
FJALA PËRSHËNDETËSE NGA ISH-KRYETARI I SHOQATËS “KRAJA” Z. HAMID ALAJ
I nderuar Kryetar i Shoqatës “Kraja”!
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptaro-amerikane!
Të nderuar mysafirë!
Të dashur bashkëfshatarë dhe të pranishëm!
Zonja dhe zotërinj!
Mirë mbrëma dhe mirë se keni ardhur në këtë tubim për të kujtuar 30 vjetorin saktësisht 32 vjetorin e themelimit të Shoqatës Atdhetare “Kraja” këtu në New York. Themi saktësisht 32 vjetorin sepse po aqë vite ka që është themeluar shoqata por ne jemi thelluar më tepër në historikun e saj 30 vjeçarë, duke vjelur të dhëna rreth këtyre tre dekadave veprimtarie të saj të suksesshme.
Të nderuar të pranishëm.
Kam nderin dhe privilegjin që në emër të Kryetarit të Shoqatës “Kraja” me seli në New York, z. Samih Kanaqit, në emër të Këshillit të Përgjithshëm të Shoqatës dhe në emër të Këshillit Organizativ të kësaj mbrëmje, të jem para jush për të përshëndetur këtë tubim madhështorë me rastin e 30-të vjetorit të themelimit të Shoqatës “Kraja”. Me shpirt dhe me zemër plot, jam shumë i lumtur që jemi të gjithë së bashkut për të shënuar një përvjetor të rëndësishëm të komunitetit krajan, sepse ky është një kulm i punës sonë dhe tuaj të palodhur me plotë rezultate nga viti në vit, rezultatet e një ndër shoqatave shqiptare më aktive, më organizative dhe më patriotike e kombëtare në New York.
Komuniteti krajan këtu në New York por edhe në vendlindje sot ndihet i lumtur në këtë ditë të madhe feste, që bashkarisht me ju të kujtojmë dhe të përjetojmë një ngjarje të madhe me rëndësi historike për Krajën dhe krajanët siç është themelimi i Shoqatës “Kraja” në New York.
Zonja dhe zotërinj!
Pas viteve ’90-të, ishin kohë të vështira për popullin krajan, të pa punë ku shumë ndërmarrje ku ishin krajanë të punësuar filluan të falimentonin, ku krajanët filluan të diferencoheshin nga pushteti i atëhershëm, ku në mënyra të ndryshme ishin të përsekutuar për t’u larguar nga vendi i tyre, pra për ta boshatisur vendlindje me çka edhe ja arritën qëllimit, në bazë të situatës dhe gjendjes politike në trevën e Krajës dhe në të gjitha trevat shqiptare gjithandej, jashtë shtetit amë, ku para dhe pas atyre viteve tashmë komuniteti krajan numëronte një numër të konsiderueshëm të bijëve të vet në mërgim, bijë të shkolluar, të arsimuar e të edukuar, me profesione të ndryshme, biznismen e atdhetarë krajanë, ndaj në këto rrethana të rënda duke e parë popullin e vet në vendlindje, në Korrik të vitit 1991 me nismën e një grupi të bashkëfshatarësh krajanë me banim në New York themeluan Shqatën “Kraja” e që në fillim u quajt Shoqata Kulturore-Humanitare “Kraja” e cila filloi të veprojë menjëherë. Pastaj Këshilli Inicues i Shoqatës Kulturore-Humanitare “Kraja” në bazë të dispozitave mbi organizatat dhe shoqatat e mergimtarëve në mbledhjen e mbajtur më 26 Janar 1992 nxorri edhe rregulloren e saj.
Tre dekada, pra 30-të vite ekzistence, pune dhe veprimtarie të një shoqate nuk janë pak, por janë të mjaftueshme për t’u ndalur e analizuar, vlerësuar e njohur sfidat, peripecitë, arritjet dhe sukseset e saj që tashmë i ka bërë vend vetes në mesin e atyre shoqatave që dhënë kontribut të rëndësishëm kombëtar e patriotik jo vetëm ku ajo vepron, në kumunitetin e saj këtu në mërgim po ashtu edhe në vendlindje e më gjërë. Prandaj për këtë dhe arsye të tjera, së bashku me udhëheqësin e shoqatës organizojmë këtë eveniment me qëllim të njohjes sa më të mirë të funksionimit të Shoqatës “Kraja”.
