Një foto nga ambasada amerikane dhe një shpjegim/
Nga Shefqet Kërcelli/
Në rubrikën “Foto e Ditës”, Ambasada Amerikane në Tiranë ka sjellë një kuriozitet mbi historinë e shqiptarëve në Amerikë, duke ngritur një pyetje për ndjekësit e saj në Facebook. Duhet përshëndetur kjo rubrikë e re e Ambasadës.“Fabrikat Peppermell në qytetin e Biddeford, Maine. E dini se në 1915, myslimanët në Biddeford të Maine themeluan xhaminë e parë në Amerikë? Pjesa më e madhe e tyre ishin familje që punonin në fabrikat Pepermell. A e gjeni dot se, nga cili vend i Europës vinin ata emigrantë?, shkruan ambasada amerikane në Facebook, në postimin e saj të datës 10 gusht.
Përgjigja jonë
Në fillim shekullin e XX-të, emigrantët shqiptarë krahas formimit të shoqërive atdhetare-kulturore, shtuan përpjekjet për krijimin e shoqërive sipas përkatësive fetare. Kështu, krahas të krishterëve, muslimanët shqiptarë, filluan të organizoheshin në shoqëri të vogla fetare, ku mund të përmendet “Shoqëria fetare e Muhamedanëve” e themeluar në vitin 1909 në Detroit. Ndërkohë përpjekjet për organizimin dhe bashkimin e shoqërive fetare u shtuan më 31 janar 1915 në qytetin e Jamestown, ku u bë një mbledhje e zgjeruar me përfaqsues të klerit musliman nga vende të ndryshme ku jetonin shqiptarët e SHBA. Në këtë mbledhje u zgjodhën drejtues: Kryetar Hysen Cangonji, N/kryetar Shefqet Frashëri, Sekretar Hajdar Menkulasi, N/sekretar Vasfi Korca, arkëtar Ismail Vincani, kontrollorë Islam Kaica, Muharrem Vranishti, Shaban Kuci dhe Ramadan Revani. Njëkohësisht nga këshilli drejtues i sapozgjedhur dhe pjesmarrësit e tjerë u hodh ideja e krijimit të një shoqërie te bashkuar muslimane shqiptare.
Më 5 prill 1915, u themelua në Biddeford, Shoqëria fetare muhamedane kombëtare e SHBA. Në kryesi u zgjodhën: kryetar Qano Bilishti, sekretar Iliaz Përmeti, arkëtar Telha Panariti. Pleqësia, Mustafa Kapshtica dhe Ahmet Suli. Kjo përkon dhe me ngritjen e xhamisë së parë në SHBA, të postuar nga Ambasada amerikane në Tiranë.
Në korrik 1916, muslimanët shqiptarë festuan Ditën e Bajramit në Fitcburg. Në vazhdim shtimi i numurit të emigrantëve bëri të mundur ngritjen e 13 shoqatave muslimane në qytete të tjera të SHBA.
Më pas në Waterbury, ku funksiononte Lidhja Kombëtare Muslimane, në vitin 1918 mori jetë një shkollë e rregullt fetare, ku Islami predikohej në gjuhën shqipe dhe në vitin 1919 u ngrit dhe një xhami tjetër.
Për mëse gjysëm shekulli, shqiptarët muslimanë të Amerikës, kishin shoqata të vecanta, pa pasur një qendër të përbashkët. Ishte Imami Vehbi Ismaili, i cili në vitin 1949, themeloi qëndrën e parë islamike të shqiptarëve të Amerikës në Detroit. Në vazhdim muslimanët shqiptarë kanë ndërtuar xhami të tjera në vendet ku jetonin, pa kursyer ndihmat për ndërtimin e kishave dhe pjesmarrjes në shërbimet kishtare të vëllëzërve shqiptarë ortodoksë e katolikë. Se, mbi të gjitha feja e shqiptarit është shqiptaria. Një rol të rëndësishëm ka luajtur Imam Sali Myftija, pasardhësi i Tij, Imam Isa Hoxha etj. Shqiptarët kanë sot Qendrat e tyre Islame në SHBA, si në Detroit, Brooklyn, New York, Staten Island, Queens, New Jersey etj.