
– Me rastin e 115 Vjetorit të Lindjes, 28 Nëntor 1904-28 Nëntor 2019
Ne Fokus: – Fotografimi i- WATERGATE SCANDAL-PROTAGONISTËT E SKANDAIT FOTOGRAFUAR DHE BOTUAR NGA MILI NË LIBRIN E TIJ “SAM ERWIN” –

NGA QEMAL AGAJ/ * Dielli-numer special 28 nentor 2019

Vitet e fundit kam prezantuar fotografin tonë të shquar dhe anëtarin e VATRËS, Gjon Milin.
Lindur në Korçë, e kaloi fëmijërinë dhe rininë e herëshme në Rumani. Pas mbarimit të shkollës së mesme në kolegjin e njohur, San Lazar, Bukuresht, në 1923, sponsorizuar nga dajua i tij, Koço Çekani, erdhi në Amerikë dhe filloi studimet për inxhinieri elektrike në Massachusets Institute of Technology.

Porsa mbërriti në Amerikë njihet me eruditin e shquar, Faik Konica, që si kujton Mili, ‘’ Jo shumë kohë pas mbërritjes time në Amerikë në 1923 në kërkim të karierës në inxhinieri, u prita ngrohtë nga Faik Konica, një bashkatdhetar i moshuar. Një shkrimtar i shquar dhe intelektual i mprehtë, Konica u përpoq të zgjeroj interesimin tim për artet, sidomos në kinematografi, të cilën Ai aq shumë e pëlqente dhe e konsideronte një formë arti të veçantë.’’ Njohja me Faik Konicën solli lidhjen me shoqërinë VATRA dhe antarësinë aktive në veprimtaritë e saj.
Pas 10 vjet pune si inxhinier elektrik në fushën e kërkimeve për ndriçim në kompaninë Westinghouse , i apasionuar pas artit të fotografisë ndërron karierë dhe fillon si fotograf për revistën LIFE, bashkëpunim që vazhdoi për 40 vjet, deri në fund të jetës së tij, 1984.
Në këtë përvjetor të lindjes mendoj t’a kujtoj artistin e shquar në një subjekt pak të përmendur, – angazhimet e tij si fotograf në ngjarjet politike të kohës.
Fundi i Luftës së Dytë Botërore solli një frymëmarrje në Europë dhe Amerikë. Entusiazmi në jetën civile u shoqërua me aktivitete politike, një rishikim për atë që ndodhi, ndëshkim për shkakëtarët dhe masa për të mos u përsëritur më. Inisiativa e parë e fuqive ndërluftuese ishte Konferenca e Paqes në Paris, 10 Tetor, 1946. Mili angazhohet nga LIFE të mbuloj këtë veprimtari. Këtu fotografon edhe përfaqësuesin e Republikës së posaformuar të Shqipërisë, Enver Hoxha duke folur në podiumin e Konferencës me uniformë ushtarake, fotografi kjo që botohej me krenari në shtypin komunist, por asnjëherë nuk u përmend emri i autorit. Për komunistët, të fotografoje për një revistë amerikane, ishje agjent i imperializmit.
Pas kësaj, Mili ju kushtua fotografimit të artistëve më të shquar të kohës si: Picasso, 1949, ku imazhet e tij duke vizatuar me dritë të vogël në vend të një laps , ngelen kurora e Milit si fotograf. Muzikantin e shquar Pablo Casals në mërgim në Prade në Jug të Francës, në një kohë shtrirje prej 1949 deri 1966, kur muzikanti ndërroi jetë. Dramaturgun Irlandes Sean O’Casey, 1953. Kompozitorin Igor Stravinski, në 1957 në Angli, në 1958 në Venecia dhe 1959 në Hollywood.
Do të kalonin 15 vjet që Mili të angazhohej përsëri në një ngjarje politike që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës, gjyqi i kriminelit të luftës, Eichman, në Israel, 1961. Mili ishte i vetmi fotograf që u lejua të fotografonte Eichman në rutinën e tij të përditëshme në burg. Fotografitë e kriminelit, botuar në librin e tij, Photographs & Recollections, dhe LIFE, 14 Prill, 1961, janë një fotogazetari rrënqethëse.
I tërhequr pas ngjarjeve të veçanta të kohës, në 1973, Mili i kërkoi shefit të tij, të fotografonte Watergate hearings. Pse ishte Mili aq i interesuar të dokumentonte këtë ngjarje politike? – Ishte një ngjarje politike e papritur? Që në fakt ishte. Hera e parë në histori, që një president ishte i përfshirë në një skandal politik kundër oponentit të tij në këto përmasa. – I shtytur nga misteri si filloi, si vazhdoi dhe si do të përfundonte? Ishin këto dhe diçka tjetër, e shprehur qartë nga Benjamin Cawthra në librin e tij, Blue Notes in Black and White. ’’ Në 1973 Mili i kërkoi editorit të LIFE SPECIAL REPORTS , John Loengard të mbulonte ‘Watergate hearings’, një kërkesë që Loengard e lidhi me preokupacionin e Milit për liritë qytetare dhe demokracinë.’’
