REXHEP SHAHU/
U botua numri 33 i revistës illz, revistë letrare e Tiranës, tetor 2021Si botues dhe kryeredaktor i saj krenohem që arritëm të botojmë 33 numra reviste, 33 numra të illz që janë shumë e janë pak. Krenohem dhe nuk e fsheh gëzimin e krenarinë. Bile e shkruaj edhe pse mund të qortohem nga miqtë për mungesë përulësie. Por nuk i bëj dot ballë tundimit. Sepse e çmoj si një arritje të madhe për veten e grupin që bëjmë revistën, për miqtë, për shkrimtarët, për letërsinë shqipe, për kulturën kombëtare, për historinë e letërsisë, për shtetin dhe gjithë njerzit e “republikës” së letrave shqipe.33 numrat e revistës illz janë gjerdani më i bukur në qafën e letrave shqipe.33 numra reviste me rreth 8500 faqe B/5 me shkrim 11, ku për 64 muaj shkruan e përkthyen rreth 2500 autorë nga gjithë bota e gjithë kohërat letërsi të zgjedhur, janë pak e janë shumë, por është një punë shumë e madhe.33 numra të revistes illz, sa vitet e Krishtit. Për Krishtin që jetoi 33 vjet janë e vetmja jetë që pati ndonëse ai vazhdon të jetojë. Revista illz do të jetojë sa shkrimi.E ideuar dhe pagëzuar me këtë emër të bukur 5 vjet e gjysmë më parë nga miku im Izet Duraku që është drejtor i revistës, e sponsorizuar pa kushte, diktime e imponime nga miku im humanist deputeti Flamur Hoxha që e ndjen se një vend pa letërsi e arte është i shkretë, e mbështetur dhe kuruar nga figura të rëndësishme të letrave shqipe që u ulën në sofrën e bordit të saj, revista illz u bë qiell për shkrimtarë shqiptarë, ballkanas, europianë e botërorë të të gjitha kohërave edhe përmes përkthyesve të mrekulleshëm që na ndihmojnë, u bë bulevardi më elitar që ka aktualisht letersia shqipe, apo siç thotë miku i madh i revistës akademik Shaban Sinani ““Koleksioni i revistës “illz” është sot trashëgimi… dhe lexuesi e njeh si tribunë mendimi e krijimtarie për gjithë “republikën” e gjuhës shqipe.” Faleminderit për të gjithë kontribuesit e kësaj reviste, për shkrimtarët që sjellin shkrime, për përkthyesit që zgjedhin e përkthejnë për ne, për miqtë, lexuesit e të interesuarit që na përkrahin e nxisin.Në 33 numra të illz janë botuar e janë në radhë botimi pothuajse shkrimtarët më me emër pa përjashtuar askënd, ani se ende nuk është kompletuar konstelacioni i menduar prej nesh.S’kemi përfillë asnjëherë kritere ideologjike, nuk kemi shkrimtarë partie e shkrimtarë armiq, shkrimtarë të ndarë në breza të vjetër a të rinj. Për ne më i riu e më moderni është Homeri. Shkrimtarët e kanë parë revistën të hapur, lexuesit po ashtu. S’na ka shqetësuar pse shkrimtari është i bardhë a i zi, vjen nga burgu a liria, nga vendi a diaspora, nga Shqipëria a nga hapsirat e tjera shqiptare, nga gjuha standarte a dialektet, nga Ballkani a Europa etj.Jemi përpjekë me ikë si prej kolerës prej mediokërve e anonimëve të bujshëm, ndonëse ata kanë pushtetin edhe në planetin e letrave. Dhe do të përpiqemi.Po për shtetin shqiptar a janë, sa janë, çfarë janë 33 numra të një reviste letrare periodike dy mujore elitare me numër mesatar faqesh 240 e me dy numra antologjikë me nga 500 faqe për Skenderbeun e shkrimtarët martirë.Shteti, shteti si nuk e pa as nuk po e sheh revistën illz dhe dritën që bën ajo. Një revistë letrare që është e vetmja në gjuhën shqipe që gjithë numrat e së cilës gjenden në gjithë libraritë dixhitale në botë. Shtet, a je, ku je shtet?Është provuar se revista illz bën pa shtetin, i jep dinjitet gjuhës e letrave shqipe. Revista deri sot nuk krenohet me shtetin, por shteti, në mos sot, nesër e gjithmonë do të krenohet e do të mburret me këtë revistë illzish.Revista illz nuk është letra xhepi, revistë qokash, buzëqeshje ekranesh. Është e rendë për të hyrë ne zarfa, sirtare e nën tavolina zyrash. Koleksionin e saj nuk e ngrenë dot duar zyrtarësh, përfituesish projektesh, të zgjedhur e të begenisur ministrash a zyrtarësh partiakë e mediokër. S’e lexojnë as kuptojnë dot gjysmë a çerek të diturit që vendosin ta përçudnojnë dinjitetin e shtetit me autorët që zgjedhin e shpikin për shkrimtarë dhe i rekomandojnë për librin shkollor, për qoka shtetërore dhe për emancipim shoqëror, duke harruar si thotë Fishta se një liber i keq ashtë më i rrezikshëm e i më damshëm për shtetin se një kryengritje… Le të ndiçojë, le të na iluminojë shteti që drejtohet nga një njeri arti. Revista illz ka illzit e saj që bëjnë dritën e tyre. Shteti merr dritë prej saj, merr krenari e dinjitet dhe nuk kujtohet për këtë revistë yjesh të pangjashme, të pakrahasueshme me asgjë në përditshmërinë letrare të vendit. Ndjesë, por illz , revistë letrare e Tiranës bën diferencë në botimet shqipe. Dhe më shumë se sa ka nevojë revista illz për shtetin, është shteti ai që ka nevoje të madhe për revistën illz sot e mot, pasi revista illz tashmë është si Drini, nuk di të ndalet…Ne, që e bëjmë revistën illz, na mungon dora e lypjes për ta shtri. Nga krenaria për çfarë kemi bërë, liria, pavarësia e dinjiteti. Por shteti për ta zbardhë fytyrën e vet e për t’ia “rritë mendjen” vetes mendoj se duhet t’u ofrohet vetë me elegance e përulësi vlerave të tilla.Shteti nuk i sheh shkrimtarët edhe pse drejtohet nga një njeri arti që shquhet për fjalime nekrologjie për shkrimtarët e artistët, nuk e sheh revistën illz që tashmë është një histori e rrallë suksesi.Ne nuk kemi mbajtë kurrë qëndrime si revistë dhe ndoshta nuk kemi bërë mirë. Ndoshta duhet t’i ngjajmë më shumë kohës e të shqetësohemi më hapur për të ardhmen dhe fatin e shkrimtarëve pasi siç thotë shkrimtari Ethem Haxhiademi të cilin e mbytën në burg “Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji shkrimtari asht t’a çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjanë qi e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët.Po a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare?”.33 numra të revistës illz dolën, janë te lexuesi, te biblioteka. Janë shumë dhe pak.Shpresoj t’ju shkruaj kështu për numrin 66 e 99.