Shoqata “Kraja” rrugëtimin e vet e nisi me një numër të vogël antarësh, por falë punës së tyre të madhe dhe me vlerë, vullnet e shpresë dhe gadishmëria e tyre e madhe shfaq një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshme të saj. Sigurisht se nga ajo kohë e deri në ditët e sotme Shoqata “Kraja” është zhvilluar në shumë rafshe pa lënë anash modifikimin e saj, përzgjedhjen e satafit drejtues, mjetet e punës dhe përdorimin e teknologjisë së re, përdorimin e rrjeteve sociale e mediatike, etj., gjithnjë në përputhje me vizionin e saj që ka pasur dhe ka e që është “ruajtja dhe përhapja e vlerave dhe traditave krajane” si dhe ruajtja e vlerave gjithë kombëtare shqiptare.
Si çdo shoqatë tjetër edhe Shoqata “Kraja” gjatë rrugëtimit dhe misionit të saj humanitar, patriotik, kulturor, aktiviteteve e programeve të ndryshme të dalura nga gjiri i saj, është përballur me të mirën dhe të vështirën, andaj duhet të jemi në dijeni se shoqata dhe udhëheqësia e saj nuk ka harruar kurrë se ajo është institucion në vete për komunitetin krajan me një rol shumë të rëndësishëm kombëtar.
Zonja dhe zotërinj!
Qëllimi i themelimit të Shoqatës “Kraja” këtu në diasporë ishte dhe do të vazhdojë të jetë siç cekëm edhe më parë “ruajtja dhe përhapja e vlerave dhe traditave krajane” dhe atyre gjithë kombëtare shqiptare, si një bashkim i komunitetit krajan kudo që ndodhën duke kultivuar traditat dhe vlerat më të mira të të parëve tanë që do ta rreshtoja nën moton “Nga do shko, por Krajën mos e harro”. Si vatër e vetme e grumbullimit të krajanëve në diasporë Shoqata “Kraja” është dhe do të vazhdojë të jetë qendra e vetme e cila u ka hapur dyert, zemren dhe shpirtin bijave dhe bijëve të vet, nga të gjithë fshatrat e trevës së Krajës. Të gjithë ata që punuan dhe po vazhdojnë të punojnë në të mirë të shoqatës dhe komunitetit që ajo përfaqëson, në karrierën e tyre me punë vullnetare u dëshmuan të suksesshëm, kush më shumë e kush më pak në varësi të kushteve, situatave e mundësive të krijuar.
Të nderuar të pranishëm!
Shoqata “Kraja” misionin e saj e nisi që nga muaji Korrik të vitit 1991, të pasuar me tre dekada me radhë, mision ky që vazhdoi me sukses deri në ditët e sotme. Ajo gjatë dekadave të punës dhe veprimtarisë së saj ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e saj të jashtëzakonshëm në sfera të ndyshme shoqërore.
Sot, me rastin e 30-të vjetorit të themelimit të Shoqatës “Kraja” mund të flasim me krenari në realizimin e shumë veprimtarive të planifikuara të shoqatës nën drejtimin e të gjithë udhëheqësve të saj, këshillit drejtues dhe antarëve të saj dhe të atyre, pra donatorëve, që kanë financuar veprimtaritë e shoqatës tonë.
Zonja dhe zotërinj!
Në vazhdim të këtij fjalimi do të jap disa të dhëna, ndër më të rëndësishmet, që më të drejtë kanë bërë që shoqata të ketë një afirmitet në komunitet, dhe jo vetëm pa anashkaluar edhe veprimtari të tjerat që për shkak të kohës që kemi në dispozicion nuk do t’i cekim në vazhdim, e shohim më të rëndësishme që tu hedhim një vështrim pak më tepër atyre aktiviteteve që shoqata ka realizuar gjatë këtyre tre dekadave ekzistence. Sot, ne ish/udhëheqësit dhe udhëheqësit aktual të Shoqatës “Kraja” me mburrje i shpalosim të gjitha këto arritje përkundër sfidave që na kanë përcjellë, por në fakt duhet kuptuar se ato nuk varen vetëm nga ne, por nga ne të gjithë për të arritur suksesin e duhur. Falë themelimit të Degës së Shoqatës “Kraja” në vendlindjen tonë Krajë në Mars të vitit 2016, realizimi i këtyre veprimtarive u bë edhe më i lehtë dhe më i menaxhuar nga stafi drejtues i kësaj dege.
