2, 2018 by dgreca

SHKOI ATDHETARI, ISH I BURGOSURI POLITIK, I BIRI I BASHKËTHEMELUESIT TË  VATRËS, KRISTO KIRKA/

zinikokirkav

Familja Kirka në  Nju Jork, njofton se ka ndërruar Jetë, atdhetari, ish i burgosuri Politik, qëndrestari i Diktaturës komuniste, Niko Kirka, që nuk u përkul as nga torturat në Hetuesi, as nga vuajtjet në burg, as nga vuajtjet në  Kënetën e  Vdekjes, as nga persekutimi dhe internimi i tij dhe i familjes.

Niko ndërroi jetë  sot në  mëngjes në  orën 7 e 10 minuta në prani të  Familjes, në Calvary Hospital, në  Bronx, NY.

Shërbimet Mortore kryhen Ditën e Martë , 4 Dhjetor 2018, duke filluar nga Ora 4.00 PM deri në 9.00 PM në  Shtëpinë  Mortore Farenga Brother në adresën:

920 Allerton Ave, Bronx, NY 10469-Telefoni i Funeralit: 718) 654-0500….

Telefoni i Familjes: 718- 881-1863.

I ndjeri la pas bashkë shorten Meri Kirka, djalin Krist Kirka me bashkëshorten dhe djalin, vajzën Laura me të bijën si dhe nipër e mbesa në  Masachusetss.

Niko pushoftë Paqë!

Ngushëllimet më të thella Familjes Kirka!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: nderroi jete, Niko Kirka

JAM SHQIPTAR SE JAM VATRAN, JAM VATRAN SE JAM SHQIPTAR

December 2, 2018 by dgreca

Fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, Dritan Mishto  në Darkën e festimit të 106 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë/

1 aa te dekoruarit

 

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA kam nderin e lartë t’Ju uroj Gëzuar Festën e Flamurit, Rroftë Pavarësia Jonë.

Ne sot jemi dëshmitarë se si Federata jonë feston në mënyrë të pandërprerë për 106 vite Festën e Flamurit. Komuniteti shqiptar është zgjeruar me shqiptarë nga të gjitha trevat dhe Ne, Vatra ndjehemi shumë mirë që kjo festë festohet gjithandej. Por, askund tjetër kjo festë nuk të dhuron më shumë emocion sesa këtu, me Vatrën tonë të dashur. Ndaj, dua t’Ju falenderoj nga zemra dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë, që keni ardhur të nderoni Flamurin dhe Federatën VATRA.

Jam i lumtuar dyfish që sipas traditës 106 vjecarë, klerikët tanë janë të pranishëm dhe dua t’i shpreh respektin tim më të thellë Dom Pjetër Popaj, Imam Edin Gjoni dhe Father Hieromonk Nikodhim, të cilët kanë qenë gjithmonë me ne duke mbajtur lart amanetin e të parëve tanë për ruajtjen dhe ushqimin e harmonisë fetare.

Të mbledhur përherë e më shumë bashkë, si në këtë darkë madhështore, Ne tregojmë fuqinë dhe rritjen e pandërprerë të VATRËS, e cila është Nder mbi Nder i Kombit dhe autoriteti moral më i fuqishëm në botën shqiptare. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA do të qëndrojë fort kundër të gjithë atyre që po e plagosin vendin tonë në mënyrë të pamëshirshme, me korrupsion, me kanabizim, me varfëri, me vrasjen e shpresës për të ardhmen, me largimin masiv të të rinjve, dhe c’ka është me e keqja, me rikthimin e mentalitetit dhe simboleve të komunizmit. Ndaj, ashtu si në kohët e shkuara kur VATRA ishte në ballë të zgjidhjes së halleve të shqiptarëve, edhe sot, ne jemi të vendosur dhe të bashkuar për të qenë një grusht i fortë për cilindo që e sheh vendin tonë dhe shqiptarët si plackë për t’u zhvatur.

Kohët e fundit, disa individëve u ka lindur një “dashuri” për Federatën VATRA. Por, këtë “dashuri” nuk e shprehin duke bashkëpunuar në zgjidhjen e problematikave të rënda, që po i marrin frymën shqiptarëve në Shqipëri dhe Ballkan. Këtë “dashuri” e shprehin duke hedhur baltë. Por, VATRA të dashur vëllezër dhe motra është një udhëtare që nuk do të ndalojë kurrë dhe nuk do të stepet në rrugën e saj për përmbushjen e misionit, që i ka dhënë historia. Ashtu sic thotë Wilson Churchill: “Nëse udhëtari do të kthejë kokën pas lehjes së cdo qeni, nuk do të arrijë kurrë në destinacion”.

