– Mora shkas për këtë shkrim nga një levizje apo manovër e disa grupimeve shqiptare në Amerikë nën emrin: ”Coalition of Albanian American Organizations”, të cilët po mundohen të influencojnë nëpërmjet një peticoni drejtuar Pesidentit Trump, Kongresit dhe Senatit, duke protestuar sipas tyre, kundër një politike të gabuar apo të dështuar të SHBA-ve në Kosovë apo edhe për shkarkimin e të dërguarit special në Kosovë, Richard Grenell. Kjo lëter-protestë është pregatitur së fundmi dhe u është përcjellur për mbështetje, një spektri të gjerë të shoqatave dhe institucioneve fetre shqiptare në SHBA.
NGA VALENTIN LUMAJ*/
Kosova, kjo gjysma e zemrës time dhe e shqiptarëve, vuan rrezikun e ndarjes dhe të copëtimit edhe sot që është e lirë dhe e pavarur. Ajo, falë Amerikës dhe gjakut të dëshmoreve të saj, fitoi pavarësinë nga Serbia dhe të gjithë armiqtë e huaj. Por Kosova ende nuk ka fituar lirinë nga bijtë e saj plangprishës. Kjo është beteja më e vështirë që e pret përpara. Shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të Kosovës. Nuk e kam fjalën për shumicën e shqiptarëve, por për dy, tre ose me shumë tradhëtarë të idealeve, njerëz pa atdhedashuri, pa principe, pa dinjitet, të shitur dhe të blerë majtas e djadhtas, të cilët nëpërmjet mashtrimit dhe intrigave kanë mundur të zaptojnë majat kyçe të dretimit të shteteve dhe partive shqiptare. Falë këtyre politikanëve shqiptarë është krijuar një ngërç në hapat e Kosovës drejt shtetformimit modern dhe proceseve të saj integruese.
Mora shkas për këtë shkrim nga një levizje apo manovër e disa grupimeve shqiptare në Amerikë nën emrin: ”Coalition of Albanian American Organizations”, të cilët po mundohen të influencojnë nëpërmjet një peticoni drejtuar Pesidentit Trump, Kongresit dhe Senatit, duke protestuar sipas tyre, kundër një politike të gabuar apo të dështuar të SHBA-ve në Kosovë apo edhe për shkarkimin e të dërguarit special në Kosovë, Richard Grenell. Kjo lëter-protestë është pregatitur së fundmi dhe u është përcjellur për mbështetje, një spektri të gjerë të shoqatave dhe institucioneve fetre shqiptare në SHBA.
- Në shikim të parë, ky peticion duket shumë joshës dhe impresiv, por po të lexojmë me kujdes përmbajtjen e kësaj letre, dallojmë një dozë të fortë proteste, mosbesimi dhe pakënaqësie të dorëshkruesve të saj. Letrën në tërësi e percjellin akuza dhe paranoja se Amerika nuk është më aleati i besueshëm i Kosovës.
- Kjo letër fillon me spekulim, duke nënvizuar se drejtohet në emër të organizatave përfaqësuese të një milion shqiptarëve në Amerikë. Kush e bëri këtë census? Nga erdhi kjo shifër? Aq më tepër, shumë nga këto shoqata të listuara kanë vetëm nga një anëtar. Por edhe të tjerat apo bashkësitë fetare nuk mund të shprehin mendimin politik të të gjithë anëtarëve. Janë me dhjetra e dhjetra organizata dhe shoqata të tjera atdhetare në Amerikë të cilat kanë refuzuar nënshkrimin e këtij peticioni, per mungese të sinqeritettit dhe të koherencës në këtë peticion.
- Aty akuzohet Presidenti Trump dhe përfaqësuesi i tij Grenell, se po mundohen me çdo kusht, qoftë edhe copëtimin e Kosovës me qëllim që të arrijnë një paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është një spekulim i pastër dhe një akuzë e pabazuar në fakte. Grenell ka deklaruar se në asnjë rast nuk është biseduar për shkëmbim territoresh në mes Serbisë dhe Kosovës.
- Ndër të tjera në letër, akuzohet diplomacia e Presidentit Trump si dritë-shkurtër kur në të vërtetë janë autorët e këtij peticioni ata të cilët nuk shohin me larg se tek hunda e vet. Ata, me dashje apo naivitet, po dëmtojnë mardhëniet e shkëlqyera midis shqiptarëve dhe Amerikës.
