Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” i dërgon të gjithë shqiptarëve anëmbanë botës e sidomos shqiptarëve të Kosovës urimet më të përzemërta me rastin e 25 vjetorit të çlirimit. Në këtë ditë historike i shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e cdo diplomati perëndimor që ndihmoi shqiptarët e Kosovës të çlirohen nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit. 12 Qershori 1999 mbetet përjetësisht i skalitur në memorien e historisë sonë kombëtare, ditë krenarie e lavdie historike për qëndresën dhe gjakun e derdhur për liri e pavarësi.
Kjo ditë e lavdishme nuk do të kishte mbërritur pa qendresën e studentëve në vitet 80-të, diplomacinë dhe urtësinë e presidentit historik Doktor Ibrahim Rugova dhe qëndresën e luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot përulemi me nderim e respekt për dëshmorët e kombit tonë, heronjtë, luftëtarët e çlirimitarët që dhanë gjithçka për lirinë e shtrenjtë të shtetit e kombit tonë. Mirënjohje të veçantë në këtë ditë mërgatës shqiptaro-amerikane, të gjithë vatranëve e sidomos Batalionit “Atlantiku” që dhanë shembull të madh lirie e atdhedashurie. E ardhmja e Kosovës në rrugën euroatlantike, me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Perëndimit dhe kontributin e shqiptarëve në mërgatë, do të jetë e pakthyeshme.
Kjo ditë e shenjtë e lirisë e gjen Kosovën në zhvillim, progres, siguri, paqe e stabilitet.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës
Zoti e bekoftë Republikën e Shqipërisë
Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët anëmbanë botës
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Me respekt e gëzim
Kryetari i Vatrës
Dr.Elmi Berisha