Prandaj, VATRA dhe Shqipëria moderne,  si të lidhura pazgjidhshmërisht do të jenë bashkë në rrugën e tyre derisa të arrijnë në destinacionin tonë historik, duke zgjidhur të gjitha cështjet shqiptare të mbetura dhe duke u bërë dëshmitarë të të vërtetave të mëdha historike.

Ndaj, cdo Vatran sot ka të drejtën morale të thërrasë deri në kupë të qiellit:

Jam Shqiptar se jam  Vatran!

Jam Vatran se jam Shqiptar!

Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA!

Rrofshin Shqiptarët kudo ndodhen!

Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, Jam Shqiptar se jam Vatran, Jam vatran se Jam vatran

AMERIKA DHE BOTA MBAJNË ZI PËR HUMBJEN E NJË PRESIDENTI

December 2, 2018 by dgreca

bush2zi

“Çdo përcaktim i një jete të suksesshëme,  duhet të përfshij shërbimin ndaj të tjerëve”- George H. W. Bush, 1914-2018/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1-1

Nga Frank Shkreli/

Të premtën Presidenti Xhorxh W. Bush i riu, në emër të familjes njoftoi Amerikën dhe botën se i pari i familjes Bush, ish-Presidenti Xhorxh H.W. Bush i vjetër ka ndërruar jetë.  “Jeb, Neil, Marvin, Doro dhe unë jemi të pikëlluar të njoftojmë se pas 94-vjetësh të mbrekulluara, babai ynë i dashur ka ndërruar jetë.  Xhorxh H. W. Bush ishte një burrë me karakter të lartë dhe babai më i mirë që mund të shpresonim të kishim.  Mbarë familja Bush është thellësisht mirënjohëse për jetën dhe dashurinë e Presidentit të 41-të, si dhe për mëshirën dhe dhembëshurinë që kanë treguar ndaj tij të gjithë ata që janë lutur dhe kujdesur për Babain tonë.  Jemi gjithashtu tepër mirënjohës edhe për ngushëllimet e dërguara nga miqët dhe qytetarët tanë”, thuhet në dekaratën e familjes së të ndjerit ish-Presidentit Xhorxh Bush i vjetër.

Ngushëllimet drejtuar familjes Bush ishin të shumëta nga përfaqsues të politikës amerikane dhe botërore, si edhe nga shumë qytetarë amerikanë për vdekjen e Presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara, i cili ndërroi jetë të premtën në qytetin Hjuston të shtetit Teksas, në moshën 94-vjeçare. Janë ngushëllime për njeriun i cili do të mbahet mend, si një njeri i dedikuar ndaj familjes së tij, si pilot i famëshëm i Luftës së Dytë Botërore, si president që kontriboi për dhënjen fund të Luftës së Ftohtë dhe për shembjen e perandorisë komuniste sovjetike.  Për shqiptarët, ai mbahet mend si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në traditën e mbështetjes së udhëheqësve të këtij vendi ndaj të drejtave të shqiptarëve dhe ndaj fatit të Kombit shqiptar – me atë që historia tani e njeh si “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”– i deklaroi botës dhe drejt për drejt kasapit të Serbisë Millosheviçit vendosmërinë politike dhe ushtarake të Washingtonit për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Kosovë në rast provokimesh nga Serbia.  ”Në rast të konfliktit në Kosovë të provokuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë gati për të përdorur forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”, kishte deklaruar i ndjeri Xhorxh Bush i vjetër në letrën dërguar diktatorit serb më 25 dhjetor, 1992, duke e lidhur kështu përjetësisht familjen amerikane Bush me historinë e Kombit Shqiptar,  kur të merret parasyshë gjithashtu edhe deklarata e Presidentit Xhorxh Bush të ri, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë në vitin 2007, me ç’rast, ai u tha mjaft zvarritjeve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke deklaruar nga kryeqyteti i shqiptarëve se, “Mjaft është mjaft — Më mirë heret se vonë  — Kosova të jetë e pavarur”.

