Nga Alban Kolonjari/
86 vjet më parë më 27.07.1930 u themelua Klubi i Futbollit Lushnja. Në historinë e futbollit lushnjar një nga mbiemrat që bënë histori dhe që ishte i vetmi që nxori më shumë futbollistë ishte Haxhiu, i cili do të ishte mbiemër pararojë sportiv për mjaft mbiemra të tjerë që udhëtuan nëpër dekada. Për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti kontributi i fisit Haxhiu është një buqetë lulesh në mesin e të cilës bie në sy një trëndafil –Roza Abdurrahman Haxhiu, legjenda e futbollit lushnjar dhe atij shqiptar. traktoriRoza Haxhiu lindi në qytetin e Lushnjës në lagjen “Kongresi i Lushnjës” më 30 shtator 1930. Që në fëmijëri Roza, ëndërronte të bëhej futbollist. Një ëndërr që nisi që fëmijë në fushën e blertë të vendlindjes dhe që do të përfundonte po aty në fushën e blertë europiane nga një goditje vdekjeprurëse në kokë. Talenti i tij u duk që në moshën e re në ekipin e Traktorit të Lushnjës. Roza Haxhiu ishte një futbollist i shquar shqiptar i viteve 50-60, talent i rrallë si dhe golashënues i klasit të parë me ekipin kombëtarë Shqipërinë, Lushnjen, Dinamon, Besën e Partizanin. Abdurrahman Roza Haxhiu jetoi shumë pak, rreth tri dekada e gjysmë, e thuajse gjysmën e viteve të moshës së tij ja kushtoi futbollit, sportit të zemrës. Madje, në rast se do të themi se sporti ka dëshmorët e tij,Roza është nga ata luftëtarë që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar për vdekje nga një goditje vdekjeprurëse në kokë, e cila i ndërpreu në mes jetën që aq bukur dinte ta jetonte. Dhe kjo i ndodhi kur ai mbante veshur fanellën e kuqe të Partizanit, duke nderuar jo vetëm ngjyrat e tij, por edhe të sportit mbarëkombëtar. Kësisoj, ai është një nga dëshmorët më të spikatur të futbollit shqiptar. traktori1Në futbollin lushnjar me emrin e Roza Haxhiut lidhet një ngjarje historike e madhe rikthimi i Traktorit në Kategorinë e Parë në vitin 1960. Roza Haxhiu mori drejtimin e skuadrës lushnjare, duke luajtur edhe vetë. Pas dy finalesh me Erzenin, të fituara 3-2 e 6-2, Roza Haxhiu bën që Traktori i atëhershëm të futej për herë të parë në elitën e skuadrave të vendit. Ekuipazhi sportiv i konsoliduar nga Abdurrahman Roza Haxhiu triumfon në Kampionatin e Kategorisë së Dytë duke u shpallur kampion i tij në 1960. Futja në Kategorinë e Parë i hapi shtegun futbollit lushnjarë për tu përfaqësuar më 1960 në kampionatin kombëtarë të rezervave bashkë me: Partizanin, Dinamon, Vllazninë, Flamurtarin, Skënderbeun, Labinotin, Besën dhe Tomorrin duke zënë edhe vend nderi. Roza Haxhiu kishte dëshirë të madhe që suksesin e arritur ta vazhdonte edhe më tej. Por, goditja e Poldovit e vitit 1958, kur Partizani mori pjesë në një turne miqësor në Bullgari, ku Roza u dëmtua rëndë nuk e kishte “harruar”. traktori4Ajo madje është shndërruar në sëmundjen e përbindëshme që i kërcënonte jetën.Pas shumëpërpjekjesh burokratike, arrin të sigurojë leje-kalimi për tu operuar në Itali. Por është tepër vonë… 19 Maj i vitit 1964 rrëmben Rozën nga gjiri i familjes, shokëve, miqve, të afërmve, bashkëlojtarëve. Abdurrahman Roza Haxhiu iku si rrallëkush: ai pati fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë. Mijëra sportdashës lushnjar e nga rrethet e tjera, banda nga Kavaja drejtonte kortezhin. Ashtu me duart e lëshuar Xha Bami (i ati) hedh vështrimin rreth e qark. Mizëri njerëzish. Përkulet tek koka e arkivolit: -”Ah mor bir. Nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë”. Roza Haxhiu ka vdekur vetëm fizikisht, ai do të mbetet i pavdekshëm në fushën e blertë shqiptare. Edhe për ta kujtuar gjithnjë këtë legjendë të futbollit lushnjar dhe atij shqiptar në tribunën e stadiumit të qytetit të lindjes në Lushnje është shkruar një emër i nderuar Abdurrahman Roza Haxhiu