
Sokol Paja/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe gazeta “Dielli” përmbyllën një vit të suksesshëm. Një sukses historik në veprimtarinë e tyre në shërbim të atdheut, komunitetit, dhe çështjes kombëtare. Një vit i jashtëzakonshëm i mbushur me aktivitete patriotike, kulturore e kombëtare shumë cilësore, prezencë historike, marrëveshje institucionale, konferenca shkencore ndërkombëtar, simpoziume shkencore, vizita në Institucione Amerikane, botime shkencore, jetë aktive në ngjarjet komunitare e kthyen Vatrën e Diellin në një krenari kombëtare dhe epiqendër të veprimtarive atdhetare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Federata Vatra reagoi fort kundër veprimeve shoviniste, dhunës e provokimeve të Serbisë në Veriun e Kosovës. Gazeta Dielli e pasqyroi qëndrimet dhe ngjarjet u mbuluan mediatikisht me një profesionalizëm të lartë rreth asaj që po ndodhte në Mitrovicë.
Gjatë këtij vitit të suksesshëm Vatra nënshkroi “Memorandum Mirëkuptimi” me Kuvendin e Republikës së Kosovës për bashkëpunim për krijimin dhe hartimin e një strategjie mbarëkombëtare. Përmes këtij memorandumi Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Federata “Vatra” do të bashkëpunojnë në aktivite, duke pasur parasysh pikat e interesit të përbashkët ku “Vatra” do të shërbejë si promotori dhe garantuese e hapësirave dhe mundësive që ofron ekonomia dhe tregu i Republikës së Kosovës për komunitetet shqiptaro-amerikane të biznesit në Amerikë.
Federata Pan-Shqiptare “Vatra” nënshkroi Memorandum Mirëkuptimi me Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë për të bashkëpunuar në promovimin e politikës tonë të jashtme kombëtare ku Vatra ka lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë dhe me tej në shtet-ndërtimin dhe demokratizimin e Kosovës, fale kontributit të vazhdueshëm për një Kosove të Lirë dhe të Pavarur.
Gjatë këtij vitit, si kurrë më parë Vatra mundësoi për vatranët dhe komunitetin shqiptar në Amerikë, botimin e 5 vëllimeve mbi historinë e Vatrës. Materialet dokumentare u mblodhën, përzgjodhën dhe u përgatiten për botim nga një grup ekspertësh të historisë, kryesuar nga Akademik, Beqir Meta.
Vatra e Dielli, shtuan veprimtaritë shkencore me pjesëmarrje aktive në Konferencën shkencore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, kushtuar Fan Nolit, si dhe, në aktivitetit në Javën e Bibliotekës në Kosovë. Federata Vatra mbështeti unanimisht botimin në proces që është në fazën përfundimtare të dy librave të ish-Editorit Dalip Greca. Libri i parë rreth historisë së “Editorëve të Diellit në 110 vite histori të Vatrës” dhe i dyti, “Editorialet e Dalip Grecës” ku nxjerrin në pah vlerat dhe krijimtarinë e tij publicistike e patriotike.
Gjatë këtij vitit të suksesshëm Vatra u prit në Departamentin e Shtetit Amerikan duke fuqizuar bashkëpunimin me Institucionet Amerikane dhe duke qenë një zë i fuqishëm dhe i besueshëm i çështjes shqiptare në Uashington. Në nderim të 110 vjetorit të Federatës Vatra, si kurrë më parë Vatra e Presidenti i Republikës së Shqipërisë nderuan vatranët e spikatur dhe veprimtarët e çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës.
Vatra u vizitua nga Ambasadori Amerikan në Kosovë Jeffrey M. Hovenier para nisjes për mandatin e tij Diplomatik në Prishtinë ku vlerësoi rolin e Vatrës në histori dhe përpjekjet e jashtëzakonshme që Vatra e Dielli bëjnë sot për komunitetin shqiptar dhe çështjen shqiptare. Me sukses absolut Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” festoi me nderim e madhështi 110 vjetorin e saj. Në kuadër të 110-vjetorit u organizua Konferencë Shkencore Ndërkombëtare nga komisioni përgatitor, kryesuar nga kryetari organizativ Dr. Paulin Marku, të cilët arritën të mbledhin shpirtërisht, fizikisht dhe nëpërmjet teknologjisë on-line 20 kumtues, akademikë, studiues, profesorë e gazetarë specialistë të hulumtimeve në fushën albanologjike, për të sjellë risi shkencore me synimin e zbardhjes të së shkuarës së lavdishme të Vatres, e cila në të kaluarën ka patur rol të rëndësishëm për kombin shqiptar dhe për zhvillimin e politikave kombëtare dhe përpjekjeve në arenën ndërkombëtare në mbrojtje të interesave kombëtare. Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizoi Simpoziumin Shkencor, kushtuar kësaj date historike të ngjarjeve të jashtëzakonshme për kombin shqiptar, partneritetin dhe për miqësinë e bashkëpunimin mes dy vendeve aleate. Aktiviteti pati pjesëmarrje të shumte: drejtues të shoqatave shqiptare kryesore në New York, veprimtarë të shquar të komunitetit shqiptar në Amerikë, vatranëve të shumtë e patriotë shqiptar nga vende të ndryshme.