Jo vetëm shqiptarët, por Amerika dhe bota në përgjithësi kanë arsye të ndihen të pikëlluar me humbjen e këtij burrshteti amerikan, pasi trashëgimia e tij në fushën politike dhe ushtarake botërore, si edhe roli i tij shembullor si kryefamiljar është një shembull për të gjithë.  Jo se ai nuk i kishte edhe të metat e veta, të cilat ndër tët tjera i kushtuan fitoren për një mandat të dytë presidencial, por megjithë këte, influenca e tij si udhëheqës do të ndihet për shumë kohë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe në mbarë botën. Pothuaj të gjithë vlerësojnë dedikimin e tij ndaj familjes dhe kushtimin e tij për shërbimin ndaj publikut, por edhe rolin e ish-Presidentit Bush në fushën ndërkombëtare, si vetitë kryesore që e kanë dalluar atë si njeri dhe si udhëheqës.  Këto ndjesi i kanë shprehur këto ditë, në ngushëllimet e tyre, udhëheqsit kryesorë politikë amerikanë dhe botërorë, duke përfshirë edhe Presidentin Donald Trump, i cili tha se “Presidenti Bush ka frymëzuar disa breza amerikanësh për t’iu përkushtuar shërbimit publik, për të qenë siç është shprehur edhe ai ‘objekt i njëmijë dritave’, për të ndriçuar madhështinë, shpresën dhe mundësitë që ofron Amerika, për botën… Me një gjykim të drejtë dhe udhëheqje të vendosur, Presidenti Bush udhëhoqi Kombin tonë dhe botën drejtë një fitoreje dhe përfundimi paqësor të Luftës së Ftohtë.  Si President, ai përgatiti skenën për një begati prej disa dekadash që pasoi mandatin e tij…Ai do të mbahet mend për devotshmërinë e tij ndaj familjes, sidomos për dashurinë e tij për bashkshorten Barbara…”, tha ndër të tjera, Presidenti Trump.

Ndërsa ish-Presidenti demokrat Barak Obam u shpreh me rastin e vdekjes së Presidentit Xhorxh Bush i vjetër se, “Jeta e tij ishte një testament se shërbimi publik është një thirrje e ndershme dhe fisnike”, ndërkohë që lavdëroi masat që kishte ndërmarrë i ndjeri Bush i vjetër në mandatin e tij si president, “Në favor të përmirësimit të jetës për emigrantët dhe për personat me aftësi të kufizuara fizike”. Ai ishte një shembull prej burrë-shteti, tha ish-Presidenti Obama, “I vendosur për të lënë mbrapa diçka më mirë se ç’e kishte gjetur në këtë botë.”  Duke iu referuar rolit të Presidentit Bush në arenën ndërkombëtare, Z. Obama nënvijoi se, “Kur, anë e mbanë Evropësë Lindore, lulëzuan revolucionet demokratike, ishte dora e tij fortë diplomatike që bëri të mundur një arritje që dikur as nuk mund të merrej me mend – fundin e Luftës së Ftohtë, pa pasur nevojë të shkrep as një fishek.”

Ndoshta njeriu që e ka njohur më së miri dhe për një kohë të gjatë ish-Presidentin Bush të vjetër, është James Baker, ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, të cilin e ka konsideruar si mik të ngushtë për më shumë se 50-vjetë.  Z. Baker lavdëroi shërbimin e Presidentit Bush në detyra të ndryshme prej disa dekadash, si president i Shteve të Bashkuara, por edhe si zëvendës president, Drejtor i CIA-s, si ambasadori i parë amerikan në Kinë, ambasador pranë OKB-së, e të tjera. “Në secilën prej këtyre detyrave”, theksoi Z. Baker, “Ai udhëhoqi me vendosmëri, integritet dhe modesti – karakteristika këto të cilat me të vërtetë përcaktojnë një njeri të madh dhe një udhëheqës efikas…ai gjithmonë i demonstroi këto cilësi, qoftë në skenën ndërkombëtare, qoftë në jetën e përditshme.

Ngushëllimet erdhën, jo vetëm nga politikanë republikanë dhe ish-bashkpuntorë të Presidentit Bush, por edhe nga politikanë të krahut tjetër politikë, nga demokratët — si ish-Zëvendës Presidenti Al Gore, i cili në mesazhin e tij theksoi “integritetin dhe mirësinë e jashtëzakonshme” të tij, duke thënë se i ndjeri Bush, “kishte siguruar respektin e të dy partive kryesore të vendit, me qëndrimet e tija dhe me masat që ka marrë në favor të kauzave në të cilat besonte fuqimisht, madje edhe nëqoftse duke bërë një gjë të tillë, nuk ishte shumë popullore për momentin.”

Edhe nga Kongresi Amerikan, ku Z. Bush gëzonte një respekt të madh në radhët e ligjëvensëve të dy partive politike kryesore amerikane, erdhën reagimet e para për vdekjen e ish-presidentit, përfshirë Senatorin Republikan të shtetit Florida, Marco Rubio, i cili u shpreh se, Presidenti H. R. W Bush ishte një hero amerikan dhe patriot, një burrë i mençur dhe bujar.”  Ndërsa Senatori demokrat i shtetit Virginia, Mark Warner nënvijoi në mesazhin e tij se, “Nuk ka asnjë dyshim se angazhimet më të larta të Presidentit Bush ishin gjithmonë në mbështetje të Atdheut dhe vlerave tona – drejtësisë, lirisë dhe të drejtave të njerëzve kudo në botë.”