Një arritje me vlerë nga Shoqata “Kraja”, sidomos kohëve të fundit vlen të ceket edhe hapja e programit të vallëzimit dhe sidomos dy vitet e fundit të veprimtarisë së sajë padyshim se është edhe hapja e shkollës shqipe “Mëso Shqip” në bashkëpunim me shoqatën Ana e Malit dhe asaj të Ulqinit. Duke shpresuar me bindje të plotë se kjo vatër arsimi do të vazhdojë objektivin e saj në edukimin e brezave të rinj ajo po u hap dyert e së ardhmes të rinjëve që të edukohen dhe arsimohen edhe në gjuhën shqipe, falë mësueseve profesioniste dhe stafit drejtues të saj, gjë që i bën krenarë gjithë prindërit e këtyre fëmijëve dhe jo vetëm.
Në vazhdim të këtij fjalimi dua të filloj në radhë të parë misionin humanitar të Shoqatës, e cila ka qenë e gatshme të ofrojë ndihmë financiare aty ku e ka lyp nevoja, e që duhet filluar që nga fillimi i formimit të saj, kur filloi kontigjenti i ndihmave të para financiare në vendlindje në vitin 1992 në shumën prej $10.000 dhe jashtë saj, konkretisht në Kosovë po në vitin 1992 me të njëjtën shumë prej $10.000. Pastaj pason ndihma që Shoqata “Kraja” ka ofruar gjatë luftës në Kosovë në një shumë rreth $90.000, shumë kjo e grumbulluar nga komuniteti krajan.
Me kalimin e viteve, varësisht nga situata e krijuar në vendlindje dhe jo vetëm Shoqata “Kraja” ka ofruan ndihmë financiare edhe në sektorin e shëndetësisë, në trajtime shëndetësore, në katër (4) raste të nevojshme. Në këtë sektor ajo ka grumbulluar një shumë financiare prej $211.000.
Vitë për vit duke e pasë parasysh buxhetin financiar të shoqatës udhëheqësia e saj e ka parë të nevojshme edhe ofrimin e ndihmave për familjet në nevojë në pakot ushqimore kryesisht në vendlindje, me një aktivitet më të dukshëm duke filluar nga viti 2016 gjer në vitin 2021, prej 141 pakove ushqimore për 130 familje në nevojë, arrihet shuma e përgjithshme prej $22.300.
Vlen të cekim se Shoqata “Kraja” në shtatë (7) vitet e fundit ka shpërndarë edhe ndihma financiare në formë bursave për shkollimin e studentave dhe studenteve nga treva e Krajës, duke pasë parasysh se studentet krajanë janë shumë më të papërkrahur financiarisht nga strukturat komunale dhe shtetërore për fitimin e bursave studentorë. Duke pasur parasysh këto fakte dhe nevojën për të ndihmuar në sektorin e arsimit Shoqata “Kraja” mori iniciativen për shpërndarjen e bursave. Në këtë sektor deri më tani është arritur të shpërndahen gjithsejt 91 bursa të tillë në një shumë prej $75.300, duke përfshirë edhe një studente që tërë shpenzimet financiare gjatë studimeve akademike i ka mbuluar shoqata.
