
Foto Dritan Haxhia/
Pritja e dhënë nga Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj me rastin e vitit jubilar të 70 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (14 Dhjetor 1955) organizuar nga Misioni dhe Konsullata shqiptare në Nju Jork u mbajt mbrëmë në mjediset e Empire Steak House.
Pas fjalës së Presidentit Begaj në sesionin e 80 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ditën e mërkurë, vizitave të nivelit të lartë, takimeve protokollare dhe pjesëmarrjes në përurime të komunitetit, mbrëmja ishte një mundësi tjetër bashkëbisedimi me bashkatdhetarët, me drejtues të shoqatave shqiptare-amerikane dhe bizneseve, profesionistë të fushave të ndryshme dhe personalitete të artit dhe kulturës e aktivistë të tjerë. Në pritjen e mbrëmshme merrte pjesë Sekretari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Dr. Pashko Camaj.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Shtetit e vlerësoi domethënien e vitit jubilar të anëtarësimit në OKB si fryt i drejtpërdrejtë i kontributit historik të diasporës shqiptare në Amerikë. “Së bashku me delegacionin që përfaqësoi Shqipërinë në OKB, me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasadoren Suela Janina dhe stafet respektive, ne kemi kënaqësinë, gëzimin, emocionet dhe krenarinë që jemi bashkë në këtë sallë. Për kaq shumë sa jemi mbledhur këtu, është dëshmi e vitalitetit dhe fuqisë së diasporës sonë në Amerikë. Për mua, mbrëmja e sotme është një festë e shpirtit shqiptar,” tha Presidenti Begaj.
Takime të tilla me bashkësinë, Presidenti i Shqipërisë i quajti me shumë rëndësi për forcimin e marrëdhënieve me vendin amë duke nënvizuar “bashkimin si shprehje e qëndrueshmërisë së komunitetit shqiptar dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Presidenti Begaj inkurajoi shqiptaro-amerikanët të jenë aktiv në platformën e Samitit të Diasporës si një mundësi të hapur për të sjellë aty ekspertizën e tyre.
“Viti jubilar është moment krenarie dhe reflektimi për shqiptarët, rrugëtimi ynë në organizatën botërore nuk do ishte i mundur pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha ai.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, në fjalën e saj, rikonfirmoi lidhjen e fortë të dy vendeve qysh në fillimet e emigrimit shqiptar në Amerikë, e përforcuar në momente kyçe të historisë sonë, ndërsa tani, tha ajo, “e konsoliduar edhe në programin dygjuhësh, në përurimin e të cilit ishim ftuar së bashku me delegacionin shqiptar, këtë javë, në Bronks.” Ministrja Spiropali e quajti gjuhën shqipe shprehjen më të qenësishme të identitetit kombëtar duke u angazhuar për koordinimin nga ana e shtetit amë të teksteve shkollore dhe lëndëve mësimore përkatëse.