Një mesazh i gjatë drejtuar familjes Bush erdhi nga Presdienti Clinton dhe bashkshortja Hillary, në të cilin çifti presidencial thotë se ata “Po mbajnë zi për kalimin në amshim të Presidentit H.W. Bush dhe falenderojnë Perendinë për jetën e tij të gjatë, kushtuar shërbimit, dashurisë dhe miqësisë ndaj të tjerëve.  Unë do të jem për gjithmonë mirënjohës për miqësinë që kemi pasur me njeri tjetrin”, shprehet Presidenti Klinton duke shtuar se shërbimi i Presidentit Bush, duke filluar nga shërbimi ushtarak në Luftën e Dytë Botërore dhe deri tek detyrat e larta federale në Kongres, pranë Kombeve të Bashkuara, si ambasador në Kinë, drejtor i CIA-s e deri tek kulmi i shërbimit të  tij në detyrën e Zëvëndës Presidentit dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku ai punoi drejt një bashkpunimi më të madh në nivel ndërkombëtar, për një paqë dhe liri më të madhe në botën e pas Luftës së Ftohtë”,  shkruajnë Presidenti Klinton dhe bashkshortja e tij Hillary.

Ndërsa nga Rusia erdhi mesazhi i ngushëllimit nga ish-udhëheqsi sovjetik, Z. Mikhail Gorbachev, me të cilin presidenti Bush kishte bashkpunuar ngusht për t’i dhënë fund luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit. “Unë i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së George Bush dhe të gjithë Amerikanëve për vdekjen e Presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara”, i ka thënë ai agjencisë ruse të lajmeve Interfax, duke shtuar se, “Kam shumë kujtime në lidhje me këtë person.  Ne na u dha mundësia të punomin së bashku gjatë viteve të ndryshimeve të mëdha.  Ishte një periudhë dramatike që kërkonte përgjegjësi të mëdha nga të gjithë…Unë vlerësoj jashtzakkonisht shumë kontributin e Presidentit George H.W Bush, në realizimin e kësaj arritjeje historike. Ai ishte me të vërtetë një partner i vërtetë”, është shprehur ish-ushëheqsi sovjetik, Michael Gorbachov për ish-Presidentin Bush.

Një numër ngushëllimesh i kanë arrijtur familjes Bush dhe popullit amerikan për vdekjen e Presidentit Bush, nga vendet aleate perëndimore dhe nga kryeqytete të tjera, përfshirë edhe udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Siç thashë edhe më lartë, për Shqiptarët, Presidenti George Bush i vjetër do të mbahet mend për Deklaratën e tij të Krishtlindjes, pikërisht 26 vjetë më parë, me 25 Dhjetor të vitit 1992, me të cilën paralajmëroi Serbinë dhe diktatorin e saj Millosheviç që të mos provokonte konflikt në Kosovë, me qëllim të pastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore.  Dihet se është kjo politikë e përcaktuar nga Presidenti George H.W. Bush i vjetër që u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët e Kosovës gjatë 1990-ave dhe më vonë, deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës disa vite më vonë gjatë mandatit të Presidentit Goerge Bush i riu.  Jemi dëshmitarë se kjo politikë e Uashingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush, 26-vjetë më parë këtë muaj, është përsëritur herë pas here gjatë 90-ave nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe nga zyrtarët e lartë të administratës së tij, si një qendrim bazë amerikan karshi Kosovës, që nuk kishte ndryshuar gjatë asaj kohe, por që në të vërtetë çoi në sulmet ajrore të NATO-s, të urdhëruara nga Presidenti Klinton, e që përfunuan në çlirimin e Kosovës dhe përfundimisht në shpalljen e Pavarsisë së Kosovës në vitin 2008.  Falë asaj deklarate, është ky një përkushtim i Amerikës ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës që vazhdon të pasqyrohet deri në ditët e sotëme. Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi gjatë një takimi me ish-presidentin George Bush të ri javën që kaloi në Teksas dekoroi Z. George Bush të ri me Urdhërin e Pavarësisë, për kontributin që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa është shprehur se, “Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Presidenti Thaçi.

Me rastin e kalimit në amshim të Presidentit George H. W. Bush i vjetër dhe në përvjetorin e 26 të paralajmërimit të tij me shkrim dërguar Serbisë më 25 dhjetor 1992, që të mos shkelte vijën e kuqe në Kosovë — me mirënjohje të thellë ngushëllojmë me zemër të pikëlluar familjen e nderuar të ish-Presidentit si dhe popullin amerikan për kalimin në amshim të të dashurit të tyre dhe mikut të madh të Shqiptarëve!  Përdhimtimet më të sinqerta duke marrë pjesë në zi të tyre me ndjesi të thella miqësie vëllazërore midis Kombit Amerikan dhe Kombit Shqiptar!

Filed Under: Featured Tagged With: AMERIKA DHE BOTA MBAJNË ZI PËR HUMBJEN, E NJË PRESIDENTI, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT