Sokol Paja/
Hoboken, New Jersey, 8 Qershor 2024 – Pas 27 viteve shërbim e përkushtim në policinë e Hoboken, miq, familjarë, kolegë, artistë, personalitete të shquara të diasporës, shoqata e organizata patriotike në New Jersey, New York, Connecticut e shtete të tjera nga Amerika nderuan patriotin Edmond Drishti në mbrëmjen e tij festive të lamtumirës nga Policia e Hoboken. Vite të mbushura me krenari, sukses, devotshmëri e respekt. Edmond Drishti filloi punën si polic rrugor në Hoboken bashkë me vëllain e tij Arbenin në vitin 1997. Në vitin 2006 mori gradën “Rreshter” ndërsa në vitin 2019 fitoi gradën “Komandant Toger” duke shërbyer dhe në policimin komunitar. Ai drejtoi për dy mandate sindikatën e policisë në Hoboken. Ai është nderuar e vlerësuar “Life Saving Award” për ndihmën në shpëtimin e jetëve njerëzore në disa episode. Edmond Drishti ka qenë polic i dalluar në të gjitha katastrofat, fatkeqësitë apo rastet e jashtëzakonshme ku ka ndërhyrë policia si në 11 Shtator, përmbytjet në New Jersey apo Covid-19. Afro 27 vite shërbim në “vijën blu” mes kaosit e rregullit, ai kishte si moto që u kthye në frymëzimin e jetës së tij në polici: “Gjithçka për të ndihmuar e shpëtuar qëniet njerëzore”. Thënia e Maja Angelou: “
I’ve learned that people will forget what you said, people will forget what you did, but people will never forget how you made them feel” ishte moto në shërbimin, kujdesin, modestinë, marrëdhëniet dhe trajtimin e problematikave të qytetarëve në raport me policinë.
Në fjalën e hapjes Arben Drishti falenderoi pjesëmarrësit dhe shprehu krenari e dashuri për punën e shkëlqyer të vëllait Edmond Drishti ndër vite. Rrugëtimin policor, dedikimin ndaj familjes, mbështetjen prej bashkëshortes, miqve e kolegëve të tij, Edmond Drishti e përcolli para të pranishmëve me nota humori dhe shumë emocione. Mesazhet e përshëndetjet në monitor nga familjarë e miq nga Shkodra, sollën shumë emocione e mallëngjim për të gjithë të pranishmit. Një fjalë të veçantë që kujtoi babain e Edmond Drishtin, Bahri Drishtin e familjen e tij e mbajti Arvid Hoxha. Kapiten Romano vlerësoi suksesin e Edmond e Arben Drishtit bazuar në familjen e shkëlqyer shqiptare. Ai i vlerësoi me mirënjohje vëllezërit Drishti për shërbimin e shkëlqyer në policinë e Hoboken. Bujar Ademovi humoristi shkodran recitoi disa bejta gazmore ndërsa shefi i shkollës së Policisë në Hoboken Mr.Griffith e vlerësoi me mirënjohje për rezultate të shkëlqyera në punë Edmond Drishtin e Arben Drishtin duke qenë shembull për përkushtimindhe dedikimin e tyre. Mbrëmja argëtuese vazhdoi deri në orët e vona në nderim, vlerësim e respekt të Edmond Drishtit, patriotit e veprimtarit të shkëlqyer të çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës.