Nga Kozeta Zavalani/
10 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe përzgjedhja e kësaj date, nuk është e rastësishme. Kjo ditë u shpall fillimisht si përvjetor i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dokumenti i parë i rëndësishëm me fuqi detyruese në mbarë botën. Të drejtat e njeriut të dala nga filozofia, që nga shekulli XVII kanë gjetur hyrje në kushtetutat shtetërore. Ato kanë rrjedhur në një formë të caktuar dhe u janë garantuar shtetasve si të drejta konkrete themelore. Njeriu abstrakt i filozofisë u shndërrua në këtë mënyrë në qytetar konkret i miratuesve të kushtetutës. Të drejtat themelore kishin funksionin e mbrojtjes së qytetarëve nga ndërhyrja e shtetit dhe ishin pjesë përbërëse e filozofisë së liberalizmit. Duke patur parasysh se dinjiteti i lindur i të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë.
Nisur nga dallimi mes të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore vërejmë se të drejtat themelore, për nga përbërja e tyre nuk ndryshojnë. Dallimi ndërmjet tyre qëndron në aspektin formal. Të drejtat themelore janë të drejta që një shtet ua garanton qytetarëve të vet dhe që janë të shënuara në kushtetutën e tij. Zbatimin e tyre, qytetari mund ta kërkojë para gjyqit. Ndërsa të drejtat e njeriut përbëjnë idenë themelore prapa këtyre të drejtave themelore. Deri në mesin e shekullit të kaluar, të drejtat e njeriut ishin të drejta morale, të cilat duhet të zbatoheshin nga çdo lloj mënyre e organizimit shtetëror, pra si të drejta natyrore. Me “Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut” të Kombeve të Bashkuara, është bërë përpjekje për konkretizimin e idesë filozofike dhe vendosjen e tyre si të drejta të patjetërsueshme me kriter botëror.
Por a e kushtëzojnë të drejtat e njeriut demokracinë dhe anasjelltas?
Në kushtetutat moderne demokratike, të drejtat e njeriut janë të futura si të drejta elementare themelore. Shtrohet pyetja: A janë strukturat demokratike kusht për zbatimin e të drejtave dhe dinjitetit të njeriut?. Ose më mirë: A mund të quhet demokratik një shtet, në të cilin nuk realizohen të drejtat në fjalë? Për të kuptuar këtë duhet të theksojmë se thelbi i iluminizmit politik të kohës së re është unitetiti mes të drejtave të njeriut, ndarjes së pushtetit dhe demokracisë. Efekti real i të drejtave të njeriut kushtëzon vlerën e tyre juridike, e kjo e dyta kushtëzon nga ana tjetër ndarjen e pushtetit. Pushtetari është i lidhur me zbatimin e të drejtave të njeriut, vetëm nëse ai vetë është i lidhur me drejtësinë. Me drejtësinë, ai është i lidhur vetëm në sistemin e ndarjes së pushtetit, ku instanca ekzekutive as nuk e sundon drejtësinë, e as nuk mund ta shkelë atë. Asaj i është caktuar funksioni nga instanca ligjvënëse dhe kushtetuese, sipas së cilës janë ata gjyqtarët e pavarur që kontrollojnë respektimin e drejtësisë. Zhvillimi i të drejtave nga ana tjetër kushtëzon edhe demokracinë, d.m.th. lirinë e popullit për formulimin e ligjeve të tij dhe kontrollimin publik të të tri instancave të pushtetit. Në këtë mënyrë mbyllet rrethi i lidhjeve ndërmjet idesë së të drejtave të njeriut, ndarjes së pushtetit dhe demokracisë. Ato janë një njësi institucionale ligjore. Realiteti i tyre politik është kusht për humanizëm, drejtësi, liri dhe dinjitet për çdo individ. Rënia e njërit prej këtyre tri elementeve shkakton edhe rënien e dy elementeve të tjera.
Çdo njeri ka të drejta të lindura, por jemi njohur me faktin se të drejtat e njeriut nuk respektohen gjithmonë. Është shumë më vështirë të mbikqyren të drejtat e njeriut se ligjet kombëtare. Mirë do të ishte sikur të gjithë njerëzit dhe shtetet e botës të respektonin rregullat bazë të lojës, d.m.th. të respektonin të drejtat e njeriut, por përvoja ka treguar të kundërtën. Apelet për respektimin e tyre nuk kanë mjaftuar.