- Autorët e letrës akuzojnë politikën amerikane se po luan me gjakun dhe viktimat e luftës së Kosovës, dhe harrojnë se ishte Amerika e cila shfarosi makinën ushtarake serbe, i siguroi lirinë Kosovës dhe sot e kësaj dite garanton me prezencën e trupave amerikane atje, paqen dhe sigurinë e Kosovës.
- Në letër theksohet se Amerika, me dashje ose jo, është në një linjë me Kinën dhe Rusinë në mbështetje të Serbisë për ridimensionimin e kufijve të Kosovës. Edhe kjo, pa asnjë bazë si të tjerat, një spekulim dhe akuzë e padrejtë dhe e paqenë ndaj ShBA-ve.
- Në një paragraph nga ky peticion thuhet: ”…ne duhet të protestojmë në format më të fuqishme të mundshme, kundër akteve të fundit të përfaqësuesve të SHBA-ve dhe më konkretisht të akteve të Përfaqësuesit Special të SHBA-ve, Richard Grenell, të cilat i sigurojnë mbështetje Serbisë dhe krijojnë një krizë politike të panevojshme…”. Ky ton i ashpër komunikimi, krijon më së miri një tymnajë dhe opinion në popullatë se në mes komunitetit shqiptar dhe Shtëpisë së Bardhë egziston një konflikt dhe një aludim se ndoshta Presidenti Trump do ta shkarkojë ambasadorin Grenell. Grenell është një ndër figurat më të afërta, më të suksesshme dhe më të besuara të Presidentit. Presidenti Trump në asnjë rrethanë të gjendjes në Kosovë nuk do ta shkarkojë si humbës perfaqësuesin e zgjedhur të tij. Atëherë në qoftë se nuk e shkarkon, i bie që Presidenti do ta mbrojë Grenell. Po si do ta mbrojë? Përgjigja është e thjeshtë: Grenell ka vepruar dhe vepron në favor të interesave të Amerikes dhe sipas vullnetit të përfaqësuesve të shteteve të Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Trump do t’i lajë duart si Pilati duke thëne: Unë nuk gjej faj tek ky njeri.
Për këtë arsye dhe të tjera të përmendura më lart, do të krijohet një klimë e pakënaqëshme dyshimi në mes shqiptarëve në përgjithësi dhe Presidentit. Në qoftë se ndodh kështu, do të thotë që këto grupime, po bëjnë veprime jo të matura mirë ose vetëvrasje politike në dëm të shqiptarëve.
Po a është çështja e Kosovës qëllimi i vërtetë i kësaj letre?
Në fakt, po të thellohemi pak, më shumë se një lëvizje në favor te Kosoves, unë mendoj (qofsha i gabuar) se bëhet për dy qëllime të tjera:
1- për populizëm, nga ata, të cilët nuk e kuptojnë politikën, dhe
2- është një lëvizje politike e disa individëve shqiptarë në SHBA, përkrahës apo anëtarë të Partisë Demokratike këtu dhe me lidhje të afërta me përfaqësues të kësaj Partie në Kongres. Ky manovrim, jo pa qëllim, bëhet në prag të zgjedhjeve presidenciale, me të vetmin qëllim: dobësimin e figurës së Presidentit Trump përpara elektoratit shqiptaro-amerikan dhe më gjerë.
Kjo e dyta është shumë serioze dhe e shoh si të mirë-menduar dhe të mirë-pregatitur dhe një thikë mbas shpine me shumë presa, që do të thotë:
-Në qoftë se Presidenti Trump e shkarkon ambasadorin Grenell, kjo do të përkthehet dhe përdoret si dështim i Trump në Kosovë.
-Në qoftë se nuk e shkarkon, atëherë do të akuzohet se po mbron një person që po vendos në tavolinë kufijtë e Kosovës për të arritur një paqe në mes Serbisë dhe Kosovës dhe në rastin më të mirë për t’a përdorur si sukses të jashtëzakonshëm në favor të ri-zgjedhjes së tij.
-Po ashtu, po përdoret edhe si propagandë për të vënë në dyshim mbështetjen e Presidentit Trump ndaj Kosovës, duke lënë një shije të keqe dhe mosbesim ndër shqiptarët. Pra, në të gjitha rastet e mundshme, në filozofine e tyre, Trump nuk është i dëshiruari shqiptarëve të Amerikës në zgjedhjet presidenciale, kështu që ata, do të votojnë Biden.
