Sokol Paja/
Sot mbushen 31 vite pa patriotin e madh të kombit shqiptar Tomë Gjokaj. Në janarin e ftohtë të vitit 1991 një dorë e zezë e pa besë do të na ndante përjetë fizikisht me Tomë Gjokajn, por asnjëherë shpirtërisht. Ai kaloi në përjetësi për tu kujtuar përgjithmonë e për tu mos u harruar kurrë për kontributin, shpirtin dhe veprimtarinë e tij në dobi të çështjes kombëtare. Tomë Gjokaj ishte një shtyllë kryesore e veprimtarisë patriotike në diasporën shqiptare të Amerikës në vitet 70-80-të. Tomë Gjokaj do të kujtohet me respekt e nderim për gjithë kontributin e tij si veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës e jo vetëm. Tomë Gjokaj në veprimtarinë e tij atdhetare kishte miqësi të veçantë me Bob Doll, me kongresistët amerikanë, si Tom Lantosh, Benjamin Gilman Jozef Dioguardin, Wiliam Broomfild, Alfonse Damato etj. Në shtëpinë e tij qëndruan shumë veprimtarë të çështjes shqiptare, si Ibrahim Rugova, Gjergj Gjokaj, Lekë Lulgjuraj, Tomë Berisha, Martin Camaj, Arshi Pipa e të tjerë patriotë që shpenzuan çdo energji, njohje, lobim e miqësi në dobi të çështjes kombëtare. Nga shqyrtimi i literaturës dhe intervista më familjarë rezulton se Tomë Gjokaj është shqiptari i parë i ftuar në Darkën e Inagurimit të Presidentit Amerikan Bush, darkë ku marrin pjesë vetëm 1000 veta. Një vlerësim ky si pasojë jo vetëm e miqësisë e njohjeve me Presidentët Regan dhe Bush por edhe si një shenjë vlerësimi për kontributin e tij politik e diplomatik. Toma si atdhetar i flaktë dhe intelektual aktiv shpërndau me pasion dhe përkushtim rrezet e dijes dhe të arsimit shqip, të vetëdijes kombëtare tek brezat e rinj, dhe shërbimi ndaj kombit ishte kryefjalë e veprimtarisë së tij sublime. Tomë Gjokaj ishte një veprimtar i spikatur dhe shumë aktiv edhe në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe anëtar i grupeve shoqëroro-politike e kulturoro-fetare të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë duke lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien e të gjithë atyre që e njohën nga afër përkushtimin, punën dhe shpirtin e madh të Tomë Gjokajt. Toma si patriot dhe veprimtar aktiv, organizoi komunitetin dhe përkrahi me çdo mjet dhe çdo formë demonstratat antikomuniste kundër sistemit Stalinist që sundoi në Shqipëri për afro 50 vjet. Tomë Gjokaj ishte pa dyshim ndër figurat më të spikatura dhe mendjet më të ndritura të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjërë. Tomë Gjokaj do të kujtohet gjithmonë si një shqiptar i dalluar, intelektual, vizionar dhe atdhetar i përkushtuar për kombin dhe komunitetin. Ai dha gjithçka për çështjen kombëtare, deri edhe jetën e tij. Ai luftoi fort për kombin e tij dhe armiqtë e kombit shqiptar e vranë pabesisht për ta mbajtur të gjallë në memorien dhe altarin e lirisë së kombit shqiptar. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe nderimi për këtë patriot të shquar të çështjes kombëtare në diasporë.