W A T E R G A T E S C A N D A L.
Çështja Watergate, skandali më tronditës politik dhe kushtetues në vite, filloi në 17 Qershor, 1972, në Washington D.C. Partia Demokratike në Watergate, një kompleks hoteli, apartamentesh dhe zyrash, kishte ngritur në katin e gjashtë të kompleksit, qendrën për fushatën elektorale midis Presidentit Nixon dhe Demokratit, George Mc. Govern. Pesë njerës, të njohur formalisht si, ‘’The White House Plumbers,’’planifikuan të instaloninaparate përgjues të rregjistronin bisedat në zyrën e kryetarit të Democratic National Commitee, DNC, dhe të kërkonin nëpër kabinete për dokumenta që mund t’ju interesonin për fushatën presidenciale.
Koha ka treguar se për të rrëzuar një president bazuar në fakte të pakundërshtueshme, por nganjëherë të shtytura nga hakmarrje politike, merr vite thurje planesh, investigime dhe përpjekje kolektive të organizuara. Por ja që ndodhka dhe më thjeshtë, një polic duke patrulluar rrugëve gjatë shërbimit, në orën dy të natës diktoi lëvizje të dyshimta në kompleksin Watergate dhe lajmëroi qendrën, që arritën të arrestonin pesë persona. Kështu filloi ajo që mbahet mend si skandali më tronditës politik dhe konstitucional në SH.B.A. dhe që detyroi Presidentin Nixon të jap dorëheqjen.
Fillimisht të dyshuarit u arrestuan si hajdut ordiner. Gjatë investigimit, rezultoi që hyrja në një zyrë specifike, atë të Chairman, Lawrence O’Brien, të D.N .C., 5.000 dollarë në kartmonedhat 100 dollarshe që i gjetën grupit, vegla dhe ekuipmente elektronike në një dhomë të hotelit që kishin rentur me emra të pa-identikuar, tregonin se ishte një konspiraci e organizuar.
SI DOLI ÇESHTJA NË DRITË.
Një informant misterios qeveritar, i njohur për dekada vetëm si, ‘’Deep Throat,’’ menjëherë kontakton gazetarët e Washington Post, Carl Bernstein dhe Bob Woodward. Me shumë kujdes për të mos u diktuar, u siguroi burime që çuan gazetarët në publikimin e ngjarjes jo si një vjedhje ordinere, por me qëllime politike. Dy ditë më vonë, 19 Qershor, 1972, gazetarët botuan në Washington Post në faqe të parë një artikull ku ekspozuan identitetin e kryetarit të grupit, Mc.Cord , kordinator i komitetit për zgjedhejen e Presidentit Nixon. Lajmi ishte sa i papritur aq dhe sensacional. Në javët që pasuan, Woodrward, me informacionet që e furnizonte i ashtuquajturi, ‘’Deep Throat,’’ në një garazh nëntokësor të abandonuar, kultivoi një nga burimet më konfidenciale dhe të bujshme në historinë e gazetarisë.
Informanti i ashtuquajturi ‘’Deep Throat,’’ zbuloi identitetin e tij në 2005. Mark Felt – ky zyrtar i F.B.I. dhe i brendshëm në Shtëpinë e Bardhë gjatë viteve të Watergate, u bë më i famshmi burim informacioni në gazetari.
Bob Woodward dhe Carl Bernstein, të njohur si simpatizant të Partisë Demokrate, fituan çmimin Pulitzer në gazetari.