Gjyqtarë kryesorë janë Kombet e Bashkuara, organizatë e cila është themeluar në vitin 1945, dhe në të cilën janë përfshirë të gjitha vendet e botës. Dihet që Organizata u themelua pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore dhe funksioni i saj është mbikqyrja e të drejtave të njeriut, për sigurimin e paqes në botë. Në vitin 1948, shtetet anëtare të OKB-së aprovuan „Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut”, e cila që nga viti i aprovimit të saj është zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme. Konstatojmë se Kombet e Bashkuara janë të përshtatshme për rolin e gjyqtarit kryesor. Natyrisht, as Kombet e Bashkuara nuk mund të pengojnë thyerjen e rregullave të lojës, pra mosrespektimin e të drejtave të njeriut. Por me veprime konkrete ato mund të kujdesen, të luftojnë për respektimin e tyre. Gjatë përpjekjes për kryerjen e detyrës së tyre, Kombet e Bashkuara hasin jo rrallë në probleme të ngjashme me ato të gjyqtarëve të lojës së futbollit. Çdo vendim i tyre, i bën ato të padëshirueshme për njërën nga palët. Shumë shpesh, ato kritikohen dhe akuzohen nga të gjitha anët.
Po kush e kryen funksionin e gjyqtarit anësor, pra kush i tërheq vëmendjen OKB-së duke “ngritur flamurin”?
Këtë funksion e kryejnë organizatat joqeveritare që kanë krijuar strukturën, rrjetin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në të gjitha pjesët e botës. Pra shoqëria civile publikon raporte mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kështu ajo përkrahet në të gjithë botën. Ndaj shoqëria civile duhet të bëjë presion mbi qeveritë e ndryshme. Por ato nuk kanë mundësinë e vendosjes së sanksioneve. Ndaj kompetent për këtë janë Kombet e Bashkuara.
Por, si i mbikqyrin Kombet e Bashkuara, në bashkëpunim me organizatat e ndryshme joqeveritare, të drejtat e njeriut?
Për mbikqyrjen e të drejtave të njeriut, Kombet e Bashkuara kanë formuar komisione, nënkomisione dhe komitete të ndryshme. Shembuj në këtë drejtim janë: Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve, apo Komiteti për Parandalimin e Diskriminimit të Gruas. Shkeljet e të drejtave të njeriut mund të paditen edhe para gjyqit. Për rastet individuale, kompetent është Gjykata e Krimeve të Luftës, ndërsa për rastet e shkeljes se të drejtave të njeriut nga ana e shtetit, kompetencën e ka Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut.
Janë të njohura meritat e Mary Robinsonit dhe pasardhësit të saj Sergio Vieira në koordinimin e institucioneve të OKB-së në bindjen e shumë shteteve të botës për rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut.
Megjithatë shkeljet e të drejtave të njeriut vazhdojnë.
Kur dëgjojmë për shkeljet e të drejtave të njeriut mendojmë për të ashtuquajturën „Bota e tretë”, apo për diktaturat e largëta. Por shkeljet e të drejtave të njeriut nuk janë të kufizuara vetëm brenda kufijve të kontinenteve, sistemeve të caktuara politike, normave apo feve të caktuara. Nuk ka thuajse asnjë vend në botë, ku gjatë një viti të mos ndodhin shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas përkufizimit, shkelja e të drejtave të njeriut nuk është asgjë tjetër, veçse një formë e zbutur e krimit të rëndë që ushtron shteti mbi qytetarët. Shkeljet e të drejtave të njeriut si krim i lejuar, i duruar, i porositur apo i mbrojtur nga qeveritë, rrezikon në masën më të madhe paqen e brendshme dhe të jashtme të një organizimi shtetëror. E kaluara ka treguar se me ndarjen e pushtetit për të kontrolluar monopolin e pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe me zgjedhjet e përgjithshme, të lira, të fshehta, që përsëriten në mënyrë periodike, është krijuar një instrument i përshtatshëm i shtetit juridik. Shtetet e qeverisura nga diktaturat nuk njohin instrumente të tilla. Ato shkelin të drejtat e njeriut dhe rrezikojnë në këtë mënyrë paqen në botë. Ato helmojnë klimën politike, duke krijuar rrethana të tilla, në të cilat të drejtat e njeriut dhe paqja kanë pak mundësi për t’u realizuar, ndaj edhe puna jonë duhet të jetë gjithmonë me intensitet të vazhdueshëm e të pandalshëm.