Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Azem, në shqip, ka një një domethënie të bukur e kuptimplote: do të thotë “Kollos”. I tillë ishte e mbetet edhe polici i shtetit Azem Ali Meshi, i cili, kësokohe, do të ishte 45 vjeçar. Ai lindi në një kullë alpine dykatëshe në Kosturr të Hasit, e cila është shpallur “Monument kulture” për identitetin e vlerat e saj kombëtare.
Nga dera e saj fisnike nxori trima e tregoi urtësi, shkroi në pragun e gurët e saj, në kujtesën e lavdinë e kohës historinë e vet. Gjyshërit e tij, Arif e Ukshin Ademi, ishin në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, morën pjesë në luftërat masive e heroike kundër otomanëve. Babai i tij, Ali Meshi, në moshën 14 vjeçare, u bashkua me çetat partizane për çlirimin e vendit nga fashizmi dhe u inkuadrua në Batalionin e Hasit e në Brigadën e XXV-Sulmuese.
Kulla e tij në Kosturr, tani mban në rrënjët e lartësitë e saj, edhe emrin e Azem Ali Meshit, Dëshmor i Atdheut, i cili kontribuoi për 17 vite si kollos qëndrestar në mbrojtje të rendit e të qetësisë, i cili në vitin e mbrapshtë të rebelimit më 1997 qëndroi si kollos në Degën e Ruajtjes e Sigurimit të Objekteve duke ruajt institucione të rëndësishme të Shtetit Shqiptar e përfaqësi diplomatike të huaja të akredituara në Tiranë, i cili e tregoi veten kollos edhe në përballjen me bandat e zeza të krimit më 1999 në Yzberisht të Tiranës.
2.
Azem Ali Meshi arsimimin e kreu në tre rrethe: shkollën fillore në vendlindje të tij, në Kosturr të Hasit, 8 vjeçaren në qytezën minatore në Kam të Tropojës, ndërsa shkollën e mesme profesionale e mbylli me rezultate të larta në qytetin e Kukësit. Ëndrra për të ndjekur shkollën e lartë i mbeti vetëm ëndërr, sepse lufta e klasave me zjarrin e saj të ashpër ia shuan shpresat për dijen e mundësitë për të shërbyer në forcat e policisë, për shkak të dënimit me burg të babait të tij, Ali Meshi, për bindje politike, sekuestrim pasurie dhe keqdamoksjen si “i deklasuar” për rregjimin komunist.
Kur erdhi në Tiranë, efektiv i Komisariatit të Policisë Nr. 4 të kryeqytetit, për të qënë model i policit bashkëkohor, për t’u ngritur në lartësitë e misionit të tij si polic i shtetit, si polic qytetar në shërbim të qytetarëve, e ndoqi pa shkëputje nga puna Akademinë e Policisë së Shtetit. Ai nisi të ecte në jetën e strukturat e policisë duke marrë gradat hap pas hapi, duke bërë karrierë nga dita në ditë. Ai eci në karrierë si polic i shtetit, si qytetar i shtetit demokratik. Me aktin e tij i ngjiti lartësitë e kohës si Dëshmor i Atdheut, si simbol i përkushtimit e qëndresës së Policisë së Shtetit, si shqiponjë medalje artë e trimërisë dhe aktit të guximit qytetar në luftën kundër krimit deri në sakrifikimin e jetës.
3.
Tek vepra “Dhimbja më grish” Azem Ali Meshit i kushtohet elegjia me titull mjaft domethanës: “O mik i zemrës”, ku në vargje, si në jetën reale e sublime, dëshmon se kishte një zemër të madhe, për nusen e tij të përjetshme, Loretën, për vajzën e tij, Greta, për vllain e tij polic, Ahmetin me tre universitete e me karrierë meritore; për të gjithë njerëzit e gjakut të tij, për Atdheun e vet, për Ardhmërinë Shqiptare.
Rapsodët e Hasit i këndojnë një këngë këtij trimi të Policisë së Shtetit, Azem Ali Meëshit, ku historinë e hapur të këtij trimi e mbyllin me vargjet:
Kush jep jetën për vend t’vet
Është gjallë: O kurr’ nuk vdes.
Polici është mburoja e shtetit dhe mburoja e policit është pasqyrë e shtetit, ku shteti hedh hapat me sigurinë e jetës dhe shtetasit lëvizin me qetësinë e kohës. Edhe Azem Ali Meshi është simbol i përkushtimit e i qëndresës së Policisë së Shtetit, si shqiponjë medalje artë e trimërisë dhe aktit të guximit qytetar në luftën kundër krimit deri në sakrifikimin e jetës.
Në gjoksin e lavdinë e tij Azem Ali Meshi mban dekoratën “Medaljen e Artë të Shqiponjës” dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me Dekretin Nr. 2639, datë 31 maj 2000, me motivacionin “Për trimëri dhe akt të guximit qytetar deri në sakrifikimin e jetës”. Në memorien e pashuar të kohës e memorialin e ndritur të Policisë së Shtetit ai mban statusin e përjetsisë, titullin e nderit “Dëshmor i Atdheut”, me vendimin institucional e meritor Nr. 12, Datë 4 korrik 2003. Një rrugë në zonën e Kombinatit në Tiranë e mban emrin e tij.
Po vjen Azem Ali Meshi nga udhëtimi i tij drejt përjetësisë. E ka marrë malli për njerëzit e tij të gjakut e të pragut, të policisë e të shoqërisë. Po vjen me pavdeksinë e emrit të vet, në kujtesën e Policisë së Shtetit, në vizionet e të ardhmes. Po vjen 45 vjeçar.