
Bujar Leskaj/
Më 7 shtator 2025, Kosova shënon 35-vjetorin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e saj moderne, shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në qytetin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990. Kjo Kushtetutë, e njohur si “Kushtetuta e Kaçanikut”, ishte akti më i lartë juridik i miratuar nga përfaqësuesit legjitimë të popullit shqiptar të Kosovës, në kushte të jashtëzakonshme represioni dhe kërcënimi të drejtpërdrejt nga regjimi i atëhershëm serb.
Miratimi i saj erdhi vetëm dy muaj pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, me të cilën Kosova shpallej njësi e barabartë në kuadër të Federatës Jugosllave. Në atë kohë, institucionet e Kosovës po përballeshin me një valë të egër dhune shtetërore: shkrirje të dhunshme të institucioneve, largim masiv i punonjësve shqiptarë, shkelje sistematike të të drejtave njerëzore dhe ndjekje politike ndaj delegatëve që kishin guxuar të mbrojnë të drejtën e popullit për vetëvendosje.
Pikërisht për shkak të këtyre rrethanave, shpallja e Kushtetutës u organizua në fshehtësi, në qytetin e Kaçanikut , një vend me rëndësi strategjike, afër kufirit me Maqedoninë e atëhershme, ku ekzistonte mundësia për të siguruar të paktën një rrugë shpëtimi në rast ndërhyrjeje ushtarake serbe. Delegatët që morën pjesë në këtë akt historik ishin nën kërcënim të vazhdueshëm, shumë prej tyre të shpallur në kërkim nga autoritetet e Beogradit. Megjithatë, ata nuk u tërhoqën përkundrazi, me guxim të pashoq, miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke shpallur formalisht Kosovën si republikë dhe duke i dhënë bazë juridike synimit për shtetësi të pavarur.
Rëndësia historike e Kushtetutës së Kaçanikut është shumëdimensionale. Ajo nuk ishte vetëm një akt formal legjislativ, por një deklarim i hapur i vullnetit politik kombëtar për liri dhe vetëvendosje. Ishte një përpjekje për të ndërtuar një sistem institucional paralel, të pavarur nga Beogradi, dhe një platformë mbi të cilën do të ngriheshin strukturat e ardhshme shtetërore që nga arsimi e shëndetësia, deri te administrata dhe përfaqësimi politik.
Pavarësisht se kjo Kushtetutë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare në atë kohë, ajo shërbeu për afro një dekadë si bazë legale dhe morale e shtetësisë së Kosovës, duke ushqyer rezistencën paqësore dhe duke krijuar një kulturë të vetëqeverisjes që do të kulmonte me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
7 Shtatori, që nga ajo kohë, mbetet një datë me simbolikë të thellë kombëtare dhe kushtetuese. Është dita që shënoi themelin juridik të Republikës së Kosovës dhe dëshmoi se kur drejtësia historike dhe vullneti i popullit bashkohen, asnjë pushtet nuk mund ta ndalë lirinë.
Sot, në këtë përvjetor jubilar, i përkulemi me nderim të thellë delegatëve që guxuan, popullit që qëndroi, dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Kushtetuta e Kaçanikut mbetet testament i kurajos politike dhe një udhërrëfyes për të ardhmen, duke na kujtuar se liria nuk dhurohet ajo fitohet me vizion, unitet dhe përkushtim.