P R O T A G O N I S T Ë T E S K A N D A L I T F O T O G R A F U A R D H E B O T U A R N G A M I L I N Ë L I B R I N E T I J” S a m E r w i n”, (1896 – 1985)

Edhe pse Shtëpia e Bardhë mohoi çdo lidhje me çështjen Watergate, Senati me evidenca bindëse, në Shkurt, 1973, votoi unanimisht, 77 me 0, për krijimin e Komitetit për Aktivitetin e Fushatës Presidenciale. Senatori Demokrat nga North Carolina , Sam Erwin, I njohur për humorin e tij, u zgjodh si Kryetar i Komitetit të investigimit të Watergate – Scandal.Zëvendës Kryetar i Komitetit ishte Howard H. Baker, Republikan nga Tenesi, që u bë i famshëm për pyetjen që goditi në thelb të çështjes: ‘’Çfarë dinte Presidenti dhe kur e mori vesh? ’’
Në 28 Mars 1973, Sam Ervin përpara dhjetra fotografësh dhe për herë të parë në një seancë të kësaj natyre, përpara kamerave televizive në mbarë Amerikën, godet çekanin e drurit, humbet humorin dhe fillon të lexoj deklaratën: ‘’Ne po e fillojmë këtë seancë në një atmosferë tejet të rënduar.Çështjet godasin drejtë në themelet e demokracisë tonë. Nëqoftëse këto lidhje vërtetohet të jenë të vërteta, ato që ata kërkonin të vidhnin nuk ishin argjendari, të holla, apo të tjera pronësi të qytetarëve të Amerikës, por diçka me më shumë vlerë – trashëgimia e tyre më e çmuar, e drejta për zgjedhje të lira. Që nga ajo ditë një ndjenjë pabesie është përhapur mes popullit tonë dhe është detyra kushtetuese e këtij Komiteti të lehtësoj këtë frikë dhe të stabilizoj atë mbi të cilën kjo frikë është përhapur.’’
Si Kryetar i I Komitetit të Senatit për investigimin, Erwin fitoi statusin e një person me integritet të lartë që nuk bën kompromis. Kur është kritikuar se ishte shumë i ashpër, ai është shprehur: ‘‘Unë jam thjeshtë një ‘country lawyer’ dhe nuk di mënyra të stërholluara komunikimi. Unë e bëj atë vetëm në mënyrën time.’’
H. D. H a l d e r m a n.
Chief of Staff në administratën e Presidentit Nixon, i njohur si ‘’Gate keeper of the Oval Office.’’ U bë figurë e njohur në hetimin e skandalit Watergate kur investiguesit zbuluan bisedën e regjistruar gjatë një takimi me Presidentin në Shtëpinë e Bardhë. Në një nga shiritat, e ashtuquajtura,’’Smoking Gun,’’ që mungonin 18 inch inçizim dhe që më vonë u zbulua, përfshihej një bisedë kompromentuese e tij me Presidentin në të cilën Nixon urdhëron Halderman të bisedonte me cilindo dhe t’a bënte të qartë sa e rëndësishme ishte të mos flisnin, po ashtu për shfrytëzimin e C.I.A., që ishte në mbështetje të Presidentit, t’i jepnin drejtim tjetër çështjes dhe të bënin presion mbi F.B.I., t’a raportonin atë thjeshtë si një vjedhje të kategorisë së tretë. Ndërkohë që skandali po merrte përmasa, Nixon e detyroi Halderman të jepte dorëheqjen në 30 Prill, 1973. Në përpjekje për të mbuluar skandalin Watergate, u gjykua dhe dënua me 18 muaj burg, për dëshmi të rreme, konspiraci dhe për Obstraction of Justice .

J o h n W. D e a n.
Një nga këshilltarët kryesor të Presidentit Nixon në vitet 1970-1973. Dean nuk kishte dijeni për çfarë po ndodhte deri në momentin që çështja u bë publike. Pas disa muajsh, pasi e kuptoi që edhe ai ishte i implikuar në një çështje që mbahej fshehur ilegalisht, pati guximin t’i thotë Presidentit se, një kancer po zhvillohej në Presidencë… Pas kësaj Nixon e shkarkoi atë nga detyra.
Dean u tha investiguesve dhe prokurorëve të shtetit se i kishte diskutuar aspektet e mbulimit të çështjes Watergate me Presidentin rreth 35 herë gjatë periudhës Janar –Prill të atij viti, duke e bërë atë të parin zyrtar të administratës që e akuzoi Nixon të përfshirë direkt në skandal dhe në përpjekjet për t’a mbuluar atë dhe të vetmin që bëri një deponim të ndershëm.
Në 25 Qershor, 1973, ish këshilltari i Shtëpisë së Bardhë filloi dëshminë përpara Komitetit me frazën e famshme: ’’Unë fillova t’i them Presidentit se një kancer po zhvillohej në presidencë dhe i thash Atij se është e rëndësishme që ky kancer të hiqet menjëherë , sepse po zhvillohet më vdekje-prurës çdo ditë dhe vetë Presidenti do të vritej një ditë prej tij.’’
Dean ishte një nga zyrtarët e parë të administratës që nxori në shesh implikimin e Nixon dhe të tjerëve zyrtarë gjatë dëshmisë së tij përpara Komitetit të Senatit gjatë ’’ Watergate hearings.’’ Ai u ngarkua për Obstruction of Justice dhe u dënua me katër muaj burg.
The Record – Breaking President.
Me këtë titull libri voluminos, ‘’ T I M E . The Illustrated History of the World’s Most Influential Magazine’’ prezanton Richard Nixon.