Simpoziumi Shkencor arriti një pritshmëri përsa i përket temave të trajtuara, risive, seriozitetit e pjesëmarrjes masive që u ndoq me shumë interes nga të pranishmit në sallë. Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra përkujtoi me nderim, lutje e përshpirtshmëri 25-vjetorin e kalimit në amshim të Shenjtores së Kombit Shqiptar, Nënë Terezës, nënës së dashurisë, sakrificës, besimit e shpresës në Zot dhe respektit e dinjitetit për qeniet njerëzore. Në një ceremoni solemne të organizuar posaçërisht nga Federata Vatra, me pjesëmarrjen masive të udhëheqësve të Vatrës e vatranëve më të spikatur, të mbështetur dhe nga përfaqësuesit më të denjë të komunitetit shqiptar në New York e më gjerë, Vatra tregoi edhe një herë lidership të padiskutueshëm si organizimi patriotik e kulturor, ashtu siç i ka hije dhe e meriton në të gjitha diasporat shqiptare kudo në botë për organizime në nderim të figurave të shquara të kombit, datave e ngjarjeve të shënuara për identitetin, kulturën dhe historinë e kombit shqiptar. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë organizoi Simpozium Shkencor me temë: “110 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe procesi i ndërtimit të shtetit kombëtar”. Me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta drejtuese të Federatës Vatra, mediave shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vatra mblodhi specialist të fushës së historisë e shkencave albanologjike, vatran e veprimtarë në komunitetin shqiptar të Amerikës dhe përkujtuan me nderim, respekt e lavdi, kontributin e burrave të nderuar të kombit shqiptar në procesin e Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe vlerësuan përpjekjet e patriotëve shqiptarë për shtetin, popullin dhe kombin shqiptar.
Federata Vatra edhe këtë herë tregoi seriozitet të padiskutueshëm në organizimin e veprimtarive patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës. Ky aktivitet shkencor i shkëlqyer bashkoi në Vatër studiues, profesorë, gazetarë, mësues, profesionistë të fushës, ekspertë të periudhës së Pavarësisë të cilët me kontributet e tyre shkencore falë kërkimeve në dokumente (vendase dhe të huaja), monografi, artikuj shkencorë dhe nëpërmjet hulumtimeve në shtypin periodik të kohës, (shqiptar dhe të huaj) paraqitën fakte e risi shkencore për tu lavdëruar. Aktet e simpoziumit do të jenë pjesë e botimit në gazetën Dielli. Vatra dhe Dielli u rritën në të gjitha dimensionet dhe do të jenë një zë i fuqishëm i shqiptarëve, i çështjes shqiptare dhe komunitetit tonë në diaspore.
Në përmbyllje të vitit 2022, në cilësinë e editorit të gazetës më të vjetër në diasporën shqiptare, është një nder dhe privilegj për mua, gjej rastin të falënderoj kryetarin e Vatrës, Kryesinë e Vatrës, Këshillin e çdo vatran që besuan në përkushtimin e profesionalizmin tim për të vazhduar rrugëtimin në krye të gazetës Dielli. Po ashtu, gjej rastin të falënderoj përzemërsisht çdo bashkëpunëtor të brendshëm në Vatër dhe të jashtëm që me kontributin e tyre të palodhur pasuruan gazetën me informacione, studime dhe prurje të ndryshme në fushën politike kombëtare e ndërkombëtare, historike e kulturore e sociale. Ju falënderoj të gjithëve pa përjashtim, në emrin tim personal, të Gazetës “Diellit” dhe të “Vatres”, se jeni vërtet të shumtë ju që keni shkruar dhe bashkëpunuar përgjatë vitit 2022, jemi mirënjohës për prurjet tuaja dhe bashkëpunimin të pakursyer, për të pasuruar gazetën Dielli, Vatrën dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë. Me aktivitetet e vitit 2022 dhe me aktivitete të tjera kombëtare në vazhdim, Federata Vatra e gazeta Dielli treguan seriozitet, vizion, lidership dhe sukses të jashtëzakonshëm duke u kthyer në bashkimin patriotik shqiptar më të rëndësishëm, më të fuqishëm e më serioz në të gjitha diasporat shqiptare në botë.