Ndihmat tjera që ka ofruar shoqata gjatë këtyre 30-të viteve ekzistencë dhe punëve të palodhshme të aktivistëve të saj mund të renditen në seksione të ndryshme, ku pa dyshim se ndihma e saj bën emër edhe këtu në diasporë, gjatë aktiviteteve të ndryshme në bashkëpunim me shoqatat tjera shqiptaro-amerikane, organizimeve të ndryshme kulturore, muzikore, pjesmarrjeve në evenimete të ndryshme, ndihma në raste vdekje brenda komunitetit krajan në vendlindje, pjesmarrjen në festivalet shqiptare këtu në New York, organizim të piknikëve, grumbullimin e ndihmave me rastin e tërmetit në Shqipëri në vitin 2019, grumbullimin e ndihmave të familjeve në nevojë në vendlindje, ndërtimin e një shtëpie në vendlindje, ndihma për menaxhimin e Degës së shoqatës në vendlindje-Krajë, ndihmë financiare gjatë vizitës së dy kongresmenëve amerikan Tom Lantos dhe Joe Diogardi në trevën e Krajës dhe në trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi në bashkëpunim me shoqatat tjera shqiptare nga diaspora ku në Krajë për nderë të tyre u shtrua një drekë nga Shoqata “Kraja”, ka kontribuar për udhëtimin e kryetarit të LD në MZ dhe viziten e tij në Vashington DC, ndihma për financimin e ngritjes së bustit të heroi Kombëtarë Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në oborrin e shkollës fillore në Ostros të Krajës, donacion për shoqata të ndryshme në diasporë dhe jashtë saj, organizim e natës së diasporës dhe piknikut në vendlindje, financimin e WebFaqes për promovimin e turizmit në trevën e Krajës, ka ofruar ndihmë për manifestimin e Ditës së Verës në trevën e Krajës, ka ofruar ndihmë në organizimin e lojrave sportive në vendlindje, ka ofruar ndihmë financiare me rastin e botimit dhe promovimit të njërit dhe tjetrit libër, ka ofruar ndihmë financiare me rastin e organizimeve të Ditës së Pavarësis së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, ka ofruar ndihmë dhe pjesëmarrëse në Paraden Shqiptare, ka ofruar ndihmë financiare me rastin e shenjtërimit-kanonizimit të Nënë Terezës si dhe ndihmë financiare Shoqata “Kraja” ka ofruar edhe për organizimin e manifestimit me rastin e emrimit të rrugës në Bronx me emrin e heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skëmderbeut, ndihmë financiare Fondacionit “Nazire Cura”, financimi i programit të vallëzimit dhe shkollës shqipe “Mëso Shqip” e shumë ndihma tjera sa do modeste të kenë qenë ato. Ato nuk do ti cekim veç e veç por shuma e përgjithshme e këtyre ndihmave arrin në $ 250.200.
Në bazë të kësaj që u tha më lartë mund të konstatojmë se Shoqata “Kraja” brenda këtyre viteve ekzistence, edhe pse shumica e këtyre të dhënave statistikore në profile të ndryshme janë realizuar në periudha të ndryshme kohore, vimë në përfundim se shuma financiare e ofruar nga Shoqata “Kraja” arrinë në një shumë të përgjithshme prej $668.800, një shumë kjo e realizuar nga gjithë neve si komunitet që vimë nga një trevë etnikisht shqiptare siç është treva jonë e Krajës.
Një mirënjohje e veçantë dhe e pakufishme u takon edhe juve bashkëvendas të nderuar sepse, Ju jeni ata që keni hedhur besimin tuaj mbi shoqatën dhe udhëheqësin e saj ndër vite, andaj dua t’ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj në këtë evenimet të 30 vjetorit të Shoqatës “Kraja”, pa lënë anash gjithë angazhimin tuaj që keni pasur gjatë gjithë këtyre viteve të aktiviteteve të shoqatës, sepse falë kësaj mbështetje është arritur objektivi kryesor dhe fisnik që shoqata ka për detyrë të realizojë dhe në këtë mënyrë mund të ecim përpara si gjithë të tjerët.
Pa pretenduar se me këtë që u tha më lartë, është thënë e gjithë historiku i Shoqatës “Kraja”, por mund të them se jam përpjekur të bëjë më të mirën e mundur për të dhënë sa më shumë statistika rreth punës së saj 30-të vjeçare, më lejoni që fjalimin tim ta përfundojë këtu duke ju falenderuar në emrin tim përsonal dhe në emër të kryetarit si dhe në emër të gjithë këshillit drejtues të shoqatës për pjesmarrjen tuaj si dhe në përkrahjen tuaj në çdo hap aty ku e lyp nevoj dhe kërkon shoqata nga ju. Uroj që aktivitetet e shoqatës “Kraja” të vijojnë edhe qindra vite të tjera në ruajtjen dhe kultivimin e traditave krajane dhe gjithë shqiptare. Urojmë të qëndrojmë të bashkuar deri në pafundësi duke i shërbyer vendlindjes, popullit të saj dhe trevës tonë Krajës..
Zoti ju bekoft Ju dhe familjet Tuaja, Krajen dhe popullin krajan dhe gjithë shqiptarët kudo që të jenë. Zoti e bokoftë shtetin amë Shqipërinë Etnike.
Ju faleminderit dhe ju falenderoj për kohën që më dhatë.