Nixon ka qën publikuar në kopertinën e TIME më shumë herë se çdo tjetër dhe ishte i vetmi president të zgjidhet nga TIME dy herë brenda vitit ,’’Man of the Year.’’ Po ashtu ishte i pari udhëheqës shteti të satirizohet në kopertinë. Për herë të parë u botua në TIME, në Gusht, 1952, koha kur u zgjodh si kandidat për zëvendës president nga Dwight D. Eisenhower. Në 10 Nëntor, 1952, së bashku me presidentin fitues, u botua përsëri në kopertinën e TIME, dhe kështu vazhdoi për 61 herë, t’a bëj atë personin më të botuar në kopertinën e revistës.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1960, kandidon nga Partia Republikane kundër oponentit të Partisë Demokratike, John F. Kennedy. Rezultati dihet, me një numur shumë të ngushtë votash, Kennedy u zgjodh President.
I njohur për idetë e tij anti-komuniste dhe kur lufta në Vietnam ndën presidencën e Demokratit Lyndon Johnson, ishte kthyer në një katastrofë, në 1968, Nixon fiton zgjedhjet duke u bërë kështu Presidenti i 37-të i SH.B.A. Shquhet në arritje të fuqishme në politikën e jashtme si, uljen e tensionit me Rusinë dhe Kinën, përfundimin e luftës në Vietnam dhe armë-pushimin në Lindjen e Mesme.
Në vitin 1972, rizgjidhet president kunder kandidatit Demokrat, George Mc Govern me një rezultat të jashtëzakonshëm, fitoi në 49 shtete nga 50, me 520 vota elektorale kur oponenti fitoi vetëm 17, duke e bërë kështu të parin president me kaq diferencë votash.
Por këto suksese u venitën në më pak se dy vjet e gjysëm kur shpërtheu skandali Watergate, që solli shpartallimin e administatës, ku 28 nga nëpunësit e tij të dënohen ose të paditen për shkelje të ligjeve. Kur evidenca kundër tij po rritej, dhe senatorë kryesor i thanë se janë vota mjaftueshëm për Impeachment, Presidenti ju drejtua kombit në 9 Gusht, 1974 dhe njoftoi dorëheqjen e tij në televizion.
‘’Mirëmbrëma,’’ tha Nixon, ‘’Kjo është e 37-ta herë që unë j’u kam folur nga zyra ime, ku aq shumë vendime kam marrë, që i kanë dhënë formë historisë së vendit…Unë do të jap dorëheqjen nga presidenca efektivisht nesër në mesditë.’’
Ky ishte ‘’THE END ‘’ i Presidentit më të adhuruar nga media Amerikane. Këtë moment ka fiksuar Mili me aparatin e tij.
Një ditë më vonë, 10 Gusht, 1974, Gerald R. Ford, tashmë President, u betua përpara një populli të traumatizuar duke thënë:’’Tmerri i gjatë i kombit tonë mori fund.’’ Nuk kaluan as 30 ditë si Ford mori Presidencën, e fali ish bosin e tij nga të gjitha akuzat, duke i dhënë atij të gjitha të drejtat për t’u kthyer në jetën civile pa asnjë koseguencë.
K O M E N T :
Një nga aftësitë e Milit si fotograf është se ai nuk priste për të ashtuquaajturin Moment Deçiziv, ai ekrijonte atë. Ai është i njohur në pregatitjen e një seance fotografike, si rasti me Picasso-n dhe me Watergate hearings, që po prezantoj në këtë shkrim. Këndvështrimi i kapur nga Mili është i veçantë. Ai nuk qëndroi sa më pranë dëshmitarit, si veprojnë zakonisht fotogazetarët në këto raste. Mili e ka kapur momentin nga larg dhe në një kënd-vështrim nga lartë për të kapur një shtrirje më të gjerë të audiencës.. Drita e përqëndruar në tavolinë dhe mbi dëshmuesin, të lenë përshtypjen se ky është personi dhe ky është momenti që do hedh dritë mbi çeshtjen që për dy vjet qëndron si hije mbi jetën politike në Amerikë. Errësira që shpërndahet në të dy anët e sallës me kupolë të lartë, e bëjnë më dramatik momentin. Në pritje, Mili shkrep aparatin në çastin e duhur, që zakonisht nuk zgjat më shumë se tre sekonda,’’ YES I DO.’’
Burimi i informacionit.
-Gjon Mili – ‘’Photographs & Recollections’’, 1980.
– TIME- The Illustrated History of the World’s Most Influential Magazine , nga Norbert Angeleti / Alberto Oliva, 2010.
– FAILURES OF THE PRESIDENTS, nga Thomas J. Craughwell, 2008.
*Me shume fotografi i gjeni fb dielli vatra