Unë i siguroj se rizgjedhja e Trump-it nuk është as pyetje, as nuk është në diskutim; me dhe pa mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve, Trump do të fitojë. Por sido që të jetë, këto grupime kurrë nuk duhet të kishin aktruar një sulm të tillë ndaj Presidentit.
Po si mundet që të sulmojnë Presidentin Amerikan apo perfaqësuesit e tij. Po kush? Ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës së gjorë, të dëbuar dhe të mbijetuar nga lufta, nga skamja, komunizmi, gjakmarrja e shumë e shumë arsye të tjera, që gjetëm strehë në këtë vend të bekuar, i cili na dha shpresë dhe liri, na dha krahë që nga hiçi filluam një jetë të re në paqe, siguri dhe me të gjitha të mirat e Zotit. Harrojmë se Shqipëria egziston falë Amerikës, Kosova egziston falë Amerikës, harrojmë se edhe ne shqiptaro-amerikanët, në periulla të shkurtra të kohës, përveçse kemi gjetur lirinë dhe prosperitetin tonë dhe të pasardhëseve tanë, kemi arritur shumë më shumë se gjenerata të tëra të paraardhëseve tanë në trojet amtare qysh me zgjedhën e turkut, serbit apo komunizmit. Harrojmë historinë, mikpritjen dhe mbështetjen për më 100 vite te Amerikës dhe sot bëhemi bukë-shkelës.
Në fakt, Grenell nuk është fajtor për qëndrimet dhe veprimet e tij. Ai është qytetar amerikan dhe vendos interesat e Amerikës në plan të parë. Por, ai kurrë nuk do te shkelë, anashkalojë apo injorojë vullnetin e përfaqësueseve të Kosovës. NUK ËSHTË GRENELL APO TRUMP TRADHTARI AS ARMIKU YNË. TË DASHUR BASHKË-KOMBAS, TRADHËTARËT I KEMI MES NESH DHE PO I KËRKOJMË ATJE KU NUK JANË. KUJTOHUNI SE PROPOZIMI PËR SHKËMBIMIN E TERRITOREVE ËSHTË MË I HERSHËM SE PREZENCA E GRENELL NË KOSOVË. ISHTE THAÇI I PARI QË E PROPOZOI SHKËMBIMIN E TERRIROREVE, QË U PERKRAH NGA KRYEMINISTRI RAMA MË PAS. PËRSE HESHTËT DHE VAZHDONI TË HESHTNI KUR NDARJEN E TERRITOREVE TË KOSOVES E KERKOJNË VETË SHQIPTARËT?
Në gjykimin tim, ky peticion nuk duhet t’i dërgohet Presidentit Trump. Të gjitha shoqatat dhe institucionet fetare në listë, të cilat shohin Presidentin Trump si mik të shqiptarëve, dhe duan që t’a mbajne dhe jo t’a prishin këte miqësi edhe për katër vitet e ardhshme, duhet të terhiqen nga ky peticion. Thirrja ime është krejt e sinqertë dhe me të vetmin qëllim: ruajtjen e klimës së partneritetit dhe të besimit reciprok midis shqiptarëve dhe Shtëpisë së Bardhë. Çështja e Kosovës apo çështjet kombëtare shqiptare nuk duhet të perzihen apo të përdoren për interesa politike në fushata zgjedhore në Amerikë apo me qëllim denigrimin e padrejtë te figurës së Presidentit të SHBA-ve, i cilësdo parti qoftë.
Diaspora e Amerikës po të ketë “guts”, (për etikë s’dua ta them në shqip), le të unifikojë mendimet dhe qëndrimet, të kërkojë publikisht dorëheqjen dhe perjashtimin nga jeta politike dhe vendim-marrëse të Thaçit dhe Ramës, eksuzuvisht me akuzë për tradhëti kombëtare. Ata janë e keqja që Kosova dhe Shqipëria po lëngojnë sot. Një bashkim i thirrjeve dhe mendjeve tona për dorëheqjen e tyre do te ishte një mesazh i fuqishëm edhe për administratën Trump, duke i shprehur atyre në këtë mënyrë qëndrimin e shqiptaro-amerikanëve në lidhje me Kosovën. Ky është shërbimi më i mirë që do t’i bënit Kombt sot-për-sot.
“Shohim qimen para tjetrit, por nuk e shohim traun para vehtit”.
Nga cikli “Persiatje mendimesh ne kohe krizash”.
Michigan, 22 Maj 2020
- Valentin Lumaj, eshte anetar i Keshillit te Vatres, ish kryetar i Kuvendit te Vatres, te 19 janarit 2020, ne Detroit.