



Nga Harry Bajraktari
35 vjet më parë, në 29 gusht 1990, një delegacion i Senatit Amerikan i udhëhequr nga Bob Dole, kreu një vizitë historike në Kosovë kur ajo po jetonte në shtetrrethimin e egër serbo-jugosllav. Jugosllavia nuk ishte ndarë akoma dhe kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Amerikën dhe me botën. Kosova njihej shumë pak dhe nuk kishte interes për të as në Washington dhe as në kryeqytetet e tjera të botës. Por, Senatori Dole ishte një personalitet i madh amerikan dhe vizita e tij e vendosi Kosovën në hartën e botës. 9 vjet më vonë, Kosova u çlirua. 18 vjet më pas fitoi pavarësinë. Pa dyshim që vizita historike e Senatorit Dole ishte stancioni i parë i madh në rrugën drejt lirisë. Nuk e di se si do të kishte shkuar fati i Kosovës pa këtë vizitë. Ato pak orë që Senatori i Amerikës, Bob Dole kaloi në Prishtinë kishin peshën e disa viteve punë në Washington. Senatori shihej si një President i mundshëm i Amerikës në të ardhmen dhe figurë kryesore e politikës së jashtme.
Ku shkonte Dole, shkonte edhe vëmendja e medias dhe diplomacisë amerikane. Me Senatorin u njohëm nëpërmjet mikut të tij të ngushtë Jim Xhema dhe përpara nisjes së tij për në Kosovë biseduam me të dhe i treguam shqetësimet tona. Në Prishtinë, Millosheviqi kishte vendosur ligjin marcial dhe njerëzit rrezikonin të arrestoheshin po të grumbulloheshin në rrugë, mirëpo kjo nuk i ndaloi shqiptarët të dalin masivisht për të parë e nderuar mikun e madh nga Amerika. Pas asaj vizite nuk kishte më kthim pas. Që atëhere kam pasur rastin ta takoj dhe të bisedoj me disa herë me këtë mik të madh të shqiptarëve por edhe Amerikan i Madh. Sa herë që ishte nevoja Senatori Dole ishte I gatshëm të ndihmonte për kauzën e Kosovës. Mbështeti ndërhyrjen e NATO’s në Kosovë dhe loboi që SHBA të mbështeste pavarësinë si të vetmen zgjidhje për Kosovën. Pata kënaqësinë e madhe të jem i pranishëm kur u dekorua nga Presidenti Bujar Nishani me nderimin më të lartë nga Shqipëria. Senatori Dole nuk jeton më, por mirënjohja e Kosovës, komunitetit shqiptar në Amerikë dhe mbarë kombit shqiptar për kontributin e tij është i përjetshëm. Amerika vetë nuk do ta harrojë për shërbimin e tij të palodhshëm që nga trimëria në Luftën e Dytë Botërore në shërbimin publik deri në fund të jetës. Zoti e bekoftë shpirtin e tij!